Fatmir Arifi: Tri lëvizje për një unifikimin evropian

Fatmir Arifi-Presheva: Dinamikat e zhvillimeve globale dhe paradoksi i Organizatës së Kombeve të Bashkuar

Fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI u shoqëruan me dinamika të mëdha në nivel global. Në kuadër të këtyre dinamikave ndodhën ndryshime gjeopolitike, gjeostrategjike dhe gjeoekonomike që ishin si pasojë e evoluimit të mendimit politik.

Sot, i gjithë debati po shtrohet në mes të vendosjes së një raporti ndërmjet shteteve, normave të së drejtës ndërkombëtare dhe lirive e të drejtave të njeriut.

Thelbi i këtij debati është: evoluimi i mendimit politik ka prodhuar dinamikat globale, dinamikat globale kanë prodhuar ndryshime gjeopolitike dhe ndryshimet gjeopolitike janë shoqëruar me rritjen e numrit të shteteve të reja.

Ndërsa, OKB-ja dhe Karta e saj kanë mbetur shumë konservative, gjë që nuk është në përputhshmëri me konfiguracionin global aktual.

E drejta ndërkombëtare në kushtet e sotme është përmbledhje dokumentesh tërësisht jashtë realitetit, kur kemi parasysh kohën e kodifikimit të saj.

Po ashtu edhe vetë OKB-ja, si një mekanizëm multilateral, vazhdon të jetë një arkitekturë që nuk i përshtatet trendeve të politikës ndërkombëtare në shekullin XXI.

Duke qenë si e tillë, me të drejtë shtrojmë pyetjen se a është e aftë dhe efikase OKB-ja që t’i avancojë edhe mëtutje liritë dhe të drejtat e njeriut?

Nga pikëpamja praktike duhet të jemi shumë skeptikë.

Arsyeja është e thjeshtë: së pari, funksionaliteti i kësaj strukture multilaterale varet nga vullneti i shteteve si anëtare të saj. Dhe më e keqja, disa nga shtetet shumë të fuqishme në kuadër të OKB-së janë shtete jo demokratike, ndërsa OKB-ja nuk ka pushtet për të imponuar dhe sanksionuar veprimet e shteteve të fuqishme.

Së dyti, OKB-ja në esencë përmban mungesë të përgjegjësisë demokratike.

Demokracia, si koncept, e ka bazën te parlamentarizmi si një mekanizëm i përfaqësimit qytetar. Ndërsa Kombet e Bashkuara nuk japin përgjegjësi dhe as llogari përballë një elektorati demokratik dhe as përballë institucioneve vërtet demokratike.

Po të shtrojmë analizën edhe mëtej në dimensionin kohor, që në themelimin e saj, mekanizmi më i lartë vendimmarrës dhe më i rëndësishmi, Këshilli i Sigurimit, ishte i bazuar në supozimin se aleanca fitimtare e kohës së Luftës së Dytë Botërore do të qëndrojë së bashku për të monitoruar dhe nëse është e nevojshme, për të zbatuar paqen botërore.

Konsensusi (e drejta e vetos) i Këshillit të Sigurimit ishte dhe mbeti baza e kapaciteteve vepruese.

Një nga idetë bazë të Kartës së OKB-së ishte se një sistem i sigurisë kolektive, të monitorohet dhe nëse është e nevojshme, të zbatohet nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Thelbi i kësaj ideje qëndron në faktin se kjo normë do të hapte rrugën në një masë të madhe për çarmatimin e botës.

Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i këtij institucioni.

Brenda katër viteve, që nga nënshkrimi i Kartës në San Francisko-s, gara më e madhe e armatimit në historinë botërore, duke përfshirë dhe armët e shkatërrimit në masë, ishte në mes të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Pra, nga kujdestarë të paqes dhe sigurisë, ata u bënë kërcënimi më i madh për paqen botërore.

Por ky nuk ishte paradoksi i vetëm. Sot, armët konvencionale dhe sidomos armët e vogla të këmbësorisë, që janë duke u përdorur nëpër konflikte anembanë botës, të cilat llogariten si vrasëset më të madha në botë, 80% e këtyre armëve janë të tregtuara pikërisht nga disa anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit siç janë Rusia dhe Kina.

Gjatë historisë së tij, Këshilli i Sigurimit, për shumicën e kohës ishte i paralizuar nga mungesa e konsensusit në mes të anëtarëve të përhershëm të saj.

Nga ana tjetër, shpejtësia e procesit të shkolonizimit nuk ishte parashikuar në San Francisko, me ç’rast lindën shumë pika fërkimi dhe konflikte në disa rajone të ndjeshme të botës si: Lindje e Mesme, Azi Jugore dhe Juglindore, në Qipro dhe më vonë në Afrikë dhe Ballkan.

Këto dinamika, OKB-në dhe mekanizmin më të lartë të saj, Këshillin e Sigurimit, e nxorën tërësisht jashtë funksionit për të cilin ishte krijuar.

Vetëm pas përfundimit të Luftës së Ftohtë u duk se Këshilli i Sigurimit më në fund mund të jetë funksional mbi parimet që ishin parashikuar në Kartën e San Franciskos.

Për herë të parë u përdor kapitulli VII i Kartës kundër agresionit të Irakut mbi Kuvajt në vitin 1990.

Mirëpo, në këtë fazë u bë e qartë se natyra e problemeve me të cilat do të ballafaqohen anëtarët e Këshillit të Sigurimit do të jenë tërësisht në një format tjetër.

Ashtu siç nuk e kishte parashikuar Karta e San Francisko-s procesin e shkolonizimit, po ashtu nuk i kishte parashikuar as konfliktet e fjetura etnike si pasojë e Traktatit të Versajës.

Konfliktet në mes shteteve u zëvendësuan me çrregullime të brendshme mes etnive.

Përballë këtyre sfidave OKB-ja ishte tërësisht e pa përgatitur.

Teknikat e vjetra të paqeruajtjes, të cilat ishin projektuar për të frenuar konfliktet ndërshtetërore, ishin të papërshtatshme me dhunën brenda kufijve shtetërorë.

Dështimet ishin të padiskutueshme. Në këtë kuadër, e drejta ndërkombëtare, si një dokument i dalë mode, nuk përbën më kuadrin e duhur për sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare të shekullit XXI.

Sot, ndërlikueshmëria e kërcënimeve globale po zgjerohet dita-ditës.

Ndërsa OKB-ja edhe pas tetë dekadash, viteve të themelimit të saj i mungojnë kapacitetet vepruese për të marrë masa të menjëhershme praktike kundrejt këtyre kërcënimeve.

Ngjarjet e fundit kanë treguar se komuniteti ndërkombëtar po përballet me forma të reja të rrezikut nga njëra anë dhe nga ana tjetër nga mungesa e unanimitetit të Këshillit të Sigurimit për menaxhimin e krizave.

Kjo problematikë ka bërë që shtetet me demokraci të zhvilluar të kërkojnë alternativa vepruese jashtë mandatit të Këshillit të Sigurimit.

Praktikisht, këtu kanë zanafillën zhvillimi i tri doktrinave të NATO-s siç janë:

“ndërhyrja humanitare”;

lufta parandaluese”;

“R2P – përgjegjësia për të mbrojtur”.

Që të tri këto doktrina u zhvilluan si koncepte për sigurinë tërësisht jashtë mekanizmit të Këshillit të Sigurimit, por që në bërthamë të saj kanë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Këto doktrina vepruese parandaluan shumë diktatorë për të abuzuar me të drejtat e njeriut dhe eliminuan mundësinë e fshehjes pas sovranitetit, veçanërisht në shtete me shumë etni siç ishte edhe ish Jugosllavia.

Nëpërmjet kësaj doktrine, demokracitë perëndimore jo vetëm që kishin detyrim, por ndërhynë në shumë shtete totalitare që aplikonin politika të gjenocidit, siç ishte rasti në Somali, Kamboxhia, Bosnjë, Kosovë, Timorin Lindor, Afganistan dhe së fundmi edhe në Lindje të Mesme.

Parimet e këtyre tri doktrinave të NATO-s kanë rezultuar si të pranueshme nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Arsyetimi është i thjeshtë: tirania nuk duhej të justifikohej.

Këto doktrina kanë ndihmuar popullsi të ndryshme, të cilët jetonin në vazhdimësi në nivele të papranueshme të vuajtjeve njerëzore të shkaktuara nga politikat e qëllimshme qeveritare.

Një rast i tillë është ndërhyrja humanitare në Kosovë, e iniciuar nga SHBA-të dhe fuqitë evropiane, që thyen parimin klasik strukturor të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Rasti i Kosovës ndryshoi për herë të parë perceptimet ndaj sovranitetit, duke lëvizur balancën gjithnjë e më shumë drejt respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, si një çështje e obligueshme e aktorëve ndërkombëtarë.

Kjo zhvendosje e balancës po zvogëlon gjithnjë e më shumë konceptin e sovranitetit shtetëror nga njëra anë dhe nga ana tjetër të drejtat e njeriut po ia zënë vendin sovranitetit, me ç’rast është hedhur baza për paraqitjen e një kornize parimore për ndërhyrje nga jashtë kundrejt të gjithë atyre shteteve, që në emër të sovranitetit abuzojnë me të drejtat e njeriut, ndërsa OKB-ja ende vazhdon të udhëhiqet me koncepte të shekullit XX.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …