Forumi Ekonomik i Grave u ka bërë thirrje partive politike që në programet e tyre zgjedhore të përfshijnë pesë prioritete kryesore për fuqizimin ekonomik të grave dhe që këto angazhime të zbatohen nga qeveria e ardhshme. Koordinatorja e Forumit Ekonomik të Grave në Kosovë, Saxhide Mustafa, tha se organizatat anëtare të forumit kanë publikuar një deklaratë me pesë kërkesa konkrete, të cilat synojnë përmirësimin e pozitës së grave në tregun e punës dhe në jetën ekonomike. Ajo theksoi më tutje se “rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës do të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e Bruto Produktit Vendor”. Koordinatorja e Forumit Ekonomik të Grave në Kosovë, Saxhide Mustafa bëri thirrje që qeveria e ardhshme të veprojë me urgjencë në adresimin e këtyre çështjeve, duke theksuar se përmirësimi i kushteve të jetesës, kujdesit social, shëndetësisë dhe edukimit është i domosdoshëm edhe për të frenuar emigrimin e të rinjve nga Kosova. Forumi Ekonomik i Grave përbëhet nga një koalicion organizatash të shoqërisë civile, mes tyre Instituti Riinvest, Rrjeti i Grave të Kosovës, D4D, Instituti GAP, IKS, QIKA dhe organizata të tjera që veprojnë në fushën e barazisë gjinore dhe zhvillimit ekonomik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
