Gjokë Dabaj

GJOKË DABAJ: MË IKU EDHE SIMË DOBRECI

Ka qenë viti 1952, kur çdo të shtunë e bënim bashkë rrugën nga Tivari në fshatrat tanë afër Ulqinit, Krythë e Braticë. Sima ishte në gjimnaz, në vitin e tretë; në mos gabohem, unë isha në klasën e shtatë të tetëvjeçares. Rruga nga Tivari Nalt deri në Krythë e Braticë ishte rreth 30 kilometra. Ne e bënim më këmbë atë rrugë dy herë në javë: të shtunavet mbasdite kur shkonim në shtëpi dhe të hënavet kur ktheheshim në shkollë.

Ishim katër vetë: Gjoka i Pal’s Stanaj (djalë i ri që ish rritur në Egjipt e që punonte si nëpunës në Portin e Tivarit), Gjergj Stanaj, edhe ai gjimnazist, Sima dhe unë, më vogli.

Takoheshim poshtë spitalit, kalonim Tombën, pranë ullirit 2700-vjeçar, monument kulture i Tivarit, arrinim te Kroni i Zalefit, një krua ujëshumë, pranë të cilit nuk mund të kaloje pa u ndalur, pa e larë fytyrën dhe pa pirë ujë me grushta. Prej Kronit të Zalefit e linim rrugën automobilistike dhe i binim shkurt në një rrugë të moçme këmbësore. Kalonim permes vendit ku çetnikët malazezë, në shkurt 1944, kishin vrarë Stjepën e Kol’s Gjur’s, Pjetrin e Kol’s Gjur’s dhe Muharrem Dragovojën. Në vendet ku ishin vrarë, qe ngulur nga një gur. Në krahun e poshtëm të rrugës guri i Stjep’s dhe i Muharremit, në krahun e sipërm, rrëzë murit, guri i Pjetrit. Thoshin se Pjetri kish pasë mundësi të shpëtonte, por s’kish dashë me e lanë vëllanë të vdekun e me ikë. E kish marrë trupin e vëllait, e kish vënë në prehër dhe ish mbështetur te muri, deri sa e kishin vrarë edhe atë. Sa herë kalonim andej, ndaleshim dhe i shikonim ata gurë. Më tutje ishte katundi Dobrovodë, që dikur i kishin thënë Ujëmirë. Një katund i pasur që s’i mungonte asgjë, ashtu si edhe Zalefit e të gjithë fshatravet të tjerë të Tivarit. Në skajin jugor të Dobrovodës ishte Ullini i Egër, pikë kufitare që ndante Shqipërinë nga Mali i Zi në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Sa herë kalonim pranë atij ulliri, na vinte vetëvetiu pyetja: Italianët dhe gjermanët, që i patën pushtuar këta vende në atë kohë, pse nuk e vunë kufirin në perendim të Tivarit, atje ku edhe emrin e ka Kufin?! Mbas Ullinit të Egër, vinin Brinjat e Peçuricës, një rrugë që na dukej më e gjatë se të tjerat. E kalonim Peçuricën dhe ngjiteshim djathtas në Kunje e prej Kunjevet në Fushë të Goranës. Pastaj vinte malorja për të dalë në Qafë të Mozhurit dhe prej Qafës së Mozhurit, nëpër një lagje të Krruçit, arrinim në Krythë, aty ku unë ndahesha dhe tre të tjerët, Gjoka, Sima e Gjergji, zbrisnin për në Braticë.

Kjo ish njohja ime me Simën që në fëmijëri dhe rini të hershme.

Më vonë, edhe Simën edhe mua, në kohë të ndryshme, do të na tërhiqte krahina e Kosovës, atje ku shqiptarët kishin pak më shumë liri. Ose, thënë më saktë, atje ku shqiptarët luftonin më me këmbëngulje për larinë.

Unë zgjodha rrugën e organizimit ilegal, Sima zgjodhi veprimtarinë patriotike legale. Por të dyvet na udhëhiqte i njëjti ideal i kombit tonë.

Në vitet kur Doktor Sima, tashmë mjek dhe profesor i dallueshëm në Universitetin e Prishtinës dhe në Spitalin e Prishtinës, unë jetoja në Republikën e Shqipërisë. Simë Dobreci në atë kohë, e them me plot gojën dhe me shumë mirënjohje, i është gjendur vëllait tim, Palë Dabajt, si një vëlla i dytë. Vëllai im ishte inxhinier, Sima mjek. Jetonin afër njëri-tjetrit dhe i prisnin e i përjetonin së bashku të gjitha ngjarjet familjare.

Në vitet 1981 e këndej, Doktor Sima ishte pranë studentëvet dhe në përkrahje të demonstratavet studentore. Kjo bëri që ai, si shumë pedagogë e intelektualë të tjerë, u suspendua nga puna dhe u detyrua të kthehet në vendlindje.

Por, në jetën e njerëzvet të mëdhenj, ndodh që edhe privacionet në jetë i shfrytëzojnë për mirë. Prof.Dr.Simë Dobreci, me profesion mjek dermatolog, iu kushtua publicistikës patriotike. Së bashku me shokë atdhetarë, me të ndjerin Atë Vinçenc Malaj e me të tjerë, themeloi dhe udhëhoqi në Ulqin shoqatën “Dom Gjon Buzuku” si dhe një nga revistat më gjurmëlënëse me titullin kuptimplotë “Buzuku”.

Kam këtu një tufë të këtyre revistave, nga 1-shi deri te 43-shi, dhe po më duket sikur e kam Simën përpara meje. Është një enciklopedi krahinore, por edhe gjithkombëtare, pa përfshirjen e së cilës, cilado enciklopedi shqiptare në të ardhshmen, do të ishte e paplotë. Kush nuk e njeh Shestanin, i cili tashmë pothuaj nuk ekziston, e ka këtu, në faqet e kësaj reviste: Gjuha shqipe buzkiane e shestanasvet, traditat etnokulturore me relike të Antikitetit, veshja, sidomos e gravet, ilire të mbijetuara deri në shekullin 21, këngët popullore, vallja, toponimia, ngjarjet historike, personalitetet, të gjitha i ka përmbledhur e pasqyruar këtu, me një punë e përpjekje titanike, Prof.Dr.Simë Dobreci, njeriu që e shkriu krejt jetën në të mirë të kombit të vet… Në të mirë të kombit të vet, por pa qenë asnjëherë kundër ndonjë kombi tjetër! Kjo është e domosdoshme të vihet në dukje: Simë Dobreci ishte një humanist i mirëfilltë. Kombëtar deri në sakrificën sublime dhe altruist, pikërisht ashtu siç i takon të jetë një mjeku të vërtetë.

Kam përpara edhe libra të tjerë prej dorës dhe prej pëkujdesjes së tij si kryeredaktues. Midis tyre, “Përmbledhje vlerash njerëzore”. Do të mjaftonte vetëm ky libër për të kuptuar dimensionin dhe diapazonin e këtij njeriu, prej të cilit, më në fund, jemi të detyruar të ndahemi pa mundur t’ia çojmë një lule te arkivoli.

…Mendimet, formimi, përkushtimi ynë jetësor, bënë që gjithë jetën të ishim afër njëri-tjetrit. Sa herë që shkoja në Ulqin dhe ngjitesha përpjetë për në Krythë, ish e pamundur të mos i ktheja sytë në luginën e bukur të Braticës, ku gjendej shtëpia e Simë Dobrecit. Sa herë që më jepej rasti, kisha kënaqësi të madhe të kthehesha deri te Sima e të uleshim në atë oborrin e bukur, si në parajsë, ku Lulja, bashkëshortja e tij e mrerkullueshme, do të na gostitte me kafe, me raki e me gjithë të mirat. Kur flisnim për familjen e tyre, të madhe, të plotë e të bukur (shih faqen 4 të  librit “Përmbledhje vlerash njerëzore”), ndjenim sikur jemi e njëjta familje. Sa herë që nuk mund t’i shkoja për vizitë, më mbetej merak pse nuk shkova.

…Por mua, në këto ditë përjetimesh të idhët, kur po na largohen dhimbshëm disa nga shokët tanë më të mirë, si Simë Dobreci e si Moikom Zeqoja, po m’i trondit mendjen dhe shpirtin një alarm tepër i madh: U përpoqëm për Shestanin me vetëmohim, që ta mbanim gjallë, por Shestani tashmë, që nga Uzhdabiqi deri në Thtjan, është shuar thuajse i tëri. Tivarin me rrethinë e kanë tjetërsuar. Me mbi 50% popullsi me prejardhje shqiptare, aty nuk ka asnjë shkollë shqipe dhe s’po përdoret më shqipja as në familje, le më në administratë e në jetën publike. Ka ndodhur kështu, jo vetëm për fajin e malazezëvet, por edhe për fajin e vetë shqiptarëvet. Tani po i vijnë rrotull për ta shkombëtarizuar edhe Ulqinin.

Por, jo vetëm Ulqinin, jo vetëm Rozhajën, jo vetëm Plavën, jo vetëm Mitrovicën, jo vetëm Medvegjën e Bujanovcin, jo vetëm Manastirin, jo vetëm Kosturin e Konicën, jo vetëm Janinën e Prevezën, por edhe Shkodrën, Përmetin e Gjirokastrën, po u vijnë rrotull për t’i deshqiptarizuar!

A mos po duan ta shuajnë krejt kombin shqiptar, siç ia dolën t’i shuajnë Shestain e Tivarin e Doktor Profesor Simë Dobrecit, i cili frymoi gjithë jetën pikërisht për t’i ruajtur nga shpërbërja edhe Shestanin, edhe Tivarin, edhe krejt ku flitet shqip?!

17 qershor 2020.                    Gjokë Dabaj.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …