Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati thotë se do kërkojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale

Hysni Gucati: Preshevë jemi me ty!

Kosova Lindore, apo siç po e quajnë në fjalorin politik, “Lugina e Preshevës”,  gjendet para udhëkryqeve të mëdha, por jo edhe të pazgjidhshme. Problemi etnik i shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është i madh dhe po rritet për çdo ditë. Ky problem nuk është vetëm i shqiptarëve të Luginës, i Serbisë dhe i shqiptarëve në përgjithësi, por është problem me përmasa ndërkombëtare. Lugina e Preshevës ka tri komuna me një hapësirë gjeografike me mbi 1200 km katror dhe mbi 80 000 banorë shqiptarë. Në vitin 1948, Presheva, Bujanovci e Medvegja ishin pjesë përbërëse e Kosovës, por që iu bashkangjitën me dhunë Serbisë. Me luginën e Preshevës fillon kontinuiteti i shtrirjes së territoreve shqiptare deri në Prevezë. Nga historia kemi mësuar se nga katër Sanxhaqet e hershme të Kosovës u formua Vilajeti i Kosovës (1877-1912) me seli në Prishtinë (1877-1880) e më vonë në Shkup 1880-1912. Vilajeti i Kosovës ndahej në Sanxhakun e Prishtinës, Shkupit, Jani Pazarit (Pazarit të ri), Nishit, Pirotit (Jeshilkoj), Prizrenit, Dibrës, Pejës, Sjenicës, dheTashlixhës (Plevla), territore këto të banuara me shqiptarë qe dymijë e më shumë vjet. Këto territore edhe sot e kësaj dite janë të populluara me populate autoktone shqiptare. Përbërja etnike në këtë pjesë filloj të ndryshonte nga viti 1877-1880, ku ushtria serbo-malazeze i shpërngulën me dhunë e terror ushtarak rreth 160 mijë shqiptarë. Kështu u spastruan etnikisht 640 vendbanime shqiptare nga rrethi i Nishit, Prokuples, Leskovcit, Vranjës, Kurshumlisë e vendeve tjera të cilat ishin të banuara me shqiptarë autokton diku, qind për qind, në disa vende 70% e në shumë pak territore të kësaj pjese popullata shqiptare e përbënte 50%. Dyndjes dhe terrorit të vazhdueshëm serb popullata e Luginës së Preshevës i kishte shpëtuar deri në vitin 2001, ku dhuna, persekutimet e shtypja e pushtuesit serb i kishte kaluar të gjitha caqet e shfrenimit dhe keqpërdorimit ndaj popullatës shqiptare të Luginës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës për ta përballuar shtypjen dhe persekutimet e përditshme të pushtetit serb, organizuan UÇPMB-në dhe i shpallën luftë.

 

Lufta e UÇPMB-së me Serbinë mori fund me nënshkrimin e një deklarate, më 21 maj 2001, në Konçul, por nuk kanë përfunduar përpjekjet për ta finalizuar statusin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, dhe garantimin e të drejtave të tyre atje për të jetuar të lirë në trojet e veta. Është e ditur publike se pas marrëveshjes së Konçulit, problemet kanë kaluar nga rrafshi konfliktual në rrafshin politik dhe ato do të vazhdojnë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Qeveria e Serbisë në asnjë rast nuk është pajtuar me zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit, as me realitetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilët kanë luftuar e do të luftojnë për t’i fituar të drejtat e veta dhe statusin e Krahinës së pavarur.

Pas përfundimit të luftës çlirimtare me Serbinë 1999-2001, në Luginën e Preshevës, problemi i shqiptarëve që jetojnë në atë pjesë, u ngrit në instancat më të larta ndërkombëtare. Shumë probleme u trajtuan në KS të OKB-së. Por edhe aleanca veriatlantike e NATO-s, bëri që të investojnë në zgjidhjen e problemeve të kësaj pjese. Serbia në shenjë hakmarrje, pas përfundimit të luftës mes UÇPMB-së, policisë dhe ushtrisë serbe, burgosi qindra çlirimtarë edhe pse ishin amnistuar zyrtarisht, i dëboj me dhunë e presion policor dhe ushtarak nga trojet veta, mbi 35000 shqiptarë autokton, shumica prej të cilëve jetojnë në Kosovë e në vise tjera shqiptare si në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri etj, duke pritur ditën e kthimit në trojet e veta. Prandaj, nëse dikush mendon për të bërë kompromise me Serbinë dhe shkëmbime territoresh, shqiptarët e kanë hisen deri në Nishë në Vranjë e Leskovc.

Në Luginë duhet zgjidhur kriza politike e cila është thelluar dhe po merr dimenzione të përmasave të një krize rajonale. Duke e marrë parasysh situatën alarmante të krijuar në Luginën e Preshevës, kërkoj nga spektri politik i të gjitha partive politike që janë të angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi, që ta përfshijnë edhe statusin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sepse pa zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe zgjidhjen e statusit të tyre nuk do të ketë paqe të qëndrueshme në rajon. Shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, janë shtresa e qytetarëve më e diskriminuar e persekutuar dhe e anashkaluar në hapsirat e ish-Jugosllavisë, por edhe në tërë Ballkanin. Në disa raste janë ndërruar emrat e qyteteve e fshatrave të Sanxhakut të Nishit, ku kanë qenë dhe janë të banuara me shqiptarë, project ky që ka filluar në vitin 1878 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Shqiptarët e Luginës nuk kanë të drejtë në përdorimin e flamurit dhe të gjuhës amtare në institucione. Shumica e qytetarëve janë shpërngulur me dhunë nga trojet e veta e kanë të kufizuar apo cenuar lëvizjen e lirë. Bllokimi i teksteve shkollore dhe mohimi i gjuhës shqipe janë cenim i madh i të drejtave elementare për jetë, prandaj kërkoj që të drejtat e tyre të jenë të njëjta me ato që serbët i gëzojnë në Kosovë. Atyre po u dëmtohen dhe grabiten pasuritë, vetëm e vetëm që ta pengojnë kthimin e tyre në atdhe. Serbia nuk e ka fshehur urrejtjen patollogjike ndaj shqiptarëve dhe atë e shfaqë për çdo ditë.

Nëse çështja shqiptare në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë nuk zgjidhet, do të ketë pasoja në të ardhmen. Ç’është më keq, kjo pjesë është lënë në harresë edhe nga Bashkësia ndërkombëtare, prandaj është e domosdoshme që të monitorohet situata atje dhe të përcjellet gjendja e krijuar për të mësuar për së afërmi se në çfarë presioni e dhune sistematike jeton popullata jonë.

Njëkohësisht e përkrah deklaratën politike të lidershipit të shqiptarëve të tri komunave në Luginën e Preshevës, por nuk pajtohem që Shqiptarët e Luginës së Preshevës të krahasohen me serbët e Veriut të Mitrovicës, sepse problemi i Mitrovicës së veriut është krijuar në vitin 2001, artificialisht nga bandat dhe klanet mafioze serbe të dirigjuara nga shërbimet sekrete serbe e të ndihmuara edhe nga ato ushtarake ku kanë bërë spastrim etnik. Qeveria Haradinaj duhet të bëjë urgjentisht një platformë politike dhe të vendosë kontakte të vazhdueshme me liderët e partive politike në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Në anën tjetër diplomacia shqiptare duhet të konsultohet dhe të kordinohet urgjentisht me faktorin ndërkombëtar, për ta shpëtuar situatën që të mos eskaloj, sepse Sanxhaku dheVojvodina janë duke i pritur sinjalet nga Lugina e Preshevës për t’u bashkangjitur në valle për t’i kërkuar të drejtat elementare të cilat i’u kanë mohuar nga Qeveria e Serbisë. Lidhur me këtë, më herët qytetarët e Luginës së Preshevës dhe ata të Sanxhakut kishin bërë një Referendum për t’u bashkuar me Kosovën, sepse bashkimi i Sanxhakut dhe Luginës së Preshevës me Kosovën është vullnet politik i popullit.

Ndarjet janë evidente, sikurse edhe bashkimet territoriale, madje në disa raste janë të domosdoshme. Serbia e di por edhe bota e qytetëruar se shumicën e territoreve që i ka Serbia nën administrim, janë pjesë të okupuara me dhunë, siç është rasti me Sanxhakun, Luginën e Preshevës dheVojvodinën. Është e natyrshme që njerëzit e një culture të njëjtë siç janë shqiptarët, të kërkojnë statusin e pavarur e të mos jetojnë me serbët që shfaqin urrejtje gjenetike dhe patologjike për ditë për shqiptarët e asaj pjese por edhe për shqiptarët në përgjithësi. Shteti i Kosovës, si shtet multietnik, me 90% shqiptarë, e konsideron pakicën serbe me vetëm 5% si shtetformuese, atëherë pse Serbia e diskriminon aq shumë elementin shqiptar që jeton në Serbi, i cili është autokton dhe ka popullsi shumë më shumë se sa serbët që jetojnë në Kosovë. Serbet e mbështesin komunitetin serb në Mal tëZi, Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Bosnjë, Slloveni, Kosovën Lindore e në të gjitha pjesët ku egziston, madje në të gjitha këto vende ka status të veçantë. Pse të mos e kenë edhe shqiptarët një status të tillë në Luginën e Preshevës, madje ata janë popull autokton dhe janë në tokën e vet, nuk janë kolonizatorë si serbët. Nëse Qeveria e Serbisë i respekton të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, krijon paqe e stabilitet në rajon, nëse kjo nuk ndodhë, rritet pasiguria dhe keqsohen marrëdhënjet ndërnjerëzore. Edhe sot e kësaj dite nuk është bërë çmilitarizimi i komunave kufitare me Maqedoninë dhe Kosovën. Forcat e xhandarmërisë, sidomos në Preshevë, që është në kufirin me Maqedoninë dhe Kosovën lëvizin sikur të ishte gjendje e jashtëzakonshme. Xhandarmëria dhe ushtria serbe shpeshherë provokojnë popullatën e fshatrave të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës, duke krijuar ekscese të natyrave konfliktuoze, e që mund të shpërthejnë në konflikt të përmasave më të gjëra. Duhet të ndalen menjëherë këto provokime. Loja me varre është loja me historinë e këtij vendi, është lojë me gjak që ndjellë luftë e gjakderdhje të reja. Edhe Millosheviqi e ka filluar ngjitjen në politikë përmes varreve duke i shetitur eshtrat e Car Llazarit nëpër ish republikat e Jugosllavisë. Kjo lojë i kushtoj popujve të ish-Jugosllavisë mbi 130 mijë njerëz të vrarë në luftëra.

Mos harroni se kjo pjesë e atdheut  ka mbetur një vend i harruar, skajshmërisht i izoluar, nën presion të vazhdueshëm të Qeverisë së Serbisë. Aty nuk respektohen të drejtat e njeriut, e në shumicën e rasteve as e drejta për jetë. Serbia nuk i njeh dokumentet e Kosovës me të cilat janë paisur qytetarët e Luginës pas dëbimit të tyre nga trojet e veta. Problemi me tabela të veturave atyre u nxjerr kokëqarje për ditë. Shumica e liderëve të Kosovës nuk kanë siguri për të shkuar në Preshevë, pasi që kjo pjesë konsiderohet edhe më tutje e Serbisë. Arsimi dhe shëndetësia janë në kolaps. Që nga viti 1981 nuk ka libra shqip në Preshevë. Mbi 11 mijë nxënës mësojnë pa tekste mësimore që nga ajo kohë, në kushte e jetë primitive. Kurse, Serbia për serbët që jetojnë në Kosovë i ndan 50 milion euro. Jeta atje është e vështirësuar së tepërmi. Prandaj është e domosdoshme që ne ta kthejmë vëmëndjen kah Kosova Lindore. Kërkoj që të mobilizohet menjëherë lidershipi shqiptar që ta ndihmoj popullatën shqiptare që jeton atje. Deri në zgjidhjen e çështjes së tyre, e cila domosdoshmërisht duhet që të futet në bisedimet Kosovë-Serbi, t’u sigurohen kushtet për t’u kthyer në trojet e veta.  Për ta shpëtuar atë pjesë shqiptare që jeton në Luginë, kërkohet uniteti i lidershipit shqiptar. Kam besim që kjo do të ndodhë.

(Autori, Hysni Gucati,  është kryetar i OVL të UÇK-së)

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …