I dyshuari për spiunazh kishte takime në Kryeministri dhe Presidencë

Fehim Sali, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh, kishte pasur qasje në institucione të larta të Kosovës, përfshirë Kryeministrinë dhe Presidencën. Sipas Prokurorisë Speciale, pozitat që Sali kishte mbajtur mund t’i kenë mundësuar qasje në informacione të ndjeshme dhe kontakte me persona të rëndësishëm institucionalë. “Rëndësia e veçantë ka edhe pozita politike që i dyshuari ka ushtruar në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, e cila mund t’i ketë mundësuar qasje në informacione të ndjeshme”, thuhet në kërkesën për paraburgim. Sali kishte qenë anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete si përfaqësues i komunitetit goran, për dy mandate, nga 2020 deri më 2024. Sipas Presidencës, ai u shkarkua në maj 2024 pas një raporti të informacioneve të sigurisë. Ai ishte takuar edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në një takim me përfaqësues të komunitetit goran në vitin 2022. Fotografi të Saliut janë publikuar edhe nga Presidenca, ku shihet me ish-presidenten Vjosa Osmani. Sali, i cili është arsimtar nga Dragashi dhe kishte punuar në sistemin arsimor serb në Kosovë, dyshohet se kishte bashkëpunuar me BIA-n serbe.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza: Kriza në Kosovë tashmë është edhe kushtetuese e institucionale

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka ngritur akuza të forta në Kuvend lidhur me mënyrën …