Më 31 janar të vitit 1990, në Drenas kanë rënë dëshmorë: Enver Hajriz Morina, Shani Ali Morina dhe Sahit Shala

Halil Dervishaj: A e pasqyrojnë rastet individuale totalitetin tonë shoqëror?

Rastet e fundit të ndodhura në Prizren e Drenas, kanë tronditur shoqërinë tonë.

Sjellja e doktorit me pacientin, në shpërputhje me etikën mjekësore, betimin e Hipokratit dhe etikën tonë shoqërore, është krejtësisht e papranueshme.

Sjellja e mësimdhënësit në shpërputhje me kodin etik, e aq më tepër kur botëkuptimi i mësuesit është “prindi i dytë” i fëmijës, mbyll të gjitha justifikimet dhe nuk lë vend për koment.

Sjellja e policit në shpërputhje me kodin etik, u vë kapak dy të parave. Sepse, detyra e policit është mbrojtja, rendi e siguria. Të kërkosh ndihmë nga ai që është i thirrur të të mbrojë, e ai ta keqpërdor këtë gjë, ky është kapaku.

Tragjikja më e madhe në të gjithë këtë është, sepse, këto janë tri shtyllat kryesore të shtetit: shëndeti, edukimi-arsimimi dhe siguria. Kur preken e luhaten të trija këto segmente, ky nuk është ogur i mirë.

Por, a pasqyrojnë rastet e tilla individuale sistemet përkatëse: në shëndetësi, arsim e polici? Unë nuk e besoj një gjë të tillë.

Po filloj nga e fundit. Ata që e kanë lexuar ditë më parë letrën e një polici, ku argumenton vështirësitë dhe përgjegjësitë  e këtij sektori të sigurisë, netët pa gjumë, rrezikshmërinë e përditshme nga shkelësit e ligjit, deri në atë masë sa që, kur nisen për punë, me mall shohin familjen dhe fëmijët e tyre, sepse në raste mund edhe të mos kthehen të gjallë e për t’i parë prapë (kujto rastin e fundit të policit të vrarë në Istog), patrullat në acar e në të nxehtë etj. është e pamundur që të mos prekin zemrën e njeriut edhe më të ftohtë emocionalisht dhe të mos ndiejmë respekt për ta.  Policia jonë ka dalë nga gjiri i këtij populli. Ata janë tanët. Ata janë ruajtësit e rendit dhe mbrojtësit tanë. Rastet individuale nuk mund ta rrënojnë besueshmërinë e të gjithë atyre policëve të mirë e të ndërgjegjshëm, që me nder kryejnë detyrën e tyre.

Mësimdhënësi është kandil i shoqërisë. Mësimdhënësi shuhet vetë, për t’u bërë dritë të tjerëve. Mësimdhënësit tanë gjithmonë u kanë dalë në ballë furtunave dhe i kanë prirë këtij populli drejt rrugës së dijes, lirisë e përparimit. Kujtojmë emisionet e shumëta në TV, kur mësuesit ndihmojnë nxënësit e tyre materialisht nga paga e tyre. Ata shpesh ndajnë një pjesë të kafshatës së gojës së fëmijëve të tyre, për t’u ndihmuar nxënësve të tyre, të cilët kanë nevojë. A nuk është kjo dëshmi që mësuesit tanë, shumica absolute janë të mirë, të përgjegjshëm e prind të dytë për fëmijët tanë? A e dini se mësuesi i gëzohet suksesit e përparimit të nxënësit të vet, sikur ai nxënës të ishtë fëmijë i tij? Edhe mësuesit kanë dalë nga gjiri i këtij populli. Edhe mësuesit janë tanët.

Doktorët janë mbrojtësit e shëndetit. Janë sa e sa raste, kur ata në gjysmë të natës, lënë fëmijët e tyre në gjumë dhe shkojnë aty ku i kërkon përgjegjësia, në institucionet shëndetësore për mbrojtjen e shëndetit tonë. Ata asnjëherë nuk kanë orar. Ndodh që, sapo kthehen në shtëpi nga puna, lënë tryezën e shtruar dhe u përgjigjen thirrjeve të rasteve urgjente në spitale apo institucione tjera shëndetësore. Ka shumë raste që mjekët jo vetëm që nuk marrin mito, por pacientëve që janë në gjendje të keqe ekonomike, u japin nga xhepi i tyre. Ju betohem që njoh mjekë të tillë. Shtoja kësaj gjendjen emocionale që ata pësojnë çdo ditë, nga lloj-lloj rastesh, që shumica nga ne nuk do të mund t’i përballonim.

Andaj, pa dashur t’i mbrojë individët, pra rastet individuale, unë provoj të hyj në lëkurën e atyre doktorëve të mirë, mësimdhënësve të mirë e policëve të mirë, e ta kuptoj gjendjen e tyre emocionale dhe lëndimet shpirtërore që ata marrin nga këto raste të izoluara të kolegëve të tyre.

Pamja e policit në protestën e sotme në Drenas, i përlotu]r, dëshmon më së miri shpirtin e karakterin e shumë e shumë policëve mirë, mësimdhënësve të mirë e mjekëve të mirë.

Ne, në çdo rrethanë duhet t’i themi stop të keqes, por edhe duhet vlerësuar në çdo rrethanë edhe të mirën. Vetëm në këtë mënyrë ne do të jemi objektivë dhe do ta dallojmë të bardhën nga e zeza. Që të arrihet kjo, nevojitet bashkëpunim.

Vetëm bashkëpunimi i sinqertë në mes të popullit dhe këtyre institucioneve gjegjëse, mund të na shpie drejt një shoqërie të sigurt, të shëndetshme, të arsimuar e prosperuese.

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …