Gani Morina FAMILJA SHQIPTARE - KJO KALA !

Gani Morina FAMILJA SHQIPTARE – KJO KALA !

Pleqtë tanë, dikur i seleksiononin mysafirët;
” Kur të vjen Filani, fëmijtë duhet me i nxjerrë jashtë, se është i mprapsht e na prishen fëmija.
E, Filan Fistekun , me ba e me e çue Zoti, është mirë me i thirr fëminë e me iu thanë, ngoni e merrni mësim e naj fjalë të mirë , se ju duhet për jetë”
Oda, ishte një lloj shkolle, parlamenti !
Aty sitej e shoshitej mendja, matej e peshohej e mira e e keqja, aty kishte burra e pleqë mendjehollë, të cilëve u jepej përparësi në fjalë e vendimmarrje, si një nevojë e nivel i lartë përgjegjësie për progres shoqëror e, në të shumtën si një nevojë, për të gjetur ,,ilaçin” problemeve shoqërore të kohës .
Me zhvillimin e teknologjisë, nëpër Oda ,,hyri”            Një ,, mysafir” që, deri diku ndërrojë edhe ,,muhabetet” e Odës, Televizori !
Në fillim shumë pleqë, mbase edhe nga naiviteti, thanë ; Na ka hy shejtani në shpi !
Mund të mos e konceptonin, këtë zhvillim teknologjik por, edhe seleksionimin e ” mysafirëve” më, nuk arrinin ta bënin.
“Mysafiri” i TV-së, përzgjidhet diku tjetër, mund të jetë i mirë, mendjendritur, i mbarë; për të cilin duhej thirrur fëmijtë ….por, mund të jetë edhe shejtan, e fëmijtë s’mundesh me i nxjerr jashtë….
Lindën kontradita, si ,, luftë” mes gjeneratave….e theksuar kjo, sidomos nga komunizmi, për të thyer autoritetin e një gjenerate, të cilët nuk e pranonin komunizmin si ideologji, koncept e praktikë!
Tradita, që kishte ndërtuar themele të forta në shoqëri, merr një “goditje” , por nuk humb, meqë pushteti depërtonte me vështërsi në institucionin më të shenjtë – Familjen.
Depërtimi i pushtetit , që mëtonte modernizmin, e përmes tij edhe synimet e pathëna, arrihej të bëhej vetëm përmes punësimit, që njerëzit e shihnin( në të shumtën, me ndonjë përjashtim) vetëm si interes financiar por, pa i lëkundur aspak vlerat tradicionale, që ishin kultivuar nëpër kohë, si garancë kompaktësie e mbijetese!
U krijuan autoritete siç ishin mësuesit, të cilët nderoheshin, sidomos Ata që në popull kultivonin , përpos mësimeve, edhe atdhedashurinë, e të cilët ndikuan në emancipimin e shoqërisë por, gjithnjë duke ruajtur balancën e respektin me e  për traditën.
Populli hapi dyert për mësuesit e vet, u bëri konak, u dha bukë e zemër !
Baballarët, ishin selektiv, duke nderuar mësuesit atdhetar e duke porositur fëmijtë për të dëgjuar, veshët katër, për filan mësuesin, siç kishin edhe vërejtje, për ndonjë që joshej nga ofertat antishqiptare, e sjellje devijante !
Më kujtohet baba, tek na fliste për mësuesin Ismajl Gërvalla,  nga Duboviku , i cili në fshatin tonë,  ishte bërë model se si duhej të ishte Shqiptari, një kombinim , një shkrirje perfekte e modernes dhe traditës !
Kjo balancë e, emancipimi gradual i familjes shqiptare siç ishin shkollimi i rinisë e posaqërisht i femrës; Familjen shqiptare, jo vetëm nuk e trandi por, e pasuroi me vlera , virtyte e mundësi për përparim.
U arrit, poashtu që, tradita e familjes shqiptare, gradualisht por pakthyeshëm të ,,krehet” e pastrohet nga elementet primitive e prapanike.
Kësaj ,, ngrehine” (familjes shqiptare) iu hapen ” dyer e dritare” të reja, pa iu lëkundur themeli , tradita e mirëfilltë e familjes shqiptare si; nderi, mikpritja, respekti, besa…!
Shkolla, Universiteti , krijonte djemë e vajza të ditura, të cilët ushqeheshin me  aspirata individuale e shoqërore, se duhej avansuar shoqëria, se ky popull e ky atdhe duhej çliruar nga armiku …..
Për këtë aspiratë Ata, merrnin dije nga librat, nga rilindasit por, edhe nga baballarët, Nënat, Gjyshërit e Gjyshet !
Kjo sinergji, Familjen Shqiptare e bëri kala !
Kot gjëmonin topat, mbi Jasharët !
Ata,  i bënë gjokset barrikada!
Aty, ishin tri gjenerata !
Aty Komandanti, kishte babën Shaban, mësuesin e popullit ! Vëlla Hamzën, Nanëmadhen e fëmijtë, djemë e vajza ….!
Tek Jasharët , nuk ishte as rastësi, as një kryeneçësi koti, por një ideal që ishte bërë program e platformë, që burimin e kishte në dijen e idealin e tyre!
Nuk, po flasim për kohët antike , por vetëm dy dekada na ndajnë nga ajo kohë , të gjithëve na kujtohet, ajo QËNDRESË!
Nëna shqiptare, lindi e rriti vajza e djemë , të armatosur  me edukatë, atdhedashuri, besë, nder e respekt!
Të tillë qëndruan heroikisht nëpër burgje e gjykatoret i shëndrruan në gjyqe , që moralisht dënonin pushtetin antipopullor , që mëtonte ti dënonte Ata !
Nanat e baballarët i inkurajonin, për këtë QËNDRESË!
Liria e Kosovës , u keqkuptua nga shumëkush , u keqpërdor poashtu !
Hajdutë e matrapazë , korrupsion, keqbërës të të gjitha llojeve, e bënë ,, arenë” të zhvatjes e përfitimit…, e mjelën e rrjepën, si mbi prenë ia ngulitën dhëmbët , bisha të çartura , që si ndaloi askush, mbase vetëm sa u joshën në këtë çoroditje.
Çoroditja ishte shumëdimensionale!
Politika , art i së mundshmes!
Ekonomia, art i së mundshmes!
Kaos gjithandej, mbase edhe i indukuar nga qarqet armiqësore, i programuar, joshje e inkriminim, rrënim vlerash në çdo sektor, punë djalli!
Këtë trandje e përjetojë edhe Familja shqiptare!
Meqë e keqja doli fitimtare, as nuk u ndëshkua e as nuk u përqesh, edhe të ndershmit u ndjenë në defansivë!
Asnjanësit , në të shumtën, kaluan në aksion; në artin e së mundshmes, edhe Ata,  hynë në garë Fort e Keq, duke u ndjerë edhe të vonuar!
U krijuan “aliazhe” të çuditshme e të panatyrshme !
Bashkpunëtorët e arkanëve e të regjimit kriminal të Milosheviçit, kërkuan, gjetën e joshen ca kopukë duke hyrë në simbiozë me ta……
Autoritete të tilla falso, populli i njihte, por meqë ata  “gufonin” , popullin, familjen e njeriun shqiptar e kaploi dëshpërimi.
Shpresa e besimi u thyen !
Njerëz të ndershëm shpesh dëgjoheshin duke thënë ,,Nuk kishte qenë gjë kjo punë”!
Tashmë kemi me dhjetëra Televizione, që në logjikën e pleqëve të dikurshëm me dhjetëra ” shejtanë” në shtëpi!!!
Mysafirë në Televizione të lloj-llojshëm, që shpesh derisa komandojmë telepilotin , na kujtohet fjala e popullit ; ” Zgjedhma një dreq”, me ndonjë përjashtim Televizionet , nuk është se impenjohen fort për mesazhin që përcjellin tek publiku, duke filluar që nga bastardimi i gjuhës, përmbajtja programore; e cila lë për të dëshiruar.
Mbi dy dekada serialet e huaja janë bërë pjesë e pandashme e familjeve tona, kanë ndikuar e janë bërë deri-diku mënyrë sjellje e jetese të pjesës dërmuese të familjeve tona.
Kjo kulturë e huaj , ka krijuar mënyrë të re të të konceptuarit të gjërave, fenomeneve, dukurive, duke lëkundur edhe disa vlera të çmuara tradicionale, që koha i kishte verifikuar si të dobishme madje identitare për kombin!
Kjo lëkundje e themeleve ka shkaktuar trandje, keqkuptime, kontradita e konflikte, sidomos në familjet  ku niveli intelektual e kulturor ishte relativisht i ultë, por edhe tek brezi i ri , tek Ata në ndërtim e sipër të personalitetit.
Të gjendur në udhëkryqin e jetës, në rrethana të caktuara socio- ekonomike, ata bijnë pre e këtij ndikimi , duke u shkëputur nga “shinat” e traditës!
Abuzimi me lirinë, pabesia, kurthet e intrigat në jetën reale shkaktojnë dëme dhe përherë marrin ndëshkim, për gjërat e paduhura njeriu ka reperkusione, pasuria pa djersë duhet të hetohet e konfiskohet…
Njeriu në këtë botë ekziston e sillet në bazë të një kontrate fillimisht me Krijuesin-Zotin, me rrethin, popullin e pastaj me shtetin, ligjin !
Të gjithë këta përcaktues e mbikqyrës të sjelljes sonë kanë të përbashkëtën ; E jotja është e jotja, E huaja është e huaj, dhe një mori rregullash e normash që orvaten për paqen e mirëkuptimin !
Familja shqiptare, ku është në këtë trekëndësh, apo më shumë i shkon shprehja popullore ” As me shehër, as me Barilevë” !
Liria është e pamjaftueshme për secilin, është e kufizuar, normat e përpjestojnë dhe si e tillë askujt si mjafton, as gardianët nuk janë të lirë , edhe Ata janë të ” burgosur “, as vet ligjbërësit nuk kanë liri të mjaftueshme, askush e asnjëri….
Keqkuptimi i lirisë ose abuzimi me lirinë sot, Familjen rrjedhimisht shoqërinë shqiptare e ka vënë në zgripc !
Normat nuk janë e, nuk ishin përjashtuese;
Dikur, babai që martonte vajzën e këshillonte;  Shko bija ime, përshtatju atyre njerëzve, siç i kanë doket e zakonet, puno e përkushtoju hakikat familjes…!
Fisheku në pajë, nuk vlente vetëm për vajzën që bëhej nuse , por e obligonte poaq, edhe djalin që bëhej dhëndër !
Ky zakon patriarkal, tejet i vrazhdë e rrëqethës po mbetet ,, lule” karshi sherreve e krimeve që po ndodhin tash në familjet shqiptare, ku viktima bëhen edhe Ata me të pafajshmit, fëmijët !
Ku është roli i prindit sot, a guxon prindi me “komandu” telepilotin, prej djalit e vajzës?!
A sqaron prindi sot djalin a vajzën se, të krijosh familje dmth të sakrifikosh, të privohesh nga liritë, të reduktosh të drejtat e të dyfishosh a shumfishosh obligimet…!
A u tregon dikush se rrita e fëmijëve kalon nëpër një urë që quhet prind !
Shfrenimi, ka lëkundur themelet e Familjes Shqiptare, kësaj kalaje të dikurshme !
5.12.2022

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …