Ibish Neziri: Nuk mund të udhëhiqen bisedime me Serbinë nën kërcënimin e Gjykatës Speciale dhe frikës nga ajo

Ibish Neziri: Ramush Haradinaj edhe këtë sfidë do ta kalojë

 Se është stërtepruar me Ramush Haradinajn dhe jo vetëm me të, tanimë është e qartë. Se është edhe peng politik edhe kjo është e qartë dhe secili koment për të do të ishte i tepërt. E qartë është edhe loja e pafytyrë, jo vetëm e Francës, po edhe e gjithë bashkësisë ndërkombëtare, me theks të veçantë e Evropës, përfshirë këtu edhe udhëheqësit politikë dhe shtetëror të Kosovës, të cilët në vazhdimësi po na shfaqen si zvarranikë.

Ai akuzohet nga një shtet, i cili edhe për 500 vitet e ardhshme nuk mund t’i mbuloj gjurmët e krimeve të kryera për më shumë se njëqind vjet mbi popullin shqiptar. Akuzohet nga shteti me të cilin udhëheqin Nikoliq, Vuçiq e Daçiq, të tre të dëshmuar si kriminelë. Të gjithë mund t’i kenë ende para syshë pozat e Nikoliqit dhe Vuçiqit me armë e me kërcënime për Kosovën dhe shqiptarët. Edhe deklaratën e tij se do të shkoj me të dy djemtë për të luftuar në Kosovë, kurse Daçiqi përfaqësuesi më tipik i Sllobodan Millosheviqit, i cili edhe për së vdekuri do të duhej nga Gjykata e Hagës të shpallej kriminel lufte.

Ramush Haradinaj iu është përgjigjur akuzave. Ai dy herë ka kaluar përmes gjykatës së Hagës, e cila është krijuar edhe nga Franca, dhe dy herë është liruar i pafajshëm ngase me asgjë nuk kanë mundur t’i dëshmonin krimet e pretenduara edhe nga Serbia edhe nga Haga. Tani, çfarë kërkon Franca me këtë rast, nuk mund të mos pyetet. Pse e stërzgjatë nxjerrjen e një vendimi, i cili nuk duhet të jetë tjetër pos që Ramush Haradinajt t’i lihet rruga e lirë për të lëvizur në drejtimet që ai don.

Duke e parë, pos arrestimit krejtësisht të pabazë dhe absurd, edhe qëndrimin krejt neglizhues të drejtësisë franceze për të nxjerrë vendimin, nuk mund të mos hudhen dyshime mbi atë drejtësi, e cila në këtë rast po del të jetë krejtësisht e dështuar, ngase po duket se me çdo kusht po ngulmon të gjejë fakte, të cilat është dëshmuar se nuk ekzistojnë, ose Serbisë, mikës së saj tradicionale po përpiqet t’i krijoj mundësi dhe t’i jap hapësirë për t’i manipuluar faktet që zotin Haradinaj ta ekstradojë në Serbi, me çka edhe vetë Serbinë do ta vinte në siklet, ngase shumë shpejtë do të detyrohej ta lironte.

Ai po vazhdon të qëndroj i burgosur në Francë dhe kjo Francës nuk i bënë nderë, ndërkaq Prishtina zyrtare sillet sikur asgjë nuk po ndodhë, nëse përjashtohen ca deklarata krejtësisht anemike që nuk kanë asnjë rëndësi.

Sikur udhëheqësit politikë të Republikës së Kosovës të kishin vetëm pak dell kombëtar e shtetformues do të silleshin pak më ndryshe, sidomos në raport me Serbinë. Po bëhen 20  vjet që ka përfunduar lufta, nëntë vjet nga shpallja e Kosovës shtet i pavarur.  Edhe nga fillimi i bisedimeve me Serbinë u bënë disa vjetë dhe duket se ata ende nuk e kanë kuptuar se është shtet i pavarur dhe se në bisedime me Serbinë po e tregon një inferioritet të pashembullt, tamam të nivelit qyqar. Nuk ka reciprocitet, nuk ka zbatim të marrëveshjeve ashtu si do të ishte dashur, edhe mbi 1600 të zhdukur vazhdojnë të mungojnë, hapësira territoriale e Kosovës cenohet çdo ditë nga Serbia, strukturat paralele jo vetëm në veri të Kosovës vazhdojnë të veprojnë pa u penguar, kriminelë të të gjitha kategorive vazhdojnë të harlisen nëpër enklavat serbe në Kosovë, shumë nga ushtarët e komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pos që janë dënuar e mbahen në burg, të tjerë vazhdojnë të jenë „të ngujuar“ nga fletë-arrestet e Serbisë, në ndërkohë që për kriminelët e shumtë serbë nuk ka as fletë-arreste e as aktakuza edhe përkundër premtimeve se ato do të lëshohen e do të ngrihen. Deri tani ka vetëm deklaratave po aq anemikë se këto të tashmet për rastin Haradinaj, të cilat nuk po shërbejnë për asgjë tjetër pos për konsum të brendshëm.

 Për shtetbërjen e Kosovës nuk mjaftojnë pozat para fotoreporterëve në Bruksel apo kudo qoftë, as shtrëngimet e duarve e as  telefonatat pa pikë nevoje me zyrtarë agresivë serbë.

Prishtina zyrtare, për të dalë nga ajo gropë inferioriteti në të cilën deri në maje të kokës është futur duhet ta ndryshoj qasjen ndaj të gjitha problemeve që kanë të bëjnë me Serbinë. Së pari duhet t’i ndërpres të gjitha bisedimet përderisa të mos plotësohen parakushtet për bisedime. Kushti i parë do të duhet të jetë tërheqja nga Serbia e të gjitha fletë-arresteve për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe kushtet tjera si arrestimi i kriminelëve të luftës dhe gjykimi i tyre, gjetja dhe dorëzimi i të zhdukurve, shuarja e të gjitha strukturave, edhe unë po i quaj paralele, respektimi dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani, ndërprerja e fushatave kundër anëtarësimit të Kosovës në  organizatat ndërkombëtare e plotë tjera.

Ramush Hardinaj po vazhdon të mbahet, siç e tha edhe vetë, peng në Francë, për shkak të neglizhencës se organeve kompetente të Republikës së Kosovës, ndërkaq zyrtarët e Prishtinës si në një skenë teatri po përjargën për të. Ai nuk ka nevojë për përjargien e tyre, as për ndihmën qe ata po ia „ofrojnë“. Edhe këtë sfidë do ta kaloj ashtu si edhe tjerat deri tani, ndërkaq zyrtarët e Prishtinës, të cilëve qëndrimi i Ramush Haradinajt në Francë në këtë kohë kur po përpiqen t’i bëjnë numrat për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, edhe pse nuk mund të kenë pasur gisht në arrestimin e tij, po iu konvenon, pa e llogaritur se do të skuqen nesër, nëse iu ka mbetur vetëm edhe një pikë gjaku shqiptar në deje. Për këtë mbajtje peng padrejtësisht të Ramush Haradinajt do të skuqet edhe Franca, e cila ishte simbol i vëllazërisë, barazisë e lirisë.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …