Ibrahim Shala: OFENZIVA E MADHE KUNDËR VLERAVE TË UÇK-së

Ibrahim Shala: OFENZIVA E MADHE KUNDËR VLERAVE TË UÇK-së

Shkrim në përkrahje të reagimit të zëvendës Komandantit të ZOP Sadik Halitjaha me titull “GJYKATA POLITIKE GJYKON LUFTËTARET ÇLIRIMTAR”, të publikuar në veb faqen e Radios Kosova e lirë me 16.07.2025. https://www.radiokosovaelire.com/sadik-halitjaha…/… /16.07.2025/
Jemi dëshmitarë të një vendim ndëshkues dhe fyes për UÇK-në, të shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për rastin “Listat e Veteranëve” i cili ka dëshpëruar çdo shqiptar liridashës.
Zoti komandant Sadik Halitjaha, të gjithë ata që e ndjejmë veten shqiptar jemi me ju dhe me shokët tuaj të luftës dhe të akuzës së përbashkët. Ju keni bërë një punë shumë të mirë dhe voluminoze në realizimin e të drejtave të veteranëve të UÇK-së, kjo akuzë dhe dënimet e shqiptuar nuk kanë të bëjnë asgjë për përfitimet tuaja personale. Nuk ka asgjë më të lavdishme dhe më njerëzore për komandantët e vërtetë të luftës, se sa përkujdesja në luftë për jetën e luftëtarëve dhe përkujdesja në liri për mirëqenien e jetës së veteranëve.
Komisioni i Vlerësimit për veteranët e UÇK-së ku keni qenë edhe ju anëtarë, ishte i themeluar me vendim qeverie, i drejtuar nga Zyra e Kryeministrit dhe veprimtarinë e vet e ka bazuar në vendimet dhe ligjet në fuqi. Aplikacionet e kanë pasur qartë të shkruar paralajmërimin: për falsifikimin e të dhënave në aplikacion, aplikuesi personalisht bartë përgjegjësi penale. Çka më tej, çka ka këtu për tu gjykuar komandantët e zonave?
Cilat ishin dëshmitë e prokurorisë, cila ishte lista e aplikuesve të rrejshëm që u prezantua në seancat gjyqësore? Prokuroria nuk ofroi të dhëna dhe fakte, por u ndanë mekanikisht 19000 aplikacione si bukën kur e ndanë përgjysmë dhe deklaron me triumfalizëm, se këta nuk janë veteranë të saktë, dhe u “vërtetua” brenda ditës kjo punë. Mirë që nuk kanë shkuar sipas alfabetit të bëjnë ndarjen e veteranëve të pa vërtetë prej atyre të vërtetëve. Kjo qasje e gjykatave është vazhdimësia e stilit të gjykatave të UNMIK-ut, prokuroria nuk është e detyruar të dëshmoj akuzën, por i akuzuar duhet të dëshmojë pafajësinë. Stërzgjatja e procesit, mënyra e procedimit, mungesa e fakteve, politizimi i procesit, gjykimi sipërfaqësor dhe pa sensin e drejtësisë dëshmojnë se këtu vetëm drejtësi nuk ka pasur. Fronti anti UÇK në emër të shqetësimit për dëmtimin e parasë së shtetit, shfrytëzuan rastin për thellimin e opinionit anti UÇK dhe anti pjesëtarëve të UÇK-së, fushatë e orkestruar mediatike që vazhdimisht mbillte mjegull nëpër debate mediale, kurrë pa u marrë me gjëra konkrete që e përbënin thelbin e çështjes që po gjykohej.
Askush nuk u mor seriozisht me trajtimin e fakteve si: Sa ka qenë numri i aplikacioneve të mbushura dhe të dorëzuara? Cilat kanë qenë kriteret e aplikimit me ligj dhe cilat kanë qenë dobësitë e ligjeve? Sa persona e kanë fituar statusin e veteranit? Sa aplikacione janë refuzuar? Sa e kanë fituar statusin e veteranit dhe nuk e kanë gëzuar të drejtën financiare se kanë qenë në punë shtetërore? Sa janë ankuar dhe e kanë rifituar ligjërisht të drejtën e veteranit? Sa aktualisht marrinë “pensionin” e veteranit? Sa veteran vdesin në ditë dhe sa brenda vitit? Cila është perspektiva kohore e numrit të veteranëve kurë ata zvogëlohen çdo ditë, sepse janë kategori në zhdukje?
Nuk ka dyshim se ndarja në veteran të vërtetë dhe të rrejshëm duke veçuar një listë kuturu prej 19000 personave nuk është bërë pa vetëdije dhe pa qellim të caktuar. Kjo është bërë për denigrim, fyerje dhe me shpresë të përçarjes së veteranëve në dy blloqe, me shpresë të lindjes së ndonjë konflikti dhe më vonë ndonjë konfrontim mes tyre, që pastaj do ti kushtonte shtrenjtë shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare
Veteranët e çdo shteti janë komponentë e sigurisë kombëtare dhe shtetërore, sepse jeta e tyre e dinjitetshme, trajtimi me respekt nga shoqëria dhe shteti, janë elementet bazë për shtytjen e të rinjve që të bëhen pjesë e ushtrisë, policisë dhe strukturave tjera të sigurisë. Trajtimi i drejtë i veteranëve nga lufta e fundit çlirimtare rritë ndjenjën e sakrificës për mbrojtjen e lirisë, Atdheut dhe pavarësisë së vendit. Pa ndjenjën e solidaritetit me veteranët dhe ndjenjën e patriotizmit shtetërorë nuk ka siguri të shtetit.
Ju keni të drejtë komandantë kurë pohoni se fronti anti UÇK është i koordinuar me gjykimet e drejtuesve të UÇK-së në Hagë, në të njëjtën kohë me gjykimin e komandantëve të Zonave në Prishtinë kinse për listat e rrejshme të veteranëve. Është e qartë se po vazhdon lufta anti UÇK, ajo ka ndërruar vetëm formën, ata që ishin dje kundër UÇK-së edhe sot janë kundër veteranëve dhe vlerave të UÇK-së.
Shqiptarët kanë ardhur në një situatë kontradiktore, kur në liri dhe në Kosovën e pavarur me zhvillu një luftë politike të vazhdueshme për mbrojtjen e luftës çlirimtare, mbi frytet dhe gjakun e të cilës janë ngritur themelet e shtetit të Kosovës.
Shqetësimi kryesor i taborit anti UÇK është se për veteranët janë bërë shpenzime të pa drejta dhe është dëmtuar buxheti i shtetit, sikur t’a kishim ditur se lufta e UÇK-së na kushton kaq shumë, më mirë do të kishte qenë të marrim mercenarë me pagesë thonë ata, padyshim këto janë qëndrime anti shtetëror dhe antikombëtare, qëndrime kundër sigurisë nacionale. Është spekulim të thuhet se shpenzimet për ushtrinë janë shpenzime koti, humbje e parasë për gjëra që nuk sjellin dobi financiare. Po ushtritë e sotme pse bëjnë shpenzime enorme në armatim dhe trajnime, janë ato shpenzime koti? Kuptohet logjika civile nuk mund të vlerësoj dhe gjykoj veprimet luftarake dhe ushtarake. Një shtet e mbanë ushtrinë me buxhet enormë 40 vjet që një moment të luftoj 7 apo 12 ditë, dyzet vjet shpenzime arsyetohen me 12 ditë luftë, si i kanë bërë gjithë këto shpenzime koti ato shtete? Sa keq, kanë shkuar dëm për dije, se nuk i kanë pasur në dispozicion ekspertët kozmopolitë nga Kosova për çështje të sigurisë. Sigurisht se këta ekspertë që janë të afërt me pikëpamjet e disa prokurorëve dhe gjykatësve në Kosovë, mendojnë se shteti modern nuk ka nevojë për ushtri profesionale dhe të armatosur, se duhet edhe kjo çështje të kaloj në shërbime të kontraktuara, qoftë edhe me çmim të lartë, por paguajmë vetëm për aq ditë lufte sa na duhen, kështu kursejmë buxhetin e shtetit dhe paranë e taksapaguesve. Nuk ka dyshim se kjo është rruga e vetme për të dobësuar mbrojtjen e shtetit duke u thirr se po e mbrojmë shtetin.
Lufta është veprimtari komplekse, sipas standardit të ushtrive të rregullta, për një ushtarë në front janë të angazhuar 4 pjesëtar personel. Po të ushtritë vullnetare guerile si funksionon ky mekanizëm? Me çka jetojnë ata? Kush i financon? Kush i strehon? Si armatosen? Kush i armatos? Kush i mjekon? Kush i sjellë informacionet? Kush i banë furnizimet me karburante dhe lëndë tjera djegëse? Kush hapë rrugët ndërlidhëse në mes zonave të kontrolluara? Kush bënë informimin publik? Nga kush dhe si zhvillohen shumë veprimtari tjera? Shihet qartë se nuk është i mbirë i vetëm luftëtari/ushtari në vijë të zjarrit si person fizik, por janë edhe të gjitha ata që ja mundësojnë që ai të luftojë në vijë të parë. Nuk është ushtari i vijës së zjarrit terminatorë, por njeri i gjallë, me nevoja dhe kërkesa të shumta. Prandaj është e ditur se ushtritë çlirimtare guerile bazën e kanë në popull, dhe fuqia e tyre qëndron pikërisht në vijën e hollë që ndanë ushtrinë nga populli liridashës.
Një goditje që i jepet Komisionit të Vlerësimit dhe UÇK-së nga fronti anti UÇK, është mbjellja e dallimit në mes të luftëtarëve në realizimin e të drejtave ë tyre, kinse nuk duhet të gëzojnë statusin e veteranit ata që nuk kanë qenë në luftë nga fillimi deri në mbarim, ose ata që ju kanë bashkëngjitur ushtrisë në ditët e fundit të luftës. Luftëtarët veteranë nuk duhet të jenë kaq shpirtngushtë dhe të bien pre e pikëpamjeve false kinse për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe buxhetit të shtetit. Veteran janë të gjithë ata që kanë luftuar armikun, por dallimi është se nuk e kanë kontributin njësoj e për pasojë nuk i kanë as meritat e as krenarinë njësoj. Ka raste kur dy vëllezër, dy kushërinj, dy shokë janë bashkëngjitur UÇK-së dy javë para çlirimit, njëri vritet 5 ditë para çlirimit në luftime me armë në dorë dhe shpallet dëshmorë, kurse ky tjetri që pa fajin e tij ka mbetur gjallë nuk po u dashka të pranohet as veteran. Ky është qëndrim dhe manipulim i pastër anti UÇK.
Komision qendrorë për vlerësimin e aplikacioneve për veteran të UÇK-së nuk u zgjodh me konkurs dhe as nuk mund të formohet me përzgjedhje, lufta ishte proces ireverzibil, nuk mund të krijosh komision përmbi komision, komision të ekspertëve për ri verifikim qofshin ata edhe me diploma perëndimore. Një ka qenë struktura komanduese UÇK-së dhe e pa përsëritshme në kohë. Komision ka qene ligjor dhe legal i formuar prej Qeverisë dhe me kompetenca të saj, duke u bazuar në zinxhirin komandues të UÇK-së. Me këtë shkrim, nuk pretendojmë se nuk ka pasur lëshime, gabime apo edhe falsifikime, por këto janë të qartësuara që në formular të aplikimit ku saktësohet se: deklarimi i rrejshëm në plotësimin e formularëve është përgjegjësi individuale penale. Shumë e qartë, këtu përfundon gjithçka.
Po cila është ekspertiza profesionale ushtarake e prokurorisë dhe gjykatës që është marrë me rastin e listave të veteranëve. Është e pa kuptimtë të mbahet një proces gjyqësor për të gjithë luftëtarët e UÇK-së, nga një gjykatë civile qoftë ajo e emëruar edhe për krime të rënda. Kompanitë filmike kur xhirojnë një film lufte, angazhojnë konsulent ushtarak, me qellim që mos të shfaqen pamje dhe aktivitete që janë në kundërshtim me logjikën ushtarake dhe të luftës.
Ata që vajtojnë në rastin konkretë se është dëmtuar buxheti i shtetit, duhet ta din se sa herë jepen para për ushtrinë dhe veteranët nuk dëmtohet shteti, përkundrazi forcohet.
Nga kjo pikëpamje shteti duhet të aprovojë ligje për krijim të lehtësirave kompanive që bëjnë zbritje prej 10 – 20 % për veteranët. Kjo është logjika shtetërore dhe sigurisë. Jo denigrimi, jo për baltosja e çlirimtarëve, jo përmendja e shifrave shabllon të shpenzimeve. Kush ka nxjerrë nga ministria e financave shumat mujore që shpenzohen sot për veteranët dhe që ka bërë një analizë të gjithanshme? Në vend që intelektualët patriot, ushtarakët aktiv dhe në pension të ngrehin zërin për ngritjen e pensionit të veteranit në nivel të pagës minimale si zgjidhje kalimtare, të kërkohet me zë të lartë që veteranët të kenë një jetë të dinjitetshme. Të kenë një pagë që ndjek koston minimale të jetesës, jo një herë të ju caktohet një shumë dhe ajo të ngelet 10 vite e pa ndryshuar, thua se ata jetojnë jashtë efekteve të tregut dhe shpenzimeve të jetës. Kjo është sjellje e turpshme e pushtetarëve, nuk është dobësi e veteranëve. Do të jemi dëshmitarë kur në një kohë jo të largët, kur qeveritë do të marrin iniciativë për të hulumtuar mos ka ngelur rastësisht pa u regjistruar veteran ndonjë kontribuues i luftës, qofshin ata që vërtetë ju kanë dhënë vetëm një gotë ujë ushtarëve, që vetëm një natë ka mbajtur luftëtarët në shtëpi të vet, dikush që ju ka dërguar luftëtarëve një qantë me fishek ose me ilaçe. Kjo do të ndodhë sepse nuk do të jetë gjithmonë në fuqi kjo vetëdije dhe frymë anti UÇK, anti çlirimtare, e ngulitur dhe formësuar nga politikat e UNMIK-ut dhe shërbëtorët e tyre, me qëndrimin spekulativ imponues se në Kosovë nuk ka pasur luftë çlirimtare por konflikt të armatosur, dhe atë një konflikt lokal brenda shtetit të Serbisë. Ofensiva anti UÇK është duke u zhvilluar hapur, qëllimi parësor është të goditen dhe denigrohen vlerat e UÇK-së, luftëtarët e UÇK-së, drejtuesit e UÇK-së, që përmes këtyre goditjeve të goditet lufta çlirimtare, të goditët liria, shteti i Kosovës dhe qenia shqiptare.
Kush gjykon veteranët ka gjykuar vetveten, kush lufton luftën çlirimtar dhe veteranët sot, është i humbur për aq kohë sa do të ketë shqiptarë. Komandant duhet të ndjeheni krenar për atë që keni bërë në luftë dhe në paqe. Nuk e shemb breshëri malin, dhe as dielli nuk mbulohet me shoshë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …