Frank Shkreli: Shqiptarët nën Mal të Zi – si të huaj në tokën e vet!

Një numër artikujsh janë botuar kohët e fundit në lidhje me gjendjen e shqiptarëve nën Mal të Zi, gjendje kjo që sipas shumë zëdhënësve shqiptarë në Mal të Zi sa vjen e përkeqësohet nga viti në vit, nga pikëpamja kombëtare, nga (mos)përfaqësimi i tyre politik si dhe në fushën ekonomike, në krahasim me shtetasit e tjerë të Malit të Zi. Shumë prej tyre e ndjejnë veten si qytetarë të rendit të dytë, të diskriminuar, të shkelur e të nëpërkëmbur – një përpjekje kjo afatgjatë asimilimi nga autoritetet malazeze, me qellim për tu mohuar shqiptarëve autoktonë identitetin kombëtar, në tokën e tyre shekullore – duke i bërë që ata ta ndjejnë veten si të huaj në tokën e në shtëpitë e veta shekullore.


 


Nuk ka shtypje më të rëndë se mohimi i identitetit, si person dhe si komb. Shqiptarët kudo në trojet e tyre nën ish-Jugosllavi përballeshin, pak a shumë, me të njëjtën politikë të egër asimilimi e shtypjesh, ndërkohë që përveç masave të ashpra politike dhe ekonomike që ish-regjimi komunist sllav ndërmerrte kundër popullsisë autoktone shqiptare – mbi të gjitha ish-regjimi jugosllav përpiqej të ndryshonte emrat e mbiemrat e shqiptarëve duke i sllavizuar ato me prapashtesën “viq” ose mënyra të tjera, vetëm e vetëm për të zhdukë identitetin e tyre, me qëllim pakësimin e numrit të shqiptarëve. Në atë kohë kjo bëhej haptas pasi ishte politikë zyrtare e regjimit të atëhershëm. Kjo politikë shtypëse gjatë dekadave ka bërë që më shumë se gjysma e shqiptarëve nga trojet e tyre në Mal të Zi të kenë marrë rrugët e botës.


 


Një politikë e tillë sot nga shteti i ri i Malit të Zi nuk kuptohet, sidomos kur të merret parasysh se ishin shqiptarët ata që përkrahën e lobuan – bile edhe para organeve më të larta qeveritare në Uashington — në favor të pavarësisë së Malit të Zi, me shpresë se si shtet demokratik e i pavarur, Mali i Zi do t’i trajtonte shqiptarët më mirë se ish-federata e atëhershme Serbi-Mali Zi, dhe se një Mal i Zi i pavarur do t’u shërbente më mire interesave mbarëkombëtare shqiptare, në vend të një federate të qeverisur nga Beogradi.


 


Por ky shkrim nuk ka për qëllim të rreshtojë ankesat e shumta të popullsisë autoktone shqiptare nën Mal të Zi, pasi ato dihen tanimë mirë nga lexuesit dhe publiku, por shkurtimisht e në përgjithësi gjendja e tyre atje është përshkruar si një “stagnim dhe degradim” i të drejtave të tyre të njeriut dhe si qytetarë të barabartë duke u mohuar atyre, ndër të tjera, të drejtën e rivendosjes së komunës së Tuzit, përdorimin e simboleve kombëtare dhe duke ndryshuar kohët e fundit, ligjet mbi zgjedhjet që shkojnë në dëm të shqiptarëve. Qëllimi i këtij artikulli është për t’i bërë thirrje qeverisë së Podgoricës që në bashkëpunim me komunitetin shqiptar të ri-shqyrtojë masat që ka marrë kohët e fundit kundër interesave të komunitetit shqiptar në atë vend – dhe në të njëjtën kohë për të venë në dukje nevojën e një kohezioni më të madh midis udhëheqësve politikë shqiptarë në Mal të Zi, si dhe të nevojës urgjente që elementë të ndryshëm politikë shqiptarë të bashkëpunojnë për qëllimet e përbashkëta, në interes të komunitetit shqiptar në trojet e veta.


 


Mali i Zi pretendon të jetë një shtet demokratik me aspirata për tu integruar në Evropë dhe për t’u bërë anëtar i organizmave euro-atlantike. Si i tillë, bota të cilës ai dëshiron t’i bashkohet dhe me të cilën dëshiron të ndajë vlerat e përbashkëta, pret prej Malit të Zi që ai të ushtrojë një politikë dinjiteti të barabartë për të gjithë shtetasit e vet, përfshirë edhe shqiptarët. Kushtetuta amerikane thotë se “të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejtat të barabarta”, dhe si të tillë, megjithëse ndoshta me karakteristika të ndryshme kombëtare, kulturore ose fetare – të gjithë kanë gjithashtu të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi në procesin e vendimmarrjeve për jetën dhe fatin e vet, gjë që është gurthemeli i një demokracie të vërtetë.


 


Edhe shqiptarët nën Malin e Zi i meritojnë dhe duhet t’i gëzojnë këto të drejta të barabarta si çdo shtetas tjetër i këtij vendi dhe i kontinentit evropian. Prandaj qeveria e Podgoricës të mos shtojë përçarjet duke u mohuar të drejtat shqiptarëve, dhe as ndryshimet etnike me shqiptarët, të mos i përdorë si një mjet asimilimi ose emigrimi të detyrueshëm, por t’i njohë ndryshimet dhe të përpiqet më shumë për akomodim e jo asimilim, bazuar në standardet evropiane. Në asnjë vend demokratik nuk konsiderohet që ngritja e një flamuri kombëtar e një grupi etnik të kërcënojë rendin dhe qetësinë! Si shembull, këtu në Shtetet e Bashkuara, flamuri shqiptar valëvitet në shumë raste, në rrugë kryesore dhe qendra qeveritare, siç është Bashkia e Nju Jorkut. E si pasojë, nuk janë kërcënuar kurrë rendi e qetësia, por ato janë më të fortë dhe jo më të dobët, pasi në manifestime të tilla marrin pjesë grupet etnike dhe udhëheqësit e qeverisë lokale, në shenjë tolerance e respekti për njëri tjetrin. E ketë të drejtë gëzon çdo grup tjetër në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe malazezët e serbët. Çudi, si rendi e qetësia e këtij vendi nuk janë prishur si rrjedhim i ngritjes së qindra flamujve nga mbarë bota, përfshirë edhe nga vende armike të Amerikës!


 


Përgjegjësitë kryesore për gjendjen e keqësuar të shqiptarëve sot në Mal të Zi i ka, natyrisht, vet qeveria e Podgoricës dhe ajo që konsiderohet si politikë anti-shqiptare që po ndjekë ajo. Por, nga ana tjetër, siç ka thënë edhe gjermani Johann Gottfried Herder, secili prej nesh ka mënyrën origjinale të identitetit tonë si njeri, dhe se, secili prej nesh duhet ta njohë këtë fakt se kush jemi. Sipas tij, kjo vlen edhe për grupet etnokulturore në tërësi. Kjo duhet të ndodhë edhe për shqiptarët në Mal të Zi si komunitet i përgjithshëm, por një përgjegjësi të madhe për këtë situatë të krijuar kanë sidomos edhe përfaqësuesit e tyre politikë. Përçarjet dhe mosmarrëveshjet midis tyre janë tanimë të njohura mirë. Për të qenë i lirë, një komunitet siç është komuniteti shqiptar në Mal të Zi, sipas mendimtarit të njohur evropian Frantz Fanon, duhet të zhvillojë vet objektivat, imazhin e tij politik, kombëtar e kulturor dhe të mbrojë këto vlera dalluese duke u varur e duke u bazuar në kulturën dhe traditën e vet. I takon elitës politike shqiptare në Mal të Zi që përçarjet e tyre politike t’i kthejë në një sistem stabil bashkimi të qëllimeve dhe interesave të përbashkëta për komunitetin shqiptar atje.


 


Në qoftë se Mali i Zi vlerëson lirinë dhe demokracinë dhe dëshiron realizimin e aspiratave të tij për tu bërë anëtar i organizmave euroatlantike, atëherë ai duhet të heqë dorë nga politika shtetërore e asimilimit dhe të rishqyrtojë vendimet e marra kohët e fundit karshi shqiptarëve në atë vend, vendime të cilat komuniteti shqiptar dhe përfaqësuesit e tij politikë i konsiderojnë si diskriminuese. Në qoftë se jo, atëherë, pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Mal të Zi dhe shqiptarët kudo, përfshirë Tiranën dhe Prishtinën zyrtare dhe sidomos shqiptarët në Amerikë dhe në Evropën Perëndimore duhet të shfaqin vendosmërisht papajtueshmërinë dhe pakënaqësinë e tyre me mënyrën se si Podgorica trajton shqiptarët – dhe në të njëjtën kohë – këtë pakënaqësi tua shfaqin autoriteteve përkatëse vendimmarrëse për politikën e jashtme në çdo vend ku jetojnë.


 


Mali i Zi duhet të jetë i vetëdijshëm se duke u mohuar shqiptarëve të drejtat që ata kërkojnë për të qenë të barabartë me të tjerët në atë shtet – ai minon shtetin e vet moralisht dhe ligjërisht – para botës dhe para një pjese të qytetarëve të vet që fatkeqësisht, sot për sot, e ndjejnë veten si të huaj në tokën e vet. Këtë, duke pasur gjithashtu parasysh se trajtimi i barabartë për të gjithë, si dhe liria dhe demokracia për të gjithë qytetarët, pa dallim, janë në të njëjtën kohë, faktorët që do të çojnë në një rend e qetësi afatgjatë si edhe stabilitet të qëndrueshëm jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për rajonin.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …