Hajdin Abazi: Kapërcimi i vetvetes ose ngritja në lartësi poetike

Hajdin Abazi: Kapërcimi i vetvetes ose ngritja në lartësi poetike

 (Fjala e prof. Hajdin Abazit, mbajtur në Suedi, me rastin e prezantimit të vëllimit poetik “Mos ma vrisni lotin “ të autores Elife Luzha)

I kam lexuar të tri vëllimet poetike të Elife Luzhës. Do të shprehem ashtu sikurse unë i kam perceptuar ato. Ajo që bie në sy menjëherë është fakti se autorja ishte në kërkim të diçkaje në poezi. Dy përmbledhjet e para, ndonëse shprehin një qasje të etabluar poetike, ato mbeten në atë që mund të quhet si standard,  ndonjëherë më ulët e ndonjëherë aty. Mirëpo duket se në veten e vet autorja nuk është pajtuar me këtë. Ajo nuk ishte e kënaqur me atë që kishte arritur, kërkonte më shumë nga vetja. Ndoshta ky është shkaku se përse autorja shkruan një vepër e pastaj me vite të tëra hesht. Në të vërtetë, hesht për botën, kurse në vetvete shpirti i saj poetik zien, përballet me veten e vet, shpreh pakënaqësi, kërkon shtigje të tjera për t’u ngritur më lart, nuk mjafton më vetëm me shprehje si një lloj mostre, që poezitë ndonëse të reja si ngjarje dhe përjetime, thuajse të ngjashme në aspektin e rrjedhës emocionale. Lexuesit rrallë i ndodh të befasohet nga dy përmbledhjet e para, sepse është si të hyhet rrjedhës së një lumi të qetë dhe që vazhdon lundrimi me pamje të reja, por me një njëtrajtësi ecurie.

Te përmbledhja më e re, e cila edhe është pretekst i këtij eventi poetik të javës së Kulturës Shqiptare në Suedi, lundrimi nuk është i njëjtë. Duket sikur lumi nuk është i njëjtë, sepse sjellë befasi, të papritura, herë të godetë një dallgë e ende pa pushuar ajo përplasesh në dallgën tjetër. Duket se anija poetike e autores në rrjedhën e saj ka hyrë në një det të trazuar. Nuk ka pamje të qarta, nuk ka qetësi, nuk ka prehje, nuk ka siguri. E tëra është në vlim, në rrjedhë, pritjet nuk dalin ato që do të duhej sepse në çast mund të shfaqet diçka e që e ndryshon rrjedhën. Sigurisht, rrjedhën e lundrimit e bashkë me këtë edhe rrjedhën e mendimit, e perceptimit, e përjetimit, e vështirësive dhe e sfidave, ndaj të cilave autorja tashmë ka pushuar të shprehet me sentiment, por përballet me to, nuk dëshiron të ndalet, dëshiron të vazhdojë tutje, të mos ndalet, të mos jepet, të tregojë forcën shpirtërore.

Jeta bashkëkohore, krizat e shumta, rreziqet nga nuk e pret njeriu, prej akteve të dhunës, vrasjeve në mënyrat më të pamenduar ndonjëherë e deri te vrasja e organizuar, gjakftohtë dhe në distancë sikurse është “Balena Blu”, mund të thuhet se e kanë prishur konfiguracionin ekzistencial të njerëzimit si tërësi edhe të njeriut si pjesë e shoqërisë njerëzore. Këto janë ai sfondi i fatkeqësive, i veprimeve që po e stërkeqin njerëzoren, që po e prishin atë që është thelbësore te njeriu, e që e kanë bërë realitetin jetësor një realitet aq të ndryshëm nga para dy dekadash, fjala vjen, sa që duket se thelbi i njerëzores si asnjëherë më parë kërcënohet të zhbëhet. Jo saktësisht këtë, por një realitet të ngjashëm, të perceptuar poetikisht, autorja e ka hetuar me ndjesinë poetike, ndaj dhe apeli që të ruhen këto vlera, të cilat e bëjnë njeriun të jetë njeri jo vetëm në dukje, por edhe në thelb.

Loti – si identitet themelor i njerëzores

Rrallë më ka ngjarë të lexojë një fjalë të rëndomtë, e cila të kthehet në një simbolikë, si kjo me “lotin”. Është e vërtetë se loti është i përdorur gjerësisht në letërsinë gojore, sidomos në folklor, por po aq është përdorur edhe në poezi. Mirëpo autorja e ka përdorur këtë simbolikë në një kuptim më ndryshe. Nëse nuk e lexon me vëmendje këtë përdorim, të ikën thelbi i saj, ani se i njohur. Prandaj, kërkohet një lexim më i vëmendshëm, që të preket thelbi, ose të lexohet ajo çka ka dashur të thotë poezia.

Loti është përdorur në disa poezi të kësaj përmbledhjeje poetike me një laryshi kuptimesh si figurë, si metaforë, si referencë, si semantikë, si shprehje dhe mënyrë komunikimi. Por në poezinë e parë, e cila i shpalos lexuesit një dimension jo të rëndomtë, loti është një simbolikë shumë e veçantë. Për ta kapur këtë semantikë, duhet kthyer te burimi. Si përdoret fjala “lot” në traditën shqiptare? Përtej aspekteve të tjera, ashtu sikurse është e konstruktuar poezia e parë, ajo më kujton përdorimin si sinonim për pastërtinë shpirtërore, për çiltërsinë, për sinqeritetin. Unë kështu e lexova, dhe kam bindjen se këtu është thelbi. Për këtë garant qëndron vargu i fundit i poezisë. Po qe se ndodhë vrasja e lotit, atëherë “ajo do të vritej përgjithnjë”. Kështu, loti shpreh atë që është më thelbësore te njeriu: veten e tij, pastërtinë njerëzore, çiltërsinë e vetes, sinqeritetin. Nëse nga këto do të privohej njeriu, atëherë do të mbetej ai? Sigurisht nuk do të ishte më ai që është, nuk do të ishte vetja e vet, nuk do të ishte harmonia e brendshme. Përkundrazi, do të ishte një vete e tjetërsuar, tëhuajtur, në konflikte me veten e vet, me atë që dëshiron të jetë dhe me atë që i imponohet të jetë. Ky është një stërkeqje e thelbit, ndonëse dukja mund të mbetet e njëjtë. Parë nga ky këndëvështrim, del kuptimplotësia dhe domethënia e lotit, si identitet i njeriut me veten e vet, si thelbi i njerëzores. Nëse kuptohet kështu, atëherë është prekur thelbi i poezisë dhe mesazhi i saj.

Pak fjalë rreth strukturës poetike

Ajo që më ka impresionuar gjatë leximit është edhe mënyra e parshikimit poetik të materies. Thuajse në secilën poezi, ka një arkitektoni të gdhendur me ndjenja, me kuptimësi, me imazhe dhe me figura të befta.

Secila poezi qëndron më vete, si një botë, në galaktikën poetike. E megjithatë, ato nuk janë krejtësisht të shkëputura. Nëse ka diçka që i lidh ato mes vete, nuk është kronologjia, as tematika, as motivet: ajo është gravitacioni artistik. Nëse nuk ndjehet kjo forcë e padukshme, por e pranishme, duhet pranuar: nuk është hyrë në botën poetike të autores.

Struktura poetike është një kompozicion artistik që të kujton pikturat e Pikasos. Duken si vargje të shkëputura, të amputuara si jo natyrshëm, si gjymtyrë që u mungon pjesa tjetër e trupit, si gurë të vendosura në një muri ashtu si i është tekur muratorit. Por, kur e shikon si tërësi pastaj, ndjehet se vargjet janë të kondenzuara, se ato nuk shpalosin tërësinë e pamjes, se ato të ngjallin asociacione, që ta nxisin lexuesin e vëmendshëm të bëhen bashkëkrijues në kuptimin që të shtojnë pjesët tjera nga imagjinata e vet, për ta përplotësuar.

Në këtë aspekt, vargjet e kësaj përmbledhjeje, herë-herë më kujtojnë frymën poetike të Tomas Tranströmerit, jo në stil, por në kërkimin e vëmendjes për t’u lexuar, që të mund të ndjehet thellësia e tyre. Qasja kompozicionale shihet se është disi ndryshe. Vargjet janë të stisura me një ndjesi të thellë, me një frymëzim të fuqishëm dhe me sa duket Muza Poetike tashmë është miqësuar me autoren, duke ia shpalosur botën e artit, ashtu që kjo të stis poezi me pet artistik bashkëkohor.

Për mos ta zgjatur më shumë, po e përfundoj duke theksuar se poetja Elife Luzha, në rrugëtimin poetik të saj, e ka lëshuar shtegun kah ishte nisur dhe kishte vazhduar edhe në vëllimin e dytë poetik, dhe ka hyrë në një shteg tjetër, i cili e ka shpjerë atë në lartësi të tillë, që prej dy të parave nuk do të ishte e mundur të pritej. Kjo është befasia e këtij vëllimi. Sigurisht, edhe është përgjegjësi artistike. Përmbledhjet e ardhshme poetike do të duhej të shënonin ngritje të re poetike. Nga leximi i këtyre vargjeve, kam përshtypjen se autorja është e mirëpërgatitur. Këtë vëllim poetik e lexoj si shumë premtues për të sjellë edhe vepra tjera, të këtilla, të cilat janë jo vetëm për audiencën shqiptare, por po aq edhe audiencën njerëzore kudo në glob, apo ku të jenë.

Hajdin Abazi

Lund, 16-18 qershor 2017

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …