Në kuadër të manifestimit tradicional kulturor “Ditët e Kulturës – Ferizaj 2026”, mbrëmjen e dytë të aktiviteteve ka nisur me sukses Festivali Ferizaj Piano Fest, një ngjarje e rëndësishme artistike që promovon talentet e reja të muzikës klasike dhe kulturën pianistike në vend. Festivali vazhdon traditën e tij si një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore të qytetit të Ferizajt.
Nata e parë garuese u karakterizua nga performanca cilësore dhe emocionuese të pianistëve të rinj, të cilët konkurruan në Kategorinë Junior dhe Kategorinë A. Pjesëmarrësit dëshmuan nivel të lartë artistik, përkushtim dhe talent të veçantë, duke sjellë interpretime që u vlerësuan pozitivisht nga juria profesionale dhe publiku i pranishëm.
Atmosfera në sallë ishte e mbushur me entuziazëm, ndërsa prindër, pedagogë dhe dashamirë të muzikës klasike patën mundësinë të ndjekin nga afër paraqitjet e pianistëve të vegjël, të cilët me talentin dhe punën e tyre dëshmuan potencialin e madh të brezit të ri muzikor.
Organizatorët e festivalit vlerësuan pjesëmarrjen e gjerë dhe cilësinë e lartë të garuesve, duke theksuar se qëllimi i këtij aktiviteti është krijimi i një platforme për zhvillimin dhe promovimin e artistëve të rinj, si dhe pasurimi i jetës kulturore të qytetit.
Ferizaj Piano Fest do të vazhdojë edhe nesër me natën e dytë garuese, ku do të prezantohen kategori të tjera të garuesve. Publiku pritet të shijojë interpretime të reja dhe të përjetojë emocione artistike në një mbrëmje kushtuar muzikës klasike dhe talentit të ri.
Manifestimi “Ditët e Kulturës – Ferizaj 2026” po vazhdon me një program të pasur aktivitetesh kulturore, artistike dhe edukative, duke e shndërruar qytetin në një qendër të rëndësishme të jetës kulturore gjatë këtyre ditëve.