Fjalimi i kryetarit Latifi të mbajtur në nderim të shkrimtarit dhe publicisti Sefer Pasha, autori i shumë veprave për profesor, Ukshin Hoti

Fjalimi i kryetarit të komunës së Rahovecit Smajl Latifi latifi të mbajtur në nderim të shkrimtarit dhe publicisti Sefer Pasha, autori i shumë veprave për profesor, Ukshin Hoti. Të respektuar familjarë të atdhetarit, politikanit, filozofit e themeltarit të shtetësisë së Kosovës Ukshin Hoti, i nderuar Sefer Pasha, autor i shumë veprave dhe shumë shkrimeve publicistike, e nderuar zonja Myrvete Kasumi- motra e profesor Ukshin Hoti, i nderuari Andin Hoti, të nderuar miq dhe bashkëshoqërues të shkrimtarit nga Shqipëria, të nderuar bashkëveprimtarë të profesorit Ukshin Hoti,  të nderuar ish- të burgosur politik, ish- ushtar të  UÇK-së, OVL- e UÇK-së, Kryetar Vajdin Berisha , shoqata “Arbëria, Kryetar z. Dervish Çadraku. I nderuar kryetar i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, i nderuari baca Ismet, të nderuar të pranishëm! Ndonëse jemi të bindur se nuk mund të themi krejt atë që ka dashur, synuar dhe idealizuar Ukshin Hoti. Profili i tij prej atdhetari, humanisti, kryengritësi, prijës i mendimit të ri politik, udhërrëfyes drejt lirisë e dinjitetit njerëzor e kombëtar, na bën të ndjehemi borxhli përherë karshi jetës dhe veprimtarisë së tij. Ukshin Hoti ishte dhe do të mbetet figura më e kompletuar, politologu e njohësi më i mirë i çështjes shqiptare, Ukshin Hoti ishte proklamuesi i parë i proceseve demokratike të viteve 80-90  në ish Jugosllavi. Duke mbrojtur demonstratat e vitit 1981, a u bë zëri i fuqishëm i arsyes, i artikulimit të qartë së kërkesave të studentëve dhe popullit të Kosovës. Pra, Ukshin Hoti,  ishte dhe mbetet mendimtari më i denjë i mendimit filozofik politik me ndikim dhe rol të madh, e për shkak të këtij qëndrimi, burgoset, si një figurë kyçe politike dhe vuan dënimin për vite të tëra deri në zhdukjen e tij pa gjurmë. Ideja e shtetformimit të Republikës së Kosovës dhe idetë e qarta për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan, mbajnë vulën e përhershme të politologut Ukshin Hotit. Ukshin Hoti është nga ata burra ku edhe pse në mungesë fizike të tij, figura e tij gjeniale prej mendimtari vazhdon të plotësohet dita-ditës, ndonëse nuk dihet më gjë për fatin e tij, prej tij më nuk kemi as nam e as nishan, e kjo është ironisë jonë më e madhe, zhdukja pa gjurmë e njeriut më emblematik të kohës, e atdhetarit të shquar dhe personalitetit me ndikim jo vetëm  kombëtar por edhe jashtë kufijve ku ai jetoi, studioi dhe dha kontributin e tij. Në anën tjetër mungesa e angazhimit e faktorit vendor e ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të tij është e meta më e madhe dhe ngecja e vazhdueshme e shoqërisë së pasluftës. Figura e profesor Ukshin Hotit, mungesa fizike e tij dhe zhdukja e tij pa gjurmë, ka frymëzuar autorë të shumtë  gjithandej viseve shqiptare, duke u marrë vazhdimisht me këtë çështje aq të dhimbshme. Njërin ndër ta sot e kemi në mesin tonë. I urojmë mirëseardhje z. SEFER PASHA të cilin në bashkëpunim me anëtarët e shoqatës “ Arbëria”, e sollëm sot në qytetin e Ukshin Hotit. Sefer Pasha, ka shkruar disa vëllime kushtuar profesor Ukshin Hotit dhe motrës së tij, Myrvete Kasumi, të cilën e cilëson si “ Doruntina e ditëve tona”,  vëllime të cilat përshkruajnë jetën, veprimtarinë dhe mungesën e profesor Hotit. Në punët e autorit Pasha, pasqyrohet shkollimi i filozofit deri në universitetin e Harvardit në Amerikë, vuajtjet e Ukshin Hotit, burgimi i tij i gjatë, rrahjet, divorcet e dirigjuara nga UDB- ja, qëndrimi i pashembullt si një hero përparasecilit trup gjykues, deri te humbja e gjurmëve dhe kërkimi i motrës së tij, si një Doruntinë e vërtetë. Fakti që autori ishte pjesëmarrës në luftën e Koshares nga radhët e UÇK-së, si oficer i ushtrisë, e bën figurën e tij të kompletuar dhe njohës më të mirë të gjithë ngjarjes që ka të bëj me luftën dhe e madhështon akoma më shumë emrin e tij. Strategjia dhe përcaktimi ushtarak i Kolonelit Sefer Pasha, qe ndërtuar në parimet universale dhe konventave ndërkombëtare që rregullojnë normat e luftës dhe të drejtat e njeriut në kohë lufte, dhe UÇK-ja kishte zbatuar me përpikëri dhe përgjegjësi këto norma. Andaj sot në këtë takim, shprehim falënderim për  kontributin e dyanshëm, atë të luftës dhe të kësaj periudhe të Lirisë. Sefer Pasha – gëzofshi shëndet dhe paçi vetëm punë të mira e të suksesshme në vazhdimin e krijimtarisë tuaj!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti reagon ashpër ndaj ndaljeve të shpeshta të energjisë elektrike dhe furnizimit jo stabil

Pas pranimit të shqetësimeve të shumta nga qytetarët rreth furnizimit jo të rregullt me energji …