Propozimi për ta kaluar përgjegjësinë e përgatitjes së Bilancit të Energjisë te Rregullatori është problematik dhe i rrezikshëm për mënyrën se si funksionon tregu.
Ligji aktual i ndan qartë rolet: operatori i sistemit të transmetimit e përgatit bilancin, ndërsa, pas marrjes së mendimit nga Ministria, e dërgon atë te Rregullatori, i cili e vlerëson dhe e miraton.
Kjo krijon një mekanizëm kontrolli të ndërsjellë.
Me ndryshimin e propozuar, Rregullatori bëhet njëkohësisht hartues dhe miratues i të njëjtit dokument, çka përbën një konflikt të drejtpërdrejtë rolesh.
Bilanci nuk është një dokument teknik i izoluar, por ndikon drejtpërdrejt në tarifat dhe në koston që përfundon te konsumatori.
Për shembull, sipas raporteve konsultative të ZRRE-së, në Bilancin e Energjisë Elektrike për vitin 2026 (propozimi i KOSTT-it), importet janë paraparë të jenë 2,320 GWh, ndërsa sipas propozimit të Rregullatorit, importi është ulur në rreth 2,158 GWh.
Nëse ndodh centralizimi siç është propozuar, atëherë rrezikojmë të përfundojmë në një situatë ku do të mungojë transparenca dhe llogaridhënia. Rrjedhimisht, nuk do të ketë më distancë mes atij që prodhon skenarin dhe atij që e sfidon atë.
Gjithashtu, sipas raporteve konsultative të publikuara nga Rregullatori, Bilanci për vitin 2026 ende nuk është miratuar, me arsyetimin se nuk janë paraqitur “skenarët më të mirë nga KEK-u” dhe se planifikimi i remonteve të KEK-ut është ndryshuar.
Kjo ngre shqetësime serioze: si ka qenë e mundur që KEK-u të propozojë planifikime të tilla, të cilat rëndojnë jetën e konsumatorëve duke rritur importin për vitin 2026?
Megjithatë, pa një version të qartë nga KEK-u dhe KOSTT-i, është e pamundur të kuptohet saktë se ku qëndron problemi.
Por një gjë është e qartë: zgjidhja nuk është që një institucion të marrë gjithë kontrollin.
Centralizimi i përgatitjes së bilancit nuk rrit efikasitetin; përkundrazi, e zvogëlon llogaridhënien dhe e bën më të vështirë identifikimin e përgjegjësisë kur gjërat shkojnë keq.
Në një sektor ku çdo vendim reflektohet në faturën e qytetarit, kjo është një rrugë që nuk duhet ndjekur.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
