Fidair Berisha: Kosova mes krizës politike dhe sfidave të sigurisë

Fidair Berisha: Kosova mes krizës politike dhe sfidave të sigurisë

Mosdakordimet mes partive politike në Kosovë nuk kanë të ndalur dhe padyshim që ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin politik dhe në sigurinë e vendit. Ky mosdakordim mes partive për çështje të rëndësishme shtetërore po krijon krizë institucionale, duke vonuar vendime strategjike, të cilat mund të kenë impakt në dobësimin e institucioneve. Kjo situatë, e krijuar pikërisht nga partitë politike, sigurisht që mund të ndikojë negativisht edhe në besimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve të sigurisë.
Për situatën aktuale politike dhe mungesën e konsensusit mes partive politike në Kosovë, edhe faktori ndërkombëtar po shpreh shqetësim, sidomos për çështje të rëndësishme si zgjedhja e presidentit. Partnerët ndërkombëtarë presin që institucionet demokratike të funksionojnë normalisht dhe që liderët politikë të tregojnë përgjegjësi shtetërore. Mosmarrëveshjet e gjata krijojnë përshtypjen e paqëndrueshmërisë politike dhe mund të ndikojnë në proceset integruese të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe organizatave tjera ndërkombëtare. Në situatën aktuale politike, kundërshtarët e Kosovës mund ta përdorin këtë gjendje për propagandë ose për të nxitur destabilizim në shtetin e Kosovës.
Serbia shpesh i komenton zhvillimet politike në Kosovë, duke theksuar se institucionet kosovare janë të paqëndrueshme dhe se ekzistojnë probleme në funksionimin politik të vendit. Përmes deklaratave politike dhe mediave, Serbia mundohet ta paraqesë Kosovën si shtet me krizë të vazhdueshme politike. Në shumë raste, tensionet politike në Kosovë përdoren nga Serbia për qëllime diplomatike dhe propagandistike në arenën ndërkombëtare. Prandaj, bashkëpunimi politik dhe dialogu institucional janë më të rëndësishme se kurrë më parë, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend.
Situata e tanishme politike po shihet se është mjaft e tensionuar dhe absolutisht nuk i shkon për shtati qytetarëve e as shtetit të Kosovës, sepse paraqet pasiguri, vonesa në zhvillimin ekonomik dhe dobësim të institucioneve. Situata politike momentale në Kosovë, veçanërisht për Serbinë, është me interes, sepse qëllimet e saj tashmë janë jo vetëm të ditura, por edhe faktike – destabilizimi ose dobësimi i shtetit të Kosovës.
Mendoj se, përballë tensioneve rajonale dhe deklaratave kërcënuese nga Serbia, është shumë e rëndësishme që partitë politike të tregojnë unitet dhe përgjegjësi shtetërore. Prandaj, stabiliteti politik dhe koordinimi institucional mbeten elemente kyçe për sigurinë e vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: Lojërat me akuza mistike kundër krerëve të UÇK-së

Bedri Halimi: MESAZHI QË SHQIPTARËT NUK GUXOJNË TA SHPËRFILLIN NGA DEKLERATA E MINISTRES SERBE

Ka deklarata që harrohen brenda një dite. Ka të tjera që mbeten si njollë në …