Fetnete Ramosaj

Fetnete Ramosaj: Koalicioni PDK-AAK-NISMA e vetmja formulë e pa provuar në udhëheqje

Në vazhdën e koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, më 16 maj, në orët e fundit të afatit ligjor për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore, pati zhvillime dramatike, nëse mund t’i quajmë ashtu.

Fillimisht, përderisa me ditë të tëra ishte biseduar që në kuadër të koalicionit parazgjedhor AAK-NISMA të përfshihej edhe AKR-ja e Pacollit, kjo e fundit në orët e pasdites befasoi, duke iu bashkuar LDK-së së Mustafës, pasi që më parë gjatë ditës, LDK-së iu kishte bashkuar edhe Aleanca e Mimoza Kusarit e Ilir Dedës, që deri atëherë paraqiteshin nga pozitat e rivalëve me AKR-në. Marrëveshjen dypalëshe Mustafa-Pacolli e nënshkruan në vilën e Pacollit në Hajvali, madje siç u pa në media, edhe e festuan fitoren e madhe të zgjedhjeve, me dolli shampanje deri vonë. Për këtë koalicion të arritur, vet Isa Mustafa deklaroi para medieve se “nuk është koalicion që është bërë për një ditë, kemi punuar gjatë”. Njëkohësisht, të paktën dy zyrtarë të lartë nga radhët e partive të këtij koalicioni (Lutfi Haziri e Ilir Deda), të dehur nga fitorja e para shpallur, në natën e nënshkrimit të marrëveshjes, shkuan aq larg sa që paralajmëruan se “çlirimi i dytë do të ndodhë më 11 qershor, në 18 vjetorin e lirisë”(!!!).

Shtrohet pyetja, çlirimi i kujt, dhe nga kush?! Dihet se 11 qershori i vitit 1999 shënon datën e hyrjes pa paralajmërim e pa marrëveshje të forcave ushtarake ruse në Kosovë, (që ishte tendencë për zëvendësimin e okupimit serb, pas kapitullimit), ndërkaq 12 qershori hyrjen e forcave perëndimore të Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s në krye me SHBA-të dhe aleatët e tjerë që na ndihmuan në luftën tonë të drejtë për ta fituar lirinë nga okupimi i Serbisë, por edhe në procesin e shtetndërtimit.

Prandaj, krahasimi i dy 11 qershorëve, mbase pa qëllim, e ka shijen e një përngjasimi të keq dhe të padëshirueshëm. Aq më tepër kur kihen parasysh zhvillimet gjeopolitike dhe përplasjet SHBA-Rusi që po zhvillohen në rajon, përkatësisht tendencat e Rusisë për rikthim në Ballkan me çdo kusht.

Në kundërpërgjigje të marrëveshjes për koalicion parazgjedhor LDK-AKR, në orët e vona, pak para skadimit të afatit ligjor për deklarimin e koalicioneve, u arrit një marrëveshje që pak kush e kishte pritur, të paktën si koalicion parazgjedhor: PDK-AAK-NISMA, megjithëse kundërshtarët politikë sa herë që kanë dashur t’i dëmtojnë në vota të elektoratit në dy palë zgjedhjet e kaluara parlamentare, i kanë akuzuar këto parti se janë bashkë dhe se do të bëjnë koalicione pas zgjedhjeve, gjë që nuk ndodhi as pas zgjedhjeve të vitit 2010 as pas atyre të vitit 2014. Dhe, për këtë format koalicioni, nuk duhet të habitet askush, sepse një veprim të tillë do ta bënte cilado parti që synon t’i fitojë zgjedhjet dhe të udhëheqë me vendin. Madje, është shumë më mirë që janë përcaktuar koalicionet para zgjedhjeve, sepse qytetarët e dinë saktë se ku shkon vota e tyre.

Që nga viti 2001 kemi parë bashkimin e partive të ndryshme për qeverisje, me bindje dhe bagazh politik diametralisht të kundërt, pra kemi pasur koalicione joparimore.

Deri më tani, të gjitha formulat e koalicioneve (shumica joparimore) janë provuar në udhëheqje, dhe në të gjitha rastet nuk kanë mundur ta shtyjnë deri në fund mandatin, por është dashur t’u nënshtrohemi zgjedhjeve të parakohshme. Madje, nuk funksionoi as VLAN-i e LAN-i si koalicion pas zgjedhor, i arritur me insistimin e VV-së e të LDK-së, vetëm e vetëm që ta pengojnë koalicionin e mundshëm të AAK-së me PDK-në. Zhvillimet e mëpastajme i dimë të gjithë. LDK ishte ajo që u fut në koalicion me PDK-në. Ai koalicion (PDK-LDK), u quajt edhe “koalicion i elefantëve”, por edhe pse e kishte shumicën parlamentare, të gjithë e kemi parë mosfunksionimin e tij. Në rastin e fundit, Qeveria Mustafa u shkarkua pas miratimit të një mocioni mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.

E vetmja formulë e koalicioneve që nuk është provuar në udhëheqjen e vendit është koalicioni PDK-AAK-NISMA dhe partnerët e tjerë të koalicionit (që nuk janë pak), prandaj si koalicion të tillë nuk duhet paragjykuar, por duhet vlerësuar dhe lirisht mund të thuhet se është koalicion parimor.

Përveç të tjerash, me sa kemi parë në ushtrimin e posteve publike, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, është sprovuar, është treguar pragmatik dhe i suksesshëm, gjë që e kanë pranuar edhe kundërshtarë politikë të tij, kur dihet se në çfarë rrethanash të rënda e ka drejtuar Kuvendin gjatë mandatit të tij. Po ashtu, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tash mandatar për kryeministër të vendit nga ky koalicion, ka treguar sukses të lartë në udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës. 100-ditëshi i Qeverisë Haradinaj (dhjetor 2004-mars 2005) edhe sot e kësaj dite konsiderohet si periudha më e suksesshme e të gjitha qeverisjeve në vend. (Dihet se Ramushit iu ndërpre puna padrejtësisht pasi që u detyrua ta lë mandatin e qeverisjes dhe u dorëzua vullnetarisht në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, prej nga u lirua i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, në nëntor të vitit 2012).

Se sa janë të sakta dhe të përgjegjshme deklarimet e “analistëve”, që na u kanë bërë pjesë e interierit të shtëpive tona, duke i parë çdo natë në televizione, na e kanë dëshmuar veprimet e tyre konkrete edhe gjatë ditëve të fundit, se për veprime parimore të politikanëve as të mos flasim. Deklarimet dhe veprimet e tyre janë diametralisht të kundërta.

Nuk është mirë që të linçohet ky apo ai subjekt politik, ky apo ai koalicion, sepse të gjitha partitë politike që e përbëjnë skenën e sotme politike, qytetarët kanë pasur rastin t’i provojnë të gjithë, qoftë në pushtetin lokal qoftë në atë qendror, thjeshtë duhet lënë në vullnetin e lirë të qytetarëve, të vendosin se kujt do t’ia japin votën: PDK-AAK-NISMA-s së Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt e partnerëve të tjerë apo LDK-AKR-së së Isa Mustafës e Behgjet Pacollit e partnerëve të tyre apo partisë Vetëvendosje (nëse nuk hyn në listë të përbashkët me LDK-në e AKR-në, me të cilët po negociojnë edhe për “shkrirje” në listat e ndërsjella). Pra, për herë të parë kemi formimin e dy blloqeve të mëdha politike dhe të një partie tjetër për balance, gjë që është mirë sepse skena politike shqiptare në Kosovë, po shkon drejt profilizimit.

Ramush Haradinaj ka më se dhjetë vjet që është në opozitë. Është njeri i dëshmuar në rrethanat më të vështira për vendin, në kohë lufte e paqeje. Në këtë gjendje tepër të rëndë nëpër të cilën po kalon vendi, meriton ta ketë votëbesimin e qytetarëve të Kosovës për të udhëhequr me ekzekutivin e vendit. Natyrisht, koalicioni PDK-AAK-NISMA, duhet të marrë masa dhe t’i largojë nga pushteti të korruptuarit, të kriminalizuarit, abuzuesit dhe shkelësit e ligjit,të cilët mund t’u takojnë edhe radhëve të partive të koalicionit, ka nevojë t’u jepet hapësirë kuadrove të reja, të cilat nuk i mungojnë Kosovës.

Personalisht mendoj se po t’u jepet besimi i qytetarëve të Kosovës, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, po të duan, mund ta nxjerrin vendin nga humnera. Të dy munden dhe duhet të dëshmojnë se i mbajnë premtimet. Qytetarët e Kosovës meritojnë t’u kthehet shpresa. Këtë duhet ta bëjnë, duke e konsideruar si një borxh ndaj të rënëve dhe si një obligim për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim partie, feje a etnie. Prandaj, koalicionin PDK-AAK-NISMA duhet parë jo si një “koalicion të frikës” apo “koalicion të luftës”, për shkak të të kaluarës së liderëve të këtyre partive në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç po tentojnë ta cilësojnë kundërshtarët politikë që i ka zënë në befasi dhe struktura të caktuara “analistësh” që mbrojnë interesa të caktuara, sepse kategorisë “së luftës” i përkasin vetëm liderët e tyre dhe pjesa e elektoratit të votuesve besnikë (familjarë të dëshmorëve, invalidë, veteranë të luftës, kërkesë dhe dëshirë e të cilëve ishte arritja e këtij koalicioni shumë më herët), por kjo nuk mund të thuhet kushtimisht për strukturat partiake, apo për të punësuarit nga radhët e këtyre partive nëpër institucionet e vendit, shumica prej të cilëve u përkasin strukturave të tjera të shoqërisë. Koalicionin PDK-AAK-NISMA duhet konsideruar si një koalicion të fuqishëm e të përgjegjshëm që ofron stabilitet, funksionim të shtetit properëndimor, ligjor e demokratik dhe që garanton zhvillim ekonomik, si një koalicion që mund të bëjë ndryshime pozitive për vendin.

Të paktën, një koalicion i kësaj formule, është i vetmi që nuk e kemi provuar, rezultatet e kombinimeve të tjera i dimë të gjithë.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …