Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Një përfaqësues i ri i Vatikanit në Shqipëri

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani pranoi të martën Letrat Kredenciale të Nuncit të ri Apostolik,  Kryeipeshkëvit Charles John Brown, rezident në Tiranë.  Më 9 mars të këtij viti, Papa Françesku e emëroi atë në këtë detyrë, si përfaqsues të Vatikanit në Shqipëri. I përndershmi Brown, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, para se të emërohej në postin apostolik në Tiranë, ka shërbyer në Irlandë si Nunc Apostolik dhe njëkohësisht mban edhe titullin si Kryeipeshkv i Akuileas.  Irlanda ishte posti tij i parë diplomatik.

Imzot Charles John Brown, ka lindur në Nju Jork, më 13 tetor 1959. Ka kryer studimet në degën e historisë, në Universitetin e njohur Notre Dame të shtetit Indiana, në SHBA.   Më pas ka vazhduar teologjinë në Universitetin e Oksfordit në Angli dhe është specializuar në Studime Mesjetare në Universitetin e Torontos, në Kanada, për të përfunduar më vonë studimet në Teologji Sakramentale në Universitetin e Shën Anselmit në Romë.  Përfaqsuesi i ri diplomatik në Tiranë, është shugurua meshtar më 13 maj 1989, në Katedralen e madhe të Shën Patrikut, në Nju Jork. Fillimisht, ai ka shërbyer si zëvëndës famullitar, pastaj është emëruar Kapelan i Shenjtërisë së Tij Papë, ndërsa në shtator 2009, kryen detyrën si Sekretar i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar. Që nga viti 1994 është edhe funksionar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.

Besoj se gjatë shërbimit të tij në New York, është e pamundur që të mos ketë qenë në kontakt me komunitetin shqiptaro-amerikan, sidomos me komunitetin katolik, i cili i ka pasur gjithmonë dyertë e hapura të Katedralës së Shën Patrikut, si komunitet në përgjithsi dhe pa dallime feje. Kështuqë, përfqsuesi i ri diplomatik i Vatikanit në kryeqytetin e shqiptarëve duhet të ketë ditur diçka më shumë për kombin shqiptar dhe për historinë e kishës shqiptare, para se të emërohej Nunc Apostolik në Shqipëri.

Sipas zëdhënsit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta, nunci i ri mbërriti të dielën në Shqipëri, ku u prit nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, nga ipeshkvijtë dhe kleri vendas. Përfaqsuesi i ri i Vatikanit në Tiranë, fjalët e para që ka thënë me të arritur në kryeqytetin shqiptar ishin se, kishte takuar para disa javësh Papën Françesku, i cili i emocionuar i ka thënë: “Po të dërgoj në një komb të martirizuar. Mos rri i mbyllur në nunciaturë por dil e tako njerëzit, kishën lokale. Shko në periferitë për të takuar njerëzit.”

Në portalin peregrinus.al, Imzot Charles John Brown citohet të ketë thënë gjithashtu se takimi midis tij dhe Kryetarit të shtetit shqiptar, Z. Bujar Nishani – me rastin e paraqitjes së Letër-Kredencialave, ishte shumë i ngrohtë, ndërsa është shprehur, njëkohsisht, se ndjehej shumë entuziast për detyrën e tij të re në Shqipëri.  Si përfaqsues diplomatik i Vatikanit me titullin “Nunc Apostolik” në Shqipëri, Imzot Brown do të jetë përfaqsues i Selisë së Shënjtë pranë shtetit shqiptar por siç e cilëson radio Vatikani, edhe “krahu i zgjatur i Papës” pranë Kishës Katolike Shqiptare.

Siç dihet, Shqipëria dhe Vatikani gëzojnë midis tyre marrëdhënie diplomatike shumë miqësore, të shkëlqyera, mund të thuhet. Vitin që kaloi, shënuan 25-vjetorin e rivendosjes së këtyre marrëdhënieve (7 shtator, 1991), pas rënjes së komunizmit dhe pas një historie persekutimesh dhe martirizimit të Kishës Katolike Shqiptare, për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Lidhjet e kombit shqiptar me Selinë e Shenjtë janë shekullore dhe historike. Pothuaj të gjithë udhëheqsit shqiptarë të periudhës post-komuniste kanë vizituar zyrtarisht dhe privatisht Vatikanin, ndërsa Papa Gjon Pali i dytë dhe Papa Françesku janë dy udhëheqës të Kishës Katolike që kanë vizituar Shqipërinë pas shëmbjes së komunizmit.  Gjatë vizitave të tyre, ata kanë shfaqur nderimin dhe kanë deklaruar respektin e tyre për bashkjetesën që ekziston midis shqiptarëve të të gjitha feve, duke e theksuar tolerancën fetare midis shqiptarëve, si një shembëll bashkjetese fetare, madje edhe në nivel ndërkombëtar.

Marrëdhëniet e ngushta midis Vatikanit dhe Shqipërisë, duke marrë parasyshë historinë e persekutimit të fesë nga regjimi enverist, tregojnë se me vullnet të mirë, gjithçka është e mundur në këtë botë. Gjithçka ngjallet e përtrihet dhe se arsyeja, megjithëse për fat të keq e kishte humbur drejtimin gjatë regjimit komunist, më në fund e ka gjetë rrugën dhe na bën të besojmë se e drejta dhe e mira triumfojnë, përfundimisht, mbi të keqën.

Ndonëse marrëdhëniet zyrtare midis Vatikanit dhe Shqipërisë shënuan 25-vjetorin e themelimit të tyre shtatorin që kaloi, marrëdhëniet e Arbërit me Vatikanin dhe udhëheqësit e Kishës Katolike gjatë shekujsh, janë aq të vjetra sa edhe historia dy mijë vjeçare e ekzistencës së Kishës Katolike. Vatikani ka inkurajuar vazhdimisht përpjekjet dhe dëshirën e kombit shqiptar për të gjetur më në fund vendin e vet aty ku i takon, në rradhë me kombet e tjera europiane — aty ku e ka pasur gjithmonë vendin.  Selia e Shënjtë gjithashtu ka promovuar si shembull të mirë, për mbarë botën, bashkjetesën fetare midis shqiptarëve. Fatbardhësisht, nuk është feja as marrëdhëniet fetare midis shqiptarëve ato që ndalojnë integrimin e plotë të Shqipërisë në organizmat euro-atlantike, por janë grindjet, mosmarrveshjet dhe mos-toleranca politike, midis partive të pozitës dhe opozitës, ato që po pengojnë tmerrsisht zhvillimin normal të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe që po e çon kombin drejtë një katastrofe të paparashikur.

Shqipëria dhe kombi shqiptar i shumë vuajtur nga ajo që Papa Françesku e ka cilësuar si “ideologjia e së kaluarës”, ka nevojë për një fillim të ri, për tolerancë më të madhe politike dhe për një diskurs më njerëzor dhe komunikim të respektshëm në radhët e politikës.

Shqipëria gjeti mënyrën, më në fund, që të rivendoste — dhe për më shumë se një çerek shekulli — të zhvillojë marrëdhënie diplomatike që konsiderohen si të shkëlqyeshme dhe miqësore me Vatikanin, të cilin ish-regjimi komunist i Enver Hoxhës e konsideronte si qëndrën e “obskurantizmit botëror”. Si është e mundur, që siç është shprehur edhe Papa Françesku për të gjitha besimet që jetojnë dhe veprojnë në, “vëllazëri mes tyre” në Shqipëri, që kjo të mos ndodhë edhe në radhët e klasës politike shqiptare, ashtuqë kombi i rimëkëmbur shqiptar të ecën më në fund drejt integrimit euro-atlantik.  Marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Shqipërisë dhe Vatikanit duhet të jenë shëmbull se sa do të acaruara dhe armiqësore, historikisht, të jenë marrëdhëniet midis shteteve (siç ishin dikur mes Shqipërisë dhe Vatikanit) ose edhe individëve dhe kundërshtarve politikë — pajtimi është gjithmonë i mundshëm dhe i preferueshëm.

Urojmë që marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Vatikanit dhe Shqipërisë – dikur kundërshtarë të përbetuar ideologjikë – të shërbejnë si shëmbull se çfarë mund të arrihet me respekt, tolerancë dhe bashkpunim me njëri tjetrin, jo vetëm në nivel ndërkombëtar por edhe në nivel kombëtar.  Me këtë rast le të bashkohemi me ambasadën e Shqipërisë në Vatikan dhe t’i, “Urojmë punë të mbarë dhe suksese Nuncit të ri Apostolik në Tiranë, në forcimin e mëtejshëm të marrëdhieve shekullore të popullit shqiptar me Selinë e Shenjtë”.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …