Se libri është miku më i mirë, këtë e kemi lexuar të gjithë; por vetëm kur mësojmë prej tij, e ndiejmë sa i vyer është në të vërtetë.
Në mesin e shumë miqve të tillë janë edhe librat Toka në Baraspeshë i autorit Al Gore (ish-nënpresident i SHBA-ve) dhe Guri i Betimit i autorit Ahmet Qeriqi.
Po çfarë kanë të përbashkët këta të dy?
Të dy na tërheqin vërejtjen që të jemi vigjilentë ndaj disa dukurive që, në shikim të parë, mund të duken të parëndësishme, por që sjellin pasoja të rënda nëse vazhdojmë të jetojmë në rehati dhe të mos reagojmë.
Asnjë libër tjetër nuk i ka zgjeruar horizontet e mia të dijes si Toka në Baraspeshë. Nga leximi i tij, njeriu mëson për dëmet e jashtëzakonshme që i ka shkaktuar vetë njeriu planetit të vetëm të njohur deri më tani me kushte për jetë – Tokës. Po ashtu, lexuesi kupton se shumë ngjarje historike me ndikim botëror janë paraprirë edhe nga faktorë mjedisorë, e jo vetëm nga ata shoqërorë, siç jemi mësuar të besojmë. Një shembull i tillë është edhe Revolucioni Francez, në shfaqjen e të cilit kanë ndikuar edhe kushtet e përkeqësuara mjedisore.
Al Gore paralajmëron se, nëse vazhdojmë me këtë ritëm të shkatërrimit të mjedisit dhe me këtë moskokëçarje arrogante, jeta normale në Tokë rrezikon të marrë fund. Teksa e lexon këtë libër, është e pamundur të mos të kujtohet thënia e Mahatma Gandhi, të cilën e citonte shpesh edhe Mother Teresa:
“Toka është e mjaftueshme për nevojat e të gjithëve, por jo për lakminë e secilit.”
Një tjetër libër që më ka pasuruar jashtëzakonisht shumë në kuptimin e historisë shqiptare mesjetare është Guri i Betimit i studiuesit dhe shkrimtarit Ahmet Qeriqi. Në këtë vepër, lexuesi mëson për ndikimin shpesh të padukshëm të Kisha Ortodokse Serbe në historinë e popullit serb, por edhe për pasojat që ky ndikim ka pasur mbi shqiptarët dhe popujt e tjerë të rajonit.
Libri hedh dritë mbi prapaskenat e shumë ngjarjeve historike, duke treguar se shpeshherë aktorët kryesorë në skenë kanë qenë vetëm mjete në duart e strukturave më të thella të pushtetit, ndërsa institucionet fetare janë paraqitur publikisht si të përqendruara vetëm në jetën shpirtërore.
Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur kujtojmë ngjarjet e pasluftës së fundit në Kosova. Në vend që të distancohej nga krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999, një pjesë e klerit serb i ka bekuar ato.
Po aq shqetësues mbetet edhe qëndrimi ynë shpesh i heshtur ndaj ndikimeve të mundshme në të ardhmen. Ndonëse shpesh thuhet se Kosova është shtet sekular, realiteti tregon se ky parim nuk zbatohet në mënyrë të barabartë në praktikë për të gjitha komunitetet fetare. Duam apo nuk duam ta pranojmë, ky mbetet një fakt që kërkon reflektim serioz.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
