mbpzhr 2018
valamobile
kek baneri
AKP deri me 2 dhjetor
Fillimi / Opinione / Frank Shkreli: Tani është koha për veprim kundër korrupsionit
Frank Shkreli

Frank Shkreli: Tani është koha për veprim kundër korrupsionit

Javën që vjen, më 22 deri më 24 Tetor në Kopenhagen të Danimarkës do të mbahet Konferenca e 18-të Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit me temën, “Tani është koha për të vepruar”.  Kjo konferencë ndërkombëtare që mbahet çdo dy vjet — e që cilësohet si forumi më i madh ndërkombëtar në luftën kundër korrupcionit — organizohet sivjet nga qeveria e Danimarkës e përfaqësuar nga Ministria e Jashtëme e atij vendi dhe nga organizata ndërkombëtare anti-korrupcion, Transparency International, me ndihmën e degës së saj në Danimarkë.

Sipas të dhënave nga organizata Transparency International, ky forum është mbajtur dy vjet më parë në kryeqytetin e Panamasë ku kanë marrë pjesë më shumë se 1600 përfaqësues nga mbarë bota. Edhe këtë vit, pritet që kjo konferencë ndërkombëtare kundër korrupcionit të mbledhë në Danimarkë, udhëheqës shtetesh, përfaqësues të shoqërisë civile, të sektorit privat dhe më gjërë, për t’u marrë me sfidat gjithnjë e më të sofistikuara që paraqet korrupcioni kudo në botë.  Konferenca Ndërkombëtare anti-korrupsion mbahet çdo dy vjet, në një rajon të ndryshëm të botës, me qindra pjesëmarrës nga më shumë se 135-vende.  Punimet e konferencës tre-ditore javën që vjen në Kopenhagen, do të hapen me një fjalim nga Kryeministri i Danimarkës, Z. Lark Lokke Rasmussen. Parashikohet që të mbahen mbi 50-seanca dhe takime plenare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë, ekspertë të njohur, inovues, aktivistë, akademikë dhe përfaqsues qeverishë dhe të shoqërisë civile nga mbarë bota, të cilët do të diskutojnë mbi mënyrat për të luftuar korrupsionin, i cili po dobëson demokracitë në shumë vende të botës, thuhet në njoftimin e Transparency International.

Siç dihet, organizata Transparency International është një ent ndërkombëtar jo qeveritar me qëndër në Berlin të Gjermanisë, themeluar në vitin 1993 me objektivin për të luftuar korrupcionin anë e mbanë botës, me masa anti-korrupsion të shoqërisë cibile si dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale që rrjedhin si pasojë e praktikave të korrupsionit.

Korrupcioni në botë, sipas Transparency International, po merr forma gjithnjë e më të ndërlikuara dhe si rrjedhim po dobëson gjithnjë e më shumë proceset e qeverisjes demokratike anë e mbanë botës.  Sipas saj, përdorimi i dhunës është në rritje kundër aktivistëve, gazetarëve dhe qytetarëve të cilët ngrejnë zërin e tyre kundër padrejtësive dhe korrupsionit.

Ndërsa po bëhen përgatitjet përfundimtare për forumin ndërkombëtar të këtij viti kundër korrupsionit, javën që vjen në Danimarkë, Transparency International, nga ana e saj u bën thirrje – siç shprehet ajo — të gjithëve, nga veriu në jug, për të punuar edhe më me bindje dhe me vullnet më të fortë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm dhe më të bararabart ekonomik dhe shoqëror si dhe drejt një sigurie dhe paqeje të përgjithëshme – si objektiva për një qeverisje më të mirë, që ka për qëllim edhe luftën kundër korrupsionit.

Kjo është koha për të vepruar, thekson Transparaency International, që është edhe tema e konferencës e javës që vjen, në Danimarkë.  Sipas këtij enti ndërkombëtar anti-korrupsion, ka ardhur koha tanimë për të këthyer në vepra premtimet dhe angazhimet e konferencave dhe forumeve të mëparshme ndërkombëtare për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar transparencën nga të gjithë.

Transparency International vepron në më shumë se 100-vende anë e mbanë botës, si pjesë e një veprimi mbarë global anti-korrupsioni, duke sfiduar këtë plagë të rëndë ekonomiko-shoqërore dhe të gjithë ata që e praktikojnë atë kudo në botë.

Në këtë frymë, kjo organizatë u bën thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave kudo në botë që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje anti-korrupsion dhe që, njëkohësisht, të bëhet një forcë frymëzimi në luftën kundër korrupsionit. Koha për të vepruar kundër korrupsionit është tani!  Si pjesë e festimeve me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Transparency International — në Ditën e Ndërkombëtare të Anti-Korrupsionit më 9 Dhjetor, 2018 — njoftohet se në bashkpunim me Ministrinë e Gjermanisë Federale të Bashkpunim dhe Zhvillim Ekonomik, do të nderohen disa të rinjë e të reja nga mbarë bota, të cilët sfidojnë korrupsionin me mjetet më frymëzuese dhe inovative që është e mundur.

Natyrisht, se përpjekjet serioze të rinisë kudo qoftë kundër korrupsionit dhe për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë në vendet ku jetojnë, do të kontribojnë dukshëm në luftën kundër këtij fenomeni global, por siç sugjeron edhe tema e Konferencës Ndërkombëtare Anti-Korrupsion e javës që vjen në Kopenhagen të Danimarkës – nuk ka kohë për të humbur, pasi koha për veprim kundër korrupsionit, jo vetëm nga të rinjët e të rejat, por nga të gjithë, është tani!

Kontrolloni gjithashtu

Skënder S.KAPITI: Çfarë duhet të dinë shqiptarët dhe çfarë duhet të presin nga politikanët e pushtetarët e tyre

Skënder S.KAPITI: Çfarë duhet të dinë shqiptarët dhe çfarë duhet të presin nga politikanët e pushtetarët e tyre

Shkurtimisht, mendoj se shqiptarët duhet të dinë se çfarë duhet të presin nga politikanët dhe ...