Ferizaj kundërshton aktgjykimin e Speciales, LDK-ja largohet para deklaratës së Kuvendit

Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka miratuar një deklaratë përmes së cilës ka shprehur mospajtimin me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të shpallur më 16 shtator 2026. Deklarata u lexua nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Xhavit Zariqi, ndërsa pak para leximit të saj sallën e kanë lëshuar anëtarët e Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët nuk e kanë votuar deklaratën. Në qëndrimin e miratuar, Kuvendi i Ferizajt e ka cilësuar aktgjykimin si të papranueshëm dhe ka deklaruar se nuk pajtohet me përfundimet e tij, duke e paraqitur luftën e UÇK-së si luftë çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. Në deklaratë theksohet se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përbën fundin e procesit dhe se beteja përmes procedurave të ankimimit duhet të vazhdojë. Kuvendi ka shprehur pritjen që në fazën e apelit vendimi të rishqyrtohet dhe të korrigjohet, ndërsa ka shprehur solidaritet me familjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, si dhe me familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së, ish-të burgosurit politikë dhe qytetarët që, sipas deklaratës, e kanë përjetuar procesin me shqetësim. Në të njëjtën kohë, Kuvendi u ka bërë thirrje qytetarëve të Ferizajt dhe të Kosovës që qëndrimet e tyre t’i shprehin në mënyrë paqësore dhe institucionale, duke ruajtur qetësinë, dinjitetin dhe unitetin. Në fund të deklaratës, duke iu referuar formulimit “Në emër të popullit të Kosovës” me të cilin është shpallur aktgjykimi, Kuvendi i Ferizajt ka përcjellë mesazhin: “JO NË EMRIN TIM!”, si shprehje e mospajtimit me vendimin dhe kërkesës për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Altin Krasniqi i përgjigjet ambasadorit britanik: “Verifikoni faktet, kjo nuk i bën nder as juve, as Britanisë”

Djali i ish-kryeparlamentarit dhe njërit prej krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqit, i ka reaguar ambasadorit …