Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Ministrat e Qeverisë Kurti, nderuan ushtarët serbë, që masakruan shqiptarë në vitet 1912-1918

Është shqetësuese e dëshpëruese se deri ku shkon turpi i pushtetarëve tonë dhe me gjithë këtë, ata as që duan t’ia dinë! Njeriu duhet të jetë i zhveshur tërësisht nga humanizmi e dinjiteti për të bërë akte të tilla, sikur bënë ministrat e Qeverisë Kurti, ditë më parë, duke nderuar vrasësit mizor të bashkëkombësve të tyre, rreth një shekull më parë. Janë tmerruese krimet që ka bërë ushtria e Serbisë, gjatë luftërave ballkanike, për shfarosjen e kombit shqiptar. Luftë me elemente të qarta gjenocidale. Është e dhimbshme sa s’ka më kur njeriu lexon raportimet e humanistëve të kohës se çfarë krime po bënin kundër popullit shqiptar, këta ushtar, para varrit të të cilëve u përkulën ministra të Qeverisë Kurti!!!

Në Historinë e popullit shqiptar po ashtu edhe në shkrimet e ndonjë gazetari të kohës si Leo Frojndlih e sidomos në reagimet e Gjergj Fishtës, Fan Nolit e të tjerëve  mësohet se ushtria e Serbisë, gjatë fushatës shfarosëse kundër vendbanimeve shqiptare, ka bërë krimet më të tmerrshme të mundshme, lemeritëse. Ata merrnin fëmijë e gra shqiptare, i lidhnin për stogje të sanës dhe mandej ua vinin zjarrin, duke i kallur për së gjalli!!! Por jo vetëm kaq. Me raste, për të kursyer plumbat, shqiptarët i rendisnin pas njëri tjetrit, me qëllim që me një plumb t’i vrisnin disa shqiptar. Me raste tjera, për të kursyer edhe me shumë plumbat, ata i mbysnin duke përshkuar trupin e tyre me bajoneta!!!

Por jo vetëm kaq. Nga tekstet e historisë po ashtu mësohet se aq i madh ishte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar sa kufoma të shumta shiheshin në lumin Vardar. Kishte raste që aq shumë kishte trupa të pajetë, sa ata krijonin  stoqe të trupave rrëzë këmbëve të urës, sikur të ishin trupa drurësh dhe pengonin rrjedhën normale të ujit nën urë! Kundër krimeve të tilla monstruoze e tmerruese, kanë reaguar  hebreu Leo Frojndlih, dhe reporteri rus i luftës. Leon Trocki, por edhe disa ushtarë serbë, si Dimitrije Tucoviq e të tjerë por ja që krejt ndryshe bënë ministra të Qeverisë Kurti, e cila na hiqet si e dinjitetshme, luftëtare e së keqes dhe që nuk i harron krimet e Serbisë sikur na i paskan harruar qeveritë tjera por do të kërkojnë llogari e gjyqësi për to! Hipokrizi tipike, neveritëse!!!

 Ndokush edhe mund të hamendësoj se për krime të tilla mund të mos kenë ditur ministrat e Qeverisë Kurti ama është vështirë e besueshme kjo kur dihet se për krime të tilla din edhe një gjimnazist. E nëse kemi ministra me diapazon të dijes nën nivelin e një gjimnazisti, nuk duhet shumë imagjinatë se çfarë të ardhme e pret një shtet të drejtuar nga një kabinet qeveritar me ministra të tillë, sharlatan!!!

Por kjo nuk është më e keqja. Kjo është vetëm maja e ajsbergut e krimeve që ka bërë ushtria e Serbisë kundër popullit shqiptar gjatë luftërave ballkanike dhe më pastaj.

Krimet e tyre nuk janë realizuar vetëm në Kosovë por edhe në trojet shqiptare në Iliridë e Shqipëri, por pavarësisht këtyre krimeve monstruoze e me përmasa gjenocidale, ministrat e Qeverisë Kurti, përkulen para varrit të ushtarëve shqiptar vrasës!!!

Por përveç krimeve lemeritëse e tmerruese, ushtria e Serbisë, krijoj kushte për fillimin e terrorizimit të popullit shqiptar në Kosovë mes viteve të dy luftërave botërore. Dhe ajo që ngjau në Kosovë gjatë kësaj kohe, lirisht mund të quhet spastrim etnik.

Pas pushtimit të Kosovës nga ushtria e Serbisë, përveç vrasjeve të shqiptarëve kryengritës që luftonin kundër robërisë, krijoj kushtet për realizimin e planit djallëzor të Akademisë së Shkencave të Serbisë, për shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët dhe kolonizimin e saj me serb e malazias. Ende janë të freskëta kujtimet nëpër vendbanime anekënd Kosovës se si ushtria e Serbisë kishte realizuar barbari kundër popullit shqiptar nëpër vendbanime anekënd Kosovës, mandej se si iu kishin konfiskuar pronat e tyre, ara, male e livadhe dhe në to ishin vendosur kolon serb e malazias por ja që këto nuk i dinë ministrat e Qeverisë Kurti ani pse gjatë luftës për pushtet, nuk kanë lënë fshat pa vizituar në kërkim të votës, me premtimet për qeverisje më të mirë, ministra më të përgjegjshëm e trajtim më të dinjitetshëm. Por ja si ua shpërblejnë votën e tyre, tani që janë veshur me petkun e pushtetit e ulur në kolltuqet e buta!!! Përulen para varrit të ushtarëve, të cilët gjyshërve të votuesve të tyre, ua kanë bërë jetën ferr e shkuar ferrit, vetëm e vetëm që ata të ikin sa më parë nga Kosova, në të cilën mandej serbët e malaziasit do të dominonin edhe në aspektin demografik!!! Sa ishte në opozitë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti zotohej se ai nuk do të takonte e as nuk do të bisedonte me autoritetet e Serbisë pa kërkuar ato më parë kërkim falje dhe kthimin e trupave të shqiptarëve të rrëmbyer nga forcat serbe gjatë luftës. E kuptojmë kryeministrin Kurti që nuk është në vullnetin e tij se me kënd do të takohet ama është në vullnetin e tij se çfarë të bëjë me vartësitë e tij që janë përulur në shenjë nderimi ndaj varreve të vrasësve mizore të bashkëkombësve tonë gjatë viteve 1912 – 1913, në masë edhe më të madhe se sa gjatë viteve 1998 – 1999. Të shohim se si do të veproj. Duke i shkarkuar që të dy një orë e më parë apo do ta bëj sofistin për t’i arsyetuar verimet e tyre të ulta. Nëse e kanë bërë nga padituria, çfarë na duhen ministra të tillë sharlatan e të padijshëm, ndërsa nëse e kanë bërë me vetëdije të plotë, edhe aq më keq. Shkarkimi i tyre është gjëja më e vogël që duhet bërë ndaj ministrave të tillë.

   Për këto krime e shumë të tjera, dinë edhe nxënësit gjimnazist por ja që ministrat e Qeverisë Kurti as që duan t’ia dinë për këto krime por shkojnë e përkulen, e bëjnë nderime për ushtarët vrasës të kombit të tyre!!! Dhe kur kujton këto fakte, nuk duhet shumë mund për ta ditur se ata që përkulen para autorëve të krimeve monstruoze e me përmasa shumë të mëdha, çfarë do të bëjnë sot me autorët e krimeve të tilla, me përmasa më të vogla, ani pse natë e ditë, me muaj e vite me radhë, kanë rrahur gjoks e janë zotuar se nuk do t’ua zgjasin dorën atyre që kanë duart e përgjakura nga vrasja dhe masakrimi i bashkëkombësve të tyre, pa kërkuar falje më parë!

   Urtësia popullore na mëson se dita e mirë, shihet me mëngjes, e kush ka pasur sy, mendje dhe vullnet për të parë, ka pasur mjaftë kohë për ta kuptuar se çfarë dite do të jetojmë, duam apo s’duam ta pranojmë! I mbetet kryeministrit, Albin Kurti që ta dëshmoj të kundërtën.

Kontrolloni gjithashtu

TAMARA SPAIĆ:  Enver Petrovcit i vjen turp që është gjallë, ai mbante varur foton e Slobodan Milosheviqit

TAMARA SPAIĆ: Enver Petrovcit i vjen turp që është gjallë, ai mbante varur foton e Slobodan Milosheviqit

Enver Petrovci: Millosheviçi na modernizoi të gjithëve, ne pamë botën. Faleminderit përgjithmonë.  Për shkak të …