Mytaher Haskuka

Mytaher Haskuka: Negociatat në Bruksel nuk kanë sjellë asgjë të mirë për Kosovën, përkundrazi…

Autoritetet serbe kanë kthyer dje në Kosovë 103.222 tekste mësimore ë Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, të dedikuara për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës. Tekstet ishin bllokuar më 10 shtator 2015, dhe që nga ajo kohë janë mbajtur në terminalin doganor në Preshevë. Duke folur lidhur me këtë akt antishqiptar të regjimit të Beogradit, deputeti i VETËVENDOSJE!-s, Mytaher Haskuka, tha se negociatat në Bruksel nuk kanë sjellë asgjë të mirë për Kosovën edhe në sektorët ku u reklamua se ka rezultate si në sektorin e arsimit. “Sistemi paralel i Beogradit në Kosovë është përforcuar, gjersa në anën tjetër shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc nuk kanë përfituar pothuajse asgjë në shtimin e të drejtave për arsim në gjuhën amtare. As diplomat e Kosovës nuk po pranohen në Serbi. Ne patëm thënë që në momentin që janë lejuar të hynë librat nga Serbia nga doganat, më një shkrim të një nëpunësi nga Ministria e Kulturës, në kundërshtim me vendimin e Ministrit të Arsimit, jo vetëm që është vepruar në mënyrë kundërligjore por janë humb gjasat që librat shqip të shkojnë tek nxënësit e Luginës”, theksoi Haskuka, duke shtuar se kjo na tregon që nuk ka ekzistuar ndonjë marrëveshje ndërmjet palëve për tekstet shkollore, dhe se përmes negociatave në Bruksel po shkatërrohet shtetësia e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës po mbesin populli më i diskriminuar në Evropë.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Belgzim Kamberi tha se kthimi i teksteve mësimore paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Serbi, duke marrë parasysh se Serbia edhe 15 vite pas rënies së Millosheviçit nuk e ka zgjidhur çështjen e zbatimit të të drejtave për arsimim në gjuhën amtare dhe për ruajtjen dhe për zhvillimin e veçorive kulturore, historike dhe identitare minoritare. “Arsimimi nuk mund të ndodhë pa tekste mësimore në gjuhën shqipe dhe as më pak me tekstet e tanishme në fuqi në Serbi, që janë pothuajse të njëjtët me ato të kohës së Millosheviqit. Sigurisht se mbajtja rreth gjashtëmuajshe të teksteve mësimore të Republikës së Kosovës në Serbi në doganën serbe që i kanë kushtuar mbi 70.000 euro buxhetit të Kosovës dhe kthimi i tyre është edhe rezultat i një farse të madhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Arsimit”, u shpreh Kamberi. Ai theksoi se Kosova dhe Lugina e Preshevës u poshtëruan sërish nga Serbia, ndaj së cilës duhet bërë presioni për ndryshimin e planprogrameve dhe teksteve mësimore. “Ministri i Arsimit u mundua që të vendosë masa reciprociteti vitin e kaluar, por kjo gjë ishte e pamundur ngaqë shkonte në kundërshtim me Ligjet e Kosovës. Ligji për Arsimin në Komuna lejon përdorimin e kurrikulave dhe librave shkollor nga Republika e Serbisë.  Komisioni përgjegjës i Republikës së Kosovës që do të vërtetonte nëse tekstet e Serbisë janë në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Pra, këtu nuk mund të kemi reciprocitet sepse në njërën anë Republika e Kosovës si rezultat i Pakos së Ahtisaarit lejon përdorimin e teksteve mësimore dhe de facto pranon kurrikulat e Republikës së Serbisë për t’u përdorur në shkollat e Kosovës ndërsa Serbia nuk i pranon tekstet shqipe që burojnë nga kurrikulat e Kosovës dhe Shqipërisë”, tha në fund Kamberi.

Gjatë këtyre pesë viteve negociatat e Brukselit nuk normalizuan marrëdhëniet në asnjë fushë përkundrazi Beogradi veçse sa po e shton shtypjen ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e kontrollin brenda Kosovës lehtësuar nga Qeveria e Kosovës.

 2 mars 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Frontit Europian, Bujar Osmani, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë, me epërsi të 40 mijë votave

Kandidati i Frontit Europian për kryetar të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka shpallur fitoren …