Kanë kaluar 135 vjet nga ajo mynxyrë gjëmimtare, e shpirti i kombit tonë edhe sot e kësaj dite vazhdon të dridhet dhe mendja e kombit tonë ende nuk po arrin ta kuptojë: Pse u sollën ashtu Fuqitë e Mëdha ndaj shqiptarëve?! „Një skuadër detare ndërkombëtare prej 20 anijesh lufte, me 7000 këmbësorë detarë dhe me 138 gryka zjarri, kaloi në mënyrë demonstrative gjatë bregdetit shqiptar.“
„Në Shkodër u shpall shtetrrethimi dhe 17 batalione turq rrethuan qytetin.“ (Historia e Shqipërisë, vëll.II, Tiranë 1965, f.176. Më tutje: H.Sh.)
20 anije lufte të fuqivet më të mëdha të atëhershme botërore! Nuk ish flota e një shteti të vetëm! Ish flota e një koalicioni shtetesh më të fuqishëm botërorë, e cila kish marrë përsipër të përulte një qytet fare të vogël, për t’ia dorëzuar një shteti të huaj, edhe ai fare i vogël!
7000 këmbësorë! Ulqini s’i kish aq banorë! 138 gryka topash! A i kish aq shtëpi banimi Kalaja e Ulqinit?!
E gjithë kjo po m’i kujton ditët e sotme, kur të gjitha fuqitë perendimore, SHBA-ja dhe BE-ja, organizuar në një koalicion të madh ushtarak, me emrin NATO, po merren prapë me fatet e shqiptarëvet e të Shqipërisë. Në vargun e gjatë të manovravet diplomatike, formulimevet ligjorë e nënligjorë, deklaratë pas deklarate, pako pas pakosh, vizitë pas vizite, çarmatim pas çarmatimi, bisedime pas bisedimesh, marrëveshje pas marrëveshjes, nënshkrime pas nënshkrimesh, në vargun e gjatë të pritjevet të pafund për të qenë edhe Kosova, kjo pjesë shekullore e Iliro-arbro-Shqipërisë, një vend i lirë, diplomacia evropiane, brukselase, shpiku edhe një marifet, që Kosova PËRSËRI të mos jetë e lirë.
Intervista të shumta anlistësh në Prishtinë, në Bruksel, në Londër, në Vashington! Që të gjithë thonë që ASOCIACIONI i komunavet sërbe brenda shtetit të Kosovës, nuk është diçka e dëmshme, as e jashtzakonshme, përkundrazi, është fare e pranuashme. Është një kërkesë krejt e ligjshme e cilësdo pakicë kombëtare brenda një shteti sovran. Asociacion, bashkësi, zajednicë komunash, quaje si të duash, nuk përbën kurrfarë rrëziku për shtetin tuaj.
Z.Xh. Kerri thotë: “Ne kemi investuar shumë për ju. Nuk do të lejonim kurrë që të dëmtohet Kosova.” Dhe, kur një sekretar shteti i SHBA-së thotë kështu, a ka shqiptar që të mos e besojë?!
Mirëpo, rasti i Ulqinit mua nuk më lë të jem i qetë. Dua ta besoj z.Xh.Kerri, por viti 1880 më buçet, më bubullinë, m’i shpon veshët. Shoh thjeshtë një inversion: Ç’thoshte sulltani atëherë për viset e Shqipërisë, thotë edhe SHBA-ja sot për viset e Shqipërisë.
Në pranverë të 1889-s u duk sikur në Londër po merrte formë një qëndrim realist ndaj shqiptarëvet dhe përgjithësisht ndaj problemevet të Ballkanit. Kryeministri Gledston mendonte se në Ballkan duheshin zhdukur, duheshin eliminuar, vatrat e konfliktit. Ambasadorët britanikë në Stamboll, Lajard (Layard) dhe Goshen mendojnë se çështjet e kufirit greko-turk (Lexo: greko-shqiptar) dhe turko-malazias (lexo: shqiptaro-malazias), nuk do të mund të zgjidheshin pa konflikte, po të mos i jepej popullsisë shqiptare, për humbjet territoriale, një „satisfaksion“. (H.Sh, f.171)
Por, në ato ditë vape, me sa duket, diplomacisë angleze ia zë rrugën një humor banal i Austro-Hungarisë dhe ministri i jashtëm britanik Granvil (Granville) e udhëzon kryekonsullin K.Grin (Green) në Shkodër, që të studionte mundësinë e një autonomie për vilajetin e Shkodrës. Humor vërtet i papërtypshëm.
Vazhdimi i humorit: Kryekonsulli austriak Lipih (Lippich) dhe kryekonsulli anglez hartojnë një „projekt“ për një autonomi, ku do të përfshihej veçanërisht Malësia (katolike) e Mbishkodrës.
Parë me syrin e sotëm, 135 vjet më vonë, ata kryekonsuj na duken si ca adoleshentë të kurdisur së prapthi, njerëz që nuk i njohin as historinë, as diplomacinë, as politikën, le më të njohin të drejtat e kombevet, në harmoni edhe me të ardhshmen e vetë vendevet të tyre. 2 vjet më parë, më 1878, ish krijuar në Prizren një LIDHJE SHQIPTARËSH, e plotë dhe me kërkesa të qarta politike, krejt të pranueshme, por ata kryekonsuj, jo vetëm me syrin e sotëm, por edhe me syrin e atëhershëm, nuk meritonin të ishin as barinj kecërish. Kuptohet, edhe diplomacitë që ata përfaqësonin.
Më 26 qershor 1880 hartohet një notë, ku Londra dhe Vjena, duke i rënë të njëjtit tambur, e këshillonin sulltanin t’i jepte vilajetit të Shkodrës një „administratë autonome“. Lidhja Shqiptare e Prizrenit kish kërkuar që Shqipëria dhe shqiptarët të trajtoheshin si një tërësi e pandarë, Londra e Vjena „shqetësoheshin“ për një grusht katolikësh të Këlmendit, Hotit e grudës! Nivel vajtimisht i ulët i diplomacisë “më të kompletuar” botërore! (Krs. H.Sh.f.171)
Më kot ambasadori britanik në Stamboll, Gosheni, i sugjeron shtetit të vet që shqiptarët të trajtohen si një element që nuk duhet kapërcyer. Më kot ia tërhiqte vëmendjen Londrës se pranimi i këtij realiteti, i realitetit shqiptar, i ekzistencës së kombit shqiptar në këto hapësira, do ta ndihmonte politikën britanike për t’i mbyllur shtegun depërtimit të mëtejmë influences së Rusisë në Ballkan. Më kot i thoshte Gosheni qeverisë së vet, se, po të formohej një Shqipëri e fortë, ky popull do të bëhej një burim pengesash nga më të mëdhatë për vendet sllavë dhe grekë. Gosheni mendonte se parimi i autonomisë së Shqipërisë do ta zgjidhte ÇËSHTJEN LINDORE. As më pak, as më shumë! Po kujt t’ia thoshte?! (Krs. H.Sh. f.172)
Diplomatët anglezë, ç’është e vërteta, përpiqeshin që edhe Austro-Hungarinë ta tërhiqnin në këtë hulli arsyetimi. Ata thoshin që një Shqipëri e bashkuar do të bëhej garanci e mjaftueshme për qetësinë e Ballkanit. Mirëpo, Austro-Hungarisë së atëhershme nuk i punonin veshët për të dëgjuar të tillë sugjerime. Në vend që të pajtohej në këtë pikë me logjikën realiste të anglezëvet, Austro-Hungaria kish frikë se mos një Shqipëri e bashkuar do t’i pengonte interesat e saj drejt Jugut, prandaj, nga njëra anë donte t’i bindte shqiptarët që t’ia falnin Ulqinin Malit të Zi, nga ana tjetër, “angazhohej”, foshnjërisht (apo ndoshta cinikisht), për krijimin e një “Shqipërie” në Malësinë e Mbishkodrës, nisur thjeshtë nga fakti që ajo Malësi na qenkësh katolike. (Krs: H.Sh. f.172) Dhe nuk shikonte që gjysma e familjevet të nominuara si myslimane i kishin llagapet: Gjoka, Gjonleka, Gjonbalaj, Marku, Martini, Berisha, Gashi, Lleshi, Krasniqi, Kastrati.
Më 23 gusht 1880, Komisioni Evropian për Rumelinë Lindore, nënshkruante, më në fund, projektin austrohungarez, më të papërshtatshmin projekt që ish parashtruar, dhe krejt ravgimet e gjithë asaj lukunie diplomatësh e burrash të shtetevet, përsa i përket Shqipërisë, por, lidhur me këtë, edhe të vetë ardhmerisë së Evropës, përfundojnë te një VRIMË NË UJË. (Krs: H.Sh. f.173)
Ministri i jashtëm gjerman Hohenlohe kish propozuar, në gusht 1880, që pjesa shqiptare e Vilajetit të Janinës, së bashku me “Shqipërinë tjetër” të krijonte një shtet, dhe ai shtet të kryente një “bashkim personal” me Greqinë. Konti Seçenji (Szechenyi), ambasador austrohungarez në Berlin, e përforcon menjëherë idenë “gjeniale” të Hohenlohes dhe thotë, edhe më “gjenialisht”, se do të ish më mirë një Shqipëri nën hegjemoninë greke, sesa një Shqipëri e pavarur. (Krs: H.Sh. f.173-174)
Këto janë vorbullat në të cilat notonte “mençuria” evropiane, duke rrëzikuar në çdo çast, që, duke e mbytur në mënyrë aq çorientuese Shqipërinë, të mbytej krejt Evropa në ato vorbulla, siç edhe u mbyt 34 vjet më vonë, në vitin 1914.
Kapitulli i vargut të gjatë të të gjithë atyre “operacioneve”, që unë nuk po i rendit këtu, për të mos e mërzitur lexuesin, do të mbyllej me gjëmën që ato Fuqi të Mëdha do t’i sillnin një qyteti fare të vogël, me emrin ULQIN. Ato Fuqi të Mëdha i bënë ultimatum sulltanit: O ULQININ, O IZMIRIN! Është krejt e kuptueshme që sulltani do ta sakrifikonte Ulqinin, për të ruajtur Izmirin. Sulltani “I donte fort ulqinakët”. I këputej shpirti për ta, por s’kish ç’të bënte, se ia kish zënë rrota bishtin.
Ditën kur z.Xh.Kerri po e vizitonte Prishtinën, m’u kujtuan të gjitha këto. SHBA-ja e do fort Kosovën (dhe kjo nuk vihet aspak në dyshim), por SHBA-ja po u nënshtrohet ca makinacioneve të ulët, siç iu nënshtrua Anglia në vitin 1880, makinacioneve të ulët (në thelb, aspak të mençur), të shtetevet të tjerë, meskinë dhe lakmitarë përfitimesh të çastit.
SHBA-ja ua la francezëvet “për ta çliruar” Mitrovicën Veriore! SHBA-ja pranoi armëpushimin anti-UÇK dhe antishqiptar të Kumanovës! SHBA-ja (në mos e bëri vetë me prapavijë të caktuar antishqiptare), e pranoi çarmatimin e UÇK-së! SHBA-ja e pranoi Pakon e Ahtisarit! SHBA-ja e pranoi Gjyqin e Hagës, pa kërkuar që, në radhë të parë dhe para shqiptarëvet, që ishin aleatë të saj, të shkojnë në Hagë të gjithë gjeneralët dhe oficerët e lartë të Sërbisë, si palë armike në atë luftë! SHBA-ja pranoi EULEXIN në Kosovë! SHBA-ja pranoi edhe Gjykatën Speciale në Kosovë! SHBA-ja ka pranuar që as të mos shtrohej për diskutim opcioni i bashkimit të Republikës së Kosovë me Republikën e Shqipërisë dhe, bashkë me “dashamirët” e tjerë të shqiptarëvet, u ka imponuar shqiptarëvet të Republikës së Kosovës një flamur lara-lara! Më në fund, SHBA-ja po pranon (pas atij të Bosnjës), edhe një SHTET tjetër të Sërbisë, jashtë Sërbisë, dhe po pranon një demarkacion me hile midis Kosovës dhe Malit të Zi!
Dita e dorëzimit të Bonstillit nuk ka ardhur ende, por unë dua t’u kujtoj politikanëvet të SHBA-së (dhe atyre të BE-së), që, në vitin 1880, Ulqini ka qenë një Bonstill i mirëfilltë për krejt Perandorinë Osmane. Ka pasur atëherë Ulqini 400 anije, mes të cilavet një numër jo i vogël anijesh të quajtura pirate, por që, në të vërtetë, ishin anije lufte dhe mbronin kufijtë detarë të krejt Perandorisë Osmane. (U paralizuan të gjitha, para demonstrimit të flotës antiosmane, siç ka të ngjarë të paralizohen nesër të gjithë llojet e armëvet në Bonstill, para manovravet ruso-sërbo-kineze, për t’u dalë zot sërbëvet” të rrëzikuar” të Graçanicës.) Pas rënies nën sundimin malazias, Ulqinit s’i mbeti më thuajse asnjë anije.
Këtu nxjerr krye edhe qëllimi, pse Fuqitë e Mëdha e organizuan gjithatë demonstratë navale dhe këtu nxjerr krye edhe qëllimi, pse Rusia e Sërbia po kërkojnë krijimin e një zajednice sërbe, qelbëzuese dhe të shtrirë që nga Leposaviqi deri në Brezovicë.
Pas gjithë këtyre lëshimeve që po u bën forcavet “politiko-diplomatike”, në thelb vetëshkatërruese të Evropës, SHBA-ja, jo vetëm që, një ditë prej ditësh, DO TA DORËZOJË BONSTILLIN, por ka rrëzik që ajo të nënshkruajë edhe një Shën-Stefan tjetër, diku në ndonjë lagje të Vashingtonit.
Unë po i shkruaj këta ogure të zez, sepse NUK DËSHIROJ kurrsesi të ndodhë ashtu. NUK DËSHIROJ, sepse, i pari që do ta pësonte në këtë përpëlitje a la perendimorçe të diplomacisë perendimore, do të ishte kombi im.
Ndërkaq, rruga e daljes nga ky labirint vetëhumbës, nuk është aspak e vështirë: Le të përkrahet Albin Kurti, vizioni i tij për Shqipërinë, dhe le të përkrahen bashkëmendimtarët e tij!
Nëse Perandoria Osmane do ta kish përkrahur Abdyl Frashërin e jo ARRESTUAR, jo vetëm historia e saj do të kish rrjedhur ndyshe, por edhe vetë Evropa ndoshta nuk do ta çonte veten deri te luftërat e vitevet 1914-1918.
Një shtet i fuqishëm shqiptar do të bënte që, të paktën Ballkani të mos ishte fuçi baruti. Një shtet i fuqishëm shqiptar do ta lagte krejt barutin e të gjithë shovinistëvet rretherrotull.