leoni

Flet publicisti Sefer Pasha: Unaza e Qazim Bej Vlorës e falur nga i ati dhe misteri i dokumentit autentik të Shpalljes së Pavarësisë

Flet publicisti Sefer Pasha: Unaza e Qazim Bej Vlorës e falur nga i ati dhe misteri i dokumentit autentik të Shpalljes së Pavarësisë.

Qazim Bej Vlora duke mos pasur para i la pronarit serb unazën, të cilën e kishte dhuratë nga ati i tij, Ismail Qemali (Vlora).

-Pas disa vitesh Qazimi shikon që unazën e florinjtë të dhuruar nga i ati Ismail Qemali e kishte në gisht berberi që e qethte!

 -Burri i madh i shtetit Ismail Qemali qe martuar me Kleoniqi Surmelin, ku çifti i rrallë pati tri vajza dhe gjashtë djem.

-Qazim Bej Vlora, ka qenë shefi i kabinetit të atit të tij dhe ka dhënë një kontribut me vlerë në shtetin e parë shqiptar.

-Qazim Bej Vlora mbahet mend si një personazh  biblik. Maqedonasit e respektonin si inxhinjer ndërtimi, por dhe si kundërshtar të Enver Hoxhës.

-Qazim Bej Vlora pasi u përplas me Enver Hoxhën pruri në Strugë një pjesë të dokumentave të arkivit të Ismail Qemalit. Ajo që të habit më shumë është jehona nëpër mëhallat e Strugës për fatin e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë.

-Skënder Alika i qëndroi një jetë pranë Enver Hoxhës15 vjet roje i vetmi që komunikonte në telefon me Mehmet Shehun kur ai donte të takohej me Enver Hoxhën.

– Skënder Alika i shpuri në zyrë Enver Hoxhës djalin e Ismail Qemalit, Qazim Bej Vlorën.

-Enver Hoxha nuk e uli fare në kolltuk Qazim Bej Vlorën, por i tha se përse kishte kërkuar takim?

-Qazim Bej Vlora iu përgjigj se ai kërkonte të merrte pensionin që ja kishte dhënë Mbreti Zog.

-Enver Hoxha i tha: Ik puno që të marrësh pensionin si i gjithë populli shqiptar! Të nesërmen Qazimi u arratis për në Strugë.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

 

Qazim bej Vlora (Stamboll1893 – Strugë1953) ka qenë shoqërues dhe sekretar i të atit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. U lind më 1893 në Stamboll, i biri i Ismail Qemal bej Vlorës dhe grekes Kleoniqi të Anton Sumerliut nga Edreneja. Gjatë veprimtarisë së të atit, ai e shoqëronte. Në vitin 1919, është helmuar bashkë me të atin, teksa hanin një darkë në Itali. Ndërsa Ismail Qemali gjeti vdekjen, Qazimi e përballoi dhe mundi të jetojë. Në vitin 1936 ai vendoset në Strugë me një dokumentacion shumë të pasur të Qeverisë së Ismail Qemalit. Më 1936 u martua me Behije Sherif Masllafin, e veja e Inajet bej Ohrit me të cilin kishte katër fëmijë. Motra e Edipit, ishte martuar me djalin tjetër të Ismail Qemalit. Sikurse shprehet vetë Qazimi në kujtimet e tij, qëllimi i kësaj martese ishte birësimi, rritja dhe edukimi i fëmijëve, pasi ishte në gjendje të mirë ekonomike. Të katër fëmijët u dërguan me studime, ndërsa nëna e tyre kishte në Strugë pasurinë e paluajtshme, shtëpi në qendër të qytetit, tokë etj. Pas pushtimit italian, mori pjesën më të madhe të dokumentacionit origjinal të aktivitetit të qeverisë së Ismail Qemalit, për ta siguruar atë. Pas ndërprerjeve të marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, pasojën do ta ndjente edhe Qazim Beu. Qeveria shqiptare do t’i ndërpriste pensionin që kish akorduar Ahmet Zogu, duke i krijuar vështirësi për jetesën dhe rritjen e katër fëmijëve. Ndërroi jetë në Ohër më 1953, pas një sëmundjeje kronike.

 

Ju jeni marrë shumë me familjen e Ismail Qemalit. Jeta e tij edhe sot diskutohet me shumë respekt në të gjitha kancelaritë e botës. I zgjuar, fisnik, këmbëngulës, por edhe një baba shembullor që la pas një familje me shumë fëmijë. Disa fjalë për këtë personalitet të shquar, themeluesin e shtetit të parë shqiptar.

 Burri i madh i shtetit Ismail Qemali qe martuar me Kleoniqi Surmelin, vajzën e fisnikut grek të Edrenesë. Çifti i rrallë pati tri vajza dhe gjashtë djem. Ai u lind në një nga familjet e mëdha të Shqipërisë së Jugut. Ishte i biri i Mahmud bej Vlorës dhe Hedije Hanëm Asllan-Pashali, nga familja tradicionale Alizoti, Gjirokastër. Ismail Qemal Vlora jetoi 72 vjet, 3 muaj e 8 ditë ose gjithsej 2628 ditë. Ai kishte një shtat mesatar dhe me një trup me peshë po mesatare. Ismail Qemali mbante një veshje të kohës, me kostum e kravatë. Flokë dhe mjekrën i mbante gjithnjë krehur me kujdes. Ngjyra e kostumeve në përgjithësi ishte e zezë dhe në kokë mbante kapele. Pas shtypjes së Kryengritjes kundër Tanzimatit (epopeja shqiptare e Hekalit dhe Gjolekës – 1847), Mahmud beu, (babai i Ismail beut) si një ndër udhëheqësit kryesorë të kësaj kryengritje, u arrestua dhe bashkë me të vëllain Selim pashën, u burgosën në Manastir. Familja u dërgua në Selanik ku qëndruan për tre vjet. Në Selanik familja e tij gjeti mbështetjen e madhe të konsullit francez Edouard Grasset, i njohur i Mahmud beut, qysh kur kishte shërbyer me po atë detyrë në Janinë. Ismail Qemali, kreu shkollimin fillor dhe ndërkohë përvetësoi turqishten. Pastaj rruga e tij dihet….

-Sigurisht pati 9 fëmijë, por ndonjërin prej fëmijëve e veçonte. Kë konkretisht?

Sot dua të flas për njërin prej djemve të Ismail Qemalit dhe pikërisht Qazim Bej Vlorës, i cili ka qenë shefi i kabinetit të atit të tij dhe ka dhënë një kontribut me vlerë në shtetin e parë shqiptar. Qazim Bej Vlora mbahet mend si një personazh  biblik. Është e zorshme ta gjesh nëpër dramat e burrave të shtetit një portret si ajo e këtij trashëgimtari. Qazim Bej Vlora përflitet për shumë ndodhi. Edhe pas kaq motesh i lakohet në Strugë emri në lidhje me dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë me të mbërritur në Strugë nga Shqipëria. Qazim Bej Vlora pasi u përplas me Enver Hoxhën pruri në Strugë një pjesë të dokumentave të arkivit të Ismail Qemalit (ai i kishte çelësat e kasafortës). Ajo që të habit më shumë është jehona nëpër mëhallat e Strugës për fatin e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë. Vejusha nga Struga ka folur që në gjallje të burrit të saj Qazim Bej Vlorës për misterin e sekretit të madh.

Lind pyetja, po cili është portreti i këtij burri shteti, që nuk u harrua edhe pas 80 vjetësh?

Çfarë më ka thënë ish komandanti i Gardës Skënder Alika për Qazim Bej Vlorën? Skënder Alika i qëndroi një jetë pranë Enver Hoxhës (15 vjet roje tek dera e dhomës e tek koka e krevatit). Ishte i vetmi që kishte të drejtë të hapte derën dhe ta mbulonte udhëheqësin kur ai zbulohej. Ai kontrollonte herë pas here sirtarin ku komandanti mbante koburen. Ishte gjithashtu i vetmi ku e dinte se ku flinte Nexhmije Hoxha dhe gjithashtu i vetmi që komunikonte në telefon me Mehmet Shehun kur ai donte të takohej me Enver Hoxhën. Skënder Alika vdiq në moshën 97 vjeçare dhe unë jam i ngopur me intervistat që më ka dhënë. Siç më ka thënë Sulo Gradeci, Skënder Alika rrinte në këmbë me kobure në brez në të gjitha rastet kur Enver Hoxha priste në takim në zyrë persona të veçantë. Gjithashtu më ka treguar kur ai i shpuri në zyrë Enver Hoxhës djalin e Ismail Qemalit, Qazim Bej Vlorën. Ka qenë takimi më i shkurtër që mbaj mend më ka thënë për të njëqind herë Skënder Alika. Enver Hoxha nuk e uli fare në kolltuk Qazim Bej Vlorën. I tha se përse kishte kërkuar takim? Dhe Qazim Bej Vlora iu përgjigj se ai kërkonte të merrte pensionin që ja kishte dhënë Mbreti Zog. Enver Hoxha nuk e la që fjala të binte në tokë. Ju përgjigj flakë për flakë. Ik puno që të marrësh pensionin si i gjithë populli shqiptar. Asnjë fjalë tjetër. Dhe Qazim Bej Vlora u largua nga zyra e Enver Hoxhës i indinjuar. Të nesërmen u arratis për në Strugë.

Unë qysh moti gjurmoj jetën e djalit të Ismail Qemalit, Qazim Bej Vlorës, që për fat struganët ja ruajtën varrin.

-Çfarë profesioni kishte Qazimi? Çfarë flitej për të?

Djali i Ismail Qemalit, Qazimi, ka qenë inxhinjer ndërtimi dhe është marrë me bonifikimin e Liqenit të Ohrit. Kam vite që po vuaj që ta nderoj këtë figurë të panjohur mirë nga populli shqiptar. Po çfarë më ndodhi në Strugë? Kur Qazim bej Vlora qe plakur ecte nëpër Strugë i krrusur. Ai qe martuar me një vejushë. Me të nuk bëri fëmijë. Ju përkushtua rritjes së fëmijëve të së shoqes. Trashgimtarët e mëhallës ku ka banuar Qazim Bej Vlora thonë se një ditë në kafene pasi piu kafen pa që nuk e kishte me vete portofolin dhe nuk kishte se me çfarë ta paguante kafen. Pronari qe serb dhe i kërkoi që ai t’i linte si peng ndonjë send. Qazim Bej Vlora u detyrua që t’i lërë unazën, të cilën e kishte dhuratë nga ati i tij, Ismail Qemali. Dhe kështu bëri. Ja la unazën pronarit të lokalit dhe shkoi në shtëpi për të marrë portofolin. Kur u kthye i pagoi lekët e kafes dhe i kërkoi pronarit serb unazën. Por përgjigja e pronarit qe e tmerrshme. Ai i tha plakut të gjorë se unazën ja kishin vjedhur. E pati harruar mbi tavolinë. Pronari serb qe ushtarak dhe ja kishte blerë kafenenë një maqedonasi. Ai e njihte shumë mirë se plaku i mjerë ishte i biri i Ismail Qemalit. Serbi nuk e bënte dot këtë veprim as me shqiptarët e Strugës dhe as me maqedonasit. Qazim Bej Vlora, i cili humbi dhuratën e të atit derdhi lot. Ishte i pafuqishëm. Iku. Pas ca kohësh kur qe plakur edhe më shumë vete të qethet tek berberi i mëhallës. Kur berberi filloi ta qeth Qazim Bej Vlora habitet. Ai shikon që unazën e florinjtë të dhuruar nga ati Ismail Qemali e kishte në gisht berberi, i cili qe shqiptar nga Struga. Berberi i tha se ja kishte blerë pronarit të lokalit, ku dhe ai pinte kafen e mëngjesit. Për këtë fakt kisha shkuar në Strugë. Pyeta dhe aty çfarë nuk thuhej. Disa thoshin se kjo unazë e djalit të Ismail Qemalit ishte në muzeun e Strugës e të tjera. Dhe kjo është e saktë.

-A e nderuan struganët Qazimin kur vdiq?

Struganët e mëhallës ku jetoi Qazim Bej Vlora i bën një varrim pa bujë djalit të Ismail Qemalit kur ai vdiq në moshën 83 vjeçare. E dinin mirë se kush ishte. Në ditën e Shpalljes së Pavarësisë shtëpia e vejushës rrethohej nga milicia maqedonase. Nuk lejohej ngritja e ndonjë flamuri shqiptar. Është dhe koha kur ka bërë emër Enver Hoxha dhe struganët i mbanin sytë nga Tirana. Qazim Bej Vlora ka vdekur në vitin 1953. Përpara arkivoilit të tij ka folur një patriot nga Struga. Dhe që të mos i humbiste varri i vunë tek koka e varrit një pllakë, ku me gërma të thjeshta shkruan: QAZIM BEJ VLORA! Janë me qindra njerëz nga Struga që kanë vdekur në të njëjtin vit dhe nuk u gjënden varret. Pas vdekjes së vejushës varrin e Qazim Bej Vlorës e ruajti populli i Strugës. Ja pastronin barin mbi varr dhe gërmat mbi pllakë i lyenin me bojë të zezë. Kërkimet tregojnë se Qazim Bej Vlora nuk ka qenë i panjohur për struganët dhe të gjithë shqiptarët. Përkundrazi ai respektohej si inxhnjer ndërtimi. Kishte dhënë një kontribut të çmuar për bonifikimin e Liqenit të Ohrit. Është vlerësuar jo vetëm nga struganët, por dhe nga organet vendore maqedonase, të cilët e kishin të punësuar inxhnjerin nga Vlora, djalin e Ismail Qemalit. Maqedonasit e donin se ai ishte i talentuar dhe me zotësinë e tij kishte disiplinuar digën, ku nis rrjedhën Drini i Zi.

Megjithëse mungojnë detajet një gjë tregohet si në dritën e diellit. E gjithë Struga e njihte se Qazim Bej Vlora ishte djali i Ismail Qemalit. Pikërisht për këtë fakt e nderonin. Kurse maqedonasit e respektonin si inxhinjer ndërtimi, por dhe si kundërshtar të Enver Hoxhës. Vet Qazim Bej Vlora ua ka shpjeguar oficerëve të shërbimit sekret maqedonas. U ka treguar se çfarë i ngjau në takimin me Enver Hoxhën. Prishja me Enver Hoxhën e detyroi që ai të arratisej për në Strugë, ku nuk kishte asnjë të njohur. Kufirin shqiptar e ka kaluar në Rrajcë të Librazhdit. Aty ka kapërxyer klonin dhe është futur në pyllin e Qafës së Thanës. Është nisur rrugës në këmbë për të shkuar në Strugë. Duke ecur i pangrënë i ka rënë të fikët. I ka dhënë bukë një veleshtar dhe kur e ka parë të dërrmuar e ka hipur në kal. Qazim Bej Vlora i ka thënë me guxim se kush ishte, por veleshtari nuk e ka besuar.

I kam pyetur struganët se si u njoh Qazim Bej Vlora me vejushën nga Struga së cilës i kishte vdekur burri dhe kishte tre fëmijë për të rritur. Përgjigjet janë të turbullta. Por një gjë qytetarët e Strugës e thonë me plot gojën. Vejusha e ka thënë hapur në mëhallë dhe ku të mundëte se ajo ishte nusja e djalit të Ismail Qemalit. Ajo bënte festë ditën e shpalljes së Pavarësisë. Të gjitha dokumentat që pruri Qazim Bej Vlora nga Vlora dhe Tirana vejusha i sistemoi në një kasafortë, të cilën e porositi tek një kovaçanë e familjes Alushi. Kush e di mbase në mesin e këtyre dokumentave ka qenë dhe dokumenti autentik i Shpalljes së Pavarësisë. Në Strugë përshpëritet se ky fakt është i vërtetë.

-Çfarë po bëni për figurën e Qazim Vlorës?

Gjatë gjithë këtyre viteve po luftoj që Qazim Bej Vlorës t’i jepet titulli : “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Vlorës. Por po më kundërshtojnë mbase me të drejtë. Qazim Bej Vlora u arratis nga Shqipëria. Pikëpyetjet janë të mëdha. Përse Qazim Bej Vlora nuk u largua nga Maqedonia? Njohjet e Ismail Qemalit nuk i mungonin? Në Strugë ngrenë supet. Vejusha e tij ka thënë në mëhallë se burri i saj Qazim Bej Vlora i humbi kontaktet me familjarët sidomos me vëllain e madh Ethemin, të cilin ai e vlerësonte. Jeta e Qazim Bej Vlorës të habit. Ai ishte burrë i pashëm. Zotëronte disa gjuhë të huaja. Kishte bërë jetën e lordit. Si sekretar i Ismail Qemalit dinte shumë sekrete. Kishte qenë me të atin pjesë e delegacionit për në Londër së bashku me Isa Boletinin. Ai gjithashtu kishte punuar me Hasan Prishtinën. Pa asnjë pikë dyshimi ishte një diplomat i afirmuar. Megjithëse Ali Asllani thotë se fëmijët e Ismail Qemalit i bënin florinjtë rrush dhe kumbulla. Vejusha ka thënë se kur Qazim Bej Vlora erdhi në Strugë kishte fare pak flori. Enigma e humnerës është e madhe. Nuk dihet se çfarë ndodhi? Përse nuk iku nga Struga për në Itali ku jetonte familja dhe ku më 23 janar 1919 në hotelin “Brufani” të Peruxhjas pasi e helmun vdiq Ismail Qemali.

Filozof nga Struga thonë se Qazim Bej Vlora si shef i kabinetit të Ismail Qemalit e ka pasur me vete Dokumentin Autentik të Shpalljes së Pavarësisë. Ai ka qenë njeriu më besnik i të atit. Për atë dokument qëndroi në Strugë. Vejusha ka treguar se Qazim Bej Vlora kishte lezet kur bënte xhiro nëpër bulevardin e Strugës dhe anës liqenit që vet e disiplinoi. Sipas vejushës edhe vdekja qe e befasishme. Dhe pikpyetjet nuk kanë mbarim. Ai u soll me dinjitet me struganët. Përse të mos e bëjnë “Qytetar Nderi të Strugës”?

Në lagjen ku ka banuar Qazim Bej Vlora në Strugë ka gojëdhana të shumta. Vejusha ka treguar se beu i saj nga Vlora në dhomë, por më së shumti në ballkon këndonte labçe. Dhe këndonte këngën kushtuar të atit të tij: -/Kush je ti o Lule Djali?/Që na vjen nga Shqipëria/!Unë jam Smail Qemali/.Prapa më vjen historia/. Vejusha e ka thënë shumë herë se Qazim Bej Vlora vetëm një herë ka folur në telefon me motrën e madhe Mevedet Vlorën, që nga centrali i qyetit. Motra i ka folur që nga Peruxhja e Italisë, ku ata banonin familjarisht.

Është shumë e vështirë për ta përmledhur jetën e Qazim Bej Vlorës. Struganët e shikonin anës liqenit dhe nëpër rrugët e Strugës dhe nuk e besonin se ai ishte i biri i Ismail Qemalit. Disa emigrantë që kishin ardhur që nga Italia në një kafene i kishin treguar një album me fotografi nga jeta e Ismail Qeamlit. Ishte dhe një foto e bërë në Romë. Ilustrohej delegacioni që shkonte në Londër. Qazim Bej Vlora ishte në një foto midis Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Dhe emigranët e kishin pyetur nëse ai me të vërtëtë ishte Qazim Bej Vlora? Po, u qe përgjigjur Qazim Bej Vlora. Unë jam në këtë fotografi dhe në disa të tjera, që i kam në shtëpinë ku banoj në Strugë. Disa i kam me Hasan Prishtinën e me Luigj Gurakuqin.

Megjithëse Qazim Bej Vlora e urrente Enver Hoxhën nga që pati një përplasje me të dhe prandaj u arratis nga Shqipëria, por struganët thonë se inxhinjeri i ndërtimit kur punonte për bonifikimin e liqenit të Ohrit ai me instrumentat në duar i hidhte sytë nga Qafa e Thanës dhe nga Pogradeci. Për Shqipërinë nuk dëgjonte fjalë të mira. Sytë i mbusheshin me lot.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …