Islam Olluri

Islam Olluri: Një tufë poezish

Islam Olluri, është në mesin e poetëve që kanë shkruar e shkruajnë por nuk kanë botuar,  dhe,  sikur hezitojnë t’i botojnë poezitë e tyre, jo sepse dyshojnë në vlerat e krijimeve të veta, por mbase sepse mendojnë se dikush tjetër, ndonjë institucion apo shoqatë poetësh duhet të interesohet për to, ashtu sikur edhe ka ndodhur në të kaluarën, por tash nuk ndodh më, përveç në raste të veçanta.

Poezitë e Islam Ollurit, shquhen për qartësi mendimesh, seriozitet në shtjellimin poetik, perceptim  realist të përshkrimit të realitetit,  por me një dozë të shprehur të pesimizmit jetësor, që buron nga një realitet objektiv brenda individit, por edhe brenda shoqërisë përgjithësisht.

Poezia e tij meditative është e mbushur me skena, që sjellin në trajtim të kaluarën dhe pasojat  që ka lënë jeta nën robëri, por edhe jeta në liri, sepse njeriu i përmbajtur, i tërhequr  dhe i drejtë, prore ndeshet me realitetin e vrazhdë, prore ndodhet para dilemave, prore në luftën e së mirës kundër dhunës e së keqes, sepse e tillë ka qenë është dhe do të jetë jeta njerëzore…

Në krijimet e tij poetike, Islam Olluri është zotërues i vetës dhe i realitetit në kohë e hapësirë, në sinkroni e diakroni, është në elementin e vetë jetës, së ftohtë e të vrazhdë, e tillë çfarë është tani, kur njeriu zhvishet nga ëndërr, synimet dhe ballafaqohet me lakuriqësinë e një jete në të perënduar, por fatit kurrë nuk i dihet “edhe pse jeta kalon si treni i shpejtë, i cili nuk ndalet në asnjë stacion dhe nuk kthen kurrë prapa”, sikur thoshte shkrimtari i madh hungarez, Moric Zhigmond…

Pavarësisht se notat e errëta dominojnë në sekuencat shpirtërore të disponimit, poezia e Islam Ollurit, është dinjitoze, e stisur me mendime e meditime filozofike e poetike, është tejet e frymëzuar nga fati i jetës, nga ndeshtrashat e së kaluarës. Këto poezi të  ngelin gjatë në kujtesë, si dromca rrëfimesh nga jeta, nga koha e cila e bën të vetën, nga koha që shëron plagë e vaje, por edhe nga koha që kafshon idhshëm dhe pakthyeshëm… Islami është i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për të gjitha, andaj shkruan, krijon, mediton, nuk dorëzohet, por zbraz edhe zemërimin, duke kujtuar edhe grushtin e Migjenit…

 

Dilemë    

 

Dy udhë ke në jetë  

nuk të them dot cilën ta  ndjekësh

biri im,

një të vështirë të krenarisë

dhe një të ligësisë së lehtë

të ulesh krye    

 e të tërhiqesh edhe kur ke të drejtë

 të mbash anën e kapllanëve               

 e të presësh në besë miq e shokë 

 për një gradë a për një kockë

 të ndryshosh formë e trajtë    

 për çdo ditë, për çdo javë                       

 të kërcesh ashtu si të rrahin def                                                       

 thjesht të jesh palaço                 

 me të ngreh zhag nëpër udhë                     

 me të lanë pa bukë, pa ujë                

 me ditë, me javë, me muaj                         

 me te fye e me të përbuzë                                                         

 dhe ti mos me ndryshue bindje                                  

 as me qite shokë                         

 as krye ulë                                    

 as me ulë flamur                                    

 as me mbyll sy me shami                   

 edhe kur duan  me të varë në litar

 edhe kur duan me të mbyll në qeli.

 

 

Fund-viti   

 

Më duket se kanë filluar të numërohen  mbrapshtë,

nëntë, tetë, tre, dy,

dhe bam  fishek-zjarret! 

Dhe ti nuk e prishë shumë terezinë

Për Vitin e ri qe po vjen

mbase të kanë tepruar te vjetrit

bile të kanë dalë për hundesh

sa shumë t’ u kanë bërë

sa nuk e dallon dot ma cili është viti i ri 

dhe cili është viti i vjetër  

O zot! sa pak vite të kanë mbetur

sa gishtat e njërës dorë

sa te dyjave bashkë! 

ose në variantin më të  keq

vetëm sa një gisht.

Jashtë bie borë

brenda mall e trishtim,

duhet të pi edhe pak verë

deri sa të më bëhet krejt rrafsh

T’i hedh tutje gjysmën e viteve   

bile vetëm për një natë

 

Lëshoja edhe pak zërin televizorit

kjo këngë me pëlqen shumë

kjo këngë me mallëngjen 

kjo këngë me shti ne dhe, shtatë pash

 

(Lulëzoi fusha lulëzoi mali

Bukuri ka ra ne dynja

Ku me je shpirt se me ka marr malli

O sytë e mi janë mbushë me vaj )

 

Dua të pi edhe pak  verë

Edhe një cigare me e ndezë. 

Do ta thyej  premtimin, do të rebelohem

Ta heq merakun e krejt gjërave të  ndaluara,

Ç rëndësi ka të jetosh

një vit me shumë ose një vit me pak

kur miliona vjet nuk je më !

 

 

Zhgënjim  

 

Ty asgjë nuk të bie tamam 

edhe kur ndoshta është tamam                

ty prapë nuk të bie.

Nuk e di përse rebelohesh kot                              

tash je krejt i lirë, vrapo, kërce 

fishkëllo

ndalu !                         

bir barkas dhe shkarravitu

në bari deri sa të lodhesh                   

pastaj shtrihu ne kokërr të shpinës                                  

shikoi yjet si vezullojnë në qiell             

dhe përpiqu t’ i numërosh                           

deri sa të zë gjumi                                

Mos harro të lutesh                            

nesër të kesh më shumë fat!

 

 

Epilog

 

Pi venë duke  dëgjuar Wagnerin                      

dhe dehu deri ne pafundësi                                

Bën dashuri  si për të parën herë .          

pa çka se është hera e fundit                                    

Koha është shumë e shkurtë

batica vetëm sa nuk ka ardhë

Nëse do ta sfidosh  ferrin                              

dhe mes për mes t i biesh                      

mos shko esëll shko i dehur                                            

Nuk ka asgjë përtej Urës së Siratit

as kopsht me lule as llavë zjarri nuk ka

mos u bën merak !

 

 

Pamje vjeshte  

 

Gjithkah gjethe pemësh të kuqërremta

që bien në tokë duke vallëzuar  

është fluturimi i parë dhe i fundit                                   

për para se bora ka për t’ i mbuluar.

Për pak kohë të zë trishtimi                                                           

të duket vetja gjeth i shkretë                                                              

kah do që të ka përplasur jeta 

ti përsëri je ngritur vet !

Por atëherë kishe një ëndërr                                                           

por dikur kishe një shpresë                                                           

Tash të janë zënë  damarët në zemër                                                      

sikur zë akulli krojet në bjeshkë.

 

 

Murtaja

 

Tash nuk është kohë e mirë

Për të vdekur, dëgjomë mua

Shtyje sa të mundesh

shtyje deri sa të  kalojë murtaja

dhe merre vëmendjen e të gjallëve

dhe jepu kohe të qajnë e të kujtojnë.

Tash është pranverë

Është stina e ringjalljeve

dhe jo e mortjeve 

mos vdis sot!

ke një mijë arsye mos me vdekë

Askush nuk e do as dasmën

pa ceremoni

e lerë më vdekjen.

Është pranverë e hershme  

dhe lule-bozhuret ende nuk kanë qelë 

ka me të mbetur  merak përgjithmonë

 

5 prill 2020

Lipjan

 

 

 

Krizë moshe 

 

Mbase të është shurdhuar pipi

dhe më nuk të dëgjon kush 

për ditë po të ngushtohet rrethi

mos ngrit krye kot

me gdhend në këmbën tënde 

gati të gjithë janë kundër teje

je bërë si cung kovaçi !

aktro

te vyen edhe pak

diplomaci

banjau rrafsh të gjithëve

le të rrezohen pak

a nuk ashtë sharti i parë

me ia ditë hallin vetes

mbase tash ke hy në rreth te fundit 

je elektron i lirë

tash ke hy në zonë me rrezik

kujdes!

Këtu minat pëlcasin si gacat

gati pa asnjë paralajmërim

ne çdo vend, në çdo kohë

edhe pa i shkelë me këmbë

edhe pa i prekur me dorë

Çudi kujtimet i mbysin shpresat !

 

 

Shifra 65

 

Edhe kjo puna e punës u krye

tash të ka mbetur vetëm edhe pak 

mbase edhe një vrap kali distancë    

deri ne fund

deri ne sernishtë

dhe ty te kujtohet hapi i parë

krejt ne fillim te ecjes

ecja këmba doras neper harmoq

dhe përballja e parë me buburrecat e kuq

Nota e parë dysh për vijat e drejta

te shkruara trash dhe shtrembër 

të bëra troç si thupra shelgu ne ujë

Çudi sa shpejt ikin vitet

e unë lutesha me u rritë më shpejt

tash nuk kisha dashtë me mbarue kurrë

ajo kohë

më shumë se artriti

të mbytë

shifra 65

Llixhë e Elbasanit,  Llixhë

 

 

Sfidë

 

Sonte e kam sosur ta sfidoj

gravitetin

jam duke qëndruar  pezull mbi re

pa lëvizur krah as qerpik!

Sonte dua ta ndal rrotullimin

e globit  

jam këtu në inkubator 

Duke pritur të shtoj në peshë

e me më dal puplat !

Sonte me duket se ia kam hedh

edhe fesë edhe shkencës

mbase vetëm për një natë 

deri sa te vije agu.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …