Gresë Jakup Krasniqi: Në emër të “drejtësisë” detyrohemi të shohim padrejtësinë e madhe që i bëhet babit çdo ditë

Gresë Jakup Krasniqi: Në emër të “drejtësisë” detyrohemi të shohim padrejtësinë e madhe që i bëhet babit çdo ditë

“Krimineli dhe viktima e tij kurrë nuk mund të hyjnë ne një thes. Madje as në drejtësi!”

Jakup Krasniqi

Shtëpia e Jakup Krasniqit ka qenë e rrethuar katër herë nga forca të armatosura, ndërsa familja e tij ka qenë përherë e terrorizuar, jo vetëm nga forcat e armatosura, por edhe nga hija që lenë pas kur ata largohen.

Rrethimi i parë ndodhi me 1 prill, e i dyti, me 5 prill të vitit 1981 kur edhe arrestohet babi, ndërsa nga gjyqi jugosllav dënohet me 15 vjet burg.

Pa i përmendur torturat çnjerëzore të burgjeve me famë të keqe  të ish-Jugosllavisë, vazhdimisht u torturuan edhe anëtarët e tjerë të familjes.

Gjyshi im e shumë nga xhaxhallarët që jetonin në Kosovë u arrestuan në vitin 1982, ndërsa axhi Ilaz nuk u lejua të kthehej në Kosovë deri pas përfundimit të luftës.

Babi lirohet në vitin 1991 për tu arrestuar prapë në vitin 1996. Pas disa ditësh në mbajtje mezi njihej nga torturat barbare të forcave serbe.

Rrethimi i tretë ndodhi me 10 Nëntor 1998; atë kohe babi nuk ishte në Negroc, në shtëpi gjendeshin familjarët e tij, kryesisht gra e fëmijë.

Gjurmët e ushtarëve të Serbisë janë të gdhendura në mendjen e secilit që ishim të pranishëm aty, ndërsa përmendorja e dëshmorit Abedin S. Bujupi e ngritur përballë dyerve të shtëpisë na kujton gjithmonë historinë e asaj dite.

39 vjet pas rrethimit të parë e te dytë, 22 vjet pas rrethimit të tretë, dhe 21 vjet pas luftës, nëntorët sikur janë të pa mëshirë për ne, pasi që, me 4 nëntor 2020, shtëpia e Jakup Krasniqit rrethohet për herë të katërt.

Rrethim që filloi para orës 6:00 të mëngjesit, e përfundoi pas orës 16:00; çfarë përjetuam atë ditë ishte më e rëndë se plagët që na shkaktoi lufta.

Ajo që do te duhej të ishte një ditë e zakonshme, u kthye në ankthin tonë më të frikshëm. Ajo çfarë filloj si një ëndërr që të frikëson në palcë, u bë një realitet i hidhur.

Për një vit, çdo ditë e jetuam të lodhur nga jeta që u tregua aq e padrejtë, të zhgënjyer e të plagosur në shpirt.

Babi na mësoi të jemi të fortë edhe atëherë kur s kemi forcë as te ngrihemi në këmbë, na mësoi tu bëjmë ballë stuhive por s’na mësoi të jemi të fortë pa të. U bëmë të fortë se s kishim rrugë tjetër…

Në emër të “drejtësisë” detyrohemi të shohim padrejtësinë e madhe që i bëhet babit çdo ditë. Çdo ditë mungesa e babit dhemb, e dhemb shumë.

Ditët e humbura larg familjes e larg atdheut për të cilin sakrifikoi, e sakrifikon çdo ditë, s do t’i kthehen. Pesha e fajit do të rëndoj mbi dikë, e historia s do t’ua falë kurrë atyre!

Babi do të duhej të ishte kudo përveç aty, sepse babi kurrë në jetën e tij s’bëri as më të voglin krim.

Babi është njeri që vjen njëherë në jetë për të qenë shërbëtor i përjetshëm i fatit të lirisë, e fati i tij sado i rënd të është, ai bëhet për gjëra më madhështore se sa gjithçka tjetër rreth nesh.

Babi është vet liria që frymojmë çdo ditë.

Babi është krenari.

Ne vetëm presim…presim kthimin e tij…

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: Fitorja më e madhe në histori na pret më 24 prill

Sot në Tetovë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti bashkë me kryetarin e PDSH Menduh Thaçi, …