Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Marrëdhënjet amerikano-shqiptare janë aq të vjetëra, sa është edhe diaspora shqiptare në Amerikë

Muaji mars i këtij viti shënoi 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.  Marrëdhënjet amerikano-shqiptare janë aq të vjetëra, sa është edhe diaspora shqiptare në Amerikë.  Ato kanë filluar në vitet e para të shekullit të kaluar, në kohën e Fan Nolit dhe Faik Konicës, atëherë kur diaspora shqiptare në këtë vend, megjithëse e vogël në krahasim me komunitetin e tanishëm shqiptaro-amerikan anë e mbanë Amerikës, mundi të siguronte nëpërmjet Presidentit Woodrow Wilson, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për shtetin e ri shqiptar.  Atëherë, si edhe një gjysëm shekulli më vonë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri — diaspora shqiptare në Amerikë edhe gjatë periudhës më të vështirë të këtyre marrëdhënieve gjatë regjimit enverist në Shqipëri — ka luajtur dhe vazhdon të luaj rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare pa dallim, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zevëndsueshme për interesat afatgjata dhe afatshkurta të kombit shqiptar anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan.

Njëzet e pesë vjetë më parë, në ceremoninë historike të nënshkrimit të Memorandumit për Rivendosjen e Marrëdhënjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në mars vitit 1991, nënshkruesi i këtij memorandumi nga pala amerikane, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Punët Europiane, Raymond Seitz, ka njohur publikisht rolin e diasporës së vjetër shqiptare në Amerikë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, duke theksuar se megjithëse kishte kaluar një gjysëm shekulli ç’prej kohës kur Enver Hoxha prishi marrëdhënjet me Amerikën, “Këto marrëdhënje mdis dy kombeve nuk u harruan kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare….”

 Mesin e këtij muaji u shënua në mënyrë modeste 25 vjetori i rivendosjes së këtyre marrëdhënjeve ndër të tjera edhe me një pritje që organizoi  me këtë rast Ambasada e Shqipërisë në Washington, ku sipas lajmeve ishin të ftuar amerikanë dhe shqiptarë, ndonëse shqiptaro-amerikanët, me përjashtim të disa gazetarve përfshirë ata të VOA-s shqip, sipas një pjesëmarrësi mund të numëroheshin me gishtat e një dore.  Megjithëse siç duket, me qëllim ose pa qëllim në një përkujtim të tillë u injorua diaspora shqiptare, sidomos ajo e vjetëra që jeton jashtë Washingtonit, Ambasadores së Shqipërisë në Washington, Floreta Luli-Faber duhet t’i jepet kredia që në këtë përkujtim ishte i pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike opozitare të Shqipërisë, Lulzim Basha me delegacionin e tij, që ndodhej në Washington për një vizitë pune dhe për të shënuar përvjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane 25 vjetë më parë në Washington. Ky zhvillim duhet të përshëndetet si fillimi i një epoke të re në veprimtarinë e ambasadës shqiptare në Washington, sepse nuk ishte gjithmonë kështu. Është ky një gjest tepër pozitiv i ambasadores Faber duke marrë parasyshë se si trajtoheshin, nga të dy palët, përfaqsues të opozitës kur vizitonin Washingtonin, megjithëse në botën që jetojmë, një gjë e tillë është krejt normale në rrethanat si kjo.  Mbaj mend se gjatë 25-viteve të kaluara, ambasadën e Shqipërisë në Washington (kur ishte e hapur), varësisht se cila parti ishte në pushtet, nuk e vizitonin zyrtarët e partisë në opozitë, duke lënë përshtypjen ndër amerikanët dhe në radhët e shqiptarëve, se ambasada e Shqipërisë në kryeqytetin e botës, përfaqësonte vetëm partinë në pushtet dhe jo të gjithë shqiptarët.  S’do mend se ambasada e cilit do vend kudo duhet t’i ketë dyert e hapura për të gjithë shtetasit e vet taksapagues, pa marrë parasysh pikëpamjet politike të njërës ose tjetrës palë, ose cilës parti politike i përkasin ata. Grindjet politike të Tiranës ç’vendoseshin në Washington për afatin e vizitave të zyrtarëve të lartë shqiptarë në kryeqytetin amerikan. Shpresohet që ky gjest të përjetësohet jo vetëm nga ambasada shqiptare në Washington por edhe nga të gjitha ambasadat shqiptare me përfaqësi në kryeqytete të tjera të botës. Mbi të gjitha, kjo duhet të jetë politikë e përhershme e urdhëruar nga Ministria e Punëve të Jashtëme të Shqipërisë dhe jo të lihet në dorë të ambasadorëve të ndryshëm.

Në këtë frymë pranimi e tolerance, do të ishte mirë që edhe diaspora shqiptare të trajtohej dhe të pranohet në një frymë bashkëpunimi. E vërteta është se angazhimi i diasporës duhet të trajtohet si diçka jo vetëm në interesin e vet ambasadës por edhe në interesin afat gjatë të Shqipërisë. Ambasada dhe Shqipëria kanë më shumë nevojë për diasporën, për këtë diasporë -të vjetër e të re – e cila si individë dhe si komunitet, historikisht dhe në periudha të ndryshme gjatë një shekulli  dhe jo vetëm në 25-vitet e fundit, ka mbajtur lidhje të forta me Washingtonin zyrtar dhe me përfaqësues të dy partive kryesore në Kongres, gjithmonë  duke punuar në interesin e bashkatdhetarëve të vet kudo në trojet etnike, sidomos në periudha të vështira për kombin shqiptar.

Kohët e fundit udhëheqsi i opozitës Lulzim Basha vizitoi Shtetet e Bashkuara, ku zhvilloi takime me zyrtarë amerikan në Washington, ndërsa zhvilloi edhe vizita me komunitetin shqiptaro-amerikan në New York.  Lajmet njoftojnë se edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka në agjendë një vizitë muajin që vjen në Washington.  Mbetet për tu parë angazhimi i Kryeminstrit shqiptar gjatë vizitës së tij në Amerikë  me diasporën e vjetër dhe të re. Në lidhje me këtë subjekt, Kryeministri shqiptar kishte premtuar gjithashtu, vitin që kaloi, se në fillim të këtij viti, një përpjekje për të angazhuar më shumë diasporën, ai kishte njoftuar se do të organizonte një konferencë për diasporën në Tiranë. Nismë e mirë si fillesë por të pakën publikisht nuk vihen re shënja të ndonjë organizimi të tillë ndonëse po fillon muaji i katërt i këtij viti.

 Në të vërtetë, fund vitin e kaluar Departmenti Amerikan i Shtetit – në kuadër të  veprimtarive të javës së diasporave anë e mbanë botës — kishte organizuar një konferencë kushtuar rolit të diasporës në politikën e jashtme amerikane dhe në diplomaci si dhe ndikimit të diasporës në zhvillimet botërore.  Në atë konferencë ka marrë pjesë edhe Kryediplomati amerikan John Kerry i cili vlerësoi veprimtarinë e diasporave në këtë vend duke u shprehur se ishte tepër krenarë për rolin që luan diaspora në Shtetet e Bashkuara dhe theksoi zhvillimin e partneritetit publik dhe privat në fushën e diplomacisë dhe të politikës së jashtëme amerikane.  Ai vlerësoi rolin e diasporave të ndryshme në Amerikë, duke thënë se, “Komunitetet e diasporës janë shpeshëherë ndër aktorët e parë që u përgjigjen ngjarjeve me rëndësi, qoftë në rast fatkeqsishë natyrore ose sulmesh terroriste, krizash financiare dhe politike, ose madje edhe në rast mundësishë të reja biznesi.”  Në të vërtetë, angazhimi i komunitetit shqiptaro-amerikan në mbështetje të interesave të shqiptarëve kudo gjatë 100-viteve të shkuara, mund të jetë shembulli më i mirë i kontributit të një diaspore në Amerikë, për të cilën foli Kryediplomati amerikan, fund vitin e kaluar në konferencën e Washingtonit kushtuar rolit të diasporave në përpilimin e politikës së jashtme amerikane.

Është ky një rol që pa marrë parasyshë se e vlerëson përpiluesi kryesor i politikës së jashtme amerikane tani, duhet të vlerësohet edhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare dhe jo vetëm me rastin e 25-vjetorit të lidhjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, pasi ky angazhim i diasporës shqiptare në Amerikë, siç dihet ka një histori më të gjatë dhe të suksesshme.  Ka ardhur koha që diaspora shqiptare, e re dhe e vjetër, të mos konsiderohet më si një realitet kundërshtarësh të përherëshëm, si  një luftë që vazhdon midis “nesh dhe atyre” për më shumë se 50-vjetë.  Kombi shqiptar, nepërmjet përfaqsuesve zyrtar në Tiranë dhe në Prishtinë,  ka nevojë të angazhojë më shumë diasporën pa dallim, me qëllim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me vendet mike të shqiptarëve kudo, por sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mirën e Shqipërisë e të Kosovës dhe për mirëvajtjen afatgjatë të mbarë kombit shqiptar.  Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu u shpreh me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhdënjeve shqiptaro-amerikane se shpresa është rinia e lindur gjatë 25-viteve të kaluara, duke thënë se, “Për mua Shqipëria është me të rinjtë e jashtëzakonshëm të saj, pjesa më e madhe e të cilëve kanë lindur gjatë këtyre 25 viteve. Më e mira nuk ka ardhur ende në marrëdhënien tonë. Ne qëndrojmë së bashku me krenari. Ky është vetëm fillimi”, është shprehur ambasadori Lu.

Nuk është aspak vonë as për këtë gjeneratë politikanësh që t’i njohë vlerat, veprimtarinë dhe pasurinë që përmban diaspora. Nuk ka asnjë arsye që të presim një brez tjetër shqiptarësh me qëllim që të njihet kontributi i diasporës së vjetër dhe të re në Shtetet e Bashkuara dhe që njëkohsisht të ndërmirren masa zyrtare për angazhimin e tyre të mëtejshëm edhe më të fortë në mbështetje të interesave të shqiptarëve. Diaspora shqiptare në Amerikë e ka treguar historikisht se, siç është shprehur John Kerry në konferencën e Washingtonit të vitit të kaluar mbi diasporën —  përfaqsuesit e  këtyre komuniteteve në këtë vend, “Janë ndër ambasadorët më të mirë që mund të kemi.”

 Të kujtojmë në këtë 25-vjetor se në mungesë të zhvillimit të marrëdhënieve normale diplomatike shqiptaro-amerikane, gjatë pjesës më të madhe të  shekullit të kaluar,  komuniteti shqiptaro-amerikan,  me dinjitet dhe plot atdhedashuri, luajti rolin e ambasadës dhe të ambasadorit  të kombit shqiptar në Washington.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …