leoni

Ibrahim Kelmendi

Ibrahim Kelmendi: Xhavit Haliti dhe Azem Syla ishin kundër shkruarjes në Kosovë të Fehmi Lladrovcit- dialog me Bedri Islamin

Shumë gjëra që kanë ndodhur në Kosovë janë mbajtur në distancë nga Kryesia e Organizatës, mendoj se kjo ka qenë e drejtë, ata kanë gjalluar vetëm, brenda saj dhe ndonjë strukture të saj. Kjo, ashtu si ka bërë të mundur të ruhen brenda një grupi të vogël njerëzish sekretet e ndryshme, e domosdoshme kjo për kohën e luftës, ashtu ka bërë që problemet të grumbullohen e herë pas here edhe të mahisen. Pastaj ka ndodhur që, kur kanë shpërthyer, ata kanë qenë ose me zgjidhje të vonuara ose zgjidhja ka qenë e pafrytshme. Mendoj se një mbledhje e tillë ka ndodhur edhe në Bruksel, para shpërthimit të luftës. Për këtë takim, disa ditor, është folur fare pak, krejt përciptas, për të mos thënë se është lënë në heshtje, ndërsa ai, për mendimin tim, ka qenë tejet i rëndësishëm. Me sa mbaj mend është zhvilluar në fundin e vitit 1997, në klubin “Idriz Seferi”. Mendoj se ka ardhur koha të flitet më gjatë për këtë takim? Konkretisht, si lindi ideja për të, kush e organizoi, si u bë organizimi i tij, kush mori pjesë, cilat probleme u shtruan, me çfarë u ballafaquat, çfarë konkluzionesh u arritën? Pra, brenda një pyetje, janë disa të tilla. Do të doja një përgjigje të zgjeruar për të gjitha, dhe jo, siç është në stilin tënd, nganjëherë telegrafik.  ( Bedri Islami, drejtuar Ibrahim Kelmendit)

(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Po me vjen pak si zor ta torturoj memorien për ndodhi kaq konkrete dhe mbase nuk rezulton gjë, sepse trurit, me kalim të kohës, i reduktohen kapacitetet mbamendëse që ka. Fillimisht rrethanat para mbledhje janë me rëndësi. Zhvillimet në Kosovë po precipitonin me shpejtësi, sepse Serbia kishte ndarë mendjen për të na dhënë goditjen asgjësuese. Organizata në përgjithësi, e sidomos në Kosovë, strukturat e saj të përfshira në UÇK, brenda e jashtë vendit, e ndienin se një gjendje e re po vinte, e prisnin atë dhe kishin marrë ato masa që ishte e mundur në atë kohë, me atë përvojë, forcë e logjistikë që kishin. Por edhe aq sa ishte bërë e po bëhej, sidomos në fundin e vitit 1997 dhe fillimin e vitit vijues, ishin të rëndësishme. Shfaqja e përfaqësuesve të UÇK-së në varrimin e mësuesit H. Geci, si paraqitje e parë publike e tyre, dëshmoi një fakt të rëndësishëm: Qëllimi i parë i Lëvizjes, për ta futur në mendimin e popullit mbështetjen për njerëzit e luftës, ishte arritur. Populli dëshmoi se, me gjithë qëndrimin qyqar të “pacifistëve” ishte i gatshëm të përballonte luftën. Më pas u dha shenja e dytë, rrethimi në muajin janar 1998 i Familjes Jashari dhe përballimi i këtij rrethimi. Ndërkohë kishin ndodhur edhe disa luftime të tjera, të cilat dhanë jo vetëm shpresë, por ishin edhe sinjal lufte. Pra, Lëvizja në tërësi, si organizëm politik dhe UÇK-ja në veçanti, si organizim luftarak, ishin në pritje, gjithnjë me mendimin se “kur të thahet toka në Drenicë, do të fillojë sulmi serb”. Kjo ishte pranvera. Pra, dy mundësi që vareshin nga Lëvizja ishin arritur në një shkallë të ndjeshme: përgatitja e strukturave dhe mendësia e popullit. Ajo që mungonte ishte logjistika, por në atë kohë dikush tjetër grabiste mjetet financiare dhe Lëvizja kishte mbetur e vetme në mundësinë e saj. Unë vazhdoj të mendoj se në atë kohë po krijohej një kontradiktë, të cilën unë mund të vëreja. Ndryshe nga sa ndodhte në Organizatë dhe sidomos në strukturat e saj në Kosovë, kryesia tashmë po u shkonte ngjarjeve pas dhe, kisha përshtypjen, se herë pas here nuk po mundej t’i përcillte as si agjenci lajmesh. Thjesht po vonohej. Siç e kam përmendur, pa qenë fare anëtar Kryesie kisha filluar të shqetësohesha qysh në vitin 1996, sepse detyrimi i tri zonave ushtarake, për të kërkuar mjete financiare nga Nëndega e LPK-së në Gjermani ishte për mua shqetësuese. Kryesia nuk po merakosej, pse ato zona po i kërkonin, por pse ne po ua dërgonim. Anëtarët e Kryesisë, më vjen keq ta them, sikur tashmë ishin shoqëruar e familjarizuar në ato përmasa, sa asnjëri nuk po interesohej të vëzhgonte punët e tjetrit. Në rastin konkret, nuk po interesoheshin të kërkonin llogari prej Sektorit të rëndësisë se veçantë (bërthamës, të menduar si shtab i përgjithshëm, i cili duhej të formohej e konsolidohej). Kurse Kryetari i Kryesisë, bashkëveprimtari i kamotshëm, vetëm tani po më bindte se nuk e kish as shtatin dhe as konstruktin për të qenë në këtë funksion, në këtë situatë kulmore. Muhamet Kelmendin, nënkryetar, e kishte kapluar dëliri i madhështisë prej shkencëtari të drejtësisë, akoma më shumë, edhe teoricien i luftërave çlirimtare. Ai as donte t’ia dinte pse ne të tjerët nuk po e kuptonim. Megjithatë donte të imponohej se kishte gjetur thembrën e Akilit – njëfarë fronti…, në kohën kur as 5-6 veta në Kryesi sikur nuk ishin bashkë dhe nuk po e dinin për çfarë ishin bashkë. Emrush Xhemaili, Gafurr Elshani dhe Ali Ahmeti, me gjithë përkushtimin e tyre, sikur nuk po pajtoheshin me realitetin e hidhur, se prej kohësh shoku i tyre i ngushtë, Xhavit Haliti, dukej sikur ua kishte kthyer shpinën. Nga zhgënjimi befasues dhe dëshpërues, ata as nuk ishin në gjendje t’i kërkonin llogari, nga se dinin se ai nuk do t’u jepte më. Nuk kishin kurajë as të kërkonin ndihmën e Këshillit të Përgjithshëm, meqë dëshironin të shijonin kënaqësinë, sikur po ia dilnin ta fshihnin gjendjen e rëndë, që do të thotë, sikur po vazhdonin të na mashtronin se ishin të suksesshëm.(Bedri Islami – B.I.: / Ndërhyrje ) – Në pohimin tënd mendoj se ka dy mangësi; së pari, nëse e pranojmë se disa nga drejtuesit e kryesisë nuk ishin, si i thonë, të aftë të merrnin përsipër atë që shtronte koha dhe, të tjerët, të qëndronin në heshtje, atëherë përse sektori i veçantë, më i rëndësishmi që ka pasur ndonjëherë organizata, duhet të mbështetej tek ata. Së dyti, si e ke cilësuar, ushtarakët, kur erdhën në Tiranë, ishin të bindur se gjendja e UÇK-së dhe e vetë Kosovës në pragun e luftës, ishte shumë më e mirë se sa në vendet e tjera të ishJugosllavisë, në të njëjtën periudhë, se ishin ngritur strukturat. Atëherë kush kishte influencuar në këtë ngritje? Mendoj se kryesia e organizatës ka rolin e saj, e sektori i veçantë, po ashtu. Nuk mund të ketë një ndarje të thikëzuar mes gjërave që kanë ndodhur, ato kanë ndikim tek njëra-tjetra.

(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Më lini ta shtjelloj deri në fund mendimin tim. Unë këtë gjendje e kam konstatuar asaj kohe dhe këtë e kam thënë. Jo sot, por kur ishte vendi e koha e duhur. Megjithatë, kishte nga ata që mendonin se kishin zgjidhje konkrete – shkuarjen e tyre në Kosovë, për t’i dhënë infuzion UÇK-së së goditur rëndë. Ky ishte Fehmi Lladrovci. Pasi ishte konsultuar me shumë ushtarakë, pasi ishte konsultuar me “Grupin e Drenicës”, siç po e quanin disa individë Adem Jasharin dhe bashkëluftëtarët e tij, Fehmiu kishte motivuar trima të përzgjedhur që të shkonin në Kosovë. Por realizimin e shkuarjes e mendoi gabueshëm, nga se kërkonte leje nga Kryesia jokompetente. Dhe Kryesia nuk po ia miratonte kërkesën, sepse Xhavit Haliti dhe Azem Syla, tashmë përvetësues de fakto të Sektorit të rëndësisë se veçantë, ishin kundër. Po përse ishin kundër? Bënin këtë pyetje Kryetari, Nënkryetari, Sekretari dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë? Sikur nuk pyesnin, as veten e tyre, as njëritjetrin. Ata u mjaftuan fillimisht t’i thoshin jo Fehmiut, me arsyetim se shtabi i përgjithshëm, kishte refuzuar. Pakkush po pyeste, vërtet kishte shtab në atë kohë e në ato rrethana? Ndërsa mua po më shqetësonte vazhdimisht kjo pyetje dhe me ato pak të dhëna, (meqë më shumë të dhëna nuk kisha nga t’i siguroja, sepse edhe Kryesia, edhe Sektori, në emër të konspiracionit, kishin kyçur gojët) kisha formuar bindjen se shtabi tashmë ishte vetëm emër fiktiv sado që kishte pasur përpjekje për ta formuar e konsoliduar. Fehmiu dhe grupi rreth tij ishte mbështetur më shumë tek Aliu, nga se po prisnin më shumë prej tij. Por as ai, as ne, ende nuk dinim se Xhaviti dhe Azemi e kishin mënjanuar atë. Në atë gjendje, atij po i vinte keq prej Fehmiut dhe bashkëveprimtarëve të tij, që kishin vendosur të shkonin në Kosovë, meqë po detyrohej të arsyetonte refuzimin e Xhaviti dhe Azemit. Edhe Fehmiu po me hidhëronte, sepse i kisha thënë disa herë, mos prit lejen e tyre, sepse nuk janë kompetentë për të thënë po as jo. Megjithatë ai shquhej për disiplinë, donte të respektonte e zbatonte hierarkinë e Organizatës dhe të Ushtrisë.

(Bedri Islami – B.I.) – Më duket se përsëri je i gabuar në kohë, sidomos për sa i takon pozicionit të Aliut në këtë periudhë. Kërkesa e grupit, i cili mund të quhet, Grupi i Fehmi Lladrovcit, kërkesën e parë për të qenë pjesë e radhëve të UÇK-së, e ka bërë para ngjarjeve të janarit 1997, kur ndodhën arrestimet dhe vrasjet e shokëve. Kërkesa e tyre është trajtuar më urgjentisht pas këtyre ngjarjeve, ku u bë edhe më e domosdoshme vajtja e këtij grupi në Kosovë. Sipas bisedës me Xhavit Halitin, ai nuk ka qenë kurrë i interesuar të pengojë kënd të futet në Kosovë dhe as që ka mundur ta bëjë këtë. Ndërsa Ali Ahmeti, në këtë periudhë, ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe njëri ndër njerëzit kryesorë në ndërlidhjen e strukturave të luftës në Kosovë. Edhe pas arrestimeve, ai nuk i kishte humbur lidhjet, ashtu si kishin lidhje të tjera edhe anëtarët e kryesisë të caktuar për këtë qëllim. Nëse Aliu mund të quhet i mënjanuar nga funksioni i tij, kjo ka ndodhur pas majit të vitit 1997, por ka qenë një mënjanim i padeklaruar dhe jo i saktë, pasi ai e ka vazhduar gjithnjë detyrën e tij. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se pikërisht kjo kryesi, më pas, e miratoi kërkesën e Grupit për të hyrë në Kosovë dhe për realizimin e këtij misioni caktoi dy shokë nga sektori i rëndësisë së veçantë, Ali Ahmetin dhe Xhavit Halitin. Dhe diçka tjetër. Fehmiu kishte zgjedhur rrugën e drejtë. Ai, bashkë me shokët që e shoqëronin, mes tyre edhe Xheva, donin të shkonin në mënyrë të organizuar për disa arsye kryesore. Së pari, Fehmiu kishte qenë gjithnjë një njeri i strukturave, i ndërtuar në atë mënyrë që, me gjithë karakterin e tij të jashtëzakonshëm, përsëri ishte një njeri që i bindej jetës organizative. Pra nuk ishte rebel ose një njeri i rebeluar, siç ishe shpesh herë ti. Pastaj, ai kërkonte që shokëve në Kosovë t’u jepte mesazhin e qartë se atje nuk ka shkuar si një njeri fillikat, në kokën e tij dhe pse ashtu iu mbush mendja, por mbi bazën e një vendimi dhe kjo do të thoshte se shtabi ekziston, se organizata është e pranishme. Së fundi, ai e mendonte dhe e dinte se lufta do të ishte e ashpër, dhe nëse do të shkëputeshin hallkat, kjo do ta bënte luftën të pamundur. Ai i kishte menduar gjatë të gjitha këto dhe zgjodhi këtë rrugë, e cila, vërtet ishte e drejtë, por më pas ishte edhe tragjike. Si e kam shkruar edhe në librin “Përjetësia e dyfishtë”, gjithnjë më ka munduar pyetja se cili nga “shokët brenda”, të thënë “shokë të shtabit”, nuk ishte dakord që Fehmiu të futej në Kosovë. Rexhep Selimi më ka thënë se ne ishim të dëshiruar të kishim një njeri si Fehmiu. Adem Jashari do të thoshte haptas se “vetëm vdekja më ndan nga Fehmi Lladrovci”. Atëherë kush? Unë mendoj, edhe pas kaq kohe, se pas figurës së tij, ka pasur një dyzim mendimi. Dikush ka menduar se amullinë e vet mund ta shlyejë përmes figurës së Fehmiut, sepse jo të gjithë kanë qenë sinqerisht të interesuar si ishte Ali Ahmeti; por kishte edhe të tjerë që kishin drojën se me futjen e Fehmiut në Kosovë, gjërat nuk do të mund të ishin si më parë, si mendohej, në dorën e askujt.

(Ibrahim Kelmendi – I.K.: / Vazhdim i përgjigjes) – Më ishte mbushur mendja se, në bazë të atyre pak të dhënave, e nuk ishte e dhënë pa rëndësi që të gjitha zonat e atëhershme nuk ishin të lidhura mes tyre dhe as nuk kishin një qendër (shtab), ku të paktën mund të kërkonin mjete financiare. Duke e dhunuar edhe intuitën për të skanuar gjendjen, se Xhaviti dhe Azemi, ose i kishin humbur lidhjet me njerëzit e tyre, ose po donin të ndërtonin një guerilje sa të ishte në gjendje për ndonjë aksion simbolik, që do të prodhonte hiç më shumë se sa zhurmë e spekulime mediumesh. Por, kur u informova se Xhaviti kishte kooptuar Nait Hasanin, kurse Azemi kishte kooptuar Xheladin Gashin, atëherë m’u imponua një vlerësim i ri, tepër fatkeq – mendoja se ata nuk ishin të zotët për të formuar e konsoliduar shtab ushtrie. E, meqë i dija për të tillë, – tashmë Naiti ishte në burg, kurse për Xheladinin, po, për Xheladinin, nga nuk më ndërlikeshin dyshimet, të kishte dezertuar, të ishte trembur dhe prandaj të ishte “zhdukur”, apo të kishte ndodhur diçka tjetër!? Për këtë të fundit, po më habiste fakti: Naiti arrestohet jo fort larg banesës se tij, kurse policia nuk kishte shkuar për t’ia bastisur banesën, siç ndodh edhe në rastet më ordinere, ku do ta gjenin komandant “Plakun” (Xheladin Gashin). Gjithë këto dilema, dyshime, turbulenca, në njërën anë, dhe vrasja e Zahir Pajazitit me dy bashkëluftëtarë, në anën tjetër, më kishin nxjerrë fare nga binarët. Nuk doja më t’ia dija për disiplinën (skllavëruese) që kërkonte Kryesia, nuk respektoja më centralizmin demokratik, që kuptohej, në rastin konkret, të mblidhnim ndihma dhe ato të përfundonin në Sektorin e rëndësisë se veçantë, për të cilin mendoja se i kishte humbur lidhjet. Të kuptohemi drejt, edhe rebelimin më duhej ta bëja me takt, të tërhiqja perin, por të mos e këputja. Prandaj, i kisha thënë Kryesisë, qysh në mars (1997), kur më thirrën për të dhënë llogari, se do të disiplinohesha posa ta sanonin gjendjen në Kosovë. Atëherë zonat nuk do të kishin më nevojë të kërkonin ndihmë nga Nëndega në Gjermani. Isha bërë tepër aktiv, duke u munduar të sqaroj e të bind me takt se Kryesia nuk ka më kontroll mbi Sektorin e rëndësisë së veçantë, mjetet financiare janë të përqendruara vetëm te Xhaviti dhe Azemi dhe nuk e dimë se si është ecuria e tyre në Kosovë. Për rrjedhojë, duhej të mbahet mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm dhe duhej kërkuar llogari nga Kryesia, nëse e ka nën kontroll Sektorin, i cili, siç më dukej mua, nga një sektor i rëndësisë së veçantë, po kthehej në sektorin e Xhavitit dhe të Azemit. Më bëhet, sikur ua mbusha mendjen anëtarëve aktiv të Kryesisë: Aliut e Emrushit, pasi Fazliun, Gafurrin e Muhametin nuk kisha përse t’i torturoja (meqë mendoja se ishin shndërruar pothuajse vetëm në figurantë) dhe shumë anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, që të mbahej mbledhje e KP-së, ku ose do të informoheshim e do të gjenim zgjidhje, ose do të zhbëheshim. Prandaj u thirr mbledhja e KP-së në fjalë, dhe jo si herëve të tjera në Zvicër, por në terren “neutral”, në Bruksel. Ndoshta mund t’ju kujtohen këto zhvillime bashkëveprimtarëve, nëse kanë kurajë e sinqeritet për t’i kujtuar. Për të mos e zgjatur, në atë mbledhje po vërtetoheshin shqetësimet e mia, edhe pse informatat jepeshin me pikatore. Dhe aty Kryesia raportoi se në ç’gjendje të padëshirueshme ishte katandisur Sektori, se shtabi nuk po i përgjigjej më, se ajo që kishte qenë në fillim, e strukturuar dhe e kontrolluar, tani kishte filluar të ndryshonte, se marrëdhëniet sikur kishin ngrirë, etj., etj. Më në fund, them se do të bënit shërbim të mirë, sikur t’i nxirrje detajet nga dokumentet e asaj mbledhjeje, po patët qasje në arkivin e Lëvizjes. (Bedri Islami – B.I.: / Shënim) Dokumentet e asaj Mbledhjeje janë në arkivin e Organizatës, megjithëse unë nuk kam qasje në këtë pjesë.

Më duhet të sqaroj, më shumë ata që e lexojnë bisedën tonë, se Mbledhja është bërë në dhjetorin e vitit 1997 dhe në Kosovë, këtë vit, kishin ndodhur ngjarje të rëndësishme, disa nga të cilat, tragjike dhe të dhimbshme deri në palcë. Ishte vrarë Zahir Pajaziti, drejtuesi kryesor i Shtabit Operativ, dhe bashkë me të, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Ishte arrestuar Nait Hasani dhe bashkë me të kishte pasur arrestime masive në të gjithë Kosovën. Më 2 qershor 1997 do të fillojë gjykimi ndaj anëtarëve të UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës, mes të cilëve do të jenë edhe Adem Jashari, i dënuar me pas me 20 vite burg, por edhe Hashim Thaçi, i dënuar me dhjetë vjet. Në maj, duke synuar të kalojë kufirin, bashkë me grupin e drejtuar nga Fehmi Lladrovci, vritet Luan Haradinaj, njëri ndër drejtuesit e sektorit të logjistikës, apo si është quajtur “buka e UÇK-së”. Do të ketë aksione të shumta. Mirëpo nuk jem i të njëjtit mendim se nuk kishte pasur lidhje mes grupeve dhe zonave operative. Me aq shtrirje sa kishte UÇK-ja deri në atë kohë, ishin bërë përpjekje dhe ishin realizuar disa takime. Nait Hasani, si koordinator kryesor, ishte takuar me Zahir Pajazitin, në varrezat e Prishtinës dhe kishin krijuar lidhjet, e po në të njëjtën kohë ishin krijuar lidhjet edhe me Adem Jasharin, me Rexhep Selimin, Sulejman Selimin, Sokol Bashotën, me Ardian Krasniqin, i cili do të vritet në sulmin gueril më 16 tetor 1997, me Qerim Kelmendin. Si do të dëshmohet më pas, të gjithë ata që ishin figurat kryesore të luftës, kanë qenë të lidhur me njëri-tjetrin dhe në një strukturë të përbashkët. Dikush kishte luajtur rolin në krijimin e një mjedisi të ri të luftës, pas goditjeve të rënda. Pra, kishte filluar ndryshimi i gjendjes dhe lidhjet ishin bërë me koordinimin e Sektorit e rëndësisë së veçantë.

Fakt është se, në takimin e parë mes tyre, Naiti i është paraqitur Zahirit me emrin “Abazi”, në shenjë të Ali Ahmetit. Pra, kishte lidhje, sado të vakëta, të cilat vijnë e rriten gjithnjë e më shumë. Krijohet Drejtoria Operative e UÇKsë. Vendosen kontaktet me diplomacinë Perëndimore. Nait Hasani vendos lidhjet me shokët në Drenicë. Arrestimet më parë e vrasjet më pas, bënë që shumë lidhje të prishen, të rrinë në pritje, disa kaluan në Shqipëri përkohësisht pasi kërkoheshin për t’u arrestuar, si të Linjës së Llapit, por, gradualisht, edhe të vendosen lidhje të reja, të ketë rikthim dhe ndërtim të ri, aty ku ishte prishur apo edhe kishte munguar. Por, edhe gjendja ishte e rëndë. Nga ata që njiheshin si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, pavarësisht nëse ti mendon se e kanë merituar apo jo, dy ishin në burg, Nait Hasani dhe B.Zogaj, njëri do të vinte në Zvicër, Xheladin Gashi, Zahiri ishte vrarë. Kush kishte mbetur: Rexhep Selimi dhe Sokol Bashota. Në Drenicë ishte Adem Jashari, por edhe Abedin Rexha, Iliaz Kodra e Sulejman Selimi, megjithëse këta tre të fundit nuk ishin anëtarë të Shtabit. Sidoqoftë, pas kësaj gjendjeje, mund të them, më e rënda deri asaj kohe, gjërat filluan të lëvizin. Të sjell një shembull: më datën 3 dhe 4 gusht 1997 do të kryhen njëkohësisht katër aksione, në katër vende të ndryshme të Kosovës. Në Podujevë, në Skenderaj, në Komoran dhe në Gllogovc. Kjo nuk është rastësi. Një shembull tjetër: më 11 shtator 1997, në orën 23, do të ketë njëkohësisht aksione të grupeve guerile në Irzniq të Deçanit, në Ponashec të Gjakovës, në Ratkoc të Rahovecit, në Runik të Skenderajt, në Gllogoc, në Ozdrim, në Kliçinë, Çallapek, në Klinë. Njëmbëdhjetë sulme të armatosura në njëmbëdhjetë stacione policore serbe, në të gjitha anët e Kosovës. Përsëri nuk besoj se është rastësi. Për më tepër, duke u bazuar në një bisedë me Rexhep Selimin, pyetjes sime, përse zgjodhët 11 objektiva, i është përgjigjur se, po të kishim më shumë mjete, do të kishim sulmuar më shumë. Dhe, më 28 nëntor 1997 Lëvizja Popullore e Kosovës i bën thirrje të hapur gjithë popullit për kryengritje të armatosur dhe luftë deri në çlirim. Pra ka pasur disa zhvillime, të cilat, edhe sepse në Lëvizjen jashtë vendit ka pasur shqetësime e probleme, ata kanë bërë më tej.

(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Ju falënderoj për këtë qartësim. Po, që të mos keqkuptohemi, unë nga një ushtri po prisja më shumë. Rexhep Selimi ju ka thënë se po të kishin mjete do të sulmonin më shumë. Kjo do të thotë se ne nuk i kemi furnizuar sa duhet dhe si duhet, e rrethanat e favorshme për të bërë furnizim me armatim e municion i kishim tepër të volitshme, qysh kur ndodhi rebelimi në mars të vitit 1997 në Shqipëri.

(Bedri Islami – B.I.: / Ndërhyrje) – Rexhep Selimi e kishte fjalën për armë të një cilësie të re, të fuqishme, si “Zolat” etj.

(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Meqë isha atje, në Jug të Shqipërisë, në mars të vitit 1997, bëja thirrje që të mobilizoheshim për të siguruar armë. Atëherë njerëzit do të ishin të gëzuar, nëse do të gjenin blerës të armëve të tyre të grabitura nga depot e shtetit me çmim simbolik. Ta zëmë 10 dollarë një kallash. Por nuk po ndodhte asnjë angazhim konkret. E unë pata blerë vetëm një sasi simbolike, meqë nuk kisha më shumë të holla. Veprimtarët e logjistikës së ushtrisë sonë nuk kishin para as për ushqim të bollshëm. Kurrë nuk mund ta harroj, në çfarë kushtesh e patëm kaluar ndërrimin e moteve nga viti 1996 në vitin 1997, në banesë të Ardian Krasniqit në Tiranë. Nuk ishte vetëm mungesa e ushqimit dhe kushteve minimale jetësore, por edhe përndjekja nga shërbimet inteligjente të shtetit shqiptar, në bashkëpunim me shërbimet serbe. Dhe do ti, ka edhe nga ata që i dinë këto gjëra, megjithatë madhërojnë kryepushtetarët e atëhershëm të Shqipërisë, ndërsa ka të tjerë që mallkojnë popullin, përse u rebelua kundër plaçkitjes nga firmat piramidale, pas të cilave qëndronin edhe ustallarë serbë, ala krimineli Arkan, i cili bashkëpunonte me pushtetarët e Tiranës. Që të sqarohemi, nuk i bëjmë nder Lëvizjes dhe as Ushtrisë sonë nëse vazhdojmë vetëm të propagandojmë e glorifikojmë, por duhet të evidentohen edhe pengesat, paaftësitë dhe defektet tona.

 

(Bedri Islami – B.I.: / Ndërhyrje) – Ti, mik i dashur, harron kohën se për cilën flasim. Është dhjetori i vitit 1996, kur je takuar me Zahirin dhe shokët e tjerë, megjithëse nuk i ke njohur se cilët janë, me përjashtimin e Adrianit. Çfarë fondesh kishte Lëvizja asaj kohe? Të papërfillshme.

 

(Ibrahim Kelmendi – I.K.: / Ndërhyrje) – Më falni për ndërhyrjen, por mua atëherë m’i pat dhënë Kryesia 15 mijë marka, me sa mbaj mend, për t’ia dorëzuar Xhavitit në Tiranë.

 

(Bedri Islami – B.I.) – Më fal, nuk janë me rëndësi detajet, prandaj po vazhdoj ku e lashë. Ta zëmë, Nëndega e Lëvizjes në Gjermani, sa mund të dërgonte në muaj, në Linjën e Llapit? Ata kishin kërkuar 4 mijë marka gjermane në një muaj dhe kjo, herë plotësohej e herë jo. A mund të bliheshin armë të një cilësie të lartë me këto mjete, kur mungonte edhe buka. Përse fondi në Gjermani nuk i pajisi me logjistikë moderne tri zonat që ndihmonte? Për një fakt të thjeshtë, nuk kishte. Unë nuk dua të glorifikoj askënd, por nuk dua as të mohoj askënd. Fakti që, edhe në këto kushte, do të thosha të një rrethimi të trefishtë, Lëvizja mori përsipër t‘i ngriste strukturat e luftës, i bën nder asaj. Dhe këto struktura kanë pasur drejtues, Organizata, po ashtu, ka pasur drejtues, të cilët, edhe pse mund të kishe vërejtje, e bënë punën e tyre.

 

(Ibrahim Kelmendi – I.K.: / Vazhdim i përgjigjes) – Prej kohësh nuk kemi të njëjtin mendim, i kemi parë dhe i shohim gjërat ndryshe, por, mëqë kësaj radhe ju më pyetni e unë duhet të përgjigjem, më lejo ta shtjelloj mendimin tim. Të sjell një shembull: Mbaj mend se si e vuaja në heshtje mandatën kur u informova nga Behxhet Mehmeti (“Bajrami”) në fillim të vitit 1984, sapo qe arratisur bashkë me Emrush Xhemailin (“Muhametin”) dhe Behxhet Luzhën (“Hazirin”). Ai me dhembje po më thoshte: “na janë vrarë bashkëveprimtarët Rexhep Malaj e Nuhi Berisha dhe na janë burgosur rreth 300 veta, prandaj për to duhet të mbajmë përgjegjësi, meqë duhet të jenë infiltruar spiunë të UDB-së në radhët tona, përndryshe – si u informua policia të na zërë prita e të na burgosin kaq shumë veta?” Me qindra e me mija ishin arrestuar gjatë vitit 1981. Edhe në vitet e pastajme na janë vrarë dhjetëra dhe burgosur me mijëra veprimtarë. Vërtet, nuk kishim ne faje që nuk zotëronim teknikën e konspiracionit dhe organizimit klandestin, apo duhet fajësuar vetëm super-aftësinë e shërbimeve jugosllave, përkatësisht serbe të Kosovës?! Cilin rol luanin kuislingët shqipfolës a la Azem Vllasi e Ibrahim Rugova në gjithë këto goditje?! Nëse gjithandej vazhdojmë të lavdërojmë, si mund t’i arsyetojmë pësimet e goditjet e shumta e të rënda, si mund të arsyetojmë mungesën e mjeteve financiare edhe për ushqim për Zahir Pajazitin, Adrian Krasniqin, Ilir Konushevcin, Qerim Kelmendin (që i kisha parë me sytë e mi)?! Si duhet sqaruar që Adem Jashari me bashkëveprimtarë ankoheshin për mungesën e armatimit të avancuar në vitin 1996/97?! Deri kur duhet të heshtet se familjarët e Jasharëve në Gjermani grumbulluan vetë ndihma financiare për t’ia dërguar Adem Jasharit me bashkëveprimtarë dhe ia besojnë dërgesën e tyre Azem Sylës. Ato ndihma kurrë nuk arritën në destinacion?! Si rrohej në Prishtinë kur Drenica po përgjakej?! Si duhet vlerësuar shpallja e “zgjedhjeve të lira” nga kuislingët shqipfolës, kur Drenica e Dukagjini po përgjakeshin?! Do të më fani: ose më duhet të “zbrazëm”, ose të pëlcas!

( Zgjodhi dhe përgatiti, Pashtriku org, 19. 3. 2016)

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …