Demarkacioni

Gurakuq Kuçi: Mali i Zi në NATO, ku mbetet demarkacioni i Kosovës?

Mali i Zi në NATO, ku mbetet demarkacioni i Kosovës Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, përfundimisht krijoi një vijë të plotë të kontrollit të Adriatikut nga organizata veri-atlantike, duke gjetur arsye për angazhim dhe jetëgjatësi të NATO-së.

Kosova në këtë situatë është një humbësi për çështjen e kufirit me Malin e Zi, ndërsa siguria që po krijohet mund ta blej stabilitetin në Ballkan në këmbim të zhvillimit dhe demokratizimit. MA. Gurakuç Kuçi* Për më pakë së një dekadë jetë, Mali i Zi, një vend me një ushtri prej rreth 2000 ushtarësh, por me dalje në Detin Adriatik, është vendi i fundit që e plotëson mozaikun e kontrollit të plotë mbi këtë det. Vend ky me një ekonomi që mbijeton vetëm nga turizmi, dhe me një numër të madh të tyre nga Rusia, dhe investime nga ky vend, është vend me kulturë, traditë, religjion dhe mendësi të afërt me Rusinë sllave, e cila edhe e ka kundërshtuar hyrjen e Malit të Zi në NATO, duke e quajtur si një aneksim të pastër dhe pa dëshirën e popullit.

Madje, Rusia edhe ka kërcënuar Malin të Zi për kundër-masa, pasi ekonomia e këtij vendi varet deri në një masë nga Rusia, dhe është e diskutueshme nëse NATO-ja do t’i sjellë Malit të Zi siguri dhe ekonomi, apo vetëm siguri. Rusia këtë e sheh si therrë në këmbën e saj këtë anëtarësim, pasi e largon nga ujërat e ngrohta dhe nga Adriatiku, pasi Adriatiku për Rusinë do të ishte rruga më e afërt për intervenime në Lindjen e Mesme. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është përkrahur nga Mali i Zi, dhe ky i fundit me të gjitha fqinjët që nga pavarësia është treguar një fqinjë stabil, i matur dhe pa reprezalje politike, ekonomike apo ushtarake. Megjithatë, çështja e kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, akoma nuk është një çështje e mbyllur pasi Kosova nuk e ka ratifikuar në Kuvendin e saj. Çështje e kryer? Si duket, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, po tregon se çështja e kufirit me Kosovën është një çështje e mbyllur dhe e pakthyeshme, që Kosova e zhagit kot.

Pjesa kontestuese ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, është pika e Çakorrit por edhe të tjerat, të cilat janë pika strategjike për përdorim nga forcat e NATO-së, për përgjigjeje dhe kontroll ndaj Serbisë, e cila sipas pamjeve satelitore ka rindërtuar bazën e saj ushtarake në Kopaonik, dhe sipas gjeoportalit serb ajo pjesë i përket e gjitha Serbisë, ndërsa sipas gjeoportalit të Kosovës, kufiri kalon vargmaleve dhe nëpërmjet Kopaonikut. Por edhe ndaj bazës ushtarake ruse në Luginë të Preshevës. Me këtë rast tani Serbia është futur komplet brenda unazës së NATO-së dhe larg një bashkëpunimi tokësor apo ajror nga Rusia, e cila duhet të kaloj hapësirat e kontrolluara nga NATO- ja. Kjo sigurisht që e acaron Rusinë, e cila mori një shah mat në tavolinën e madhe të shahut. Por megjithatë ky veprim edhe pse shumë i duhur për sigurinë e Ballkanit dhe fqinjët e Malit të Zi, duke ia ngushtuar hapësirën e veprimit Rusisë. Mbetet prapë një halë në sy për Maqedoninë, Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Siguria mund ta blejë paqen Pasi është krijuar vija e NATO-së në gjithë Adriatik dhe vendet e cekura asnjëra nuk kanë dalje në Adriatik, mirëpo edhe në njëfarë forme e kanë të pamundur rrezikimin e ndonjë bashkëpunimi me ndonjë vend jo-anëtar të NATO-së, anëtarësimi i tyre në këtë organizatë mund të mos pritet edhe për një kohë të gjatë. Ku problemet mes vete që kanë këto vende, përjashto Maqedoninë e cila ka probleme me Greqinë, mund të bëhen një vend pune për bashkësinë ndërkombëtare me një komoditet të plotë për zhagitjen e proceseve në mungesë të ndonjë kërcënimi real të paqes. NATO me anëtarësimin e Malit të Zi, sigurisht e zgjat edhe jetesën e NATO-së, duke i dhënë misione të reja të sigurisë, por edhe duke acaruar vende si Rusia, të cilat me kërcënimet e tyre ia zgjasin jetën NATO-së.

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, i jep komoditet edhe Bashkimit Evropian, ndaj vendeve aspirantë dhe zgjidhjes së problemeve, duke pasur parasysh se edhe vetë elitat politike të këtyre vendeve janë elita që vuajnë nga psikoza e pushtetit dhe jo aq patriotë që të punojnë në të mirë të popujve të tyre, dhe kështu blihet siguria në këmbim të paqes por në jo në favor të zhvillimit, integrimit dhe demokratizimit. Kosova veç se e ka humbur luftën e saj të brendshme për kthimin eventual në bisedime të çështjes së kufirit me Malin e Zi. Kjo pasi liderët politikë asnjëherë nuk u morën me seriozitet me këtë çështje dhe duke i ditur afatet e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, zgjodhën të shkojnë në zgjedhje para se të zgjidhin çështjen e kufirit me shpejtësi para anëtarësimit të Malit të Zi, dhe tani ai kufi është kthyer në kufi të NATO-së dhe në politikën ndërkombëtare është më shumë e drejta e të fortit dhe nuk sakrifikon bashkësia ndërkombëtare interesat e saj madhorë për satisfaksion ndaj Kosovës.

Mali i Zi i dinte këto dhe asnjëherë këtë problem nuk e theksoi si çështje që duhej zgjidhej. Pra, Serbia përfundimisht u fut brenda unazës së NATO-së e Rusia mbeti jashtë kësaj dhe larg Serbisë. Kosova për shkak të mungesës së diplomacisë dhe interesave individuale të elitës politike para atyre shtetërore, humbi edhe mundësinë e fundit për ndonjë reagim ndaj kufirit me Malin e Zi. Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina tani mbesin një vend pune për bashkësinë ndërkombëtare me plot komoditet për ndonjë kërcënim të sigurisë. Politika e brendshme e Kosovës Shkuarja në zgjedhje e Kosovës pa e zgjidhur çështjen e demarkacionit dhe ushtrinë, ka qenë një autogol shtetëror për interesa politike individuale në dëm të Kosovës. Mos-vënia e demarkacionit në Kuvend nga kryeministri në largim Isa Mustafa, para mocionit të votë-besimit, ishte një trik i mirë partiak, poashtu edhe përkrahja e mocionit nga partneri i koalicionit PDK-ja, ishte një trik i mirë partiak dhe personal.

Pasi kjo e fundit duke shkuar në zgjedhje dhe duke hequr dorë nga posti kyç i kryeministrit, nuk dëshiron ta përfshijë veten në temën jopopuliste që është kufiri me Malin e Zi dhe duke e ditur që kjo është një çështje pothuajse e pakthyeshme për situatën që folëm më lartë. Pastaj me këtë rast edhe do të digjte kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj çështje duke i shtyrë ta aprovojnë atë që vetë e kanë kundërshtuar. Por shikuar të gjithë bashkë, veprimet e tyre duke vënë së pari interesin politik vetjak dhe partiak, dështuan të kryejnë punën e tyre prej shtetari dhe të mbrojnë të drejtat e Kosovës, poashtu dështuan prapë në diplomaci, duke treguar që kjo pikë është ndoshta më kritikja për Kosovën, pasi nuk funksion fare dhe nuk ka as njerëz të duhur për të kryer punë. Por si do të vazhdoj kjo çështje për Kosovën, mbetet të shihet nga qeverisja në vazhdim? Bismarku thoshte: “Mallkuar qoftë ai burrështetas i cili shkon në luftë dhe argumentet e tij nuk janë aq të fuqishme në fund të luftës sa ishin në fillim të saj.”

(Autori është drejtor në Independent Institute for Political and Media Studies)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …