Familjet e Thaçit, Veselit dhe Krasniqit kërkojnë përgjegjësi institucionale pas aktgjykimit në Hagë

Familjet e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Letra e përbashkët e familjeve është bërë publike nga Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ndërsa në të kërkohet që institucionet e Kosovës të tregojnë, siç thuhet, përgjegjësi shtetërore në raport me zhvillimet pas aktgjykimit. Familjet kanë vlerësuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim, por kanë bërë të ditur se duan që takimi të zhvillohet vetëm pas vendimit të Kuvendit. “E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në letrën e përbashkët. Familjet kanë falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar ndaj tyre gjatë gjithë procesit gjyqësor në Hagë, ndërsa kanë kërkuar unitet qytetar në këtë periudhë. “Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente”, thuhet më tej në letër. Në fund, familjet u janë drejtuar të zgjedhurve të popullit me kërkesën që të tregojnë, sipas tyre, sjellje të përgjegjshme shtetërore në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit në raport me Dhomat e Specializuara.

Kontrolloni gjithashtu

Ante Gotovina: Në Hagë, nuk ishte gjyq kundër meje, por kundër ushtrisë kroate – sot UÇK-ja është në gjyq

Gjenerali kroat Ante Gotovina ka folur për përvojën e tij para Tribunalit të Hagës, duke …