Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të vazhdojë gjykimi në mungesë ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë, pasi ka vlerësuar se janë ndërmarrë përpjekje të mjaftueshme ligjore për sigurimin e pranisë së tyre. Vendimi u mor pas propozimit të prokurorit të Prokurorisë Speciale, Atdhe Dema, i cili deklaroi se janë shteruar veprimet e nevojshme për mundësimin e pranisë së të akuzuarve. Të gjithë avokatët mbrojtës, me përjashtim të Shkumbin Asllanit, u pajtuan se ishin plotësuar kushtet për vazhdimin e procedurës në mungesë. Gjyqtarja Medie Bytyqi njoftoi se të akuzuarit do të përfaqësohen gjatë gjithë procedurës nga avokatët e tyre, ndërsa më pas prokuroria lexoi aktakuzën për veprimet e pretenduara gjatë periudhës janar-qershor 1999. Sipas aktakuzës, 21 të akuzuarit pretendohet se kishin autoritet dhe kontroll mbi forcat serbe që vepronin në terren dhe se ishin në dijeni për shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpive e objekteve civile, përndjekjet dhe ndalimet arbitrare mbi baza etnike, si dhe sulmet ndaj vendbanimeve shqiptare. Prokuroria pretendon se këto veprime ishin pjesë e një fushate që çoi në dëbimin masiv të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së atëhershme, ndërsa në aktakuzë përmendet shifra prej rreth 862 mijë e 979 personash të dëbuar. Të 21 të akuzuarit janë: Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavljeviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Krsman Jeliq, Ljubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Millosh Doshan, Ljubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Millovan Kovaçeviq. Ata akuzohen për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile. /Ekonomia Online
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
