Florim Shabani: Dy fjalë për librin, “Atje ku fshihet dielli” të autorit, Avni Azizi

(Dy fjalë për romanin historik “Atje ku fshihet dielli” të autorit Avni Azizi,  botues Fondi për Letërsi Art e Kulturë “Brezi ‘81”)

Fati i dëshmorëve tanë, rrugëtimi i tyre jetësor dhe patriotik, është pothuajse i njëjtë. Përkushtimi jetik për çështjen kombëtare. Ndryshojnë vetëm rrethanat konkrete të rënieve. Në këtë vepër kushtuar heroit Xhevat Qerimi, autori Avni Azizi, ka përmbledhur ngjarjet kruciale që sollën kthesën e shumëpritur të kësaj pjese të kombit shqiptar. Vepra është shkruar artistikisht bazuar në fakte historike dhe reflekton veprimtarinë patriotike dhe organizative të Organizatave Klandestine Patriotike të cilat shtruan rrugën e Çlirimit kombëtar. Përmes një finese të lartë artistike, shprehëse, bie në sy përshkrimi i jetës së zakonshme, thjeshtësisë, modestisë, sinqeritetit, ngrohtësisë jetësore e familjare të heroit.

Figura e heroit spikat shumë mirë pikërisht duke përshkruar realitetin dhe reflektimin e vlerave familjare, shoqërore të formimit jetësor të heroit Xhevat Qerimi. Kemi parë e lexuar mjaftë vepra e monografi të shkruara për heronjtë, shpesh bien në sy përshkrime patetike duke dashur t’i rrisim ata, por ata nuk kanë nevojë të rriten e vlerësohen me fjalë të mëdha, përderisa kanë dhënë çdo gjë nga vetvetja për idealin e lartë të lirisë sonë dhe në fund edhe jetën e tyre. Më shumë s’ka çfarë të jep njeriu për idealin e përgjithshëm.

Në këtë vepër, lexuesi do ta njoh e do ta shijoj jetën e një familje të zakonshme mesatare shqiptare të Kosovës me motivin për qëndresë, gëzimet, hidhërimet, përditshmërinë e përkushtimet e përditshme, si model i shumicës së familjeve shqiptare që kanë vuajtur nën pushtimin e nuk janë dorëzuar e pajtuar kurrë me të. Mllefi ishte grumbulluar, kohë të gjatë (pushtimet turke sllave, gjithmonë nga vitet e hershme) por, rezistenca dhe mospajtimi me pushtimin nuk ishin shuar kurrë. Ngjarje kthese ishin demonstratat e vitit 1981 ( Kryengritja e vitit 1981) sepse tashmë dihej se shovinizmi serb do të ringjallej dhe do të dëshironte kthimin e Serbisë së krajlëve, andaj populli i Kosovës me vise, u ngrit për t’i thënë Serbisë dhe gjithë botës se nuk do të duronte një ripushtim klasik serbë, nuk duhej shumë bindje për t’u futur në rrugën e lirisë. Megjithatë disa ishin më përpara dhe nuk kishin forcë që do ti ndalonte në Rrugëtimin e tyre të lirisë. Në këtë grup prijatarësh bënte pjesë edhe heroi Xhevat Qerimi dhe shokët e tij.

Këto figura edhe pse të dhëna me vërtetësi historike nga ana e autorit janë skalitur mjeshtërisht me gdhendjen e bukur të fjalës e shprehjes artistike emocionale që na rikthen evokimin e kohërave të organizimeve e përgatitjeve të para të luftës për liri që po vinte. Mendoj se autori si njohës i mirë i rrethanave të ngjarjeve, të veprimtarisë dhe organizimit të fshehtë kundër pushtimit, pjesëmarrës në kohë reale të këtyre ngjarjeve, ka bërë një punë të mirë në ndriçimin e aktiviteteve të zhvilluara ilegale në këtë pjesë të Kosovës si parapërgatitje e krijimit të Universit Çlirues Kulturor, pra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shumë ngjarjeve dhe aktiviteteve të zhvilluara në drejtim të krijimit të strukturave të para të UCK.-së

Të lexosh këtë vepër kushtuar heroit Xhevat Qerimi do të thotë të jetosh në Kosovën e viteve ’70 – ’90  dhe të njohësh direkt heroin Xhevat Qerimi dhe shokët e tij, të përjetosh ndjenjat e atij brezi që ka ngritur peshë zemrat e popullit shqiptar dhe gjithë botës demokratike. Një vepër brilante që të jep pasqyrë të kohës, që të fisnikëron me mjeshtërinë e përshkrimeve dhe njohjeve, një vepër ndryshe nga skemat dhe shabllonet e gjertanishme.

Kontrolloni gjithashtu

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

Para pak ditësh në një veprimtari në Tirana International Hotel, në formë ekspozeje Dr. Skёnder …