Fjala e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, me rastin e shpalljes së Bujar Osmanit kandidat, në zgjedhjet presidenciale, në Maqedoni

Fjala e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, me rastin e shpalljes së Bujar Osmanit kandidat, në zgjedhjet presidenciale, në Maqedoni

Të nderuara motra,

të nderuar vëllezër,

të dashur qytetarë,

 Jo shpesh vendos që t’ju drejtohem në këtë formë, nga kjo foltore, me kaq shumë paralajmërim dhe me vëmendje të madhe.   E kam menduar gjatë nëse duhet të ndaj shqetësimin me ju, për të vetmen arsye që mos t’ju bëjë merak, mos t’ju mërzis, dhe nuk do ta bëja pa qenë i bindur në këtë që e them dhe këtë që ju ftoj ta bëjmë bashkarisht.

 Ju e dini që unë të gjitha punët i kam bërë bashkë me ju, çdo ballafaqim e kam ndarë me ju, nuk ju kam braktisur asnjëherë, nuk jam zbrapsur para asnjë vështirësie, kam prirë me dije dhe guxim fal mbështetjes tuaj të madhe dhe bashkë kemi dal ngadhnjimtarë në të gjitha betejat tona.

 Kështu, nga kjo foltore jam paraqitur zakonisht për të dhënë lajme të mëdha, vendime të rëndësishme dhe për të kërkuar nga ju që bashkarisht ti realizojmë synimet, si gjithmonë, për 23 vite rresht.

Këtu janë sjellur vendime të guximshme dhe historike, vendime që kanë bërë ndryshimin e madh, vendime të cilat në fillim janë mohuar, pastaj janë përgënjështuar, më pas janë përqeshur, e më vonë edhe janë luftuar, por gjithmonë në fund këto ide kanë ngadhnjyer.

Historia na mëson që ideve të mëdha nuk ju bëhet ballë, por duhet t’ju bashkohemi sepse s’ka asgjë më të fuqishme se sa idea të cilës i ka ardhur koha. Nga kjo foltore paralajmërova ëndrrën për Kryeministrin e parë shqiptar, ëndërr të cilën bashkarisht e realizuam.

Në këtë foltore e valvita zyrtarisht flamurin kombëtar dhe e fola gjuhën shqipe zyrtare, këtu i rrënuam kufijtë dhe u bashkuam me korridore, i ndërtuam universitetet shtetërore dhe e morëm hisen e barazisë në të gjitha fushat, i çliruam të gjitha institucionet nga paragjykimet etnike dhe u bëmë pjesë e NATO-së si dhe hapëm bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian.

 Por, rruga jonë është jo e plotë, nuk është e përfunduar dhe e siguruar përfundimisht. Rrugën tonë nuk mund ta bëjmë vetëm. Na duhen miq, na duhen dashamirë, na duhen i madh e i vogël, gra dhe burra, të ri dhe pleq, na duhen mbështetës e aleat.

 Unë vërtet kam një merak dhe ka ardhur koha për ta thënë. Vëllezër e motra, vendi jonë dhe i gjithë rajoni po ballafaqohet me një rrezik të madh nga një ndikim permanent malinj, gllabërues dhe të paskrupullt të tjetërsimit të rrugëtimit dhe përcaktimit tonë Euro-Amerikan. Disa vite më parë, deklarova që Ukraina nuk është larg.

Asokohe, ky parashikim paralajmërues u përqesh, u përgënjështrua, u mohua, u luftua dhe në fund ngadhnjeu si e vërtetë e hidhur që na shkaktoi krizë të madhe kontinentale dhe globale të sigurisë dhe ekonomisë.

 Me të njejtin rrezik dhe ndërhyrje brutale kanceroze u përballën edhe zgjedhjet presidenciale amerikane, procesi i Bregzitit në Britaninë e Madhe, zgjedhjet presidenciale në Francë si dhe ato parlamentare gjermane. Tash është rradha e jonë që të ballafaqohemi drejtpërdrejt.

 Ariu polar, Rusia po na troket në derë dhe ka ndërhyrë në të gjitha poret e shoqërisë tonë duke destabilizuar institucionet dhe duke e ndikuar skenën partiake në vend. Rusia është prezente në partitë politike në vendin tonë, në mediat tona, në shoqërinë civile, në ekonominë tonë, në infrastrukturën tonë kritike dhe në çdo segment shoqëror, jo vetëm tek ne, por edhe në tërë rajonin tonë.

 Presidenti Rus Putin, Ministri i Jashtëm Lavrov, deklaruan që anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është vija e zjarrit për Rusinë si dhe u rreshtuan kundër anëtarësimit tonë europian. Tash jemi dëshmitar të ndërhyrjes masive malinje për të na pamundësuar vazhdimin e rrugëtimit tonë europian dhe rikthimin e izolimit disa-dekadësh që do ta destabilizojë shoqërinë tonë.

 Maqedonia është vend i vogël në udhëkryq të civilizimeve, me shoqëri të brishtë multikulturore dhe multietnike, akoma e pa konsoliduar tërësisht, elemente këto që janë interes rus për ti shfrytëzuar në mënyrë që të nxisë domino efekt në tërë rajonin dhe ta destabilizojë kontinentin. Ky është kërcënim i vërtet.

Prandaj, si asnjëherë më parë, ju ftoj që të bëhëmi bashkë, ju dhe ne, bashkë me të gjithë të tjerët, dorë për dore, sup më sup, krah më krah, ta zhvillojmë betejën e fundit të luftës së përjetshme deri tek fitorja e madhe dhe të themi bashkarisht njëzëri: JO RUSISË, PO EUROPËS! Ne kemi gra e burra të vendosur e të fuqishëm që do ti bëjnë ballë kësaj fortune kacerogjene e dashakeqe, ndërsa unë jam gati për t’i prirë betejës së fundit dhe vendimtare për bashkim dhe integrim bashkë me ju.

 Zgjedhjet që kemi para nesh, parlamentare dhe presidenciale, janë të një rëndësie vendimtare në këtë betejë. Prandaj dhe në këto zgjedhje kemi vendosur që të kërkojmë nga ju të qëndrojmë bashkë, të rreshtoheni me ne në kërkesën për ndryshimin e kushtetutës dhe zgjedhjen e Presidentit dhe zëvendës Presidentit të shtetit në Kuvend, përfshirjen e komunitetit bulgar dhe të tjerëve në Kushtetutë si dhe ti themi jo Rusisë, e po Europës, Para jush, po bëj zotimin e njëmendtë, qe ne nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverie e cila nuk e ndryshon kushtetutën dhe do të dalim në opozitë për ti luftuar dhe mposhtur këto kërcënime ekzistenciale për vendin tonë.

 Për këtë, kërkojmë besimin tuaj sepse këto punë duan forcë, parti të fuqishme dhe të vendosur që do ti bëjë ballë punëve të mëdha, të dëshmuar në të kaluarën që ka realizuar premtimet e mëdha, që ka bërë atë që ka thënë.  Bujari ka dëshmuar vetën në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ngadhnjyer në betejën kundër Rusisë si dhe ka qenë pjesë e ekipit tonë për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.   Me Bujarin po e nisim referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e rradhës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim Presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badinter, për të realizuar vizionin tonë për President konsensual.   Ky besim i juaji do të na mundësojë që me hapjen e kushtetutës ta realizojmë edhe Marrëveshjen me Bulgarinë dhe ta zhbllokojmë integrimin europian dhe kështu i themi Rusisë, IK! Pa e rrumbullakësuar këtë proces, puna ime nuk ka përfunduar dhe unë nuk e braktisë rrugën tonë, nuk ju lë në udhëkryq dhe nuk e lë punën përgjysëm, nuk jam rehat pa e nxjerr këtë vend në dritë.  Unë jam gati për ti dal Zot edhe kësaj sfide, për ti prirë edhe kësaj beteje dhe për ta rrumbullakësuar rrugëtimin tonë të përbashkët, faqëbardhë, krenarë dhe me dinjitet, Na zgjatni dorën, na jepni fjalën, ta lidhim besën edhe këtë herë sepse nuk do t’ju zhgënjejmë! Ju e dini se Unë e mbaj fjalën!

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …