Brickos

LDK

Hajdar Sadrija: Letër e hapur: SOVRANIT TE LDK-SË

Të nderuar anëtarë dhe simpatizant të LDK-së,

Qytetar të nderuar të Kosovës,

këtyre ditëve ju jeni duke u ballafaquar me dy Pandemi jashtëzakonisht të rënda e të rrezikshme. Virusi i parë dhe më i rrezikshëm për Pavarësinë e Kosovës, është duke vepruar qe 20-Vjet, ai virus ju ka lodhur tejmase, kurse tashti si e tërë bota edhe ju dhe Kosova po përballeni me COVID-19. Për fat të keq, partia të cilës i keni shërbyer ju dhe UNË që nga themelimi, nuk u tregua e aftë gjatë kësaj kohe, çuditërisht e gjeti këtë kohë për ta shkarkuar VETVETEN?! Ky veprim i pamatur ka prodhuar një paradoks të llojit të vet që nuk ia gjen shoqin në tërë Globin. Tash kur po kërkoni llogari nga ata që i tradhtuat a po mendoni se jeni duke e mashtruar popullin? Ju bashk me partneret e juaj të krimit e korrupsionit qe 20 Vjet, e zhvatën këtë vend, si keni moral të çirren për vlera, dhe si po munden me fol në emër të popullit. Strukturat e LDK-së dhe militantët e rrjeteve sociale, bash na kanë lodhur duke ua  përmendur ideologjinë partive të tjera, në kohën kur në krye të LDK-së është një komunist i përbetuar. Dua vetëm t’ua shpjegojë se parti demokratike e cila ka parime dhe ka principe nuk kemi në skenën politike në Kosovë. Ka individ, ka deputet të zot dhe ka intelektual të devotshëm, por ata pengohen nga kapsit e partive dhe të shtetit. Kosova është mbuluar nga bërlloku analitik, nga deklarata dhe komente që nuk qëndrojnë, veçmas po çortojë LDK-në, e cila në këtë kohë të pandemisë globale, votoi për Mosbesim të VETVETES?!  Prandaj marr guxim për t’iu drejtuar  me këto letër publike.

Si banor dhe shtetas rezident në Zvicër, si aktivist që për 40-Vjet, rresht nuk u ndalëm për ta pavarësuar e bërë Kosovën shtet si e kemi ëndërruar. Si aktivist i viteve të 80-ta, si njeri nga veprimtarët e viteve të 90-ta, si kryetar i Parë i Nëndegës së LDK-së në Bern, si njëri nga ata aktivistet e shumtë për themelimin e Degës së LDK-së në Zvicër në vitin 1990, pastaj për vite me radhë si Nënkryetar i Degës dhe Kryetar i Degës se LDK-së në Zvicër, 1993-1997, shpreh zhgënjimin tim të thellë me veprimet antidemokratike e antishtetërore që i ndërmorën strukturat politike të LDK-së dhe deputetët e kësaj partie.

Ne të gjithë aktivistët e asaj kohe u angazhuam maksimalisht dhe pa hile për Pavarësinë e Kosovës, si asnjë brez tjetër ne i kemi implementuar ma së miri porositë e Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova, porositë e Akademikut të madh prof. dr. Fehmi Agani, porositë e Xhemail Mustafës dhe sidomos ato të Sekretarit Organizativ me Degët anë e kënd Kosovës dhe në Diasporë, prof. dr. Rexhep Gjergji, i cili si asnjë personalitet tjetër i gjallë, ka dhënë shembullin e tij prej demokrati, se si duhet vepruar dhe respektuar hierarkia nëse dëshirojmë të kemi sukses. Ai është një kolos i gjallë i asaj pune kolosale e vetëmohuese në dhjetë vitet ma të rënda që kaloi Kosova nën një okupim klasik.

Në anën tjetër askush nga veprimtarët e LDK-së nga Diaspora nuk mori ndonjë mirënjohje, ndonjë falënderim, përkundrazi jemi luftuar pamëshirshëm nga strukturat e partisë, sidomos kjo luftë e ashpër ka ndodhur pas vdekjes së Presidentit Rugova dhe në veçanti lufta kundër diasporës u ashpërsua me ardhjen në krye të LDK-së të Isa Mustafës. Për ne nuk pat fjalë të mira kurrë, partia jonë ia harroi premtimet, i harroi paratë që i ka mbledh dhe i ka huazuar nga mërgimtarët, për ta bërë Kosovën shtet. Sot, pikërisht huamarrësi i tyre Isa Mustafa, bëri atak mbi institucionet e Kosovës, duke i detyruar deputetët me shprehë mosbesim për Vetën e Tyre. Një çmenduri e llojit të vet. Përseri Isa Mustafa i mashtroi deputetët, strukturat e partisë dhe elektoratin e LDK-së, për t’i realizuar planet famëkqia të cilat po rrezikojnë seriozisht miqësinë me SHBA-të dhe Aleatët Evropian. Se mbase ai që nuk din ta ndërtoj shtetin, të krijoj struktura stabile, ai që voton kundër vetvetes, nuk mundet me qenë as mik i SHBA-së dhe as i BE, të cilat po tallen me Kosovën.  Ata që vepruan kështu, sidomos në kohë Pandemisë COVID-19, janë struktura të kriminalizuara, që për ta shpëtua lëkuren e tyre janë në gjendje ta shantazhojnë edhe pavarësinë e Kosovës, prandaj një urti popullore thotë se “Ujku do mjegull”, pra edhe bandat e kriminalizuara kanë nevojë për trazira të reja dhe jo stabilitet.

Strukturat udhëheqëse të LDK-së, kurrë nuk pranuan këshillat tona, nuk respektuan përvojën tonë, por vazhdimisht e shikojnë vetëm anën materiale. Por të gjithë e dini se ne bëmë demokraci atëherë kur për juve demokracia ishte iluzion, ishte utopi. Ne vepruam dhe mësuam nga Atdheu Ynë i Dytë, vende këto që na mësuan dhe na këshilluan se si duhet vepruar, si ndërtohet demokracia dhe duhet atdheu. Për fat të keq, një gjeneratë e kriminalizuara na i shkatërroi edhe Neve ëndrrat tona për një shtet demokratik ku vlera dhe demokracia, bashkë me ligjin do të ishin shtyllat morale të shoqërisë.

Edhe në vitet e 90-ta, në mesin tanë kanë vepruar me qindra intelektual të profileve të shumta, sot ata janë gjallë, një pjesë në pension, por bijtë e këtyre mërgimtarëve që ju po i përbuzni, sot ata janë profesor universitar, janë vlera intelektuale kudo në Zvicër. Me suksese shumë të larta e të respektueshme ashtu siç po i njihni sportistët dhe këngëtaret tona,  që bënë imazhet ma të mira të mundshme për Kosovën, ashtu edhe një brez i shkolluar po dëshmohet me suksese të tilla, me imazhe pozitive. Por shtresa politike, vazhdimisht po e përbuzin diasporën, veprimtarët e tyre, po më keq po e përbuzni edhe dijen dhe dinjitetin e bijve dhe bijave tona të vyeshme. Strukturat e LDK-së, ma në fund duhet me shikuar edhe nga Diaspora, nga ata që kanë përvojë mbi 30 Vjeçare dhe për bijtë tanë me rezultate maksimale.

Sot, diaspora shqiptare, ka magjistra e doktor shkencash,  ka juristë e sociolog, ka gjuhëtar e ekonomistë dhe ka gazetar  me renome dhe ekspert të fushave e lamive të tjera. Pse për këto 20 Vjet ka munguar vullneti Juaj për të komunikuar e bashkëpunuar me Diasporën, me strukturat e dikurshme të LDK-së. Pse i shkatërruat Degët e LDK-së, dhe pse me kaq përbuzje edhe sot e kësaj dite po silleni e po talleni me veprimtaret e LDK-së në diasporë?

Vlen për ta theksuar se kjo gjeneratë dhe këta veprimtar, asnjëri nuk i mësyni Kosovës për të zënë pozita, pasi pikërisht ky brez ishte brezi i idealistëve të përkushtuar për çlirimin  dhe Pavarësinë e Kosovës, e jo për interesa materiale. Çuditërisht partia jonë, për të cilën ne kontribuuam aq shumë nuk tregoj kurrfarë interesi, për të ftuar ndonjërin që të kthehej, apo u frikësuan nga kultura e tyre demokratike, dhe i frikësoheshin përvojës së tyre në organizim dhe veprim praktik e demokratik pa të cilat nuk bëhet Kosova.

Po i kthehem situatës së tanishme.

Me 6 tetor, u matën forcat e secilës parti. Me fajin e vet LDK-ja nuk doli e para, prandaj populli e tha fjalën e tij. Në vend se LDK-ja të bëhej serioze, u lëshua në aventura për hesape të Hashim Thaçit dhe një klani kriminal. Tash veprimi i tyre në kohën e Pandemisë së COVID-19, nuk mundet me u mbuluar me deklarata bajate.

Nga përvoja ime sa isha kryetar i Degës së LDK-së,  e kam theksuar edhe më parë se LDK-ja s’është më Parti Demokratike, por është Mjet-Vegël, e një grupi profiterësh në krye me Isa Mustafën, të cilët vendosin në mënyrë diktatoriale se kush duhet me qenë kryetar në këtë apo atë degë, prandaj e kemi një gjendje kaotike dhe të pashpresë.

Duke rikujtuar seancën e 25 Marsit 2020 në Kuvendin e Kosovës, për ta shprehur mosbesimin, LDK-ja KUNDËR VETVETËS, e partitë tjera kundër Kosovës, dhe ngjarja ndodhte në kohën kur bota po merrej me Pandeminë e COVID-19, vazhdimisht pyesë veten, çfarë krijesash ka Parlamenti i Kosovës, sepse me njerëz s’mund të krahasohen. Ta rrezosh VETVETEN nga qeverisja në kohën e Pandemisë, d.m.th. se deputetëve iu ka fshirë truri nga Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

Vërtetë i pyes publikisht deputetët e LDK-së, të cilët nuk i besuan VETVETES, pse vepruan ashtu në kohën e Krizës Globale me COVID-19, për ta thelluar edhe më tej krizën politike e organizative. Këtë skenar të turpit nuk mundeni me mbuluar me deklarata falco e duke kërkuar llogari nga të tjerët, prandaj të gjithë ata që votuan po i pyes athua si kanë fytyrë të dalin në media dhe nesër a thua kështu dalin edhe para elektoratit për t’i kërkuar votën, të cilën pastaj do t’ia kontrabandojnë  ashtu siç vepruan me 25 mars 2020.

Nga e gjithë kjo situatë e turpit dhe kriminale, iu bëjë thirrje publike strukturave të LDK-së që t’i lanë anash veprimet kriminale, sidomos tashti në kohën e Pandemisë, dhe të mos flasin në media për ta kamufluar pafytyrësinë e veprimit të tyre. LDK-ja duhet t’i kthehet sovranit ta kërkoj edhe një herë besimin e tij, sepse çdo qeveri e klaneve do të prodhoj kriza të reja dhe me pasoja afatgjate për Kosovën.

Nëse LDK-ja dëshiron ta shpëtoj vetën nga turpi, duhet keqbërësit t’i marrin përgjegjësitë për këtë dështim, pastaj të bëhen shkarkime të shumta, madje  duhet të largohen nga strukturat e Partisë ¾, e kryesisë dhe nga KP i LDK-së. Pastaj të thirren në ndihmë intelektual me kredibilitet, qofshin ata në Kosovë apo edhe në diasporë!

Bern, 09 prill 2020.

Hajdar Sadrija. ish kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër 1993-1997.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …