leoni

Enver Hoxha

Enver Hoxha sërish në mesin e shqiptarëve

Një burrë rreth moshës 5o-vjeçare, një ditë prilli, ishte paraqitur befasisht në Sheshin “Skënderbeu” të Tiranës. Shëtiste lirshëm dhe vazhdimisht me fytyrë të qeshur. Shumica e njerëzve e shikonin me habi dhe kureshtje. Çuditërisht,  i përngjante pikë për pikë Enver Hoxhës, prijësit komunist të Shqipërisë, i cili kishte vdekur më 11 prill të vitit 1985. Madje kishte rastisur që ai të kishte  edhe veshjen pranverore të kohës së tij. Me flokët e krehur, fytyrë të rruar tërë vitalitet, kishte shëtitur shkujdesur nëpër sheshin kryesor të kryeqytetit. Kishte një shikim kuptimplotë e serioz. Edhe gjatësia e mosha i akordonin Enverit të moshës së viteve 50-60… 

– Me kë po më përngjan  ky njeri, i drejtohet shokut të tij një burrë rreth të shtatëdhjetave.

– Edhe unë po e shikoja, Enveri i gjallë!

– Çudi çfarë ngjashmërie.

–  Epo mund të jetë ndonjë aktor, mbase po gjirojnë ndonjë film, thotë burri më i moshuar duke shikuar përreth mos po shihte ndonjë ekip filmuesish.

– E sheh, edhe të tjerët po e shikojnë me habi dhe kureshtje.

– Mami, mami, ja ky xhaxhi, si ai partizani  gjyshit, që e mbanë në kornizë, shiko mban edhe kordelen e kuqe në qafë…

– Do jetë ndonjë aktor filmi, xhan, nuk është ai.

Një burrë rreth të dyzetave iu kishte qepur pas, mbase nga kureshtja apo thjesht ecte krahas tij pa i bërë përshtypje…

 

Dy pleq, Kiço Kosta dhe Beqo Fejzua kishin bërë tutje drejt një tavoline nën hijen e një pishe në hyrje të hotelit “Tirana”, përballë sheshit. Dukeshin të hutuar dhe asnjëri nuk po arrinte ta bindte veten se njeriu që e kishin parë, ishte vetë figura e gjallë e Enver Hoxhës. Pasi kishin pushuar pak dhe kishin pirë ujin, që iu kishte sjellë kamerieri, Kiçua sërish kishte shprehur habinë e tij.

– Si vete kjo djall bote. Mbase e kemi nga pleqëria, Beqo. Kujtdo t’ i tregojmë se kemi parë Enver Hoxhën në sheshin e Tiranës, do pandehin se kemi luajtur nga mendja, se na kanë rrjedhë trutë.

– Po ama e pamë, me tesha veshur, si i thonë fjalës. Me mantelin e pranverës, me kordelen e kuqe në qafë, e pamë të tërin, madje kemi dëshmitarë njëri-tjatrin.

– Nuk më shqitet nga përfytyrimi. Mirë e ke,  mund edhe të kemi luajtur, po ama raki nuk kemi pirë, lerë që ti nuk e pi fare, por as unë. Kur u zgjova sot, nuk e piva atë gotën e vogël, sikur bëj zakonisht. Që kur vdiq Ollga, as rakia nuk më pihet më, si në kohët e kaluara.

Në tavolinën përballë dy pleqve që nuk po arrinin  ta bindnin veten se vërtet e kishin parë Enverin, apo iu kishin bërë sytë,  ishte ulur një çift, burrë e grua rreth të gjashtëdhjetave.

– E patë Enverin ju, kaloi këndej pari? – iu drejtohet gruaja dy pleqve që rrinin si të hutuar mbase edhe nga vapa, që kishte filluar ta kaplonte Tiranën.

– Lëri përrallat oj grua, se luajte mendsh ti nuk ka lojtur bota.

 

– Ja mor të uruar, iu drejtohet burri dy pleqve që ia kishin zgurdulluar sytë gruas.  Jam në hall me të. Ishte duke më pritur këtu te Sheshi dhe thotë se e ka parë Enver Hoxhën. Deh, o dreq, po si i ra në mend se…

– Edhe ne e pamë, por ama nuk po u besojmë syve. Tani që u bëmë tre, kjo punë do parë me themel, thotë Kiçua.

– Lëre xhaxha, mos ia fut kot edhe ti, dukesh plak serioz, por me mend të grave.

– Me këto mendtë dhe sytë  tonë,  unë, Kiçua vetë dhe ky Bequa, miku im, sot në shesh, ja andej kah “Skënderbeu” kemi parë Enverin, ose një aktor filmi i ngjashëm qind për qind me te. Edhe pse pleq shikimin me syzet e kemi në rregull ama.

Në çast kishte arritur kamerieri i cili kishte dëgjuar për meselenë. Ai i kishte ofruar lëngjet e porositura çiftit, përballë të cilit ishin ulur dy pleqtë.

– Për Enverin po flisni edhe ju?

– Për atë, po edhe ti paske dëgjuar?

– Të gjithë po flasin. Të gjithë thonë se në shesh e paskan parë Enverin. Duhet të jetë ndonjë rreng i ndonjë aktori, apo i ndonjë mashtruesi sa për ta tërhequr vëmendjen e njerëzisë.

– Të thashë, pra, hëm çdo të thuash tani, iu kishte drejtuar gruaja burrit, i cili nuk donte të besonte se ishte ringjallur Enver Hoxha, apo ndokush kishte bërë ndonjë shaka për qëllim të caktuar.

– Vetë Enveri edhe ju e paskeni parë?

 

Gruaja i kishte përshkruar me hollësi tiparet, madje meqë thoshte se i kishte kaluar pranë, tregonte sesi asaj iu kishte kthyer përfytyrimi i kohës së rinisë, kur kishte shkuar në aksion, madje para nisjes për në Rogozhinë, në tubimin e madh popullor, nuk i shqitej nga mendja kur  i kishte përshëndetur me grushtin lart.

– Po të kishte qenë  Enveri si thoni ju, njerëzia do ta kishin kapur  për fyti dhe do ta kishin dërguar në Komisariat.

– Po kush do të guxonte ta arrestonte? Besoj se edhe policët e panë, por u bënë sikur nuk panë gjë. Ata kishin frikë nga Enveri i vdekur, e pale tani që u ringjall. Eci lirshëm burri i botës, nuk kishte armë, nuk kishte përcjellës. E panë të gjithë…

– Djallo punë, thotë burri me mustaqe, i cili kurrsesi nuk po bindej. Nuk ishte Krisht apo profet, që të ringjallet. Për më tepër ishte i pa fe, ishte ateist, ai nuk besonte Zotin. Ai mbylli kisha e xhamia. Dhe, si thoni ju, Zoti ta ketë zgjedhur atë për ta ringjallur? Kjo nuk shkon.

– Merre shtuar or mik. Ne e kemi parë Enverin edhe kur ishte gjallë, mandej kur vdiq morëm pjesë në komemoracion dhe në varrim. E pranoj se edhe unë kam qarë me lot si të gjithë. Por sot, edhe nëse nuk ka qenë Enveri, ne pamë një burrë që përngjante qind për qind me të. Ja këtë po e vërteton  edhe kjo nusja jote.

– Ç’nuse na qenka kjo, njëjtë me mendjen  e dy pleqve që kanë parë Enverin  tridhjetë e sa vjet pas vdekjes.

– Po kamerieri?

– Ai nuk e pa vetë, me të dëgjuar e kishte… nga të tillë si ju. Pa lëreni atë djall punë se na çmendet. U ngjall Enveri thonë. Obobo…

 

Në mbrëmjen e asaj dite të nxehtë pranvere në tërë Tiranën ishte përhapur fjala se nëpër midis të sheshit kishte shëtitur fill i vetëm, Enver Hoxha, ose ndonjë mashtrues i veshur i maskuar, ndonjë cirkusant me mjeshtri të përkryer maskimi, mbase me qëllim të caktuar, apo ndonjë sozie. Meqë ishte 30-vjetori i vdekjes, di kush thuhej se kishte improvizuar Enverin e gjallë, duke shëtitur rrugëve të kryeqytetit. Të gjitha përshkrimet e kalimtarëve të rastit, të cilëve iu kishte rastisur që në orët e mesditës të kishin kaluar në sheshin Skënderbeu, rrëfenin se kishin parë Enverin, të gjallë dhe jo foton apo ndonjë vizatim. Ata që e kishin parë insistonin të tregonin se nuk e kishin parë ëndërr, por kishin parë vetë Enverin apo dubletin, sozien e tij. Të tjerët që nuk e kishin parë, jo vetëm që nuk e pranonin një mundësi të tillë, por as interesoheshin fare të zgjatej biseda lidhur me atë ngjarje, për të cilën shumica pranonte se mund të kishte kurdisur, ndonjë enverist i çmendur me rastin e 30-vjetorit të vdekjes.

Dyshimet drejtoheshin nga Kosova. Atje, ende rronte Enveri në mendjen e shumë njerëzve. Madje, atje ishte edhe një organizatë që merrej me Mbrojtjen e figurës së Enverit. Thuhej se dikush nga ai mes mund ta kishte provokuar opinionin, mbase  për një qëllim të caktuar.

Të nesërmen në mëngjes, lajmin e kishin përhapur edhe gazetat, por ama nuk kishte filmuar askush. Shumë gazeta e portale kishin afishuar foto të ndryshme të Enver Hoxhës. Një kamerë sigurie e një restoranti, kishte vërtetuar lajmin. Disa orë më vonë pronari kishte nxjerrë një foto krejtësisht identike. Dikush kishte manipuluar me figurën e Enver Hoxhës. Shumica e njerëzve, të cilëve iu kishte rastisur ta kishin parë, i bindeshin faktit se dikush kishte krijuar  një dublet, sikur ata në filma. Thjesht një manipulim me qytetarët, por i pari i atij lloji.

Vetvetiu ishin shtuar pyetjet, kush e bëri, përse e bëri dhe me çfarë qëllimi?

Përgjigjet e sakta, ishin po aq të vështira sa edhe besimi i verbër se qytetarët e kishin parë të gjallë Enver Hoxhën, madje duke shëtitur nëpër rrugët e Tiranës,  30 vjet pas vdekjes. Në dukje kjo ishte çmenduri, por ishin qindra veta që dëshmonin se kishin parë një njeri krejt identik me të.

Paraqitja e befasishme e Enver Hoxhës në sheshin e Tiranës kishte zgjuar interesimin e njerëzve që përhapnin sensacione. Po atë ditë, në mbrëmje, thuhej se ishte parë në Xhaminë qendrore të Et-hem Begut,  në Tiranë, ku së bashku me besimtarët kishte falur namazin e akshamit. Vetë imami në rastin kur ishte kthyer nga xhemati, për ta kënduar lutjen e fundit të namazit, e kishte vërejtur për herë të parë njeriun, identik me Enver Hoxhën. Nuk i kishte dhënë rëndësi rastit, i bindur se ishte në pyetje një ngjashmëri, por në dalje të xhamisë kishte dëgjuar se rasti po përflitej. Madje dy pjesëtarë të xhematit, që cilëve iu kishte rastisur të ishin falur afër tij, as namazin nuk e kishin kryer si duhet duke shikuar herë pas herë  njeriun, që për herë të fundit, 30 vjet më parë  i kishin parë arkivolin e tij.

Fakti se ai zhdukej në moment, bënte që njerëzit të flisnin me rezervë dhe me shumë dyshime.

– Po ç’ deshi këtu në xhami, ai? – kishte pyetur imami.

– Nuk ishte Enveri hoxhë efendi, do ketë qenë ndonjë mashtrues, ndonjë dublet. Se pak mashtrues ka sot? Kishte të tillë edhe në kohën e Enverit, po ama ai ua thyente kurrizin. Tani jemi bërë të gjithë mashtrues, gënjeshtarë, kishte thënë një pjesëtar i xhematit, i cili nuk besonte në shfaqjen e papritur të Enverit.

– Mund të ketë qenë “Dexhalli” në figurën e tij, thotë hoxha mendueshëm, para shumë besimtarëve që po komentonin shfaqjen papritur të figurës së Enver Hoxhës. Është shenja e fundit e Kiametit kishte thënë ai.

Hoxha kishte filluar të pëshpëriste një lutje në gjuhën arabe, ndërkohë që njëri prej besimtarëve i kishte kërkuar më shumë shpjegime për Dexhallin.

– Fjala  “dexhall” në gjuhën arabe do të thotë mashtrues, mbulues i së vërtetës. Është një njeri i madh me një sy, i cili pretendon të jetë krijesa e fundit që paralajmëron Kijametin. Ardhjen e tij e ka paralajmëruar vetë profeti ynë, Muhamed, madje si shenjën më të dukshme të ardhjes së Kiametit. Të krishterët e quajnë Antikrisht.

– Tamam ashtu duhet të jetë. Enver Hoxha ishte mashtrues dhe ateist, po njeriu që pamë ne  në xhami kishte dy sy.

– Fakti se  e kemi parë figurën e tij me dy sy, është i vërtetë, por ama në ditët në vijim, pasi t’ i ketë tubuar pasuesit e vetë, ai do të paraqitet me një sy. Ashtu thuhet.

– Nuk po na shqitet Enveri. Menduam se e varrosëm përgjithmonë dhe ja tani ai na vjen si Dexhall.

– Si e ka shkruar All-llahu do të bëhet, thotë hoxha, i cili kishte filluar ta bindte veten se, paraqitja e Enver Hoxhës në Tiranë, në 30-vjetorin e vdekjes, kishte të bënte me paralajmërimin e fundit të mbarimit të botës dhe me ardhjen e  Kiametit.

 

 

Lajmi kishte marrë dhenë. Njerëzia kishin deponuar të dhëna edhe në Komisariatet e policisë për të vërtetuar vendet ku e kishin parë, kohën dhe ndonjë përshtypje apo habi që kishin shfaqur njerëzit. Krye-komisari kishte kërkuar nga vartësit e tij që të hartonin sa më parë një komunikatë për shtyp, në mënyrë që t’i bëhej e ditur opinionit se ngjarja rreth paraqitjes së njeriut në figurë krejt identike me Enver Hoxhën po hetohej, pasi të verifikoheshin qindra dëshmi të atyre që pretendonin se e kishin parë. Paraqitja e tij ishte filmuar edhe në kamerat e ndryshme të Sheshit. Dikush  po i manipulonte njerëzit për qëllime të panjohura…

Gazetari i hulumtimit të sensacioneve, Fendi Fe-ziu, i cili bënte kujdestari  për afera të ndryshme kontroverse, konspirative, që ishte ushqimi i tij i degjeneruar, shpirtëror, pa vonuar kishte ftuar disa “figura të njohura” në emisionin e tij “Opinion” për të debatuar lidhur me paraqitjen e befasishme të Enver Hoxhës, edhe pse atij nuk i kishte rastisur ta shihte. Ai nuk iu kishte telefonuar anëtarëve të familjes së Enverit, meqë kishte shkruar një libër të mbushur me gënjeshtra për të dhe familja kishte reaguar publikisht për  deformimet, që kishte bërë. Mirëpo kishte ftuar personin, që kishte marrë pjesë në rrëzimin e bustit të Enverit dhe që njihej si hero, madje edhe me dekoratë të presidentit. Kishte ftuar si zakonisht  opinionistin, Tos-luba, pastaj Hale-matin dhe Bato-batën nga Kosova, shkrimtarin Ben-benushi dhe hoxhën Zijaver, i cili do të dëshmonte se Enveri ishte falur namazin në xhaminë, ku ai ushtronte detyrën e imamit. Ai ishte i vetmi në mesin e tyre, i cili e kishte parë figurën e tij. Opinionistët e tjerë nuk e kishin parë, por gjatë disa ditëve  kishin dëgjuar lajmin sensacional, madje edhe nga më të afërmit e tyre.

Udhëheqësi i emisionit, Fe-ziu, në fillim i kishte bërë një paraqitje të gjithanshme fenomenit, duke e ekzagjeruar paraqitjen si një komplot që po përgatisnin komunistët, anarkistët, socialistët kundër demokracisë në Shqipëri. Me shkopin e tij që e mbante në dorë, fytyrën dhe kokën e rruar si budistët e vaktit të moçëm,  kishte afishuar foto të kohës së Enver Hoxhës, një foto nga libri i tij dhe tërë pompozitet dhe arrogancë ishte munduar ta sforconte temën. Pas paraqitjes euforike herë-herë edhe me elemente groteske,  duke ua përkujtuar shikuesve adresën e tij në Fejsbuk, duke drejtuar shkopin si Satanai Voland në romanin: “Maestro e Margartita”,  për fillim fjalën ia kishte dhënë imamit, Zijaver, meqë ai e kishte parë të falej në xhami.

-Më vjen mirë që keni organizuar këtë debat, kishte filluar paraqitjen e tij Hoxha, duke premtuar se  kjo ngjarje e befasishme do të trajtohej si duhet. Po jetojmë në një kohë tepër të vështirë, ku gënjeshtra, mashtrimi, dhuna, vjedhja, plaçkitja, amoralitet, droga prostitucioni, vëllavrasja, hakmarrja, mbytjet e përditshme në trafik, vrasjet ndër më të shëmtuarat  janë shumuar aq shumë, sa ne besimtarët nuk kemi si të mos mendojmë se po afrohet dita e kiametit. Dhe një shenj i madh i afrimit të kësaj dite është edhe paraqitja e Enver Hoxhës, për mendimin tim si paralajmërim për ardhjen e njeriut me një sy, Dexhallit, sikur shkruan në Kur’an.

– Mos ia fut kot hoxhë, mos mbaj ligjëratë këtu, por thuaj e ke parë apo jo Enverin, si e ke parë, përse nuk e ndalove, përse nuk urdhërove besimtarët ta kapin gjallë? -kishte ndërhyrë në fjalë Tos-luba i njohur për prepotencën e tij deri me deformime skizofrenike.

– Ju lutëm, me radhë, do ta kesh fjalën, premton drejtuesi i emisionit, duke bërë hapa, sa para sa prapa, në drejtim të të ftuarve dhe duke mbajtur shkopin si karagjozët e mesjetës.

– Më vjen keq për gjuhën që po përdor, z. Tos, sepse unë nuk ia fut kot sikur ti, por po e shfrytëzoj të drejtën, për ta thënë fjalën time, që ma dha udhëheqësi i emisionit, ia kthen imami.

– Mirë de atëherë fol, por mos trego dokrra…

– Nuk kam dyshim se ishte Enveri, sepse Dexhalli ndërron format, mund të bëhet njeri, madje edhe kafshë. Ditën e fundit do të shihet si figurë me një sy, si katallani apo ciklopi i përrallave antike. Edhe paraqitja reale,  fizike, e Enver Hoxhës, sa ishte në krye të Shtetit ishte një Dexhall, ishte paralajmëruesi i shkatërrimit të botës, por Allahu e ndaloi të bënte hapa më tej dhe ai e izoloi dhe e shkatërroi Shqipërinë…

– Kjo sikur ma mbush mendjen, thotë shkrimtari socialist, Ben-benushi. Nuk kam dëgjuar për atë Dexhallin, por e di se duhet të jetë si Antikrishti. Enveri ishte antikrisht, ç’  është e vërteta në kohën e tij ishim të gjithë si ai, madje edhe ky Tosi e shumë të tjerë, por në këtë pikë pajtohem me hoxhën. Por më duhet t’i japë vërejtje Fe-ziut, udhëheqësit të debatit se nuk e ftoi Prift-Janullën, i cili do të jepte më shumë shpjegime. Ke ftuar një hoxhë por nuk ke ftuar edhe një prift!.

– Zotërinj të nderuar. E kam ftuar hirësinë e tij por ai nuk ma hapi telefonin, shpjegon Fe-ziu. Në një mesazh i  thashë se do t’ ia puth dorën, publikisht  po të vinte,  por ai si duket  nuk begenisi… Nuk ka faj hirësia e tij, ai nuk e ka parë..

 

– Kur ishte gjallë ti ia ke puthur edhe Enverit, ia kthen Tos-Luba i inatosur.

– E po na frika ia puthëm, të gjithë, ndërhyn Ben-benushi.

– Unë, jo, ndërhyn hoxha.

– Po ku do t’ia puthje ti, kur ju hoxhallarët i hoqët çallmat dhe nuk u ndiet gjallë, prapë i ndërhyn në fjalë Tos-luba.

– Po ashtu duhej ta kishit ftuar një anëtar të Partisë Komuniste, apo një të afërm të Enverit, apo ndonjë enverist nga Kosova. Nëse është e vërtetë se është ringjallur, ai duhet të fshihet të shtëpia e tij, te bashkëshortja plakë, apo te bijtë, apo te enveristët e Kosovës, diku duhet të jetë, kishte thënë Ben-benushi.

– Disa nga ata që po i numëroni  nuk pranuan të marrin pjesë, sepse konsiderojnë se është një shpifje-shpikje e radhës, e imja dhe e armiqve të Enverit. Si komunistë që janë, ata nuk besojnë në ringjallje. Mbase këtë e bëjnë me qëllim për ta hequr dyshim në ringjalljen e tij, kishte shpjeguar, Fe-ziu.

-Kam bindjen se ne edhe si komb kemi filluar të matufosemi, mbase jemi shthurur totalisht,  ndërhyn sërish Tos-luba. Kemi këtu një hoxhë, që thotë se e ka parë Enverin, në xhami, por nuk ka asnjë fakt real, asnjë dokument që flet për këtë. Na tregon përralla të Kuranit për një dexhall, sado që në mënyrë metaforike mund ta pranoj vetëm krahasimin që i bëhet Enverit me një bishë biblike, le të jetë edhe e kuranit, si i thoni ju. Por të jetë ngjallur Enveri dhe të ketë shëtitur rrugëve të Tiranës, kjo është absurde. Ku është shteti, policia, ku janë ata që e kanë parë dhe nuk e kanë ndaluar? Këtë ma tregoni nëse e di ndokush nga ju?.

– Për të shpjeguar këtë jeni të ftuar sonte këtu. Ju lutëm nga regjia më bëjnë të ditur se kemi një telefonatë. Alo. Po, po, drejt në debat zotëri i nderuar, po debatojmë për paraqitjen e Enverit, mos e keni parë, mos e kanë ndaluar…. Si the, ti je Enveri? Po si është e mundur? Hej… hej.. Trotil thua? 10 kilogramë trotil në hyrje të studios…. O zot kishte lebetitur Fe-ziu dhe me shkopin në dorë ishte sulur drejt daljes.

Lajmi nga telefoni kishte alarmuar Fe-ziun dhe të ftuarit, të cilët kishin filluar me vrap dhe në panik të largoheshin  nga studioja duke e shtypur njëri tjetrin. Më se keqi kishin pësuar Tos-luba dhe Hale-mato, meqë të ftuarit e tjerë, më të fuqishëm i kishin shtypur dhe shkelur në dalje. Madje edhe Imami kishte kaluar mbi trupat e tyre, në përpjekje për t’u larguar sa më parë nga studioja, e cila pritej që nga çasti në çast të hidhej në erë…

 

 

Paraqitja misterioze e  Enver Hoxhës në Tiranë, ishte përcjellë me interesim të madh jo vetëm nga qytetarët por edhe nga Policia, mediet madje edhe nga autoritetet shtetërore. Të gjithë sikur kishin arritur në një përfundim se dikush kishte krijuar me mjeshtëri një dublet, aq të përkryer, sa ata që kishin pasur rast ta kishin parë Enver Hoxhën, sa ishte gjallë, apo e kishin parë në fotot e shumta, të afishuara në medie e në filma dokumentarë, rrëfenin se figura ishte qind për qind e njëjtë, krejt identike. Askush nuk dyshonte se  ishte fjala për një dublet, por kishte mjaft të tillë, sidomos nga radhët e besimtarëve,  që besonin se ai ishte ringjallur, si paralajmërim për fundin e botës, për Apokalipsin, apo Ditën e kiametit.

 

Disa ditë më vonë, figura apo hija e  Enver Hoxhës ishte parë në Gjirokastër. Një burim i besuar i Shërbimit sekret kishte njoftuar policisë se në orët e pas ditës  kishte parë me sytë e tij nga dritarja kundruall,  njeriun, për të cilin flitej se ishte Enver Hoxha. Ai ishte futur në shtëpinë e tij muze, e cila nuk ruhej nga askush gjatë natës, as gjatë ditës. Policia me shpejtësi kishte rrethuar shtëpinë dhe kishte pritur që në orët e hershme të mëngjesit të intervenonte për ta kapur mashtruesin e madh, që paraqitej me figurën e Enver Hoxhës.

Aksioni i policisë kishte rezultuar pa sukses, ndërkohë që spekulohej se Enver Hoxha në kohën e tij kishte ndërtuar një kthinë nëntokësore, brenda shtëpisë,  për të cilën nuk dinte askush, madje as familja e tij.

 

Hija e Enver Hoxhës po kthehej në makth për shumë kë, por edhe si nostalgji, për shumë të tjerë.

Shtroheshin shumë pyetje, por nuk kishte asnjë përgjigje të besueshme, përveç faktit se dikush po e mashtronte, madje edhe po e sfidonte opinionin. Kërcënimi në emisionin e TV-Klanit doli të ketë qenë fals. Mbase dikush kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte tmerruar debatuesit. Flitej se vetë Fe-ziu e kishte kurdisur telefonatën me qëllim që të shkaktonte një skandal për të qenë në qendër të vëmendjes së medieve. Madje, flitej se ishte pikërisht ai me një ish-shofer të Sali Berishës që e kishin kurdisur tërë mashtrimin, duke krijuar një dublet, një maskë krejtësisht identike të fytyrës së Enver Hoxhës të moshës së  tij 50-60-vjeçare.

Mjegulla rreth paraqitjes së Enver Hoxhës, në Tiranë dhe në Gjirokastër kishte filluar të dendësohej edhe më tepër kur figura e tij ishte paraqitur në Shkodër, mu në mes të qytetit. Një kalimtar rasti, nga befasia, sapo e kishte parë instinktivisht e kishte përshëndetur me grushtin lart. Edhe ai e kishte përshëndetur me grusht dhe sakaq ishte futur në një veturë me targa të huaja, ku po e priste shoferi i tij. Kalimtari, Gjon Maculla ishte drejtuar në Komisariat dhe kishte rrëfyer tërë ngjarjen, pa e fshehur faktin se e kishe përshëndetur me grusht dhe që kishte pasur respekt për prijësin e dikurshëm. Ai kishte dhënë informata për vendin ku e kishte parë, kohën e saktë, veturën, ngjyrën, mirëpo shoferin nuk e kishte parë në fytyrë. Nuk e kishte mbajtur mend numrin e regjistrimit, as dinte tipin e veturës, por e dinte se ishte regjistrim i huaj.

–  I ke dëgjuar zërin?- e kishte pyetur komisari.

– Jo, belda nuk foli, por sapo e ngrita grushtin, edhe ai e ngriti dhe m’ përshneti vetëm me kokë.

– Je i sigurt se ishte Enver Hoxha?

– Po, pasha t’ madhin Krisht, me tesha veshë. Ose ndonjë dublet si po i thonë tash, po vetë Enveri. Nuk m’ rren mendja, jo.

– Mos t’ lëshoi në dorë ndonjë letër, afishe, apo ndonjë lek?

– Jo për Krisht, asgja nuk m’ ka dhanë se nuk kishe me e fsheh’ para pushtetit. Unë  vetë erdha me dëshmua.

– A kishte njerëz të tjerë, kur u përshëndetët?

– Kishte gjindje, po asnja  i njohur nuk ndodhi. Me siguri se e ka pamun edhe ndokush veç meje.

Paraqitja e figurës së Enver Hoxhës vazhdonte të mbetej enigmë misterioze, që kishte ngjallur bezdinë e autoriteteve. Dominonte mendimi se dikush po e mashtronte opinionin, por askush nuk e zbërthente dot motivin. Po ashtu, gjatë analizave që kishte bërë policia lidhur me vendet ku  shfaqej papritur, kishte ardhur në përfundim se ai nuk ishte dukur asnjëherë në prani të policëve, as ndokund para komisariateve. Kjo tregonte se personi misterioz ishte shumë i kujdesur, ndërsa paraqitej atje ku nuk e priste askush.

Një ditë, në Tiranë, një burrë jo aq i moshuar, nga radhët e ish të përndjekurve politikë, një Duro Mali, kishte kapur për fyti një të panjohur, i cili  i kishte përngjarë me figurën e Enverit, që po përflitej.

– Të zura, e zura njeriun që po paraqitet me figurën e Enverit, lajmëroni policinë, bërtiste me zë ndërsa  i kapuri në befasi, po mundoje të lirohej, po mundohej të shpjegohej  me gjeste  por nuk nxirrte dot fjalë.

– Fol kush je, i kishte bërtitur duke e mbajtur me forcë, në kohën kur ishin afruar disa kalimtarë rasti.

– Lëshoje njeriun, çfarë të ka bërë? – i drejtohet një burrë me moshë mesatare, i cili kishte ndodhur pranë.

– Të thërrasim policin, thotë një tjetër

– Është Enveri, kapa Enver Hoxhën, lajmëroni policinë!

– Mor,  po ti qenke i marrë, po për cilin Enver e ke fjalën, liroje njeriun se i zyre frymën, mor derr.

I Kapuri ishte një burrë i dobët dhe i moshuar, që mezi qëndronte në këmbë, madje ishte edhe shurdhmemec, por  kishte një dozë ngjashmërie me figurën e Enver Hoxhës.

Ai, po jepte shenja me duar  se nuk fliste, ndërsa kjo e bënte edhe më këmbëngulës personin që e kishte kapur për duarsh,  meqë ai mendonte se viktima e tij po improvizonte, apo mundohej ta fshihte identitetin.

Nuk kishte vonuar dhe kishin arritur dy policë.

– Kapa Enverin, Enver Hoxhë, thotë ish i përndjekuri.

Policia kishte legjitimuar të dy. Personi i kapur kishte letërnjoftim si dhe certifikatën se ishte shurdhmemec. Asgjë nuk përputhej me të pandehurat e njeriut që e kishte ndaluar dhunshëm dhe i cili po dridhej nga e papritura.

Policët i kishin përcjellë të dy në komisariat.  Rrëmbyesi i shurdhmemecit, Duro Mali tashmë kishte filluar të dyshonte, por ishte mbrojtur me faktin se kishte dëgjuar sa e sa herë për paraqitjen gjatë atyre ditëve të Enver Hoxhës, apo një dubleti të tij.

– Përse e ke ndaluar njeriun e panjohur, madje i ke shkaktuar edhe lëndime duke e kapur fortë për fyti, kishte pyetur polici, hetues i rastit.

– Më përngjau me Enverin, ishte përgjigjur shkurt.

– Me cilin Enver?

– Me Enver Hoxhën, pra.

– Ç’ ke ti me Enver Hoxhën, ai ka vdekur qe 30 vjet.

– Thonë se është ngjallur. Desha ta kap, sepse më ka mbajtur dy vjet në burg.

– Kush të ka mbajtur në burg?

I përndjekuri ishte munduar të shpjegohej duke motivuar dyshimin e tij lidhur me të përfolurat, ndërsa polici hetues kishte ndodhur nga ata që nuk kishte dëgjuar, apo nuk i kishte dhënë rëndësi lajmit sensacional, mbase edhe të trilluar, lidhur me  paraqitjen figurës së Enver Hoxhës.

 

– Njeriu, që ti ke sulmuar është një shurdhmemec, nga Durrësi, që ka ardhur sot në Tiranë për një punë të tij.

– Më vjen keq atëherë, do i kërkoj falje. M’u duk i njëjtë me Enverin, por ja që ia paskam  futur kot.

– Nuk di nëse ia ke futur kot apo jo, por ai po kërkon dëmshpërblim për frikën që i ke shkaktuar dhe për kapjen për fyti.

– Epo ja që po ia shoh sherrin Enverit edhe për së vdekuri.

– Dëgjo qytetar, do të bëjmë një kallëzim për ndalim  të paligjshëm të personit të panjohur dhe përdorim dhune ndaj tij.

Duro Mali ishte në hall. E pranonte se kishte gabuar. Kërkonte t’ ia mundësonin takimin me viktimën, që ta bindte përse e kishte ndaluar, t’ i kërkonte falje, mbase t’ i jepte edhe ndonjë lek si dëmshpërblim, por e gjitha i kishin shkuar kot. Policët e kishin arrestuar.

Shurdhmemecin e kishin  liruar.

Ngjarja në sheshin e Tiranës ishte komentuar në të gjitha mediet. Spekulimet kishin marrë dhenë. Titujt bombastikë kishin çorientuar opinionin. “Ishte kapur Enver Hoxha”. Policia e kishte arrestuar rrëmbyesin, ndërsa kishte liruar personin dublet të Enver Hoxhës. Enver Hoxha i mistershëm, prodhim i PD-së,  gogol i kurdisur i PS-së e tituj të tjerë sensacionalë.

 

 

Pas incidentit të fundit, shumë të përfolur nga mediet,  sidomos në Tiranë, hetimet për kapjen e personit, që paraqitej me figurën e Enver Hoxhës sikur kishin pushuar. Dy javë rresht nuk ishte përhapur  asnjë informatë për misterin që po i bezdiste të gjithë, sidomos ish të përndjekurit, kundërshtarët politikë, por edhe familjen e tij,  e cila bombardohej me informata të sajuara, pa e ditur qëllimin e krejt parodisë të sajuar apo të spikatur nga një grup i panjohur njerëzish. Në kohën kur dukej se paraqitja e Enverit kishte “avulluar” ashtu sikur shumë sensacione të llojit të tillë, dubleti i Enver hoxhës ishte paraqitur, kësaj radhe  në oborrin e Spitalit Amerikan, ish Spitali Ushtarak. Roja, në hyrje të Spitalit kishte vërejtur një njeri që përngjante në Enver Hoxhën dhe iu kishte qepur pas. Me qëllim për ta kapur në befasi, i kishte vajtur pas, duke i përcjellë me vëmendje ecejaket e tij. Në momentin kur ai kishte hapur derën në hyrje të objektit të Spitalit, roja e kishte dalë para dhe e kishte ndaluar.

– Jam roja i Spitalit, je person në dyshim, letërnjoftimin, ju lutëm, i kishte thënë njeriut,  i cili nga afër  nuk po i përngjante gjithaq me atë të mëparshmin. I dyshuari edhe pse ishte shqetësuar nga e papritura, ia kishte ofruar letërnjoftimin.

– Nga Kosova je?

– Po, ishte përgjigjur shkurt.

– Na falni se ju ndaluam,  por po kërkojmë një njeri, që nuk di si ta shpjegoj…

– Enver Hoxhën apo? Nuk ke gabuar. I përngjaj shumë. Të gjithë ma thonë.

– Vërtet se i përngjan, nuk dukesh tamam si Enveri, por nga larg i përngjan ama.

– E po si të jem Enveri, kur ai ishte nga Gjirokastra dhe vdiq 30 vjet më parë. Unë, më sheh edhe vetë se  jam  gjallë.  Erdha ta shoh një mik të shtrirë këtu,  në Spital.  Ç’ faj kam se i përngjaj pak xhaxhit.

 

– Jo, jo askush nuk të vë faj, por edhe veshja Juaj është pak si e dyshimtë. Palltoja e pranverës, cilindri që mban në kokë, veshjen  e stilit të kohës së shkuar madje edhe këpucët e modës së vjetër, kordelja e kuqe rreth qafës…

– Epo, si vishem unë, është puna ime, mor vëlla!…

– Ju zotëri i nderuar e pranoni se i përngjani Enverit, ndërsa edhe vetë ke dëgjuar për fushatën që po zhvillohet në kapjen e tij.

Kosovari quhej, Selver Koxha. Kishte emër e mbiemër tjetër, por edhe emri e mbiemri tingëllonin po aq afër dhe larg në të njëjtën kohë, ashtu sikur edhe pamja nga larg Enver, nga afër Selver.

– Më vjen keq i nderuar, por më duhet të denoncoj në polici, thjesht ti më ngjall dyshime i kishte thënë roja dhe pa vonuar kishin arritur tre policë, të cilët personin e ndaluar nga roja e hyrjes së Spitalit e kishin përcjellë me veturën e tyre në komisariat.

Selver Koxhës, prokurori i rastit  i kishte  caktuar 48 orë paraburgim, ndërkohë e kishin ballafaquar me disa persona që kishin denoncuar paraqitjen e Enverit. Në fillim e  kishin ballafaquar me rrëmbyesin e shurdhmemecit, Duro Malin i cili po ashtu mbahej në arrest për lëndimet që i kishte sjellë personit, që e kishte menduar se ishte Enver Hoxha.

–  E ke parë ndonjëherë  këtë njeri?- iu kishte drejtuar hetuesi i Prokurorisë.

–  Jo, nuk e njoh, as e kam parë ndonjëherë, të paktën kështu më duket tani për tani.

–  Të përngjet me Enver Hoxhën?

–  Nga veshja po, pak edhe nga fytyra.

–  Ky përngjet më shumë në Enver Hoxhën sesa shurdhmemeci që desh e vrave.

–  Isha gabim, e pranoj, mbase paranoja ime e kohës së kaluar në burg.

–  Sa vjet ke mbajtun burg, ndërhyn Kosovari.

–  Dy vjet!

– Unë për Enver Hoxhën kam mbajtur 15 vjet. Aq më kanë dënuar duke më shpallur armik të Jugosllavisë dhe agjent të xhaxhit, të cilin e kam parë në TV dhe  nëpër filma dokumentarë, por kurrë nuk e kam për së gjallë edhe pse kam pasur mall tërë jetën për ta parë nga afër.

– Andaj edhe e emeton Enver Hoxhën, iu kishte drejtuar hetuesi.

-Jo, jo zotni hetues e ke gabim, Nëse më thua se e do apo e urren Enver Hoxhën, unë të tregoj drejt, nuk i jap hiq lak.  E kam dashur, e kam nderuar dhe e dua edhe për së vdekuri, por ama që jam unë Enver Hoxha, kjo është çmenduri. Nëse më keni arrestuar sepse jam enverist, kjo në rregull, por ama se po improvizoj Enverin kjo është marrëzi për ju, si institucion. Sapo të shkoj në Kosovë do ta denoncoj rastin.

–  Në Kosovë do të shkosh pasi të kemi sqaruar gjithçka rreth teje.

– E pra, nuk ka si sqarohet më shumë, për njerëz normalë.

– Si të dukemi ne, anormalë?

– Më shumë se anormalë, krejtësisht të marrë. Po ja ku është letërnjoftimi o burrë, ja fotoja, ja unë. Pyetni në këtë numër të telefonit në shtëpinë time, pyeteni policinë.

– Dale, dale. Ne e dimë se ti nuk je Enver Hoxha, por ama përse vishesh sikur ai?

– Po ku ka ligj që e dënon veshjen, apo mënyrën e veshjes, or, zotni. Po të isha  zhveshur, po të mbaja çallmë apo mjekër, pale, por mijëra vetë në Tiranë mbajnë cilindra mbi kokë, mbajnë veshje të holla pranvere. Kjo me të vërtetë është çmenduri!.

– Po ky shalli i kuq, në qafë?

– Ia bleva nipçes, këtu te tregu, s’ para e hapja valixhen për ta vënë atje dhe e hodha në qafë.

Hetuesi kishte stepur. Ishte ulur në kolltuk, kishte marrë telefonin dhe kishte biseduar me një nga eproët, ndërkohë që qytetari i Kosovës, që e quanin Selver po qëndronte në këmbë duke u ankuar se e kishte humbur kohën e vizitës për mikun e tij në spital.

– Jemi në hall, zotëri. Kemi ca dyshime dhe nuk mund t’iu lirojmë për 24 orë. Keni të drejtë ta merrni një avokat.

– Avokatin duhej ta ma kishe propozuar para se të filloje të më hetoje.

– Po ti nuk e kërkove!

– Ishte detyra jote të më lajmëroje!

– Po aq sa e jotja për të mbrojtur veten.

Hetuesi i Prokurorisë ishte në dilemë, andaj kishte folur me prokurorin, i cili kishte urdhëruar t’ i lironte të dy dhe t’ iu kërkonte falje.

-Po iu liroj kësaj radhe iu thotë pas pak. Duro Mali ishte gëzuar pa masë ndërsa kosovari kishte kërkuar një vërtetim lidhur me ndalimin, madje të nënshkruar dhe të vulosur.

– Po ti dashke sherr, mor zotëri. Pak të duket që po të liroj?

– Vërtetimi më duhet për ta pasur kur të më arrestojnë të tillët si ty. Sapo të dal nga këtu më ndalon tjetri dhe unë nuk mund të bëhem tjetër njeri.

– Ti po e pranon qe ke qenë dhe je enverist, mirë të bëhet, ja pra  ik, pirdhu i thotë duke i treguar derën.

Selver Koxha ishte nxehur dhe ia kishte kthyer me zë të lartë.

– Ik ti mor krye-thi. Po tërë një jetë ke qenë enverist, mor dreq dhe prej kur vdiq padroni i ke hyrë në prapanicë Salos, ashtu sikur bënte ai, që nuk e harroi kurrë kur ia kishte puthur dorën.

– Mbaje gojën kosovar, tash po e thërras policin.

– Thirre kë të duash  sa për mua, por ama dije se je kokëbosh, njeri i marrë, paranojak, thotë dhe drejtohet nga dera i sigurt se hetuesi nuk do ta shtynte më tej, veçse të lirohej nga marrëzia ku ishte katandisur….

 

 …

 

Misteri i paraqitjes dhe zhdukjes së befasishme të Enver Hoxhës, apo dubletit të tij, kishte shkaktuar shqetësim për organet e rendit, ndërsa ishte bërë gjellë e komentimeve të ndryshme të sa e sa analistëve e gazetarëve, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e në Maqedoni, edhe pse atje, nuk ishte paraqitur figura apo dubleti i tij.  Ata,  flisnin e përflisnin, sajonin gënjeshtra, tëhollonin  lajme sensacionale të natyrës konspirative  ndër më të ndryshmet. Hija e Enverit ishte kthyer në mënyrë misterioze sidomos në Tiranë,  ku ishte parë nga shumëkush. Askush nuk kishte një përgjigje të qartë. Të gjitha hamendësimet, tëhollimet, manipulimet puqeshin në një pikë. Dikush kishte kurdisur një dublet, me marifet e mjeshtëri të rrallë,  për ta rikthyer figurën e bashkë me të  edhe komentet rreth Enverit.

Po cili duhet të ishte motivi apo qëllimi i një kurdisjeje të tillë?

Këtë nuk e zbërthente askush.

Dukej një mashtrim i llojit të veçantë…

 

Pjesa e parë e novelës me të njëjtin titull.

 

Ahmet Qeriqi

Prill 2015

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …