Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit “Fehmi Agani” mbajti Konferencën Ndërkombëtare “Diabeti mellit, shputa diabetike dhe komplikimet tjera”

Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit “Fehmi Agani” mbajti Konferencën Ndërkombëtare “Diabeti mellit, shputa diabetike dhe komplikimet tjera”

Më 10 dhejtor 2021 (e premte), me fillim nga ora 09:00, Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë zhvilloi Konferencën Ndërkombëtare “Diabeti mellit, shputa diabetike dhe komplikimet tjera”, në të cilën morën pjesë mbi 600 pjesëmarrës aktiv dhe pasiv në mënyrë hibride, nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës.

Hapjen e kësaj konference e bëri rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, prof. ass. dr. Artan Nimani, i cili përshëndeti përzemërsisht punimet e konferencës dhe tha se “kjo konferencë ka për qëllim të bëjë bashkë të gjithë hulumtuesit e shkencave mjekësore dhe do të shërbejë si urë lidhëse për projektet e ardhshme të Fakultetit të Mjekësisë në UFAGJ, si dhe ngritjes së cilësisë së arsimit dhe punës kërkimore shkencore. Sa më shumë konferenca ndërkombëtare që organizojmë e afirmojmë kapacitetin tonë për t’u kyç në rrjedhat e punës dhe kërkimit shkencor. Jam jashtëzakonisht i lumtur si rektor që keni përzgjedhur këtë temë shumë të rëndësishme të kësaj konference”.

Më pas, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, prof. dr. Aziz Pollozhani, në fjalën hyrëse tha se “kjo konferencë që po organizon Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, është një ngjarje e rëndësishme, e cila i kontribuon jashtëzakonisht shumë zhvillimit të shkencës dhe hulumtimit”.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në UFAGJ, prof. asoc. dr. Idriz Berisha, shprehu falënderim dhe i përshëndeti punimet e konferencës, tha se për të është nder i veçantë që kanë bashkuar një komunitet shkencor nga të vende të ndryshme të botës. Ai shtoi se mbajtja e kësaj konference është  shumë e rëndësishme për të debatuar rreth sfidave më të cilat ballafaqohen institucionet shëndetësore.

Në emër të Këshillit Organizativ të Konferencës, prof. ass. dr. Faton Hoxha, ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar në organizimin e kësaj ngjarje të shënuar të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë. “Ka qenë një ditë e suksesshme e shënuar për Universitetin tonë, një konferencë shumë atraktive që ka mbledhur studiues, personalitete dhe njerëz të shkencës e të dijes nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës”, tha profesori Hoxha.

Qëllimi i konferencës është të kontribuojë në zhvillimin shkencor duke diskutuar studimet e studiuesëve, si dhe ofrimin e një game të gjerë prezantimesh kërkimore me cilësi të lartë për të ndarë ekspertizën dhe njohuritë.

Konferenca u zhvillua në tri sesione, në të cilën rreth 60 hulumtues prezantuan 31 punime shkencore nga fusha mjekësore për temën e diabetit, prezantues vendor dhe ndërkombëtarë nga universitete publike, kolegje private, studentë të UFAGJ-së, si dhe nga institucione shëndetësore nga vende të ndryshme, si: Shqipëria, Kroacia, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Turqia.

Kjo konferencë u organizua nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, e akredituar me 13 pikë për pjesëmarrësit aktiv dhe 10 pikë për pjesëmarrësit pasiv nga Oda e Mjekëve të Kosovës, Oda e Infermierëve të Kosovës dhe Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Teuta Shala: Konferenca Shkencore, “Kosova 1989-1999: Organizimi dhe Qëndresa për Çlirim

Sot, në Prishtinë, me rastin e 25-vjetorit të çlirimit, ka filluar punimet Konferenca Shkencore dy …