Vetëvendosje

Fatmir Grajqevci: Roli i faktorëve psikologjikë në fitoren e Vetëvendosjes

Janë të shumtë faktorët që ndikojnë te elektorati për ta votuar atë apo këtë subjekt politik, por si duket, faktor vendimtar që ka ndikuar te masat e gjera për ta votuar partinë Vetëvendosje, është faktori psikologjik. Nuk është ky ndikim i rastësishëm por i përdorur me mjaftë mjeshtëri e djallëzi nga shefi i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ithtarët e tij besnik, sidomos ata nga safi i parë.

   Askush nuk e mohon se një ndihmë të madhe për t’ua plotësuar etjen e madhe për pushtet, Albin Kurtit dhe bashkë partiakëve të tij, kanë dhënë edhe partitë tjera, me keq qeverisjen e tyre, herë pa dashje e herë me dashje por se faktor vendimtar ka qenë faktori psikologjik. Kreu i partisë Vetëvendosje, ia ka dal që elektoratit, t’ ia afrojë  ndjenjën se veprimi më atdhetar është votimi dhe përkrahja e Partisë Vetëvendosje, apo sikur e quajnë ende “Lëvizje” ani pse ka vite që e ka humbur atributin e të quajturit “Lëvizje”, nëse e ka pasur ndonjëherë me të vërtetë këtë atribut! Karakteristikë qenësore e “Lëvizjeve” është sjellja e ndryshimeve në shoqëri, ose luftimi i dukurive negative apo edhe bërjen e kthesave politike e shoqërore por pa e pasur si synim primar dhe të fundit marrjen e pushtetit. E partia Vetëvendosje, duke u kamufluar me atributin e konceptit “Lëvizje” ia ka dal që etjen e saj për pushtet, ta kamuflojë me idealet më të larta, bashkimi kombëtar, atdhetarizmi, nacionalizmi, ky i fundit në kuptimin pozitiv të fjalës. Të zhgënjyer me të drejtë dhe arsye, në partitë tjera, një pjesë e elektoratit, ndjenjën e ndëshkimit ndaj partive paraprake në pushtet, e kanë përjetuar duke votuar Vetëvendosjen. Por nuk ka qenë kjo ndjesia e ndëshkimit që i ka motivuar zgjedhësit sa ka qenë emocioni tjetër, ai i të ndjerit çlirimtar i atdheut dhe shpëtimtar i tij! Këto dy ndjesi ua ka dhënë Vetëvendosje të gjithë atyre që e kanë votuar këtë parti. Duhet pasur parasysh se derisa gjatë viteve të robërisë e luftës çlirimtare, për t’u perceptuar si atdhetar, duhej të ndërmerrje veprime që kushtonin me burg ose me jetë, partia Vetëvendosje ia doli që këtë ndjesi të ua ofroj me një çmim dukshëm më të vogël – në këmbim të votës!

   Së pari, shefi i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe bashkë partiakët e stafit të parë, ndërtuan konceptin  se Kosova po degradon çdo ditë, se vendi është i pushtuar ( ! ) nga partitë tjera dhe se tani duhej një mobilizim i madh për ta çliruar  ( ! ) atdheun dhe shpëtuar ( ! ) atë nga shkatërrimi që i është bërë për 20 vite me radhë. Duke i besuar kësaj propagande djallëzore, votues të shumtë, të etur po ashtu nga dëshira për ta ndjerë veten si luftëtar të flaktë për komb e vatan, ia mësyn Kosovës. Ama jo si ata atdhetarët e njëmendtë, të dy dekadave më parë, që të ngarkuar me armë, në këmbë ia mësynin Kosovës, bjeshkëve e shkrepave, në dimër e acar, drejt fronteve të luftës e pritave të shumta, ku shumë nga këta atdhetar ranë gjatë luftimeve të ashpra, e të pa barabarta. Fal propagandës nihiliste e djallëzore të Albin Kurtit dhe bashkë partiakëve të tij, tani ishte shumë lehtë ta bëjë atdhetarin dhe çlirimtarin duke udhëtuar në mënyre komode me aeroplan për ta dhënë votën për këtë parti dhe për t’u ekzaltuar nga ndjesia e të qenurit çlirimtar dhe shpëtimtar i Kosovës. Më nuk të duhej as kallashi, as bombat e as municioni por mjaftonte libreza e partisë Vetëvendosje dhe flet votimi për këtë parti. Është interesante nëse analizon fotot ose videot e bëra gjatë kohës së luftës kur mijëra mërgimtar, ia mësynin fronteve të luftës dhe mërgimtarëve që ia mësynin kutive të votimit për ta sjell në pushtet, të eturin për të, Albin Kurtin me bashkë partiak. Shprehja e emocioneve të ndjenjës së krenarisë dhe ndjesisë së dhënies së kontributit për komb e vatan, është e njëjtë!!! Si e atyre që niseshin për Kosovës gjatë viteve të luftës çlirimtare, si të këtyre të kohës së votimit!!!

   Ama Kurti me shpurën e tij ja ka dal ta bëj edhe një hap tutje! Më shumë ka anëtar të kësaj partie që kanë ndjesinë e çlirimtarëve të Kosovës se sa që ka pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që e kanë këtë ndjesi! Është e ditur se nëse ofron mundësi që me kontribut minimal ta përjetosh maksimalisht epitetin e çlirimtarit dhe shpëtimtarit të atdheut, klientelen e ke të garantuar. E këtë ka bërë shefi i partisë Vetëvendosje,  bashkë partiakët e tij të safit të parë dhe të safave pasues. Me këtë propagandë, xhematlinj ke sa të duash! Vite me radhë, këta pushtetar të etur për pushtet, kanë propaganduar se Kosova është shkatërruar për 20 vite me radhë, por kurrë nuk kanë treguar se kush na e paska ndërtuar kaq shumë Kosovën që na u paska dashur 20 vite angazhim për shkatërrimin e saj!? Pushteti i kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviqit, pushteti i shqiptar vrasëse Tito – Rankoviq apo pushteti i Serbisë së Krajlit, që kishin bërë shkrumb e hi Kosovën!?

   Fatkeqësisht, shumë votues i kanë besuar kësaj propagande shtet mohuese dhe dëshira për ta ndjerë veten si shpëtimtar të kombit e vatanit, ka mbizotëruar mbi mendimin kritik. Kjo ka bërë që në vend se këtë propagandë ta marrin me rezervë, i janë dorëzuar emocioneve të këndshme që ndjen njeriu kur beson se është bërë shpëtimtar dhe çlirimtar i kombit e atdheut. Dhe Albin Kurti me oborrtarët e tij, ia ka dal të ua ofroj këto ndjesi në këmbim të votimit të partisë së tij. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se tregti me ndjesi të tilla, kanë bërë edhe partitë tjera por asnjëra nuk ka përfituar nga kjo tregti – krijimin e ndjenjave të atdhetarisë në këmbim të votës, sikur partia Vetëvendosje!

  Por pavarësisht fitores së madhe të 14 shkurtit dhe iluzionit se kjo datë shënon edhe çlirimin dhe shpëtimin e Kosovës, vitet në vazhdim e dëshmuan të kundërtën. Ngjarjet që pasuan në vijim, na e kujtojnë se sa të drejtë kishte filozofi, politikani dhe pedagogu francez, Zhan Zhan Ruso kur shfaqte shqetësimin e tij për tjetërsimin e vullnetit të votuesve. Në librin e tij të njohur “Kontrata Shoqërore” ai në mes tjerash ngre edhe një pyetje tejet interesante! Duke folur për vullnetin e popullit, Ruso në mes tjerash shkruan:

A ka mundësi që vullneti i popullit të përfaqësohet dhe të mos tjetërsohet!?

   Nëse analizojmë partinë Vetëvendosje, lirisht mund të themi se intelektuali i shquar francez, Zhan Zhak Ruso, kishte plotësisht të drejt kur paraqiste këtë shqetësim të tij sepse asnjë parti si kjo nuk e ka tjetërsuar vullnetin e votuesve të saj.

   Ndonëse ajo për një dekadë ka bërë propagandë se me Vetëvendosjen në Qeveri, nuk do të ketë Zajednicë, ajo tani po e pranon Zajednicën ama të ambalazhuar me një nocion tjetër, ndonëse gjatë fushatës është zotuar se nuk do të zhvilloj bisedime me Serbinë pa i plotësuar ajo paraprakisht disa kushte, ka vite që më shumë takohet e bisedon me presidentin e Serbisë se sa me kryeministrin e Shqipërisë! Ndonëse shumë vite me radhë është zotuar se do ta bëjë bashkimin kombëtar dhe atë fare lehtë duke zhvendosur pikën doganore nga Vërmica pranë Shqipërisë në Merdare pranë Serbisë, me t’u ulur në kolltuk deklaroi se këtë nuk na e lejon Kushtetuta! Dikur deklaronte se nuk ecet përpara me leckën lara lara, pas veshjes me pushtet, po kësaj lecke i rri gatitu sepse me Kurtin kryeministër ajo më nuk është leckë por flamur! Partia Vetëvendosje u zotua se do ta luftoi nepotizmin por me të ardhur në pushtet, vetëm se e vazhdoi atë. Gjatë fushatës zgjedhore, shefi i partisë Vetëvendosje, Albin Kurti dhe bashkë partiakët e tij kanë zhvilluar takime me të gjitha sindikatat dhe kanë shfaq keqardhje me anë të grimasave për kushtet e rënda të anëtarësisë së këtyre sindikatave. Ndonëse janë zotuar se me të ardhur në pushtet, do të angazhohen për plotësimin e kushteve të tyre, pas uljes në kolltuqet e buta që ofron pushteti, më as nuk i takojnë këto sindikata por i akuzojnë se janë dorë e zgjatur e atyre që e kanë shkatërruar këtë vend. Dikur kritikonte me të drejt dhe arsye të tjerët kur ju mbesin qindra miliona euro suficit ( para të pashpenzuara ) ndërsa tani Qeverisë Kurti i mbesin afër 1 miliard euro subvencion!!!

  Dhe kur kujton njeriu se çka ka ndërtuar Qeveria e Shpresës për këto tri vite, gjëja e parë që të vije në mendje është ura e Saradranit! Çuditërisht edhe ajo është e gjerë tri metra ama e bërë me standarde të Bashkimit Evropian, me rrethoja të metalta anash, në përurimin e së cilës, morën pjesë i madh e i vogël i kësaj Qeverie që na e solli ditën me prit tri vjet për ta ndërtuar një urë tri metra! Është e gjatë lista e shembujve të tjetërsimit të vullnetit të votuesve të saj nga partia Vetëvendosje! Është ndjenjë e keqe kur nuk ke më arsye dhe asnjë fakt për t’u ndjerë çlirimtar dhe shpëtimtar i atdheut por kontribuues i vendosjes së një partie që ta ka tjetërsuar vullnetin tënd.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …