Edi Rama: Nuk jap dorëheqje se e kërkon një pakicë, mandatin ma ka dhënë populli

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Partia Socialiste nuk do të largohet nga qeverisja për shkak të protestave apo thirrjeve të opozitës, duke theksuar se mandati i saj buron ekskluzivisht nga vota e qytetarëve dhe shumica parlamentare. Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me qëndrimin e tij në pushtet pas 13 vitesh, Rama tha se në një demokraci askush nuk e merr apo e dorëzon pushtetin sipas dëshirës, por vetëm sipas vullnetit të sovranit. “Një parti politike as e trashëgon timonin e pushtetit, as ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit. PS ushtron pushtetin për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend”, u shpreh ai. Rama nënvizoi se as ai vetë nuk ka të drejtë të vendosë se kur duhet të largohet nga qeveria, pasi sipas tij këtë e përcaktojnë vetëm qytetarët përmes zgjedhjeve. Duke komentuar thirrjet për dorëheqjen e tij, kryeministri tha se nuk mund të braktisë përgjegjësinë që i është besuar vetëm sepse, siç u shpreh ai, “një pakicë thërret në kor”. Në fund të fjalës së tij, ai ritheksoi se objektivi kryesor i Partisë Socialiste mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Misioni ynë do të vazhdojë deri në vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Evropës së bashkuar”, përfundoi kryeministri shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Pandeli Majko

Pandeli Majko kritikon marrëveshjen për konsullatat: Serbia në Shkodër ka fituar më shumë se një konsullatë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar ashpër ndaj njoftimit për hapjen e një konsullate …