Brickos

Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Në filmat e Holivudit, fatkeqësisht edhe vet Amerika shpesh pasqyrohet në mënyrën më negative

Të dielën që kaloi në Holivud të Los Angjelesit në Kaliforni u shpërndanë çmimet Oscar për të 88-in vit me radhë.  Para se të shpërndaheshin çmimet, u përfol se komuniteti afrikano-amerikan do bojkotonte ceremoninë e organizuar nga Akademia e çmimeve Oscars – megjithëse nuk u raportua ndonjë bojkot masiv – si përfundim se disa kritikë pretendonin se të nominuarit nga Akademia për çmimet Oscar, këtë vit, ishin të gjithë aktore dhe aktorë të bardhë, ndërkohë që në listën e të nominuarve mungonin aktorët afrikano-amerikanë.  Si përfundim i këtyre ankesave, Akademia premtoi se do të ndërmarrë një seri masash, siç i quajti ajo, “historike”, në përpjekje për të mënjanuar akuza të tilla në të ardhmen.

Historike në ceremoninë e çmimeve Oscar të këtij viti ishte edhe pjesëmarrja e filmit “Shok” nga Kosova, film i cili ishte nominuar nga Akademia për Çmimin Oscar në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër. Është ky një film që pasqyron dramën njerëzore, pikërisht portretizon një pjesë të dramës shqiptare gjatë luftës në Kosovë, por që sipas regjisorit Jaime Donoghue të filmit Shok, i rëndësishëm është edhe mesazhi që përcjellë filmi, që sipas tij, “hedhë dritë edhe mbi ato që po ndodhin sot në botë”.  Filmi zhvillohet bazuar në miqësinë e dy djemve shqiptarë nga Kosova gjatë një periudhe të vështirë të luftës në fund të 1990-ave në atë vend, duke nënvijuar problemet dhe dhunën e forcave ushtarake dhe policore të regjimit serb me të cilën përballeshin dhe shqiptarët në përgjithësi, gjatë asaj kohe në Kosovë.

Nuk ka asnjë dyshim se vet nominimi i këtij filmi për çmimin “Oscar”është një sukses i madh për kinematografinë, pothuaj jo ekzistuese të Kosovës dhe të Shqipërisë.  Është ky një vlerësim prestigjioz ndërkombëtar, për të cilin të gjithë shpresojmë të jetë hapi i parë drejtë një zhvillimi dhe përparimi më të madh të kinematografisë shqiptare në përgjithësi, ashtu që që ky vlerësim i Akademisë së çmimeve Oscar i filmit Shok, i realizuar nga ky grup i vogël protagonistësh shqiptarë,  të shërbejë si një frymëzim për brezat e ardhshëm të aktorëve shqiptarë si dhe për industrinë shqiptare të kinematografisë, në përgjithësi.  Për këtë arritje ata meritojnë lavdërime dhe vlerësime nga të gjithë, ashtu siç edhe ndodhi. Ata duhet të konsiderohen si të parët në këtë fushë, të cilët hapën rrugën e aktorëve dhe aktoreve të ardhshëm shqiptarë për të konkurruar në nivelet më të larta të krijimtarisë në fushën e kinematografisë botërore, e pse jo edhe në Holivud.

E them këtë edhe me një shpresë tjetër, se pjesëmarrja e shqiptarëve në konkurse dhe vlerësime të tilla të kinematografisë ndërkombëtare e posaçërisht në Holivud, është e rëndësishme edhe për një arsye tjetër – për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në fushën e filmave po se po, por edhe të imazhit kombëtar në përgjithësi.  Është vështirë të gjendet ndonjë film me subjekt shqiptar ose ndonjë film ku portretizohen shqiptarët nga Holivudi, që të mos i paraqesë ata në dritën më të keqe që është e mundur,  si “çobanë dhishë” e deri tek filmi i kohëve të fundit Taken, në të cilin shqiptarët karakterizohen si “rrëmbyes, përdhunues, trafikantë drogash dhe qeniesh njerëzore”.  Nuk mund të thuhet se në këtë pikë Holivudi ka bërë ose bën diskriminim vetëm ndaj shqiptarëve, pasi historikisht pothuaj të gjitha grupet etnike janë portretizuar në filmat e Holivudit në dritën më të keqe që është e mundur.  Madje, në filmat e Holivudit, fatkeqësisht edhe vet Amerika shpesh pasqyrohet në mënyrën më negative që është e mundur, gjë që bindë shikuesit e këtyre filmave anë e mbanë botës, se Amerika me të vërtetë është ashtu siç e portretizon Holivudi, gjë që nuk është e vërtetë.  Fatbardhësisht, as tërësia e tipareve të shumicës së shqiptarëve nuk janë ashtu siç karakterizohen nganjëherë në disa filma të Holivudit.

Portretizimi i Amerikës, i shqiptarëve ose i ndonjë kombi tjetër në filmat e Holivudit, me siguri që shpeshherë nuk janë në tërësi një pasqyrim i vlerave njerëzore dhe të karakteristikave të këtyre kombeve, cilat do qofshin ato.  Kritikët e kanë akuzuar Holivudin se nëpërmjet industrisë së filmave ka promovuar vlera të cilat kryesisht nuk përputhen me vlerat amerikane dhe se cilësia e filmave që prodhohen sot ka rënë shumë. Ndërkohë që sipas tyre, mungesa e moralit në filma dhe e ashtuquajtura kulturë e Holivudit, që shfaqet në ata filma po shkatërrojnë familjen, rrjetin e kulturës dhe të identitetin amerikan.

Prandaj, në këtë eufori që me të drejtë u shpreh nga të gjithë shqiptarët kudo ndaj vlerësimit që iu bë filmit shqiptar “Shok” nga Akademia Oscar, duhet të reflektojmë mbi të mirat dhe të këqijat që mund të vinë nga asocimi me Holivudin.  Të marrim të mirat, e të lëmë të këqijat.  Megjithëse filmi shqiptar Shok nuk mori çmimin kryesor në kategorinë e tij, mund të thuhet se ishte një natë historike plot pritje dhe entuziazëm në radhët e shqiptarëve kudo për radhitjen e filmit të parë nga Kosova, në një nivel aq të lartë të industrisë botërore të filmave.  Por më habiti fakti kur pashë në tapetin e kuq dy aktorët e rinj nga Kosova me një pamje që dukej ndryshe nga ato të mëparshmet: kishin ndrequr flokët, siç mund të shikoni në fotografinë më poshtë, në një stil afrikan, ose afrikano-amerikan: njëri e kaçurrela e tjetri me flokë të lidhur bishtalecë, alla afrikançe.  Nuk e di se pse mund ta kenë bërë këtë ndryshim identiteti dhe kush mund t’i ketë shtyrë ata të bëjnë një gjë të tillë. Në qoftë se me stilin e flokëve “afro”, dëshironin të dërgonin ndonjë mesazh para botës, atëherë besoj se si për herë të parë që paraqitej Kosova ose shqiptarët në një ceremoni të tillë, duhej që të promovonin kulturën ose ndonjë karakteristikë shqiptare.

Nuk mund t’ia shpjegoj vetes se pse e kishin bërë një gjë të tillë, veçse ndoshta kishin ndërmend të protestonin mungesën e afrikano-amerikanëve në atë ceremoni.  Por, në qoftë se kjo ishte arsyeja,  kishte kush i mbron afro-amerikanët nga kjo “pa drejtësi”. Në të vërtetë, komediani afro-amerikan dhe drejtuesi i ceremonisë, Chris Rock dhe të tjerë pjesëmarrës nga podiumi kritikuan gjithë natën Akademinë, për mungesën e afrikano-amerikanëve në listën e të nominuarve.   Besoj se Akademia e çmimeve Oscar nuk kishte nevojë që të merrte ndonjë mesazh në lidhje me këtë nga dy aktorë të rinjë shqiptarë që ndodheshin aty për herë të parë nga Kosova, të cilët duke ndryshuar identitetin e tyre ndoshta u përpoqën të protestojnë mungesën e afrikano-amerikanëve në atë ceremoni. Besoj se ka kush i mbron afrikano-amerikanët.

Jo se duhej të dalloheshin në ndonjë mënyrë të veçantë nga pjesëmarrësit e tjerë në atë ceremoni, qoftë me veshje qoftë me stilin e flokëve, por nëse  aktorët e rinj nga Kosova kishin vendosur të bënin një gjë të tillë, atëherë më mirë të kishin promovuar diçka shqiptare, që t’i tregonin botës se ishin shqiptarë dhe përfaqsues të një kombi i cili gjithashtu ka vuajtur shumë gjatë historisë se tij, ashtu siç bënë me filmin e tyre. Por duket se ishin tepër të entuziazmuar dhe u ngutën, gjë që kuptohet. Protagonistët e filmit, në një mesazh-video kanë falënderuar mbështetsit e tyre duke thënë se me këtë rast, “Ishte me rëndësi që mbarë bota foli për Kosovën” dhe shprehen se, “Do kishim dashur të sillnim trofenë por shpresojmë që herën tjetër, ne të tre do e sjellim Oskarin në Kosovë”. Ashtu qoftë!

 Të gjithë shqiptarët kudo ndjehemi krenarë për arritjet dhe për vlerësimin e filmit të këtyre aktorëve dhe njëkohësisht dëshirojmë që këta protagonistë shqiptarë të filmit Shok dhe të tjerë në të ardhmen të vazhdojnë të ekspozojnë para botës aftësitë krijuese të tyre në Holivud dhe gjetkë. Dëshirojmë gjithashtu që së shpejti të shkoni përsëri në Holivud duke shënuar suksese të mëtejshme në fushën e kinematografisë shqiptare por si përfaqsues të kombit shqiptar edhe për të promovuar vlerat e mira të kombit si dhe identitetin shqiptar, para një bote që ende nuk e njeh ashtu si duhet.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …