Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiqevci: Kosova përligji ekzistencën e NATO-s, Rusia e Serbia e përdorin për ta bërë drejtësinë, që s’e kanë bërë kurrë

Ka kohë që shtresat liridashëse me të drejt dhe arsye po manifestojnë revoltën e tyre ndaj Gjykatës Speciale e cila në mënyrë perfide, në emër të drejtësisë po bënë padrejtësi! Gjykatë e cila bëhet e verbër dhe e shurdhër ndaj krimeve anekënd Kosovës të bëra nga ushtria e policia e Serbisë dhe grupet kriminale paraushtarake serbe por shumë e kujdesshme për të hulumtuar ndaj çdo dyshimi se ndonjë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paska bërë ndonjë krim gjatë luftës por të cilin kjo e keqinterpreton duke e quajtur krim lufte!!! Por është edhe një dimension tjetër i cili mendojmë se duhet të merret parasysh kur trajtojmë këtë çështje.

   Deri më tani nuk kam lexuar ndonjë shkrim apo trajtesë se nga intervenimi i NATO-s në Kosovë nuk ka përfituar vetëm Kosova dhe qytetarët e saj por edhe NATO-ja dhe shtetet anëtare të saj. E themi këtë duke e pasur parasysh faktin se qëllimi i krijimit të NATO-s ka qenë paqja botërore ndërsa Serbia për një dekadë po zhvillonte luftëra të përgjakshme kundër popujve liridashës në mes të Evropës, duke shpërfillur dhe mos qarë aspak kokën për këtë aleancë të fuqishme ushtarake dhe duke e vënë para një gjendje poshtëruese, nënçmuese e pse jo edhe skajshmërisht komprometuese! Ndonëse NATO-ja ishte themeluar me misionin për paqen botërore, Serbia para syve të saj, po bënte më shumë se luftëra, po zhvillonte masakra anekënd Kroacisë dhe sidomos Bosnjë Hercegovinës dhe Kosovës ku po dhunonte vajza dhe po vriste, masakronte e piqte edhe foshnje e fëmijë! Thjesht barbari! E ndodhur përball një gjendje të tillë, NATO-ja ose duhej të intervenonte dhe për ta përligjur ekzistencën e saj gjysmë shekullore ose të vazhdonte të lejonte të trajtohej si një palaqo aleancë ushtarake e të hynte në analet e historisë si një aleancë e krijuar për paqe botërore por që nuk kishte bërë asgjë për ta ndalur barbarinë që po ndodhte para syve të saj nga një shtet pakrahasimisht më i dobët se sa potenciali i saj ushtarak.

NATO-ja tani ndodhej edhe përball lajmeve të përditshme që pasqyroheshin nëpër medie për barbaritë që po bënte Serbia në Kroaci e sidomos në Bosnjë e Hercegovinë e Kosove. Të përkujtojmë se vetëm në masakrën e Srebrenicës, para ushtarëve të forcave të bashkësisë ndërkombëtare, serbët vranë mbi 8 mijë boshnjak civil të paarmatosur. Ishin këto skema që përkujtonin kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjëve, në kohën kur nuk kishte ekzistuar NATO-ja por që ishte krijuar më pastaj për të mos u përsëritur kurrë më krime të tilla, me përmasa gjenocidale.

Krime të tilla, ushtria dhe policia e Serbisë po bënte anekënd Kosovës, duke dhunuar vajza shqiptare, duke vrarë e masakruar edhe pleq e plaka, fëmijë e foshnja anekënd Kosovës dhe duke i plaçkitur vendbanimet shqiptare dhe dhënë flaken më pastaj me qëllim që popullata e këtyre vendeve të  mos kishte më motiv të rikthehej në vendet nga ishte dëbuar dhunshëm por të merrte botën në sy dhe të tretej, sikur janë tretur sa e sa gjenerata.

   Ishte lufta disa vjeçare kundër Kroacisë e Bosnjë e Hercegonivës gjatë së cilës i kishte rënë maska Serbisë dhe bota demokratike po shihte barbarinë që po bënin ushtria e policia e saj kundër popujve liridashës. Askush nuk mund të përligjte fushatat vrastare serbe e as barbaritë e saj ç’njerëzore, madje as aleatet e saj të kamotshme, sikur ishte Rusia dhe vendet sllave. Të anosh nga Serbia do të thoshte të anosh kah barbaria, t‘ia bësh avokatin satanait.

   E ndodhur përball një situate të tillë, NATO-ja kishte një rast ideal për ta  përligjur ekzistencën e saj gjysmë shekullore dhe për t’i përligjur investimet marramendëse në infrastrukturën dhe super strukturën e saj. Kishte një rast ideal që duke ndërmarr një fushatë ajrore ndaj ushtrisë dhe policisë së Serbisë, të tregonte anën e saj humane se nuk do lejonte të poshtërohej qenia njerëzore dhe se liria dhe dinjiteti i njeriut ka më shumë vlerë se sa shteti që i mohon dhe shkel ato! Shto këtij faktin se me përjashtim të Turqisë, shtetet anëtare të NATO-s janë të krishtera e Kosova vend me shumicë myslimane, ishte edhe një mesazh tjetër se aleanca veri-atlantike është aleancë që mbron edhe vendet me popullsi myslimane kur ato ndodhen përball një agresioni nga kushdo shtet qoftë. Dhe po, NATO-ja i arriti këto objektiva duke realizuar fushatë nga ajri ndaj ushtrisë dhe policisë vrastare serbe, e cila për një dekadë kishte vrarë e masakruar popujt jo serb në territorin e ish Jugosllavisë. Këtë fushatë ajrore për të mbrojtur popullin e Kosovës nga agresioni i Serbisë, NATO-ja e ka përmendur edhe gjatë fushatës në Afganistan e Irak duke theksuar se fushata nuk është e drejtuar kundër botës myslimane por kundër regjimeve të caktuara dhe duke rikujtuar fushatën ajrore për ta mbrojtur popullin shqiptar me shumicë myslimane nga agresioni i Serbisë.

   Tani që kanë kaluar mbi dy dekada nga lufta çlirimtare e fitimtare, fal një angazhimi të madh e shumë dimensional, Serbia e Rusia na hiqen si vende të drejta dhe që duan të vënë para drejtësisë personat që sipas tyre kanë bërë krime lufte. Sa shumë ka ndryshuar Serbia e Rusia e sa shumë ju dhemb shpirti për viktima, aq shumë sa po kërkojnë llogari për rreth 100 persona që sipas tyre na i paska vrarë Ushtria Çlirimtare e Kosovës! Po nëse Rusisë e Serbisë po na i dhimbka shpirti për këta 100 të vrarë, a i ka dhimb shpirti edhe për qindra mijëra e mbase edhe miliona afganë, çeçen, kroatë, boshnjak mysliman e shqiptar, të vrarë nga Rusia e Serbia!? A janë edhe ata njerëz!? Apo Rusia e Serbia dojnë të aktrojnë humanizmin nëpërmjet Gjykatës Speciale kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe t’i harrojmë krimet e tyre, sikur janë harruar deri më tani duke mos vënë para drejtësisë barbarët për barbaritë e tyre!?  Psikologu i falshëm, Karl Gustav Jung do të na thoshte se mbase e pavetëdijshmja kolektive e popullit rus e serb po na shfaqet nëpërmjet kësaj Gjykate Speciale për të pastruar mëkatet e veta që i kanë bërë ndaj popujve të shumtë liridashës sikur janë afganët, çeçenët, kroatët, boshnjakët mysliman e shqiptar, krime të cilat janë aq të mëdha sa kanë frikë të ballafaqohen me to dhe sa herë i kujtojnë, do të bëjnë të ndjejnë peshën e fajit andaj për t’u çliruar nga kjo peshë, organizojnë gjykata të tilla për ta qetësuar të pandërgjegjshmen e tyre kolektive.

Se Gjykata Speciale është produkt i Kremlinit dhe Beogradit zyrtar, po e dimë të gjithë e këtë e ka thënë edhe ish-prokurori i Gjykatës Speciale të EULEX-it, Clint Williamson. Ai ka deklaruar se këmbëngulësja më e madhe për ta krijuar Gjykatën Speciale ishte Rusia por a janë të vetëdijshëm ata që do të japin dëshmi në këtë gjykatë se qëllimeve të kujt do t’i shërbejnë dëshmitë e tyre, edhe nëse ato janë bërë me qëllim të mirë!? Nëse kësaj Gjykate Speciale po na dhembka shpirti për viktimat e luftës që na i paska vrarë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pse nuk ndjen dhimbje dhe të kërkoj drejtësi e zhvillon procese gjyqësore edhe për 20 mijë femrat e dhunuara nga ushtria e policia e Serbisë dhe grupet e saj paramilitare!? Po për 400 masakrat anekënd Kosovës? Por për afër 1 mijë e 500 fëmijë e foshnja shqiptare, të vrara, masakruara e pjekura, vetëm pse ishin shqiptare!? A janë njerëz për këtë gjykatë edhe të dhunuarat, të vrarit e masakruarit nga Serbia apo njerëz janë vetëm ata që pretendohet se i ka vrarë ndonjë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!?

Dhe për fund, se sa ka pasur vullnet për dënimet e krimeve të luftës, dihet nga qasja që është përdorur në Kosovë, qasje e destinuar për të mos dhënë rezultat dhe megjithëkëtë, e kemi miratuar në heshtje!!! Përderisa, për vrasjet e pretenduara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kërkohet përgjegjësi komanduese, e njëjta qasje nuk vlen për Serbinë! Nëse vërtetë drejtësia ndërkombëtare do të dëshironte t’i vinte përball drejtësisë kriminelët që bënë akte barbare, e ka pas shumë lehtë sepse dihet hierarkia komanduese e Ushtrisë dhe Policisë së Serbisë ashtu sikur dihet se kush kanë qenë kryetar të komunave në Kosovë gjatë kohës sa kanë ndodhur krimet por ja që për vënien e kriminelëve para drejtësisë është përdorur një qasje që nuk jep fryt duke vonuar proceset gjyqësore ndaj krimeve në njërën anë dhe duke kërkuar nga dëshmitarët që të tregojnë kush ka kryer krimet ndonëse ka raste që s’ka mbijetuar asnjë nga masakra e në disa raste mund të kenë qenë vrasës të panjohur për viktimat!? Qasje që nuk jep rezultate është duke u përdorur edhe për identifikimin e varrezave masive nëpër Serbi për gjetjen e të cilave kërkohen fakte nga pala e Kosovës e jo nga Serbia e cila ka organizuar vrasjet dhe fshehjen e gjurmëve të krimit!?

Por jo vetëm kaq. Themelimi i kësaj Gjykate Speciale absurde e anakronike që i ngjanë edhe inkuizicionit kishtar të mesjetës mbase ka edhe një porosi për popujt tjerë të shtypur e nëpërkëmbur duke i paralajmëruar e kërcënuar se ja çka i pret nëse ngritin krye e bëjnë luftë të armatosur çlirimtare sikur ka bërë kombi ynë- proceset gjyqësore pafund, për mbi 20 vite me radhë! E popuj të tillë të shtypur ka anekënd botës e ka edhe në Evropën tonë të qytetëruar, sikur janë katalunjasit në Spanjë, hungarezët në Rumani e Serbi e popuj tjerë në vende tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …