Fadil Shyti: VIZIONI REAKSIONAR I NJË ANALISTI PACIFISTO RUGOVIST

Duke shfletuar librin e Nexhmedin Spahiut “Drejt kombit kosovar”, lexuesi aty do të gjejë “zbulime epokale”, që jo rrallë i ka lexuar e dëgjuar nga elaboratet famëkeqe të kishës dhe të shkencës historike serbomadhe, në raport me kombin shqiptar. Vet titulli i librit paralajmëron që “analisti i famshëm” paska marrë mundimin që prej një kombi shqiptar siç ekziston në shekuj, t´i bëjë dy kombe, por siç e shkruan edhe vet pa dorashka, këtë do ta arrijë me ndihmën e pushtuesve, sigurisht dje të okupatorëve serbo-malazezë e maqedon, ndërsa sot me pushtimin e Kosovës nga ushtritë e NATO-s. Nga kjo objektivë “vizionare” analisti po del hapur me qëndrimin se robëria paska qenë fatlume për shqiptarët, sepse si burim i saj tani i kemi mundësitë që nga një komb sa ishim, tani të bëhemi dy, ose “në dashtë Zoti e me na prirë fati”- që kjo robëri të zgjatet më tej, shikuar nga kjo optikë “shkencore”, ne do të mundemi të bëhemi tri e më shumë kombe, kuptohet për aq sa jemi të copëtuar nga shtetet fqinje të Ballkanit, po aq kombe do të krijojmë!!! 
Ide tragjikomike e vizionarit reaksionar rugovist, apo jo?! 
Autori i këtij libri, që s´ka redaktor as lektor, vetëm tregon vendin e botimit dhe vitin; Mitrovicë, 2004. Në librin “Drejt Kombit Kosovar” – siç thotë autori, “kam përmbledhur në rend gati kronologjik disa analiza dhe komentet e mia politike të botuara në shtypin shqiptar e të huaj në periudhën Maj 1999 – Korrik 2004, analizat dhe komentet politike shprehin shqetësimet e mia për rrjedhat politike në Kosovë dhe përpjekjet e mia për të kontribuar drejt një vizioni kombëtar, libri u kushtohet njerëzve të vizionit dhe të sakrificës, veprat e të cilëve përbëjnë themelet e Kombit Kosovar”. 
Secili ka të drejtë t´i shprehë pikëpamjet e veta mbi të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë, por në emër të kësaj lirie demokratike, sot po bëhen shkelje flagrante jo vetëm mbi të gjallët, por edhe mbi dëshmorët e kombit tonë. Dëshmorët tanë nuk ranë si vizionarë të Kombit Kosovar, ata ranë si vizionarë të Kombit Shqiptar. Asnjëherë, në historinë e kombit tonë, ne nuk i kemi ndarë heronjtë në heronj kosovarë e në heronj vlonjatë, në heronj dibranë apo në heronj ulqinakë, por i kemi përfshirë me një emër madhor, ata/ato ishin heronj e heroina të Shqipërisë Etnike, ishin dëshmorë të lirisë kombëtare. 
Jam i bindur që për këtë ndarje, dëshmorët do ta mallkonin autorin dhe prijatarët e tij “vizionarë” të kombeve të reja nën ombrellën e robërive… “Kosova ç´ka qenë, ç´ është e ç´do të bëhet dhe si do të bëhet” (Editorial në “Kohën Ditore”, 26 shtator, 1999. F. 2: “Në qoftë se synimi shqiptar në Kosovë është Kosova të jetë shtet i pavarur, atëherë kjo nuk mund të arrihet për pa u formësuar kosovarët si komb. Kushtet ekzistuese pas okupimit të saj nga ushtritë e NATO-s, janë ideale për këtë. Vetëm se duhet ditur të shfrytëzohen”- shkruan N. Spahiu. 
Unë, do t´i thosha “analistit ndërkombëtar”, a nuk po të lejon verbësia e “politikës së hollë”, ta shijosh se shqiptarët e Kosovës, prej kohësh i kanë plotësuar karakteristikat e formësimit si komb, por jo të një kombi të veçantë i “shpikur” nga elaboratet reaksionare, por një komb me të gjitha atributet shqiptare. 
Komb- I, 1 m.sh -E, -ET. 1. Bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës. Kombi shqiptar, E drejta e kombeve për vetëvendosje, Baballarët e kombit. vjet. deputetët reaksionarë në parlamentin e regjimit zogollian. Fjalor i Gjuhës së sotme Shqipe, 852 fq. 
Kombëtar,-E mb.1. Që ka të bëjë me kombin, që i përket kombit, i kombit që ka të bëjë me kombësinë, i kombësisë. Pavarësia kombëtare, Zgjimi (çlirimi) kombëtar. Çështja kombëtare, Festë kombëtare, Flamuri kombëtar. 
2. Që shpreh veçoritë e një kombi që karakterizon prestarët e një kombi, që është krijuar nga prestarët e një kombi. Kultura kombëtare, Gjuha kombëtare, Arti kombëtar, Valle (veshje) kombëtare, Vetëdija kombëtare, Veçori (tipare) kombëtare. Fjalor i Gjuhës së sotme Shqipe, Prishtinë, 1981, 853 fq. 
Ndërsa, siç shkruan sociologu dhe juristi ynë Rexhep Ahmeti, i cili bukur gjatë është marrë me çështje të kombit tonë, Ay, konstaton: 
1. “Kombi është grup i madh njerëzish me karakteristika të përbashkëta si janë prejardhja (gjenetika), historia, gjuha, zhvillimi ekonomik, psikologjia, kultura, territori, organizimi” etj. 
2. “Kombi është populli në shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik, social, shtetëror–uridik, kulturor” etj. Pastaj, del me qëndrimin e tij programatik, i bazuar nga përvoja jetësore individuale dhe kolektive se: 
3. “Siç po e tregon përvoja, parakusht për zhvillimin normal të kombit qenka edhe organizimi adekuat shtetëror i tij, ashtu siç dëshiron të vendosë ai vetë për jetën dhe fatin e tij”. 
4. “Kur të piqet kombi e realizon organizimin, vetveten”. (R. A.) 
Nga këto sqarime modeste që i parashtrova, lexuesit e nderuar le të logjikojnë dhe të konstatojnë drejt se a jemi ne shqiptarët e Kosovës me karakteristika të tjera, kombëtare, siç dëshiruan e do të dëshironin të na paraqesin armiqtë tanë shekullorë dhe vasalët e tyre të hapur e të maskuar prapa tezave të tyre “kombëtare”?! 
Po, Kosova mund të bëhet shtet edhe pa ndryshimin e këtyre karakteristikave, që e përbëjnë Identitetin e saj shqiptar, tipare kombëtare që i barti në shekuj, pa përçudnimet gjuhësore, tradicionale, kulturore, vetëdijësimore etj. 
Autori, më tej shkruan: Fq. 131; “Kombi është projekt politik. Projekti i rilindësve shqiptarë është realizuar vetëm pjesërisht. Pavarësia e Kosovës e përkohshme apo e përjetshme, është shmangie nga ky projekt”. 
Nga këto teza mund të konstatoj: 
E sqarova më lartë, duke iu referuar fjalorit tonë shkencor dhe sociologut e juristit tonë të nderuar, se ç´është Kombi. 
Por, nëse nga aspekti teoriko-politik, autori i referohet vizionit të rilindëseve, të cilët luftuan për një Shqipëri Etnike në Ballkan, sipas të drejtës natyrore, ashtu siç Zoti na krijoi, këtu ka të drejtë; sepse nuk është i kënaqshëm as i drejtë krijimi i Republikave shqiptare në Ballkan, kjo dihet nga të gjithë se vërtetë është një tërheqje nga presionet e faktorëve të jashtëm; nga diplomacia ndërkombëtare, nga ata që të parët e tyre e krijuan dhe tani e konsiderojnë si të pazgjidhur Çështjen Shqiptare, pra është një devijim (me kompromise politike) nga projekti madhorë kombëtar. 
…Dhe, pikërisht për këtë po na hakmerret çdo ditë e në çdo orë, historia! Shikuar, nga ky prizëm historiko-politik, (nëse s´po kemi mundësi tani për tani të bëjmë ndryshe) a nuk do të ishte më mirë që tani të përkrahet Unioni Shqipëri-Kosovë, kur politika shqiptare edhe me fajin e vet, momentalisht s´po ka mundësi që ta çojë përpara deri në fund, parimin e vetëvendosjes deri në shkëputje nga shtetet e huaja. Shqipëria londineze, është shteti amë, përse të mos bëjmë atë që do të ishte më e mundshme përkohësisht, Unionin, e kjo do të çonte drejt ribashkimit territorial të kombit; populli ynë thotë: “prej borxhlisë të keq, merre bishtin e sëpatës”. 
Edhe kombi gjerman e “gëzoi” një okupim gjysmëshekullor nga fuqitë e huaja, por tek ai komb me histori dhe me kulturë të madhe, nuk doli asnjë analist i hollë politik e të kërkojë “krijime kombesh” të reja gjermane. Përkundrazi, në Kushtetutën e parë gjermane, të vitit 1949 shkruan: Kushtetuta e Bonit 1949 Preambel (prijfjala) * I vetëdijshëm për përgjegjësinë para Zotit dhe njerëzimit, i cytur nga vullneti për ruajtjen e tërësisë së vetë kombëtare dhe shtetërore dhe si pjesëtar i barabartë në një Evropë të bashkuar për t`i shërbyer paqes në botë populli gjerman në krahinat: Baden, Hamburg, Hesen, Nidazaksen, Nord-hain-Vestfalen, Rainland-Falc,Shlesvih-Holshtain, Vytemberg-Baden dhe Vytemberg-Hohencollern në saje të dhunës ligjvënëse me qellim që jetës shteterore për një kohë kapërcyell t`i jepet një rend (krahim) i ri, ka bestuar (vendosur) këtë kushtetutë të Republikës Federative Gjermane. Ai ka vepruar edhe për ata gjermanë, bashkëndikimi i të cilëve ishte ndrydhur. Prej gjithë popullit gjerman kërkohet në një vetëvendimmarrje (vetëvendosje) të lirë të përfundojë bashkimin dhe çlirimin e Gjermanisë. * Das Bonner Grundgesetz, Dr. Hermann von Mangold, ripërpunuar nga Dr. Friedrich Klein, Vëllimi i Parë, botuar nga Franz Vahlen GmBH, 1966, faqe 39. Dr. Miahel Saks vë në dukje se vetëm pas 03.10.1990 u bë i nevojshëm një ndryshim i kësaj prijesfjale, shih Dr. Miahel Saks, Grundgesetz, Komentar, faqe 65, botuar nga C.H. Beck`sche Verlagsbuchhandlung München 1996. 
Ndërsa versionin i ri të kësaj prijesfjale në kushtetutën e tashme gjermane po e japim këtu me poshtë. Preambel (Prijfjala) * I vetëdijshëm për përgjegjësinë para Zotit dhe njerëzimit, i cytur nga vullneti si pjesëtar i barabartë në një Europë të bashkuar për t`i shërbyer paqes në botë populli gjerman në saje të dhunës ligjvënëse ka dhënë (qitur) këtë kushtetutë. Gjermanët në krahinat: Baden, Vyrtemberg, Bajern, Berlin, Bradenburg, Bremen, Hamburg, Hesen, Meklenburg-Vorpomen, Nidazaksen, Nordhain-Vestfalen, Rainland-Falc, Zaarland, Zaksen,Zaksen-Anhalt, Shlesvih-Holshtain dhe Tyringen në një vetëvendimmarrje të lirë kanë përfunduar bashkimin dhe çlirimin e Gjermanisë. Kështu që kjo kushtetutë vlen për gjithë popullin gjerman. *Dr. Miahel Saks, Grundgesetz, Komentar, faqe 63, botuar nga C.H. Beck`sche Verlagsbuchhandlung München 1996. 
Politikanët shqiptarë, do të duhej të mësonin nga kjo kushtetutë, do të duhej ta respektonin kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e pse jo edhe në kushtetutën e ardhshme të Republikës së Kosovës, kjo duhet të sanksionohet dhe të zbatohet, nëse kjo objektivë historike arrihet me sukses, pra nëse Kosovës do t´i njihet Pavarësia, nga shtetet e botës. 
Jo, okupimi i gjatë shekullor, kurrsesi nuk i jep të drejtë autorit, N. Spahiu dhe prijatarëve të tij, që tani të përfitojnë politikisht nga kjo fatkeqësi gjithëkombëtare, e të dalin me “teza historike”, për krijimin e kombeve të reja brenda kombit shqiptar. 
Këta, siç po shihet, po fitojnë poste të larta “pushtetore” dhe çmime ndërkombëtare, “Saharov”, ëndërrojnë pastaj edhe për çmimin “Nobel” për paqe, nga të huajt, por mos të harrojnë se dëme të pallogaritshme po i shkaktojnë Kombit Shqiptar. Prandaj, të mos harrojnë se për këtë, do t´i dënoj historia! Nisur nga kjo ide madhore e rilindësve do t´jua përkujtoja “analistëve kosomopolitikë”, vargjet poetike të dy atdhetarëve të mëdhenj rilindës; Ndre Mjedjes dhe të Luigj Gurakuqit: 
Qoftë mallkue, kush qet ngatërrime, 
Te këta vllazën shoq me shoq, 
Kush i ndanë me gjuhë e shkrime, 
Çka natyra vet i përpoq!… 
(Ndre Mjedja). 
…Dhe më tej, atdhetari, “vigani liberator” siç do ta quante Noli, do të shkruante: 
Kur e humb gjuhën një popull shqim mbaron, 
Në njëmijë çeta ka me u shpërnda, 
Gjuha njerëzit i bashkon, 
I lidhë si vëlla me vëlla!… 
(Luigj Gurakuqi) 
I mllefosur nga rrethanat e reja që u krijuan në Kosovë, pas luftës së lavdishme të UÇK-së, apartçiku rugovist, nuk harron pa i akuzuar padrejtësisht, udhëheqësit kryesorë të kësaj lufte, Thaçin dhe Haradinajn. Ky, trumbeton, kinse janë Thaçi dhe Haradinaj ata që e ndryshuan Flamurin tonë kombëtar!!! Kjo miopi politike s´ka aspak bazë të vërtetë. Po, a nuk e di i tërë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar se Ibroja, tërësisht pa mbështetje ligjore, prej vitesh po e mbanë në rezidencën e tij presidenciale, një tjetër flamur, do të thosha një flamur krahinorist, flamur që se ka mbështetjen as të Parlamentit as të Qeverisë së Kosovës, sepse atë flamur nuk e ka votuar, asnjëra palë. Për këtë shkelje ligjore, sikur Kosova të kishte kushtetutë e të zbatoheshin ligjet, presidenti teknokrat do të duhej të nxirrej para gjyqit. 
Unë, do t´i pyesja lexuesit e nderuar; kur i ka parë dikush nga shqiptarët apo ndërkombëtarët, liderët e partive të dala nga lufta çlirimtare, të jenë paraqitur me këtë flamur apo me ndonjë flamur tjetër, pa qoftë edhe partiak, nga zyret e tyre apo në vende publike (përveç me rastin e zgjedhjeve) hera tjera jo, kurrën e kurrës?! Këta burra të mëdhenj të kombit e nderuan dhe i dolën zot Flamurit Kombëtar që sot e përfaqëson shtetin shqiptar. 
Kush po luan me fatet e këtij populli, kush janë përçarësit e vërtetë të tij, tani po shihet si në dritën e diellit… Mjerisht, që edhe ti z. Spahiu, ke hyrë prej kohësh në këtë valle të rrezikshme e cila çon në përçarje të thellë kombëtare, sipas motos politike berishjane, kinse jugu e urren veriun dhe anasjelltas, por lufta çlirimtare e Kosovës me Vise të robëruara tregoi se këto ishin vetëm “gjepura politike”, por fatkeqësisht kombi ynë nga ato slogane partiake, nuk kaloi pa pasoja.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi: Një marrëveshje me Serbinë, pa njohjen në qendër, do të zgjasë procesin e dialogut dhe status-quonë në Kosovë

Memli Krasniqi: PDK-ja asnjëherë nuk ka pasur vija të kuqe me asnjë subjekt tjetër politik, nuk ka as me Vetëvendosjen

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas pajtimit me kërkesën e Albin Kurtit për mundësinë e  …