Lajme për orën 14:00 --- 18.03.2021 Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se çështja e mosvotimit të Vjosa Osmanit për presidente është temë e mbyllur dhe sipas tij ky mbetet qëndrim i PDK-së. Hoxhaj tha se arsyeja që PDK nuk e mbështet Vjosa Osmanin për kryetare të Kosovës është se ajo nuk reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës. ”Qëndrimi i PDK-së është super i qartë. Ne nuk e mbështesim kandidaturën e saj, nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë në votim. Prandaj çështjet e tilla të qëndrimeve në sallë mendoj që janë tema të natyrës teknike.Besoj që e kemi pasur debat të gjatë në takimet e kryesisë së PDK-së, e kemi folë në Këshillin Drejtues dhe kjo temë është e mbyllur. A qëndron në sallë apo jo, nuk ka asnjë vlerë. Vlera është, a merr pjesë apo nuk merr pjesë në votim”, tha ai. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo parti do të vendos të shtunën nëse do të përkrahin Vjosa Osmanin për presidente. Ai tha se po ashtu në takimin e së premtes me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin do të diskutohet.Abdixhiku tha se LDK-ja është e interesuar të shmangen zgjedhjet e reja dhe të kemi institucione demokratike. Kreu i LDK-së në konferencën për medie pas takimit me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, tha të shtunën do të konstituojnë edhe Kryesinë e partisë. Këtë çështje dhe këtë pyetje duhet trajtuar më kohë, nesër kemi takimin me palët. Të shtunën kemi konsolidimin e kryesisë dhe aty do të marrim vendimin. Ajo çfarë ne synojmë është të shmangim zgjedhjet, të formojmë institucionet demokratike”, tha ai. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me Artan Grubin, zëvendëskryeministër i parë në Maqedoninë e Veriut. Haradinaj në një konferencë të përbashkët për medie, pas takimit ka deklaruar se do ta mbështesin procesin e regjistrimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. “Duhet të tregojmë mbështetjen për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, e kam fjalën për shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë atje”. “Ne duhet të jemi bashkë, të përkrahim dhe të ndihmojmë në procesin e regjistrimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, kudo qofshin ata, qoftë edhe në diasporë. Sepse me këtë proces, ata do të ndihmojnë veten, do t’i ndihmojnë familjet e tyre, do ta ndihmojnë atdheun e tyre si dhe gjithë rajonin”, ka thënë Haradinaj. Qeveria në detyrë ka miratuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2020. Sipas njoftimit për media, ky raport financiar pasqyron në mënyrë të saktë dhe të drejtë financat dhe transaksionet financiare të institucioneve të Kosovës nga Buxheti i Kosovës, fondet në mirëbesim, grantet e përcaktuara të donatorëve, të hyrat vetanake, të hyrat e dedikuara, huamarrjen dhe shpenzimet për menaxhimin e pandemisë COVID-19 për vitin fiskal 2020. Sipas njoftimit, ky raport është në përputhje të plotë më kërkesat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe është në pajtim më standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin publik të bazuar në para të gatshme. Sipas këtij raporti pranimet e përgjithshme për vitin 2020 kanë qenë 2,206,647.000, euro, që është për 16 milionë e 275 mijë euro më pak se në vitin 2019, ndërsa pagesat kanë qenë 2,334,943.000 euro, krahasuar me vitin 2019 janë më të mëdha për 2 milionë e 817 mijë e 503 euro. Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka nisur trajtimi i pacientëve me COVID-19 me plazmën kovalescente që nga data 5 shkurt. Kërkesat për trajtim të tillë, çdo ditë po rriten, si terapi mbështetëse për pacientët me koronavirus. Megjithëkëtë kohëve të fundit po shohim ftesa publike për t’u siguruar dozat e gjakut nga ata që tashmë e kanë kaluar sëmundjen e COVID-19. Por infektologu Sali Ahmeti tha se në Klinikën Infektive, ka doza të gjakut të grumbulluara si rezervë, por ka raste kur ka edhe mungesë, pasi që kërkesat ndonjëherë janë të shumta në të njëjtën kohë. Infektologu Ahmeti ndërkohë shtoi se trajtimi i pacientëve me koronavirus me plazmë konvalescente mund të rezultojë me efekte të mira të pacientët që e marrin këtë trajtim në kohën e duhur. Sikurse çdo sëmundje tjetër edhe kjo është e ndërlidhur me kohën, pra, dhënia në kohë të duhur është po aq e rëndësishme sa edhe ilaçi. Kjo jepet nga dita e shtatë deri në të dhjetën, që të ketë efekt të mirë’’, tha Ahmeti. Ndarja e gjakut nga plazma bëhet në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut. Ish-kryetari i Kushtetueses Enver Hasani ka thënë se deputetët e kanë për obligim kushtetues të qëndrojnë në sallë në momentin e votimit të kryetarit të Kosovës dhe se ata nuk mund të mungojnë përveç me leje të kryetarit të Kuvendit. Ai ka thënë se qysh në raundin e parë në kutinë e votimit duhet të jenë votat e 80 deputetëve. “Nëse kandidati nuk i merr 80 vota pro, shkohet në raundin e dytë. Por nëse nuk janë 80 vota në kuti (kuorumi i dy të tretave të deputetëve], procesi nuk vazhdon dhe brenda 60 ditëve nëse nuk vjen në rend ditë zgjedhja e presidentit përsëri, shkohet në zgjedhje”, tha Hasani. Sipas tij, kryetari i ri i Kuvendit me automatizëm e merr postin e presidentit dhe e ushtron atë detyrë për aq ditë sa kanë mbetur. Më 18 dhe 19 mars mbahet testimi i inteligjencës dhe njohurive të përgjithshme për rekrutët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes dhe Sigurisë së Kosovës. Siç bëhet e ditur se testimi do të mbahet në pesë kazerma të qyteteve të ndryshme. Në ditën e testimit kandidatët duhet të kenë vete fletë dëshminë e aplikimit (numri unifikues personal), letërnjoftimin ose pasaportën si dokument identifikimi. Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar nga kandidatët të paraqiten 15 minuta para kohës së orarit të publikuar, të kenë maska mbrojtëse kundërCOVID-19, dhe se gjatë testimit nuk lejohen telefonat, orët e mençura, kalkulatorët dhe çdo pajisje tjetër digjitale. Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, Lirak Çelaj, ka deklaruar se ka kërkuar dorëheqjen e Kryesisë, mirëpo, sipas tij, pas tendencave për manipulim të procesit, e ka tërhequr kërkesën.Ai ka thënë se kërkesën për votëbesim ndaj Kryesisë së PDK-së e bëri për shkak se konsideron se dikush duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin e dobët të partisë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, ka treguar për defilimin që do të bëhet nesër nëpër rrugën e Prishtinës me autobusë në shenjë proteste. Ai sërish ka përsëritur se nuk do të ndalet greva, derisa Qeveria të respektojë marrëveshjen që është nënshkruar në janar, për subvencionim. Transporti ndërurban dhe ai periferik urban, të mërkurën, janë futur në grevë të përgjithshme, duke lënë pa autobusë shumë udhëtarë, nga të gjitha rajonet e Kosovës. Ai ka treguar se më 28 janar ishte nënshkruar marrëveshja me Ministrinë e Infrastrukturës për mbështetje të sektorit të transportit ndër-urban dhe ndërkombëtarë, por nuk është bërë kjo. Komisioni Evropian ka propozuar të mërkurën lëshimin e “pasaportës së gjelbër për COVID-19”, përmes së cilës synohet lehtësimi i lëvizjes së njerëzve brenda Bashkimit Evropian, në kohën e pandemisë. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka thënë gjatë paraqitjes së këtij propozimi se synimi është që sa më parë të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe kjo është e mundur në afat të gjatë vetëm përmes vaksinimit gjithëpërfshirës. Komisioni Evropian ka sqaruar se këto pasaporta do të kenë tri elemente, të cilat do të duhej të ishin të mjaftueshme për të mundësuar lëvizjen e njerëzve. Elementi i parë përmban vërtetimin për vaksinim kundër COVID -19, i dyti, vërtetimin për test negativ në këtë virus dhe i treti, vërtetim se personi është shëruar nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi. Të gjitha këto pasaporta duhet të përfshijnë edhe të dhënat për datën e vaksinimit apo testimit, emrin e institucionit që e ka bërë testin apo vaksinimin, emrin e vaksinës dhe afatin e vërtetimit.

Getoar Mjeku: Serbia duhet ta njohë Kosovën, por njohja nuk është shërbim që Kosova duhet ta paguajë me një copë të vetes

Serbia duhet ta njohë Kosovën. Por njohja nuk është shërbim që Kosova duhet ta paguajë me një copë të vetes. Ka një mënyrë tjetër me zgjidhë këtë çështje.

Urimet nga Shtëpia e Bardhë paralajmëruan epilogun e bisedimeve Kosovë–Serbi: ndreqje e marrëdhënieve me njohje të ndërsjellë. Nga Evropa bënë thirrje për kompromis. Skeptikët e përkthyen këtë si shitblerje, duke pyetë çka do t’i japë Kosova Serbisë në këmbim të njohjes. Qeveria jonë e re duhet të punojë me parime, jo pazare, për zgjidhje të qëndrueshme.

Dialogu na qet tri detyra parësore. Së pari, duhet të tregojmë ç’domethënë njohja që kërkojmë. Së dyti, duhet të refuzojmë çdo ujdi që zbeh njohjen që kërkojmë. Dhe së treti, duhet të përvijojmë zgjidhjen e mundshme që mbron Kosovën, kënaq miqtë dhe hesht kundërshtarin.

Me fjalë të tjera, duhet të dëftojmë çka po lypim, të ruajmë çka nuk falet, dhe të bindim Serbinë me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare.

1.

Njohja kuptimplote shkon përtej përkufizimit libror.

Me njohë pavarësinë e Dardanisë domethënë me i pranu shkaqet e saj — se popullit tonë i takon e drejta e vetëvendosjes, se Serbia ka kolonizuar padrejtësisht tokën tonë dhe ka kryer gjenocid mbi shqiptarët vendas, dhe se asnjë shtet i huaj nuk mund të ushtrojë sovranitet mbi republikën tonë.

Serbia duhet ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur e sovran, po se po. Por duhet të ballafaqohet me të kaluarën dhe të zgjidhë çështjet e kolonizimit, pushtimit, diskriminimit sistematik, luftës, gjenocidit, racizmit e të ndër­hyrjeve të saj të vazhdueshme në vendin tonë.

Në dy shekuj shtetësie, Serbia ka sponsoruar plane të shumta për t’i zhdukë shqiptarët dhe për të gllabëruar tokën e tyre — i pari dokument u shfaq më 1844 dhe i mbrami më 1988. Duke parë dobësimin e Perandorisë Osmane, Beogradi u është qasë të krishterëve ortodoksë në Dardani e më gjerë, duke i nxitë me çdo mjet të bëhen serbë. Në 150 vjet, Serbia ka invaduar, pushtuar e aneksuar Kosovën nja pesë herë — më 1877, 1912, 1919, 1945 e 1989. Gati çdo herë ka pretenduar se po mbron trashëgiminë kulturore dhe komunitetin serb, por përherë ka përfunduar duke vra e duke përzënë civilët shqiptarë.

Historiani britanik Noel Malcolm e shpjegon qartë interesimin e Serbisë për monumentet ortodokse në Kosovë: më 1914, Beogradi pranoi që Patrikana e Pejës dhe Manastiri i Deçanit t’i mbeteshin Malit të Zi.

Gjatë një dekade të bisedimeve të pabarabarta, Serbia ka nxjerrë përfitim pas përfitimi kundrejt shtetit të Kosovës. Shpurat tona të papërgatitura kanë pranuar ndarjen e gjyqësorit dhe të policisë në vija etnike, në kundërshtim me kushtetutën. Janë pajtuar gjithashtu për themelimin e Zajednicës si një parashtet serb, që do të përjashtonte joserbët nga 10 komuna të vendit dhe që dështoi vetëm pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Duke fuqizuar Listën Srpska si parti antishtet, ndërkaq, Beogradi po zhbën integrimin e serbëve, po frikëson qytetarët dhe po cenon demokracinë në Kosovë.

Që Serbia ta njohë njëmend Kosovën e pavarur, duhet të heqë dorë prej çfarëdo tagri dhe preteksti me u përzi në punët tona.

Na mbetet ne të përvijojmë mekanizmat që mospërzierjen e bëjnë detyrim të zbatueshëm, përtej një premtimi sa për sy e faqe të Beogradit. Pikënisjen e gjejmë te organizatat sipërkombëtare të Evropës.

2.

Serbia duhet ta njohë Republikën e Kosovës ashtu siç është.

Kosova nuk mund të japë diçka për të siguruar këtë njohje. Sepse kjo «diçka» është një pjesë e vetvetes — territor në Veri ose sovranitet në mbarë vendin — dhe nuk mund të jepet pa e tjetërsuar vet­veten. Nëse Republika e Kosovës fal territor ose kompetenca sovrane, ajo pushon së qeni Republika e Kosovës. Kështu Serbia nuk e njeh shtetin tonë, por bashkëthemelon një entitet të ri thelbësisht antishqiptar dhe anti-Kosovë.

Pazari pra është e kundërta e njohjes. Beogradi nuk bën të jetë mbrojtës i komunitetit serb, tutor i partive politike, pararojë e trashëgimisë kulturore ose përcaktues i politikave shtetërore. Dhe Kosova nuk guxon të ndryshojë kushtetutën as të miratojë ligje për të akomoduar kërkesat e Beogradit.

Pushteti kushtetutëbërës i takon sovranit, dhe kushdo që dikton ndryshime kushtetuese në Kosovë bëhet pronar i këtij pushteti, bëhet sovrani. Njohja nuk ka kuptim kur humbet shteti. Shteti humbet me çfarëdo ujdie që Kosovën e vë në pozitë të pabarabartë ndaj Serbisë.

E kur çka-ja sugjeruese nuk fashitet dot, përgjigjen e gjejmë te një tjetër lloj i kompromisit.

3.

Kompromisi ynë është zgjidhja evropiane.

Kosova e Serbia mund t’i ndreqin marrëdhëniet vetëm si shtete evropiane. Çfarëdo aranzhimi i posaçëm, që s’do të vlente kurrë për vende të tjera të Evropës, është fyes dhe i paqëndrueshëm — fyes se e merr rajonin për një të sëmurë të përhershëm, i paqëndrueshëm sepse nuk e nxit Serbinë me ndryshu.

Evropa mund t’i prijë zgjidhjes së duhur me shembullin e vet, duke pru njohjen e munguar prej pesë shteteve ngurruese. Kurse ShBA-ja, me administratën këmbëngulëse të kryetarit Joe Biden, mund të mbajë kontinentin e vjetër në binarët që ka shtruar vetë.

Dy vendet do të lidhin marrëveshje paqeje, për çështje që u takojnë atyre, por me parime që i pranon për vete cilido shtet evropian. Kështu sigurojmë njohjen e njëmendtë të Republikës së Kosovës, ia pamundësojmë Beogradit të ndërhyjë në punët e Kosovës siç ka bërë për 150 vjet, sigurohemi se nuk shtrëngohemi ta ndryshojmë kushtetutën për tekat hegjemoniste të Serbisë, dhe ngurtësojmë themelet e demokracisë.

Evropa e sotme ka ndërtuar paqen përmes shtetit demokratik dhe organizatave sipërkombëtare. Zgjidhja evropiane mund të bëhet kompromisi i mbarë në dialogun Kosovë–Serbi, duke mbrojtë interesat tona dhe duke trajtuar përmbajtjesisht shqetësimet e të tjerëve. Kjo zgjidhje i jep kuptim bisedës mes qeverisë kosovare e komunitetin serb, u del krah shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, dhe mënjanon pengesat që qytetarët dhe bizneset përjetojnë kur përballen me kufirin ndërshtetëror.

Kur shteti nuk i del krah, individi e komuniteti sot duhet të gjejë mbështetjen në shtyllat sipërshtetërore në Bruksel e në Strasburg — në institucionet e Bashkimit Evropian dhe organet e Këshillit të Evropës. Nëse këto shtylla nuk mjaftojnë, Evropa duhet t’i reformojë e t’i forcojë ato njëlloj për secilin shtet; ato për këtë punë janë ngritë, që të veprojnë kur shteti nuk mundet. Nëse vendet e Evropës mbarë nuk pajtohen me këtë formulë, ka gjasa që të jetë e gabuar për Evropën Juglindore.

Prandaj na duhet një zgjidhje e drejtë evropiane. Këtë s’e mbërrijmë me kuota të manipulueshme dhe bantustane, që fuqizojnë politikanin e korruptuar dhe shtypin qytetarin e ndërgjegjshëm, por përmes parimeve të shëndosha, institucioneve demokratike dhe kontrollit të pavarur gjyqësor në shtet e në kontinent.

Në vend se të mëtojë një kushtetutë të re kosovare, ndërmjetësi duhet të mendojë për një Evropë më të mirë. Të pyesë, bie fjala, çfarë nuk mjafton në Konventën kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, ose në Kartën evropiane për gjuhët rajonale ose të pakicave ose në Kartën evropiane për vetëqeverisjen vendore? Si mund t’i përmirësojmë e t’i zbatojmë më lehtë këto instrumente? Si mund t’i vëmë ato në shërbim të qytetarëve të Kosovës e Serbisë? Dhe cilat janë fundja kërkesat e këtyre qytetarëve evropianë?

Është lehtë për ta përvijuar, vështirë me ia qitë fundin, por me gjasë e vetmja rrugë që kemi.

(Autori është avokat në SHBA)

Kontrolloni gjithashtu

Eliot Engel: Qeveria e Serbisë duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe se e tillë do të mbetet

Ramiz Lushaj: “MIRËNJOHJA SHQIPTARE”  për Kongresmenin Amerikan ELIOT ENGEL,  nga “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024” 

Kongresmeni Amerikan Eliot ENGEL- ish Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme  të Kongresit Amerikan, një mik i shquar i Shqiptarëve në Ballkan e në Amerikë, një ndër  kontributorët e mëdhenj për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës, për  Njohjet Ndërkombëtare të saj, u nderua me Çmimin e Madh “Mirënjohja Shqiptare“ nga  “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024″ (Këshilli Kombëtar Organizativ i Takimit), ku merrnin pjesë  511 të Ftuar Nderi nga Republika e Kosovës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e  Preshevës e Sanxhaku, Çamëria, Europa, Amerika, Australia, etj.. mbajtur këto ditë në në sallen  “Beethoven” të “Emerald Hotel” (me pesë yje) në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës.    Çmimi i Madh “Mirënjohja Shqiptare“ për Kongresmenin Amerikan Eliot Engel, mban  të nënshkruar motivacionin: “Për kontributet e shquara si Kongresmen (1989-`21) dhe Kryetar i  Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan (2019-`21) për Lirinë, Pavarësinë e  Shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe për njohjet ndërkombëtare të saj”.  Kongresmeni Amerikan Eliot Engel nga Nju Jorku iu drejtua “Takimit të Madh të  Prishtinës, 2024” me një Përshendetje (e dërguar në shqip e në anglisht), e cila u lexua në  …