Faton B.Mehmetaj: Doli nga shtypi ribotimi i librit: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit e autores, Fetnete Ramosaj

Faton B.Mehmetaj: Doli nga shtypi ribotimi i librit: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit e autores, Fetnete Ramosaj

“Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet atëherë, kur në të   do të marrin pjesë edhe shqiptarët” Maximilian Lambertz-i

Këto ditë doli nga shtypi ribotimi i librit të Fetnete Ramosajt, me titull: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)”, nënë mbështetjen financiare të Komunës së Deçanit dhe të kryetarit të Komunës së Deçanit z.Bashkim Ramosaj. Ky libër është botuar nga “Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri”, sektori i botimeve të veçanta “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, në vitin 2019 dhe është ribotuar në prill të vitit 2022, me kërkesën e qindra qytetarëve të Deçanit që ta kenë këtë libër të veçantë në bibliotekat e tyre. Fetnetja punën në këtë libër e ka filluar në vitin 2013, dhe e ka përfunduar diku pesë muaj para se te kalonte në jetën e amshueshme. Recenzentët e librit, Faton Mehmetaj dhe Mr.sc.Manushe Ramosaj, morën përsipër botimin e këtij libri, që është i rrallë dhe shumë i dobishëm për të sqaruar situatat nëpër të cilat po kalon e gjithë struktura komanduese e UÇK-së.

Fetnete Ramosaj ishte ndër luftëtaret e hershme të guerilës së UÇK-së, zëdhënëse e UÇK-së për ZOD, por edhe eprore e lartë e TMK-së, intelektuale e përmasave gjithëkombëtare, studiuese dhe pjesë drejtuese e ilegales nga vitet 90-ta e këndej. Për meritat dhe veprimtarinë e palodhshme të Fetnetit në shërbim të kombit e atdheut, Hashim Thaçi e dekoroj me titullin Hero i Kosovës. Edhe pse Fetnetja ndërroi jetë e re, bëri një histori të tërë për Kosovën.

Duhet cekur se gjerë më tani janë shkruar nga studiues dhe hulumtues të ndryshëm, shumë libra dhe studime mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por libri i Fetnete Ramosajt, me titull: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)” është një libër i veçantë. Ky libër që në fillim ka një mesazh që tregon se kujt ia dedikon librin autorja. Ky mesazh është një testament i fuqishëm që tregon qartë se të gjithë ata që japin kontribut për çështjen kombëtare nuk harrohen kurrë.

E mira e gjithë këtij procesi është se ajo i ka ruajtur me kujdes këto dëshmi autentike të kohës së luftës, në të cilat paraqitet në mënyrë objektive, madje në të shumtën e herëve edhe në mënyrë të detajuar veprimtaria luftarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit.

Shkrimet, informatat ditore, dëshmitë e ndryshme dhe raportimet e Fetnetes, që janë dhënë për mediat shqiptare dhe ato ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, të paraqitura në këtë libër, duke përfshirë këtu edhe të dhëna të tjera si: komunikata, intervista me bashkëluftëtarë, reportazhe, biografi të dëshmorëve, raporte e të dhëna të tjera me rëndësi i takojnë periudhës së viteve të lavdishme të luftës 1998-1999 dhe janë dëshmi të paharruara të kohës, që do të mbesin gjatë në kujtesën tonë dhe do t’u shërbejnë brezave të rinj për të njohur nga afër përpjekjet tona dhe luftën tonë të drejtë, që e zhvilluam për liri e pavarësi.

Madje shumë prej këtyre ngjarjeve janë transmetuar edhe në agjencitë e lajmeve më prestigjioze të botës si në: “Zëri i Amerikës”, Agjencia britanike e lajmeve “BBC”, Agjencia gjermane e lajmeve “Dojçe Vele” (Deutsche Welle) etj.

Është një vepër unikate e kësaj natyre. Dokumentet, intervistat, raportimet nga zonat e luftës, të paraqitura edhe në shtypin dhe mediat e kohës, e paraqesin madhështinë e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Opusi i veprimtarisë së Fetnete Ramosajt në fushën shkencore dhe të krijimtarisë është i madh, i çmuar dhe shumë i vlefshëm për historinë shqiptare e sidomos për plotësimin e historikut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fillimi e deri në mbarim të luftës.

Në këtë libër janë paraqitur informacione për betejat dhe luftimet që ndodhnin përditë e nganjëherë zgjatnin me muaj të tërë pandërprerë.

Ky libër e dokumenton fuqishëm luftën tonë për liri. Është libër dëshmi që i shërben mbamendjes sonë historike, është dëshmi e pakontestueshme e luftës sonë çlirimtare, e heroizmit të luftëtarëve të UÇK-së, shumë prej të cilëve e dhanë jetën e tyre për lirinë që e gëzojmë sot, por është edhe një dëshmi shumë e rëndësishme në shërbim të kujtesës kolektive për të mos harruar se sa gjak, mund e sakrifica, janë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Të dhënat e paraqitura në këtë libër, e përbëjnë një mozaik të udhëtimit të UÇK-së nëpër kohë. Dëshmojnë për udhën tonë të vështirë, që me sakrifica e flijime të mëdha e arritëm lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në këtë rrugëtim kemi arritur ta bashkojmë në luftën tonë të drejtë edhe Aleancën më të fuqishme të botës, Aleancën Veri Atlantike të NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën gjatë gjithë kohës kishim bashkëpunim të mirëfilltë luftarak. Libri, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit, ka vlera të jashtëzakonshme për historinë e re të popullit shqiptar, për UÇK-në dhe për të vërtetën historike të UÇK-së rreth të cilës ka pas mjaftë tendenca dhe orvatje për ta shtrembëruar e devijuar. Por librat si kjo janë fakte të pakontestueshme që i shërbejnë të tashmes dhe të ardhmes, studiuesëve dhe hulumtueseve të historisë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …