Isuf Ismaili: Kështu foli për Kryengritjen Shqiptare të vitit 1981, drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi

Isuf Ismaili: Radio Kosova e Lirë veproi e do të veprojë në tabanin e shqiptarësisë sonë

Kur flasim apo shkruajmë për Radion Kosova e Lirë, duhet të kemi, përherë, parasysh faktin, se ajo është, në radhë të parë, institucion i atdhetarisë shqiptare, institucion ky që lidhet, gjithmonë, me luftën heroike e madhështore të UÇK- së. Luftë kjo që e solli çlirimin dhe lirinë e Kosovës, kësaj treve shqiptare e cila ka qenë gati një shekull nën pushtimin e regjimeve barbare e fashiste të Serbisë.

Lufta e bijve dhe bijave më të mira shqiptare, në radhët e UÇK – së, trimave e trimëreshave nga të gjitha trevat e Shqipërisë së tërësishme,  qe luftë e zjarrit, e flakës, qe ajo forcë që e lëvizi botën në shërbim të çështjes shqiptare.  Ky  heroizëm, këta bij e bija të atdheut në luftën e UÇK – së, por edhe më pas edhe pasi kaluan njëzetepesë vite,  e patën  dhe kanë zëdhënëse Radion Kosova e Lirë. Ky institucion i atdhetarizmit tonë, ka qenë dhe është zëri më i natyrshëm, ka qenë dhe është zëri më burimor, që jehoi e jehon, që përhapet kudo në botë, siç është në të vërtetë, zë i ngadhënjimit, zë i dëshmorëve e heronjve, i UÇK – së, i të gjithë shqiptarëve atdhedashës. Këtij zëri, kësaj radioje i dha shpirt e i dha jetë, në radhë të parë, profesor Ahmet Qeriqi, përkushtimi, puna veprimtaria e tij dhe të gjitha përpjekjet e tij janë shëmbëlltyra më e mirë, se si veprohet, se si jetësohen planet, se si nuk harrohen, heronjtë e dëshmorët e Atdheut, se si shkruhet e përhapet vepra e tyre – sakrifica e heroizmi i tyre, se si mbrohet dhe se si shpërndahet jehona, zëri i ëmbël i shqiptarësisë sonë, zëri i mirë e i nderit të shqiptarit në shekuj.

Padyshim, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj, kanë punuar e vepruar shumë atdhedashës, luftëtarë,  njerëz të denjë në këtë radio, të gjithë ata që e kanë mbajtur dhe e mbajnë kurrizin drejt, e mbajnë dhe lartësojnë emrin e mirë të kësaj radio, janë shumë të respektuar e shumë të nderuar.

Por, ka edhe të atillë, të cilët nuk duan, të kuptojnë se kur flasim e shkruajmë, kur veprojmë e kur synojmë diçka për t’i shërbyer historisë së luftës por edhe historisë pas saj, atdhetarizmit shqiptar, nuk mund të ndahen as Ushtria Çlirimtare e Kosovës, as Radio Kosova e Lirë dhe shumë natyrshëm as profesor Ahmet Qeriqi, puna e vepra e të cilit është kurorë e lavdisë dhe krenarisë atdhetare e përkushtimit njerëzor.

Radio Kosova e Lirë e shënoi para pak ditësh 25 – vjetorin e ardhjes së saj nga frontet e luftës dhe vendosjes së saj në Prishtinë, ku edhe sot e kësaj dite, ashtu, si gjithmonë e prirë nga idealet më të shëndosha shqiptare e njerëzore, vepron me përkushtim e sakrifica të mëdha edhe pse, si në të kaluarën, por edhe tani, institucionet shtetërore të Kosovës së pas luftës, kurrë nuk panë të arsyeshme ta merrnin në mbrojtje e ta mbështetnin dhe të krijonin rrethana të përshtatshme të punës e veprimtarisë së saj, ashtu siç kanë vepruar me mediat të tjera.

Radio Kosova e Lirë interesat e Atdheut, i vuri mbi çdo gjë. Duke shkruar më erdhën në mendje vargjet e poezisë së Naimit të madh, i cili shprehet kështu:

Atdheu

“O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka,

Më je nënë, më je motër, më je vëlla.

Nga ç’ ka rrotull më i shtrenjti ti më je,

Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.”

“Shqipëri, të qofsha falë,

të kam mëmë e më ke djalë.”

Këto mësime dhe këto ideale e kanë udhëhequr profesor Ahmetin, në  udhën e madhe të atdhetarizmit, duke sakrifikuar e duke vuajtur sa s’ ka më. Jo vetëm torturat në hetuesinë e burgjet jugosllave, por edhe përballja e tij me padrejtësitë e me shëmtitë e të këqijat që ndodhën e ndodhin pas luftës së UÇK – së, ndaj popullit shqiptar në Kosovë e trevat të tjera shqiptare e kanë shqetësuar pamasë dhe i kanë lënë plagë të mëdha, sado që ai të gjitha i ka vënë në spikamë, përsëri janë gjetur njerëz të atillë (edhe pse nga disa as nuk është pritur e as nuk është menduar se mund të gjenden në anët e gabuara e në anët e panevojshme, anë këto që dëmtojnë shumë) duke e shqetësuar pikërisht profesorin dhe jo vetëm atë, madje edhe për gjëra, të cilat dihet se si kanë qenë e janë në e për Radion Kosova e Lirë.

Megjithëkëtë, në radhë të parë, profesor Ahmeti me shokë e dashamirë, me familjarët e tij arriti ta mbajë gjallë e të fortë Radion Kosova e Lirë, por edhe Tv-Diellin me shumë përkushtim e në rrethana tepër të vështira, sepse kështu njerëzit e mëdhenj, bëjnë vepra të mëdha, të cilat janë e do të jenë gjithmonë yje që e shkëlqejnë rrugën e shqiptarësisë sonë.

Më tepër se fjalët e mia e dhe të gjithë atyre që flasin e shkruajnë për Radion Kosova e Lirë e Tv. Diellin, flasin veprat e këtyre mediave,  të gjithë atyre që i dëgjojnë i respektojnë dhe veprojnë në këto media e për mbarëvajtjen e tyre.

Urimet më të mira për përvjetorin e 25 – të RKL – së! Zëri i sa jehoftë gjithmonë, e kurrë mos u shoftë! Nderime e lavdi punonjësve të saj! Lavdi të përjetshme dëshmorëve dhe heronjve të atdheut!

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …