Isuf Ismaili: Radio Kosova e Lirë, radio e nderit dhe lavdisë shqiptare

Isuf Ismaili: Radio Kosova e Lirë, radio e nderit dhe lavdisë shqiptare

Sado që mund të flasim, sado që mund të shkruajmë për Radion Kosova e Lirë është pak, është pamundur t’i themi e t’i shkruajmë të gjitha ato që duhet e ato që kjo radio meriton, sepse kjo radio është zëri i lirisë së vërtetë, është radio që është themeluar e ka vepruar në flakët e luftës heroike të UÇK – së, e cila luftoi për jetë a vdekje me bishat e tërbuara serbe, për lirinë e përcaktimet e shëndosha shqiptare të bashkimit të tërësishëm shqiptar.

Radio Kosova e Lirë ka qenë dhe mbeti përherë besnike e këtyre përcaktimeve, sepse udhëhiqet nga shpirti i dëlirë i shqiptarit, ky është shpirti i vazhdimësisë së shqiptarit në shekuj, që ka gjetur vend e hapësirë të gjerë në emisionet, lajmet, në analizat e në vështrimet, në këngët e poezitë e në veprat e shumta që publikohen, dëgjohen me ëndje nga valët e kësaj radio e  paraqiten në faqen e publikimeve të shkuara të kësaj radio.

Lufta heroike e madhështore që kanë bërë ushtarët, komandantët e atdhedashësit në kuadër të UÇK- së është padyshim luftë që ka dhënë frutat më të shëndetshme të lirisë dhe përcaktimeve shqiptare në Kosovë e duke u shtrirë edhe në viset të tjera që i kishte pushtuar Jugosllavia, është ajo vula më rëndësishme shqiptarësisë së Kosovës, vulë e hedhur në luftimet, në betejat, në aktivitetet, në ndërmarrjet e veprimet e shëndosha shqiptare për çlirimin, lirinë e tërësisë shqiptare e të bashkimit të Shqipërisë. Ajo është vula e gjakut të heronjve, dëshmorëve e të gjithë luftëtarëve e veprimtarëve shqiptarë. Por, zëdhënësja, trumbetuesja, mbrojtësja dhe himnizuesja e të gjithë asaj lufte, të UÇK-së, UÇPMB – së dhe UÇK- së në Maqedoni, e veprimeve dhe ndërmarrjeve atdhetare në zhvillimet e kësaj lufte  qe dhe është Radio Kosova e Lirë dhe ka disa  vite që krah saj, që nga themelimi është edhe Tv. Dielli.  Këto dy medie janë mbarëshqiptare, sepse në programet e në përcaktimet e tyre është përhapur dhe është dhënë pikërisht ajo kthjelltësia e shqiptarësisë si tërësi e plotë, duke na përgatitur shpirtërisht të veprojmë e punojmë pa u ndalur që të arrijmë pikërisht edhe bashkimin e Atdheut, jetësinë e tërësisë së Shqipërisë dhe zhvillimin e përparimin për të kapur hapin me kohën, krahas popujve e vendeve të tjera të Evropës.

Në Radion Kosova e Lirë kanë hapësirë e shtrirje edhe emisionet të arriturat shkencore, shoqërore, politike e informative të përgjithshme, por edhe kulturat e vallet, si dhe synimet e popujve të tjerë, popujve liridashës e revolucionarë.

Kur themi, se kjo radio është kalitur në flakët e luftës çlirimtare, mjafton të hedhim një shikim të shkurtër të historikut të saj e të kuptojmë, se si ka vepruar në kohën e luftës, në ç’ kushte e rrethana, se në ç’ breshri plumbash e predhash, bombash e zjarresh ka përhapur zërin e saj çlirimtar dhe se nuk është dorëzuar asnjëherë.  Armiku barbar serb pa pushim ka bërë përpjekje ta shuajë këtë zë, duke hedhur edhe bomba kasetë e bomba të tjera nga ajri, duke u orvatur ta zhdukë me çdo kusht. Por, duke qenë shumë mirë e fortifikuar në male, e duke u mbrojtur me jetën e luftëtarëve trima të UÇK-së, ajo shpëtoi duke u bërë, kështu, në vazhdimësi radio e nderit dhe lavdisë shqiptare.

Në këtë përvjetor të njëzetë e dytë, ajo gjallëron dhe përhap zërin e saj, sepse udhëhiqet nga shpirti i dëlirë i shqiptarit, nga profesori i nderuar, shkrimtari, gjuhëtari, nga studiuesi i shquar e drejtori i RKL- së Ahmet Qeriqi dhe nga punonjësit e përkushtuar e bashkëpunëtorët e kësaj radio.

Urimet më të mira për Radion Kosova e Lirë! Gëzuar njëzetë e dy vjetori! Uroj që zëri i saj të buçasë sa më shumë në të gjitha trevat shqiptare, të mos shuhet kurrë! Të gjithë punonjësve e bashkëpunëtorëve të RKL – së iu uroj shëndet të plotë, punë e veprimtari të mbarë!

4 janar 2021

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i ZOD, gjatë luftës, Sami Lushtaku, rrëfen momentet me komandantin. Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij

Në 25-vjetorin e rënies së komandantit Ilaz Kodra, bashkëluftëtari i Ilaz Kodrës, Sami Lushtaku, ka …