Historia shqiptare nëpër fragmente të këngëve të trimërisë

 “Kush të don me imanë me vdekë, le t’ luftojë me turkoshak”!



Këto dy vargje të një këngë të trimërisë të kohës së Mehmed Ali Pashës së Misirit, (1769-1849)  nuk i kemi shkëputur pa qëllim nga tërësia e këngës, sepse këto vargje janë një mesazh i kohës, mesazh i cili kishte reflektuar deri në çlirimin e Egjiptit dhe të Shqipërisë nga Perandoria Osmane.  Shkak për ta  shqyrtuar dhe për ta analizuar këtë këngë kam marrë nga pretendimet e “vëllezërve” tanë turq për ta rivlerësuar historinë 500-vjeçare të pushtimit të trojeve shqiptare. Këtë këngë duhet parë në kontestin e saj historik, për të vërtetuar se vetëdija kombëtare shqiptare ishte e hershme,  më hershme sesa Rilindja jonë Kombëtare, e cila i hodhi bazat pikërisht në vetëdijen historike dhe etnike të shqiptarëve, që për 500 vjet kishin jetuar nën pushtimin e Turqisë, duke i dhënë Perandorisë edhe kryekomandantë, dijetarë, arkitektë, ushtarakë të njohur por edhe kundërshtarë, kryengritës si: Skënderbeu, Halil Patrona, Ali Pashë Tepelena, Mehmed Ai Pasha, e shumë të tjerë. Ata, gjatë shekujve të robërisë, kishin luftuar jo vetëm për ta çliruar Shqipërinë, por edhe Egjiptin, Sirinë, Greqinë e shtete të tjera nën sundimin turk. Kjo luftë e gjatë nuk ishte drejtuar kundër fesë, sikur pretendojnë ta paraqesin shkarravitësit e sotëm të historisë, por kundër pushtimit, kundër shtypjes e shfrytëzimit, kundër robërisë…


 


 


Kënga e trimërisë, “Të shtunën pas iqindije”, apo kënga e Rexhep Agës, duke u mbështetur në disa personazhe dhe në vendin e ngjarjes,  i përket gjysmës së parë të shekullit 19-të, rreth  vitit 1830 kur në Egjipt sundonte Mehmed Ali Pashë Kavalla, bashkëkohës i Ali Pashë Tepelenës.


 


Nga përmbajtja e këngës kuptojmë se nizamët e sulltanit kishin rrethuar Rexhep Agën, i cili duket se nuk e pranonte autoritetin e Portës, mbase edhe të vetë Mehmed Ali Pashit të Misirit. Këngëtari anonim popullor fillimisht përcakton kohën, ditën vendin ku do të zhvillohet ngjarja. Strofa e parë me katër vargje e kësaj kënge paraqet atmosferën e nderë dhe tejet të tendosur mes forcave që kanë rrethuar Rexhep agën, për të cilin nuk tregohet se nga cili vend ishte, por më vonë bëhet e ditur se ishte shqiptar, mbase nga viset e Veriut, nga Gegenia.


 


T’ shtunen pas iqindjie


Se n Misir na u nis nizaja


Le ta ndien Mehmet Alija  (Mehmet Ali Pasha, Misiri)


Sa u rrethue Rexhep aga.






 


Duket se konflikti kishte shpërthyer mes dy grupeve, njërit grup kryengritës dhe grupit tjetër me nizamë, që kishte marrë urdhër për ta shtrirë autoritetin e Portës. Rexhep aga i druhet konfliktit për faktin se kishte të bënte me njerëz të vetë, të gjakut e të gjuhës, andaj kërkon maturi, durim dhe marrëveshje, meqë po të fillonte lufta, ata nuk kishte kush t’ i pajtonte, sepse  banorët e vendit,  fellahët e Misirit nuk kishin tagër për të ndërhyrë në mesin e shqiptarëve, qoftë edhe për pajtim në mes tyre.


 


Rexhep aga flet nji fjalë,


Kësaj pune si t ja bajmë?


Se me ba me hi nder gjaqe,


Misirlitë s mund na pajtojnë.


 


Ndërkohë këngëtari popullor i thur vargje trimërie një Ali Bajramit, për të cilin nuk dihet se kah ishte, por ai mbante anën e Rexhep agës. Sapo kishte filluar rrethimi, ai me ushtarët apo sejmenët e vetë ishte futur në një xhami dhe kishte filluar mbrojtjen, edhe pse xhamia rrihej me predha të topit e të havanit, gjuajtës zjarri, (njëlloj katapulti…).


Qëndresa e tij kishte qenë heroike, meqë ai nuk ishte dorëzuar dhe nuk ishte treguar frikacak, sikur njëri prej sejmenëve apo bashkëluftëtarëve të tij, për të cilin nga mbiemri mësojmë se kishte qenë nga Qirezi i Drenicës, nëse nuk ndodhet ndonjë Qirez tjetër diku në trojet e Shqipërisë së katër vilajeteve.  Ali Qirezi ose ishte njeri i paqes, ose nuk donte të merrte pjesë në një luftë që konsiderohej edhe vëllavrasëse, meqë në mesin e nizajes, nizamit,  kishte po ashtu shqiptarë që luftonin për Portën.


 






Trim i mire, Ali Bajrami,( në variante, Haxhi Bajrami)


Sa me vrap e zu xhaminë,


E rreh topi e rreh havani,


Ispatë e ban trimeninë.


 


Ai i dyti Ali Qirezi,


Hyn n mejtep po qane si grue


Mos qëllofsha ku derdhet gjaku


Dyfeku s’ishte kane për mue.


 


Kënga shpjegon se luftimet ishin intensifikuar dhe lufta e shqiptarëve po zhvillohej kundër turqve dhe jo mes  tyre, sikur kishte filluar, meqë ndërkohë, disa toskë e disa gegë ishin mbyllur me një Pyllak, apo në vendin e quajtur Byllak, ku kishin vendosur të qëndronin deri në fund. Edhe pse të gjithë ishin myslimanë, ata luftën e tyre kundër Sulltan Mahmudit të Dytë, i cili ia kishte marrë kokën Ali Pashë Tepelenit dhe  kishte bërë fermanli Mehmded Ali Pashanë, e konsideronin si luftë të drejtë, madje si luftë në mbrojtje të fesë, të dinit islam.


 


Disa toskë e disa gegë,


Shkojnë e mbyllën ne at pyllak


Kush te don me imanë me vdekë


Le t lufton me turkoshak…


 






Kënga vazhdon të sjellë edhe një element të ri të trimërisë së shqiptarëve të Misirit. Meqë forcat shqiptare ndodheshin të rrethuara dhe raporti ishte në favor të rrethuesve, këngëtari popullor spikat trimërinë e shqiptarëve, të cilët ishin në gjendje të luftonin, një nga një, në fushë të mejdanit, për ta provuar trimërinë. Si në asnjë këngë tjetër të kohës, në këtë këngë të trimërisë spikatet patriotizmi, që kishte marrë hov në kohën e pashallarëve kryengritës shqiptarë, i mbështetur fuqishëm në ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Ky konstatim më së miri ilustrohet me vargjet:


 


Turkoshak o kopilhane!


Hajde t dalim ne fushe te mejdanit,


Na te rrokemi jake për jake


E provojsh zogun e shqiptarit. (Në variante, “E ta shohin shoqi-shojnë”)


 


Nga melodia e këngës, e cila është një këngë epike heroike, mësojmë se shqiptarët kryengritës kishin pësuar humbje. E donte zakoni,  që  të merrej hak për bashkëluftëtarët dhe këtë detyrë e kishte marrë përsipër ta bënte Rrustem Dibra, një personazh tjetër i këngës, i cili qysh më parë ishte betuar se do të hakmerrej për pritën, që u kishte zënë nizami.


 


Rrustem Dibra ai dibran


Ishte i pari i shqiptarisë,


Si e foli ashtu e bani


Mori hakun gegenisë.


 


Konstatimi i këngëtarit, anonim, popullor na shtyn të besojmë se në Byllak, në vendin ku ishin barrikaduar shqiptarët, toskë e gegë, ata që ishin vrarët kishin qenë nga Vilajeti i Kosovës, nga Dibra, Kosova, Drenica… Rrustem Dibra në këtë këngë konsiderohet si prijës shqiptar, ai “ishte i pari i Shqiptarisë”, i cili sikur e kishte dhënë besën edhe e kishte mbajtur, duke ua nxjerrë haqet trimave të gegërisë.


Në këtë këngë, ashtu sikur edhe në ciklin e këngëve të Ali Pashë Tepelenës, hetohet  mobilizimi i përbashkët i toskëve e gegëve në luftë kundër Turqisë. Ali Pashai ishte mbështetur shumë në luftëtarët e Mirditës e të Kosovës, meqë toskëve, arvanitasve dhe grekëve nuk ua kishte besën, mbase edhe për shkakun se disa nga ata i kishte rënduar me taksa, por edhe i kishte vrarë e masakruar, për hakmarrje dhe për shkak se nuk iu kishin bindur . Megjithatë, në çastet e fundit kur kundër tij ishin nisur 24 pashallarë nga veriu, jugu e nga lindja, ai kërkon ndihmë, por edhe  unitet mes toskëve e gegëve.


 


Bini toskë e gegë, fishekë ju jap vetë,


Bini gegë e bini trima ju tek jeni!


 


Në një këngë greke, të cilën e këndonte këngëtari i njohur arvanitas, Jorgji Papasideri, i këndohet thirrjes që Vasiliqia, grekja e mirënjohur e Ali Pashait   iu kishte drejtuar  arvanitasve, grekëve, vllehve e të tjerëve që ta ndihmonin Ali Pashanë. Kënga është po ashtu epike, njëlloj këngë dëshpërimi, ku parashihet fundi i Ali Pashait, Luanit të Janinës.


Për  mbështetjen që pretendonte ta fitonte  Ali Pashë Tepelena gjatë rrethimit në Pallatin e tij në Janinë, nga vargjet e thurura nga këngëtari anonim shqiptar, arrijmë të kuptojmë se si toskët ashtu edhe gegët, shqiptarët në përgjithësi, luftonin përkrah prijëseve të tyre, jo vetëm në Janinë, por edhe në Misir, ku Mehmed Ali Pashai e kishte rikthyer në sovranitet shtetin e Egjiptit, dikur shtetin më të fuqishëm të botës, trashëgiminë e dinastive të faraonëve të lashtë.








Kënga e trimërisë: “Të shtunën pas iqindije” ose Kënga e Rexhep agës, në variante edhe kënga e  Rexhep Ajës, hedh dritë në një periudhë të caktuar të historisë së Egjiptit, për pavarësinë e së cilit ishte derdhur shumë gjak i shqiptarëve nga gegëria e toskëria, nga Drenica e Dibra, nga Kosova e Çamëria. Po ashtu, kjo këngë e trimërisë, e kënduar për herë të parë,  me siguri në vitet 1830-1840 ka arritur deri në ditët tona si njëra ndër këngët më të frymëzuara ku spikatet trimëria shqiptare, uniteti toskë e gegë, lufta pakompomis kundër turkoshakëve, e cila nuk konsiderohej si luftë kundër islamit, përkundrazi konsiderohej si luftë e drejtë, që kishte mbështetje edhe në fe edhe në dinë e në imanë. Ajo ishte përkufizuar me vargjet: “Kush të don me imanë me vdekë, le të lufton me turkoshak”. Më vonë këto vargje analoge i vërejmë edhe në këngët për mbrojtjen e Ulqinit dhe trevave shqiptare, të cilat me vendimin e Kongresit të Berlinit të vitit 1878, Stambolli ia kishte dhënë Malit të Zi.


Kush të don me imanë me vdekë, në Karadak bahet bejan (dëshmohet).


 


Ahmet Qeriqi


20. 11. 2013

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …