Fadil REXHA: Nënë Hava

Fadil REXHA: Nënë Hava

Të shkruash për Nënë Havën, në këtë dekadë të ndarjes, është e vështirë. Nënë Hava ishte e veçantë me shpirtin e saj, fatin e saj, karakterin e saj, virtytet e saja, vuajtjet e saja, përkushtimin e saj, familjen e saj, e të gjitha këto e bënë nënëmadhe. Nënë Hava ishte bijë e Dëshmorit Ymer Hajredini, motër e veprimtarit atdhetar Osman Hajredini, nënë e Dëshmorit Rexhep Bislimi dhe ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kemajl Bislimi.

Nënë Hava lindi me 21 korrik 1935 në Uglar të Gjilanit. Në moshën 9 vjeçare, mbeti pa babanë Ymer Hajredini. Ymer Hajredini ishte rreshtuar përkrah Mulla Idrizit në mbrojtje të Gjilanit nga hordhitë serbo çetnike që kryenin masakra në viset shqiptare. Ymerin e plagosur, bashkëluftëtarët e strehojnë në Marec të Prishtinës, dy të plagosurit plagëve nuk u mbijetojnë dhe në Marec vdesin ku edhe i varrosin. Varri i tyre mbahet i fshehur për 50 vite. Pas luftës së  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u gjetën nga familjarët me ndihmën e banorëve vendës. Banorët vendës me përkushtim, kishin ruajtur të fshehtën e varreve të dëshmorëve. Halimi i Hutit ju kishte thënë bijve: ,,Prene malin në të gjitha anët, por këta katër lisa mos i preni!” Mes katër lisave ishin varrosur dy dëshmorët.

Me vuajtje e peripeci, u rritën fëmijët e Ymerit, por atdhetarizmin e kishin në gjak. Nënë Hava u martua me Rexhep Bislimin (babë e djal kishin emrin Rexhep) nga Stublla e Vitisë një njeri atdhetar,  i ndershëm e shumë i sinqert, bir i Sejdi Bislimit, bashkëluftëtar i Hasan Remnikut. Familja e Rexhep e Hava Bislimit me fëmijët Kefseren, Rexhepin, Xhelalin, Kemajlin dhe Turkenen, u vendos në Ferizaj.

Gjaku i Ymerit është bartur te Nënë Hava e Daja Osman (si e njihnim ne, si fëmijë në vitet e ’80-ta). Daja Osman (vëllau i Nënë Havës) ishte veprimtar i ilegales atdhetare, konfrontohet me mbeturinat UDB-ashe – Selim Broshën dhe burgoset, por nuk thehet. Rexhepi (djali i Nënë Havës) në moshën 14 vjeçare është pjesëmarrës i Pranverës Shqiptare të 1981-shës, në moshën 16 vjeçare është anëtar i lëvizje ilegale atdhetare Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, në moshën 17 vjeçare shantazhohet e kërcënohet nga UDB-ashët Adem Ibrahimi (Goga), Fadil Hyseni e Fadil Berisha, në moshën 22 vjeçare burgoset, torturohet nga UDB-ashët Fekir Tahiri, Shaban Maloku, Sakip Kollari, e plotë të tjerë, gjykohet, por me qëndrimin e tij në gjyq befason prokurorë, gjykatës e avokatë, në moshën 26 vjeçare rreshtohet në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – ushtari i parë për Ferizaj e rrethinë, në moshën 32 vjeçare i mbytur me torturë në Burgun e Gjilanit nga xhelatët serbë dhe fatkeqësisht një shqiptar. Nënë Havës me 21 korrik të vitit 1998, në ditëlindjen e saj të 63-të, kriminelët i dorëzuan kufomën e masakruar të të birit, Rexhepit,  të vdekur, por të pathyer, pas lufte i graduar nga Qeveria e Përkohshme me gradën Gjeneralmajor, nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është dekoruar Hero i Kosovës.

Nënë Hava e lindur dhe e rritur në një familje atdhetare, asnjëherë nuk u lig në sfidat e jetës: E rritur si fëmijë pa baba, na ofruan mikëpritje e ngrohtësi në vitet e ’80-ta, ne të rinjëve, apo më mirë të them fëmijëve, të vetëdijshëm për rreziqet e aktivitetit tonë ilegal, por nuk kërkuan nga ne të tërhiqemi nga aktiviteti atdhetar,  krenare e kërkoi Rexhepin burgjeve në Gjilan e Prishtinë, duke u përballur me fundërrinat shqiptare argat të pushtuesit, të cilët jo vetëm që na burgosnin e torturonin për çështjen e shenjtë, por edhe vendndodhjen tonë e mbanin të fshehur nga familjet tona. Në vitin 1989 Nënë Hava ishte krenare edhe gjatë gjykimit të djalit, Rexhës, pa u ligur, ku Rexha dënohet me 2 vite burg për veprimtari atdhetare nga gjykatës – fundërrina  shqiptare, argat të pushtuesit. Maj 1998 Nënë Hava na tha Rexhës, mua, Fadil Musës:,,E di që koha ju kërkon, por ishalla nuk ju shoh të gjall në duar të  shkaut!”

Shpirtëplagosura Nënë Hava, bashkë me gruan Gjyziden dhe motër Kefseren, pa ju parë një pikë loti, i rrinë pranë trupit të masakruar të Dëshmorit Rexhep Bislimi.

Pa u thyer nga vuajtjet dhe shantazhet e pushtuesit dhe langojve të tij, Nënë Hava viziton shokët e Rexhës, i uron apo ngushëllon ata, i pret dhe ju shtron bukë. Njeh me emra ata (edhepse janë të shumtë) dhe për secilin prej tyre e ka gjykimin e vet të matur dhe të qëndrueshëm. Me dikend nuk pajtohet, dikend e kritikon haptas për dobësitë, dikend e nderon pa masë. Pas lufte, Nënë Hava është gjithëmonë aty, ku nderohen atdhetarët, në zbulime lapidarësh e përvjetorë dëshmorësh. E lodhur nga jeta, në moshën e thyer afër të ’80-tave, ajo krenare nderon dëshmorët, respekton luftëtarët dhe familjarët e tyre me afërsi dhe përzemërsi. Me kujtesë të çuditshme ajo kujton emra e ngjarje, bisedon pa e rënduar kend, gjykon me maturi të mahnitshme. Krenare i flet bashkëluftëtarëve të Rexhës: Azemit, Hashimit, Kadriut, Naitit, Bajrushit, Feratit, Ekremit,…

Nënë Hava lëngoi gjatë në shtrat. Ajo emocionohet nga vizitorët, ka etje të bisedoj me ta, por edhe mundësitë shumë të kufizuara. Vdiq me 31 korrik 2016. Për të ndarë dhimbjen vijnë shumë njerëz atdhetarë, luftëtarë, invalid lufte, familje dëshmorësh, ushtarakë, etj. Në pritje të vizitorëve janë familjarët e saj, e në mes tyre shkëlqen Fisniku, që ta kujton Rexhën, me edukimin e tij, pamjen dhe karakterin e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Osman Osmani: Diaspora nuk ka nevojë për favore të përkohshme, por për politika të qëndrueshme

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndarë 3 milionë euro për mbulimin e kostos …