Brickos

ferat shala

Ferat Shala: Përvjetor, përkujtim e krenari! (Në nderim dhe kujtim të babait tim dhe axhës së tij)

Sot me krenari kujtojmë 38 vjetorin e demonstratave të rinisë shqiptare në Drenas, të cilat shpërthyen me hove force çlirimtare më 2 prill të vitit 1981, për t’a hapur kështu shtegun e madh të luftës sonë për liri.

Në këtë ditë përkujtimi, bashkë me shumë figura, tani të përjetësuara, dua t’i përkujtoj edhe dy liridashës, heronjë të heshtur të Drenicës martire: Ibrahim Xhaferin (babanë tim) dhe Zenë Limanin (axha i tij).

Me shpërthimin e demonstratave studentore në vitin 1981, duke e parë se zëri kryengritës i rinisë po rrezikonte të mbetej i vetmuar, babai im – Ibrahimi (atëbotë burrë i shtyrë në moshë), bashkë me xhaxhanë e tij, Zenën (ky i fundit plak 72 vjeç), kishin zbritur në Drenas për të marrë pjesë në demonstratën e njohur të 2 prillit. Më kujtohet se si mixha Zenë hipur mbi kalë, bashkë me nipin – Ibrahimin (babanë tim) u rreshtuan përkrah rinisë në demonstratë duke i dhënë zemër demonstruesve në Drenas për t’i shpërthyer kordonët policor.

Me këtë akt ata kishin ngjallur kurajë dhe frymëzim tek demonstruesit, ndërkaq urrejtje tek organet e shtetit pushtues jugosllav. Për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata, pak ditë më vonë ata ishin arrestuar nga sigurimi jugosllav.

Baba Ibrahim ishte dënuar me 60 ditë burg me akuzën për nacionalizëm, irredentizëm dhe separatizëm, ndërkaq për shkak të moshës së shtyrë (72 vjeçare), axha i tij, Zenë Limani ishte liruar pas maltretimeve të rënda që i kishin bërë udbashët e kohës në Drenicë.

Votra e Liman Zenës nga Vuçaku, e njohur jo vetëm në Drenicë, ashtu veproi edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri dëshmi idealin e lirisë, duke u bërë strehë dhe istikam për luftëtarët e lirisë.

Lavdi të rënëve!

(Ne foto: Ibrahim Xhaferi, babai im dhe Zenë Limani, axha i tij).

Ferat Shala, Prishtinë, 2 Prill 2019

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …