Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm dhe të rrezikshëm për sigurinë juridike. Sipas IKD-së, vendimi është arsyetuar me ankesa ndaj punës së komisionit paraprak, por në thelb përbën shkelje të ligjit, pasi anëtarët aktualë të komisionit kanë mandat të vlefshëm deri në dhjetor të këtij viti. Sipas institutit, Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk i jep Qeverisë kompetencë për ndërprerjen e këtij mandati. IKD vlerëson se shfuqizimi i mandateve përmes një vendimi qeveritar, pa bazë ligjore të qartë, përbën veprim arbitrar dhe cenon parimin e ligjshmërisë dhe stabilitetit juridik. Në reagim thuhet se ndryshimi i komisionit nuk mund të shihet i ndarë nga mënyra e administrimit të përgjithshëm të procesit, duke kërkuar transparencë dhe respektim të ligjit. Në këto rrethana, IKD i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që të mos e miratojë vendimin, ndërsa kërkon që Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit të shqyrtojë rastin për ekzistimin e mundshëm të konfliktit të interesit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
