Sabit Syla

Dr. Sabit Syla: Forcat e Ushtrisë Jugosllave në Kosovë gjatë vitit 1998-1999

Ushtria Jugosllave kishte një personel prej 85.000 deri në total prej 114.000 njerëzish me një forcë rezerve që shkonte deri 200.000. Vlerësohej se në Kosovë në fillim të vitit 1999 kishte 15.000 trupa, numër që u rrit në 20.000 në fund të prillit. Në këtë shifër nuk përfshihen 30.000 policë, paramilitarë dhe trupa tjera të parregullta.

Armata III e Ushtrisë Jugosllave kishte këtë strukturë: Grupi Taktik i Timokut, Korpusi i Nishit, Korpusi i Leskovcit dhe Korpusi i Prishtinës (i njohur edhe si korpusi 52). Korpusi i Prishtinës që përfshinte territorin e Kosovës përbëhej nga:

– Brigada 15 e motorizuar (Prishtinë)

– Brigada 125 e motorizuar (Mitrovicë-Pejë)

– Brigada 549 e motorizuar (Prizren-Gjakovë)

– Brigada 243 e mekanizuar (Ferizaj-Gjilan)

– Brigada 52 e përzier e artilerisë (Gjilan)

– Njësia 52 e Policisë Ushtarake (Prishtinë)

– Regjimenti 311 i mbrojtjes kundërajrore, Regjimenti 83 i aviacionit dhe Regjimenti 82 i inxhinierisë

– Batalioni 53 kufitar (Gjakovë)

– Batalioni 55 kufitar (Prizren)

– Batalioni 57 kufitar (Ferizaj).

Gjatë luftës Armata III u komandua nga gjeneral-kolonel Nebojsha Pavkoviq, i cili në këtë pozitë u promovua në nëntor 1998, në të njëjtën kohë kur Ojdaniq u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm të UJ. Deri në këtë kohë Pavkoviq kishte komanduar Korpusin e Prishtinës të Armatës III të UJ. Njëkohësisht, në nëntor 1998 gjeneral-major Vladimir Llazareviq emërohet komandant i Korpusit të Prishtinës.

Forcat speciale të UJ ishin aktive gjatë luftës. Në kuadër të Njësive Speciale ushtarake gjatë prillit 1998 përfshiheshin: brigadat kufitare, Brigada 63 parashutiste, Brigada 72 speciale, njësitë antiterroriste të Policisë Ushtarake – Kobra dhe Fajkojtë, brigadat e blinduara, etj.

Zona e përgjegjësisë së Armatës III përbëhej nga dy korpuse: i Nishit dhe i Prishtinës. Këto korpuse përbëheshin nga një numër i caktuat brigadash, batalionesh dhe ekipesh. Korpusi i Prishtinës ishte përgjegjës për territorin e Kosovës. Korpusi i Prishtinës nuk mund të vepronte pa miratimin e komandantit të Armatës III. Gjatë vitit 1999 Korpusi i Prishtinës përbëhej nga 12 brigada, të cilat ishin të ngarkuara të vepronin brenda Kosovës. Në mesin e këtyre brigadave janë: Brigada 15 e blinduar, Brigada 125 e motorizuar; Brigada 243 e mekanizuar; Brigada 549 e motorizuar; Brigada 52 e përzier artilerike e kundërajrore; Brigada 37 e motorizuar dhe Brigada 211 e blinduar.

Në fillim të sulmeve të NATO, 24 mars 1999, Korpusi i Prishtinë kishte më pak se 18.000 ushtarë. Ky numër ndryshoi dhe deri më 13 prill 1999 Korpusi i Prishtinës kishte 61.892 pjesëtarë, përfshirë njësitet e bashkëngjitura dhe vullnetarët.  Në UJ ekzistuan dy njësi elite speciale që merreshin me operacione ushtarake: Brigada 63 parashutiste dhe Brigada 72 Speciale. Krahas këtyre dyjave vepronte edhe batalioni 52 i policisë ushtarake i ngarkuar me operacione. Që të trija njësitë vepruan në Kosovë në kuadër të Korpusit të Prishtinës. Më 14 maj 1999 Shtabi i Përgjithshëm i UJ lëshoi urdhrin për futjen në veprime luftarake të policisë ushtarake. Në mbledhjen e kolegjiumit të Shtabit të Përgjithshëm të UJ, shkurt 1999, të pranishmit u informuan se UJ kishte armatosur rreth 47.000 serbë dhe se ishin dërguar municione nëpër fshatra. Detyrë e këtyre serbëve ishte qe së bashku me njësitet e UJ të merrnin pjesë në operacionet në rrethinën e tyre.

Formimi i komandës së përbashkët

Më 9 qershor 1998 UJ e hartoi planin dhe veprimin e koordinuar midis UJ dhe MPB. Ky plan u miratua më 21 korrik 1998 në një mbledhje të nivelit të lartë ushtarak dhe politik serb, pëfshirë Millosheviqin dhe figurat kryesore në UJ dhe MPB. Në një mbledhje tjetër që u mbajt të nesërmen në Prishtinë, Vlastimir Gjorgjeviq bëri të ditur formimin e një komande në nivelin e lartë, që do të quhej Komanda e Përbashkët. Nga 22 korriku 1998 e deri në fund të tetorit 1998 Komanda e Përbashkët u takua së paku 2-3 herë gjatë një jave, varësisht nga rrethanat apo intensiteti i luftës. Takimi i parë u mbajt në ndërtesën e MPB në Prishtinë, kurse të tjerat kryesisht në ndërtesën e Këshillit Ekzekutiv në Prishtinë. Dokumentacioni tregon se Komanda e Përbashkët kishte vepruar së paku deri më 1 qershor 1999. Në procesverbalin e kolegjiumit të UJ të datës 21 janar 1999 vihet re vështrimi i gjeneral Ojdaniqit se operacioni në Reçak ishte urdhëruar nga Komanda e Përbashkët. Nga numri i madh i urdhëresave të lëshuara nga Komanda e Përbashkët lidhur me udhëheqjen e operacioneve luftarake në Kosovë, shihet se Komanda e Përbashkët kishte rol kryesor në planifikimin dhe komandimin e operacioneve të përbashkëta midis UJ dhe MPB.

Komanda e Përbashkët përbëhej nga funksionarë të lartë politikë, udhëheqës të lartë të MPB e të UJ në Kosovë. Në krye të saj gjendej Nikolla Shainoviq, atëherë zv/kryeministër në qeverinë federale.  Në mbledhjen e Komandës së Përbashkët të datës 26 shtator 1998 Pavkoviqi dhe Lukiqi kishin raportuar se operacioni edhe në rrethinën e Abrisë së Epërme kishte përfunduar dhe se kjo Komandë e Përbashkët e kishte urdhëruar operacionin në fjalë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …